Nga mbledhja e sotme e KAS për Gjirokastrën

Politikë

Ankimet e PD/ Shtyhen Kukësi e Gjirokastra, do hapet një kuti e Beratit për diasporën, PD pretendon votimin nga e njëjta dorë! Do verifikim dhe për fletët e papërdorura

3 Qershor, 15:45| Përditesimi: 3 Qershor, 18:52

  • Share

Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve zhvilloi sot mbledhjen për shqyrtimin e provave të qarkut Gjirokastër, të pretenduara nga Partia Demokratike dhe aleatët e saj të ADSHM për zgjedhjet e 11 majit, pasi konteston rezultatin 3 me 1 në favor të PS-së si produkt të parregullsive.

PD kërkon pavlefshmëri dhe rinumërim nëpërmjet përsëritjes së zgjedhjeve edhe në këtë qark, sikurse në ankimimet për 11 qarqet e tjera.

Përfaqësuesi i PD-së, Franc Nuri, trajtoi një pretendim të ri ditën e sotme, atë të fletëve të papërdorura, pasi demokratët tani kanë nisur ankimim të ri për 130 mijë fletë votimi të papërdorura në të gjithë vendin, teksa shprehet se komisionerët nëpër procesverbale i kanë shënuar zero.

Kjo ka bërë që dosjes së provave t’i shtohet një proces i ri që gjithashtu bëhet shkak edhe për zvarritje dhe vonesa, sepse kërkon kohë për verifikim.

Nuri këmbënguli që t’i vihej në dispozicion edhe tabela për fletët e papërdorura, teksa relatori Koli Bele theksoi se ka edhe limite njerëzore rreth çështjeve të ngjashme, ku intensiteti i punës është i lartë, por kjo nuk nënkupton se ka parregullsi zgjedhore që kanë ndryshuar rezultatin.

“Mund të na dalin si ato të kutisë së Vlorës, ku u pretendua për fletët pa vulë dhe dolën të gjitha të vulosura. Për Gjirokastrën janë një numër i vogël fletësh, gjithsesi presim të vijë përgjigja për kërkesën tuaj dhe ta shqyrtojmë”, tha relatori në fjalën e tij, teksa iu la kohë administratës së KQZ për të sjellë raportin.

Pasi mbërritën të dhënat për 11 fletë në dy qendra votimi, Bele theksoi se do merrnin edhe dy ditë kohë për shqyrtimin.

“Eksperimenti që do bëjmë edhe nesër për kutitë e Vlorës (hapja e 4 kutive për fletët e papërdorura), do na tregojë më shumë dhe do vlejë për të përcaktuar trendin e problemit. Ndaj mbledhjen për Gjirokastrën, po e shtyjmë për të enjten në orën 16:00”, tha Bele, duke deklaruar mbylljen e seancës.

Nuri u shpreh se kërkonte që të hapeshin edhe kutitë e Gjirokastrës për fletët e papërdorura.

Kurse përfaqësuesit e KQZ-së u shprehën se pretendimet e PD-së nuk qëndronin dhe në qarkun Gjirokastër nuk kishte pasur problematika dhe parregullsi që çonin në ndryshim rezultati.

Mbledhja e dytë në radhë ka qenë për Beratin, ku edhe në këtë rast përfaqësuesi Nuri pretendoi për disa kuti të diasporës që kishin fletë votimi të shenjuara nga e njëjta dorë në proces, duke kërkuar hapjen e tyre. Gjithashtu ai kërkoi informacion nga KQZ për fletët e papërdorura të votimit për qarkun berat, pas ankimimit të PD-së për 130 mijë fletë të papërdorura që pretendon në të gjithë vendin.

Anëtari i KAS, Ilir Rusmali nënvizoi se ishte e pamundur që të ishte e njëjta dorë që kishte lënë shenja në fletë për të gjithë territorin e Greqisë për votën e diasporës. Edhe përfaqësuesit e KQZ dhe PS dhanë të njëjtin opinion, duke rrëzuar pretendimin e Nurit.

Por në fund u vendos që të hapet edhe një kuti e diasporës së Beratit, me kërkesë të PD, e me votën e 2 anëtarëve të KAS, ku Nuri pretendoi se votat dukeshin të ploteëuara si nga e njëjta dorë. Hapja e kësaj kutie do verifikojë për shenjat e pretenduara, por KAS i vuri në dukje Nurit se pas kësaj duheshin provat konkrete që të vërtetonin se ishin plotësuar nga e njëjta dorë.

Gjithashtu në rend dite ishte edhe shqyrtimi i ankimimit të shtyrë nga seanca e kaluar për Kukësin, ku Franc Nuri në emër të PD-ADSHM shtoi pretendime të reja për votën e diasporës, pasi tha ka fletë votimi të shenjuara nga e njëjta dorë. KQZ e kundërshtoi, teksa KAS pranoi që t'i shqyrtonte dhe e shtyu mbledhjen për ditën e nesërme, në orën 16:00.

A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Bëri mirë Berisha që akuzoi Shqipërinë si narkoshtet në samitin e PPE?