Kryeministri Edi Rama, gjatë takimit në Vlorë, ka debatuar më një gazetar i cili e pyeti kryeministrin nëse me lëvizjet për largimin e drejtorëve ka nëpërkëmbur autoritetin e institucionit të Bashkisë.
Por, Rama tha se ishin ata që kishin nëpërkëmbur qytetarët e Vlorës.
‘Ti ke hall se u nëpërkëmb institucioni i bashkisë, kurse unë kam hall që institucioni i bashkisë nëpërkëmb gjithë Vlorën çdo ditë. Kështu që unë jam të zgjidhet kjo e dyta, pastaj nëpërkëmbjen e institucionit e trajtojmë në një kohë të dytë, po institucioni është aty për gjithë qytetarët e Vlorës dhe qytetarët e Vlorës ndihen të nëpërkëmbur nga institucioni, nga indiferenca, nga tangërllëku i shumë ‘’bajraktarëve’’ të atij institucioni, nga fakti që edhe pse shërbimet nuk janë ato që qytetarët dëshirojnë.
Ata njerëz vazhdojnë të rrinë aty, siç tha kolegia. Kolegia tha që ata kanë tridhjetë vjet aty. E ekzagjeroi pak po nuk është çudi që dikujt tjetër i duket se kanë 300 vjet aty. Kështu që, kjo është si ta shikosh. Unë nuk mendoj që institucioni i bashkisë është nëpërkëmbur në këtë rast, por në qoftë se ndihet i nëpërkëmbur, duhet të kuptojë që është koha që të ndiejë për një moment ai institucion se si ndihen qytetarët e Vlorës çdo ditë nga mungesa e shërbimit konstant', tha ai.
Pas Vlorës dhe Tiranës, Rama paralajmëron takime e inspektime edhe në Fier, Durrës, Shkodër e Elbasan.
'Nesër do të shkojmë në Fier, do të shkojmë edhe në Durrës, do të shkojmë edhe në Shkodër apo në Elbasan, ku janë edhe problematikat më të mëdha, por ky është proces i gjithi, nuk mbaron asnjëherë nevoja për ta përmirësuar qytetin dhe për ta përmirësuar administrimin e qytetit. Kështu nuk është se e pamë tani dhe u zgjuam befas, por gjithmonë ka një moment kur akumulimi sjell nevojën për ndërhyrje', tha ai.
I pyetur lidhur me largimet e PD drejt PS, nëse kjo është nisëm për goditur dhe Partinë Demokratike lokale, Rama tha se nuk ka të bëjë me një goditje politike, por përkundrazi me një rritje të interesit nga vetë demokratët për t’iu bashkuar Partisë Socialiste.
'Përsa i përket goditjes së Partisë Demokratike. Nuk e kuptoj pyetjen fare se që ne të godasim Partinë Demokratike është pjesë e përshkrimit të punës që kemi, pra nuk është se po godasim një të moshuar apo ndonjë të pambrojtur në rrugë. Godasim një kundërshtar. Po në këtë rast, nuk është se ne kemi goditur, se nga goditja zakonisht njerëzit largohen, nuk afrohen. Në këtë rast, kemi pasur shumë afrime nga Partia Demokratike e Vlorës dhe duam të kemi edhe më shumë. Kështu që i them të gjithë atyre që ndjehen se mund të japin diçka që të mos ngurrojnë fare të vijnë në këtë procesin e konkurrimit, edhe ne nuk do ngurrojmë fare në rast se do të jenë profesionistë që do të jenë bindës për atë që mund të ofrojnë dhe është akoma sfiduese, sepse këtu në Vlorë ata të Partisë Demokratike s'kanë fituar kurrë', tha ai.
Lajmi kryesor:
Rama ‘zbarkon’ sërish në Vlorë, inspekton lirimin e hapësirave publike: Drejtorët, e papërshtatshëm! Keqmenaxhim me ujin, reformojmë sektorin (VIDEO)
S.B/SI.E./ReportTv.al
