TIRANË- Hapja e 42 kutive të qarkut të Dibrës dhe rinumërimi vetëm i votave preferenciale të PD-së, tregoi se demokratët kanë trafikuar votat mes njëri-tjetrit. Administrata e KQZ-së zbuloi se votat brenda kutive, nuk përputheshin me procesverbalet për asnjë kandidat të listave të hapura.
Kandidatit Xhemal Gjunkshi i janë marrë 17 vota, të cilat i kanë shkuar kandidatëve të tjerë në listën e hapur të PD. Përparim Spahiut, i cili rezulton edhe kandidati më i votuar në qarkun e Dibrës nga opozita, i janë dhënë 49 vota tepër.
Kutitë u hapën me kërkesë të Xhemal Gjunkshit të PD-së i cili beson se duhet të jetë i pari në renditjen e listës së hapur dhe jo Përparim Spahiu. Përpjekja e Gjunkshit duket më shumë një betejë nderi. Si ai ashtu dhe Spahiu, janë jashtë parlamentit, pasi në Dibër, nga koalicioni i PD, fitori vetëm 2 deputetë nga lista e mbyllur.
Nga numërimi i parë mes tyre diferenca mes dy kandidatëve ishte 120 vota, ndërsa numërimi i dytë e ngushtoi diferencën në 54 vota, çfarë nxiti Gjunkshin që të kërkonte rihapjen e kutive edhe për bashkinë e Matit.
"Të hapet edhe KZAZ-ja e Burrelit. Ta zgjeroj dhe të shikoj rezultatin nga diaspora. Përmbyset i gjithë rezultati.", tha Gjunkshi.
Edhe përfaqësuesi ligjor demokrat Marash Logu, mbështeti kërkesën e tij
"Nga 120 diferenca ngushtohet me 54 vota, kjo është domethënëse, për të hapur edhe kuti të tjera. Mund të kemi një rirenditje të kandidatëve të listës preferenciale", tha Logu.
Por për anëtarin e KAS, Ervin Lako "Fletët e votimit janë ato që janë në kuti. Nëse keni pretendime se janë manipuluar apo ndryshuar rrugës, shkoni në prokurori. Nuk mund ta hetojmë ne administrativisht këtë."
Kërkesa e Gjunkshit nuk u pranua dhe KAS nuk lejoi të hapeshin kuti të tjera, madje as vetë anëtarët e propozuar nga PD, nuk vendosën veton, siç kanë bërë në raste të tjera.
Ndërkohë, Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve ka rrëzuar një tjetër kërkesën e bërë nga koalicioni opozitar PD-ASHM për Shkodrën. Sipas KAS nuk do të ketë rinumërim të votave për qarkun Shkodër.
Në tabelën e rezultatit të votimit të kandidatëve të subjektit zgjedhor PD – ASHM të KAS shihet se Alketa Agollit i janë shtuar 10 vota, Basir Çollakut i janë hequr 8 vota, Xhemal Gjunkshit i janë shtuar 17 vota, Përparim Spahiut i janë hequr 49 vota, Ismail Ukës i janë shtuar 4 vota.
Trafiku i votave brenda kandidatëve bën me përgjegjësi numëruesit. I takon KQZ-së të vlerësojë nëse do të kallëzojë këta individë në prokurori, siç bëri në vitin 2021, apo do t’ amnistojë duke i konsideruar gabime njerëzore.
Ndërkohë, nga java e ardhshme, pritet të nisë rinumërimi i votave për subjektet dhe kandidatët për qarkun Tiranë, më pas për Fierin e në vijim me Durrësin, vendim që u mor gjithashtu nga dy anëtarët e PD në KAS. Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi sqaroi se procesi pritet të zgjasë deri në 20 ditë ndërkohë që rezultati në të gjithë Shqipërinë do të certifikohet në mes të gushtit.
KQZ do të finalizojë rezultatin e zgjedhjeve vetëm kur edhe Kolegji Gjyqësor Zgjedhor të jetë shprehur për ankimet. Një ditë më parë, PD, pasi humbi betejën ligjore në KAS, çoi në Kolegjin Zgjedhor qarqet Gjirokastër, Korçë dhe Kukës.
Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) ka rrëzuar dy kërkesa ankimore të depozituara nga Koalicioni Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore (PD-ASHM), të cilat kërkonin shpalljen të pavlefshme të zgjedhjeve të 11 majit 2025 në qarqet Dibër dhe Shkodër.
PD kishte bërë kërkesë për miratimin e Tabelës Përmbledhëse të Rezultatit të votimit në zonën zgjedhore Qarku Dibër dhe Dibër për subjektet zgjedhore dhe kundidatët për deputetë në zgjedhjet për Kuvendin të datës 11 maj 2025'
Por, Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve e rrëzoi kërkesën e Partisë Demokratike për pavlefshmëri dhe përsëritje të zgjedhjeve për Qarkun e Dibrës dhe Shkodrës.
'Sot, Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve vijoi me shqyrtimin e kërkesës ankimore nr. 41, datë 27.05.2025, depozituar nga Koalicioni Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore, me objekt: “1. Kundërshtimi i Vendimit Nr. 1314, datë 22.05.2025 - të KSHZ - "Për miratimin e Tabelës Përmbledhëse të Rezultatit të votimit në zonën zgjedhore Qarku Dibër, për subjektet zgjedhore dhe kundidatët për deputetë në zgjedhjet për Kuvendin të datës 11 maj 2025". 2. Pavlefshmëria e zgjedhjeve të zhvilluara në datën 11 maj 2025 në zonën zgjedhore Qarku – Dibër. 3. Zgjidhjen e pasojave duke urdhëruar përsëritjen e zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë në të gjithë zonën zgjedhore Qarku Dibër”. Në seancën e KAS u rinumëruan dhe u vlerësuan votat e kandidatëve të subjektit zgjedhor Koalicioni PD-ASHM, për 42 qendrat e votimit të qarkut Dibër.
Në përfundim të shqyrtimit, me shumicë votash KAS rrëzimin e kërkesës ankimore nr. 41, të Koalicionit PD-ASHM, për shpalljen të pavlefshme të zgjedhjeve të zhvilluara në datën 11 maj 2025 në zonën zgjedhore qarku Dibër, si të pa mbështetur në ligj dhe në prova. Ndryshimin e vendimit të nr. 1314/2025 të KSHZ “Për miratimin e Tabelës Përmbledhëse të Rezultatit të votimit në zonën zgjedhore Qarku Dibër, për subjektet zgjedhore dhe kundidatët për deputetë në zgjedhjet për Kuvendin të datës 11 maj 2025”.
Gjithashtu, përfundoi shqyrtimi i kërkesës ankimore nr. 44, datë 27.05.2025, depozituar nga Koalicioni Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore, me objekt: “ 1. Kundërshtimi i Vendimit Nr. 1312, datë 22.05.2025 - të KSHZ - "Për miratimin e Tabelës Përmbledhëse të Rezultatit të votimit në zonën zgjedhore Qarku Shkodër, për subjektet zgjedhore dhe kandidatët për deputetë në zgjedhjet për Kuvendin të datës 11 maj 2025". 2. Pavlefshmëria e zgjedhjeve të zhvilluara në datën 11 maj 2025 në zonën zgjedhore Qarku –Shkodër. 3. Zgjidhjen e pasojave duke urdhëruar përsëritjen e zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë në të gjithë zonën zgjedhore Qarku Shkodër”.
Me shumicë votash, KAS vendosi rrëzimin e kërkesës ankimore nr. 44, të Koalicionit PD-ASHM, për shpalljen të pavlefshme të zgjedhjeve të zhvilluara në datën 11 maj 2025 në zonën zgjedhore qarku Shkodër, si të pa mbështetur në ligj dhe në prova. Lënien në fuqi të vendimit 1312/2025 të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve “Për miratimin e Tabelës Përmbledhëse të Rezultatit të votimit në zonën zgjedhore Qarku Shkodër, për subjektet zgjedhore dhe kandidatët për deputetë në zgjedhjet për Kuvendin të datës 11 maj 2025”', thuhet në vendim.
Nga një mbledhje e KAS-it
Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve rëzoi sot ankimim e Partisë Demokratike për shpalljen e pavlefshme të zgjedhjeve të 11 majit dhe përsëritjen e tyre për qarkun Shkodër dhe Dibër.
Me shumicë votash, KAS vendosi të rrëzonte kërkesën e PD-ADSHM për qarkun e Dibrës mbledhje që në fakt u shty pas kërkesave të reja dhe rinumërimit të 42 kutive të pretenduara nga kandidati Xhemal Gjuknshi, për vjedhje të votave preferenciale të votave brenda partisë. Rinumërimi faktoi devijimin e votave brenda PD-së në dëm të Gjunkshit dhe favor të Përparim Spahiut, por sipas KAS nuk zjell ndryshim rezultati.
Në përfundim u rrëzuan të gjitha kërkesat e PD-ADSHM dhe kandidatit, si për rinumërim total, ashtu edhe për pavlefshmëri, duke i dhënë fund procesit të shqyrtimit për këtë qark. Por KAS vendosi që rinumërimi i bërë për 42 kutitë, të pasqyrohej në tabelat përmbledhëse, pra të reflektohej rezultati i rinumërimit të votave preferenciale në tabelën përfundimtare.
Aktualisht ka mbetur vetëm qarku Elbasan në proces. Më parë KAS kishte rrëzuar PD-në edhe për qarqet Berat, Korçë, Gjirokastër, Vlorë, Kukës dhe Lezhë.
Ndërkohë që ka vendosur me iniciativë të 2 anëtarëve të PD-së, e drejtë ligjore që ia njeh Kodi Zgjedhor, rinumërimin e të gjitha kutive të qarkut Tiranë pas ankimimit të kandidateve të PD-së që pretendojnë transferim vote brenda partisë, rinumërim tëkutive edhe në qarkun e Fierit, si dhe rinumërim të pjesshëm në Durrës, për 2 KZAZ, votat e diasporës dhe 60 kuti të pretenduara nga kandidati Aulon Kalaja.
PD aktualisht ka dërguar në Kolegjin Zgjedhor me padi rrëzimet që i ka bërë KAS për qarqet e Gjirokastrës, Kukësit dhe Korçës.
Moment nga diskutimet për Dibrën në KAS, Gjunkshi kërkon hapjen e të gjitha kutive
Partia Demokratike dhe kandidati i saj Xhemal Gjunkshi, depozitoi sot (11 qershor) kërkesa të reja për hapjen kutive të tjera për votën preferenciale, pasi nga rinumërimi i 42 kutive nga KAS dhe KQZ, ku pretendohej se kishte transferim vote brenda kandidatëve, u faktua procesi i manipulimit të votave nga numëruesit demokratë.
Gjunkshi i kërkoi KAS-it gjatë mbledhjes që ngushtimi i diferencës me 54 vota në këto kuti tregon se edhe në të tjerat mund të ketë prova shtesë që çojnë në ndryshimin e rezultatit të tabelave, përveçse përgjegjësisë penale të komisionerëve. KAS u shpreh kundër në parim, por mori parasysh kërkesën e përfaqësuesit Marash Logu dhe Gjunkshit për ta shqyrtuar. Gjithsesi në fund kërkesat e reja u rrëzuan dhe tani ish-gjeneralit i mbetet të ndjekë rrugën e padisë dhe ankimimit në Kolegjin Zgjedhor.
Gjunkshi kërkoi konkretisht verifikimin e pamjeve filmike shtesë të KQZ-së për kutitë e tjera të numëruara, hapjen e të gjitha kutive të Diasporës dhe 15 nga 16 kutive të KZAZ-së së Matit. KAS pasi dëgjoi kërkesat e reja, u tërhoq për vendim, teksa për 42 kutitë e rinumëruara u shpreh se nuk prodhuan plotësisht, por vetëm pjesërisht pretendimin e ankimuesit, duke mos sjellë ndryshim rezultati.
Diferenca e Gjunkshit nga Përparim Spahiu, është me 120 vota. Asnjë prej tyre nuk doli deputet në qarkun Dibër sepse ishin në listën e hapur dhe PD nuk mori asnjë mandat në listë të hapur.
Diskutimet e plota në mbledhjen e KAS:
Marash Logu: Në 8kuti ka 53 fletë votimi të papërdorura që nuk dihet ku ndodhen, KQZ nuk e di ku ndodhen, situatë problematike. Kërkuam edhe të dhënat për shenjat e gishtrinjve në qendrat e votimit për zgjedhësit dhe KQZ nuk na i ka vënë në dispozicion.
Xhemal Gjunkshi: Duket qartazi, u faktua, u dallua se ka mospërputhje të rezultatit. Ju keni pranuar si KAS nga PD pamjet filmike, kjo tregon se çfarë ndodh mëpas. Gjatë numërimit rezultoi se nuk përputhet ajo që është shënuar me atë që ndodhet në pamjet filmike. Pamjet filmike nuk janë private, por të KQZ. Kam konstatuar se në 3 KZAZ janë 130 vota që bëhet diferenca mes kandidatëve. Të bëhet verifikimi i çdo kutie me tabelën e rezultatit.
Pamë sot se kemi shtim dhe pakësim të votave për kandidatët. Kemi parë pamjet filmike të subjektit dhe rezulton se s’ka përputhje. Unë kërkoj që të merret në konsideratë nga ana juaj me verifikim të pamjeve filmike me tabelën e rezultatit. Të merret në konsiderat e verifikohet KZAZ e Burrelit për rezultatin me pamjet filmike, gjithashtu edh pamjet filmike e rezultatin që është marrë nga Diaspora. Ka edhe transferim të votës së partisë tek ajo e kandidatit, që ka të bëjë me kryqin në fletën e votimit. Pra sa janë votat e partisë dhe secilit kandidat. Ka transferim të konsiderueshëm të votave që e përmbysin komplet rezultatin. Ndaj kërkoj të bëhet krahasim i votave që janë numëru për subjektet, me tabelën e rezultateve që kanë kandidatët.
Relatori i KAS, Elvin Lako: Ne shqyrtuam kërkesën tuaj pasi e konstatuam dhe numëruam ato kuti ku kishte pretendime. Ne bëjmë gjykimin mbi fletët e votimit dhe pamjet filmike ndihmojnë, nëse ka manipulim dhe ndryshim, e ku mund të vijojë ehde me ndjekje penale. Por nëse keni prova të tjera filmike për kuti të tjera në i presim. Por kërkesa juaj do shqyrtohet nga KAS e do shprehemi.
Xhemal Gjunkshi: Ju e keni marrë në konsideratë se ka shkelje te rezultati, biem dakord se ka transferim të votave nga ata që i numërojnë dhe ata do përgjigjen e dalin para përgjegjësisë. Por jemi para faktit se kemi ndryshim të votës, kemi transferim.
Ilir Rusmali: Prova e paraqitur nga ju ishte pjesërisht e vërtetë. Ju flisnit për mbi 200 vota të zhvendosura në ato kuti dhe rezultati doli me 56 vota, pra mes jush e të tjerëve. Ky është rezultati që konfirmon pjesërisht provën tuaj të servirur. Ne do ta çmojmë këtë rezultat, por në lidhje me kërkesën tuaj për rezultatin, është mbyllur këtu. Kemi ezauruar vlerësimin e provës me të gjitha mjetet në dispozicion.
Marash Logu: Kërkesa jonë dhe e zotit Gjunkshi është që përveç hapjes dhe krahasimit të votave, është që të hapen edhe filmimet e tjera që disponohen, përveç atyre 42. Kërkesa tjetër është për kutitë e Matit, në KZAZ, të 15 nga 16 kutive atje. Zoti Gjunkshi mendonte se në 42 kuti do zbulohej ajo që ai mendonte, tani kemi kërkesën tjetër. Diferenca nga 120 vota është ngushtuar në 54 vota e kjo është domethënëse. E teta është vota e diasporës, pasi zoti Gjunkshi mendon se edhe me to diferenca do ngushtohet edhe më tej.
Komente

Malokëria e Sali non gratës,hajdutëri dhe vrasje shpellarë derra.
Përgjigju