Kronikë

Vdekja e pushuesve në plazhe, Klosi: Aty ku nuk ka roje, hetim penal për pronarët! Muzikë pa orar? Saranda s'mund të jetë profili i një diskoteke të hapur

24 Qershor 2021, 12:43| Përditesimi: 24 Qershor 2021, 17:35

  • Share

SARANDË-"Çdo humbje jete në plazh shënon hapjen e një hetimi penal për poseduesin e plazhit provat apo pronarin e hotelit, në rast të mungesës së rojës së plazhit". Ky ishte mesazhi që ministri i Turizmit, Blendi Klosi u ka dhënë të gjithë operatorëve turistik dhe pronarëve të plazheve private në të gjithë vendin.

Gjatë takimit me Komitetin e menaxhimit të sezonit turistik në Sarandë, Klosi tha se roja e plazhit tashmë është kusht ligjor për mbrojtjen dhe sigurinë e jetës së pushuesve dhe në rast se ai mungon atëherë hetimi penal do të hapet ndaj pronarit të plazhit privat.

Ministri tha se shërbimi i ruajtjes se jetës së pushuesve në plazh është detyrim ligjor dhe parësor për të gjithë. Në të gjithë Sarandën janë 170 parcela plazhi nga të cilat 165 janë private të menaxhuara nga privati dhe 5 janë parcela publike, për qytetarët që nuk kanë mundësi të frekuentojnë ato private.

 "Mbetet problem sigurimi i rojeve të plazhit dhe për ta pasur tashmë stacion plazhi ka dhe detyrimin për të ruajtur çdo jetë në det. Çdo humbje jete shënon për poseduesin e plazhit një hetim penal, në rast se nuk kemi roje plazhi penaliteti i kalon te poseduesit të hotelieres pasi shërbimin e ruajtjes së jetës e ka detyrim ligjor", tha Klosi.

Klosi foli edhe për kërkesat e operatorëve turistik që të hiqet kufizimi orar për muzikën pasi po dëmtohet biznesi i tyre. Ministri u tregua i prerë se nuk do të ketë tolerime dhe duhet të respektohet fasha orare për ndalimin e muzikës, kjo pasi sipas tij zhurmat kanë qenë një nga problemet kryesore të Sarandës nga turistët dhe se kjo nuk do të lejohet më. Klosi tha se ajo që synohet është krijimi i një profili të një Sarande mikpritëse dhe kulturore dhe jo e një diskoteke të hapur.

 "Bizneset ta kenë të qartë fashat orare të kufizimit të muzikës. Zhurmat kanë qenë një problematikë e madhe në Sarandë dhe tashmë kjo nuk do të ndodh më. Duhet ta pranojmë të gjithë që tani Saranda e ka formuar një profil të sajën që smund të jetë profili I një diskoteke të hapur, duhet të jetë profili I një qyteti mikpritës, miqësor, familjar, turizëm I plotë turizëm 12 muajt e vitit një turizëm që nuk pranon vetëm muzikë. Prandaj unë I bashkohem kërkesë së prefektit, Këshilli Bashkiak duhet të marrë vendimin për fashat dhe zonat se ku nuk lejohet muzika dhe të gjithë bizneset ta kenë të qartë fashën orare, kufizimin e muzikës edhe brenda mos grumbullimit, mos krijimit të aktiviteteve, por muzika e lartë nuk duhet të ndodhë këtë vit', tha Klosi

Një tjetër problematikë që ministri Klosi ngriti për qytetin e Sarandës ishte sigurimi i pastërtisë së qytetit, sidomos gjatë sezonit turistik. Ai kërkon më shumë bashkëpunim nga hotelet private dhe operatorët turistik me bashkinë për të vendosur një orar se kur do të  shkarkohen mbeturinat e tyre në mënyrë që koshat të mos rrinë plotë 24 orë në ditë duke krijuar kështu një imazh të keq për qytetin.

"Nuk mund të pranojmë që koshat të jenë të mbushura 24. Komuniteti dhe operatorët turistik duhet të bashkëpunojnë me bashkinë dhe të ruajnë pastër ambientin. Saranda është një qytet që po bëhet gjithmonë e më e pastër, dhe vetë njerëzit duhet ta ruajnë këtë pastërti. Në një moment të caktuar, thjeshtë prej disa mbeturinave mund të dëmtohet i gjithë imazhi i qytetit dhe hidhet poshtë edhe puna e operatorëve turistik. Hotelet të tregohen të përgjegjshme dhe të kenë një dakordësi se kur duhet ta kryejnë këtë shërbim", tha Klosi

Në aktivitet foli edhe prefekti i Vlorës, Flamur Mamaj i cili tha se shpreson që më 1 korrik me lehtwsimin e masave antiCOVID, të hapet porti i Sarandës me Greqinë pasi është nxitës i turizmit dhe jahteve luksoze.

"Më 1 korrik data e fundi e konktretimit të masave të sigurisë kombëtar në qarkun e Sarandës. Në bashkërendim me pushtetin vendor do jetë në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi  për mbarëvajtjen e sezonit turistik. Shpresojmë që Porti i Sarandës të hapet me Greqinë më 1 korrik nga lehtësimi i masave antiCOVID, pasi  kjo do të nxiste edhe më shumë turizmin", tha Mamaj

 

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?