Komisioni Evropian mirëpret përfshirjen e Shqipërisë në zonën unike Euro (SEPA): Një hap përpara në integrimin drejt BE!

22 Nëntor, 16:44| Përditesimi: 22 Nëntor, 18:05

  • Share

Komisioni Evropian ka mirëpritur sot (22 Nëntor) vendimin e Këshillit Evropian të Pagesave, që Shqipëria dhe Mali i Zi t’i bashkohen hapësirës gjeografike të Zonës Unike të Pagesave në Euro, SEPA.

Brukseli e cilëson këtë vendim edhe “si një hap përpara në rrugën e integrimit evropian”, duke bërë që Tirana dhe Podgorica të konsiderohen si vendet e para më pranë procesit të zgjerimit. 

Zyra e drejtuar nga komisionerja Ursula von der Leyen, shprehet se “ky është një shembull praktik i ndikimit të Planit të Rritjes, një nismë e BE-së për të përshpejtuar integrimin socio-ekonomik të Ballkanit Perëndimor në BE”.

Shqipërisë dhe Malit të Zi i jepet në ketë mënyrë qasje progresive në zona të caktuara të tregut të përbashkët të BE-së. Si rezultat i vendimit të Këshillit Evropian të Pagesave, ofruesit e shërbimeve të pagesave të këtyre dy vendeve do të kenë mundësi të përfitojnë uljen e kostos së transaksioneve bankare.

“Ky hap çel udhën për lehtësimin e transfertave financiare në euro edhe nëpërmjet një projekti të financuar në kuadër të instrumentit IPA dhe të zbatuar nga Banka Botërore, do të vazhdojë të mbështesë përgatitjen e ofruesve të shërbimeve të pagesave të Malit të Zi dhe Shqipërisë”, theksohet në reagim.

Edhe kryeministri Edi Rama njoftoi përfitimet që ka Shqipëria nga ky vendim, ku hiqeshin pagesat e komisioneve për zonën euro, sikurse edhe Guvernatori i BSH, Gent Sejko, shprehu të njëjtin qëndrim, teksa vetëm në vitin e parë kursehen 20 mln euro, sipas tij.

Këshilli Evropian i Pagesave është një shoqatë ndërkombëtare e pavarur dhe jofitimprurëse, e përbërë nga 81 anëtarë, që janë ofrues të shërbimeve të pagesave, që u krijua në vitin 2002 nga industria bankare evropiane për zhvillimin e instrumente evropiane për pagesat elektronike në euro. 

Sot në Këshillin Evropian të Pagesave marrin pjesë rreth 4.000 banka dhe ofrues të tjerë të shërbimeve të pagesave. Që atëherë, këto skema, lehtësojnë çdo vit mbi 50 miliardë transaksione në 36 vende.

A.Q//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Pensionist: 22/11/2024 19:08

    Me pak fjal shume mire tani pensionstet do dergojne lekt dhe evro ne SEPA drejt evropes problem se skan cte dergojn

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?