Juristi Kreshnik Spahiu tha se kontrata e lobimit të PD-së me aleatët e saj politikë me vlerë 6 mln dollarë, me kompaninë amerikane ‘Continental’ për t’i pastruar imazhin Sali Berishës, ka hije dyshimi dhe paligjshmëri që duhen hetuar dhe do hetohen, si në Shqipëri, ashtu edhe në SHBA.
I ftuar sot në emisionin “Studio Live’ të moderatorit Arbër Hitaj, në Report Tv, ai tha se edhe KQZ-ja duhet të kishte reaguar menjëherë pas publikimit të kësaj kontrate për të bërë transparencën, teksa është i sigurt se është shkelur ligji i financimeve për disa arsye, duke i shpjeguar edhe në terma jurisprudence, referuar Kodit Elektoral.
“Kam punuar me disa organizata joqeveritare, kam punuar disa vite me Transparency International, në lidhje për transparencën e financimit të partive politike, që cilësohet si një nga çështjet më kryesore, pasi pengmarrjet e shtetit realizohen gjatë financimit të fushatave elektorale. Ai që jep para para zgjedhjeve, i jep për një arsye. Pra, një person me profesionin elektricist në SHBA ka dalë garant për 6 mln dollarë, për një parti politike! Çfarë interesi ka ai? Ka budalla që e beson që një njeri të japë pa interes vetjak, për partinë dhe jo më për Shqipërinë, 6 mln dollarë?!
Ka një kuadër ligjor se si financohen partitë politike, korniza ligjore dhe limite financiare. Ky limit është 1 mln lekë të reja, e çdo person që e kalon këtë si person fizik apo subjekt, nuk mundet ta kalojë këtë limit. Ndryshe konsiderohet i paligjshëm, ndaj janë vendosur këto barriera, që të mos abuzohet më pas, të mos blihet partia politike. Që nëse PD vjen në pushtet, të mos jetë peng e elektricistit në fjalë. Ndaj merren peng partitë politike pas zgjedhjeve nga oligarkët”, u shpreh juristi.
Sipas tij, kjo është kontrata e tretë e PD-së, tani kemi një tjetër kontratë, por kemi dhe barrierën ligjore.
“Ka tre kufizime: Persona juridik të huaj s’mund të financojnë në Shqipëri. Nëse është donacion, duhet të tregohet lista e të gjithë donatorëve, sepse në Shqipëri nuk mund të bëhet. Kufiri 1 mln lekë të reja dhe tjetra, buxheti i shtetit, që donacioni s’mund ta kalojë 10% të buxhetit të shtetit. Por unë kam një dyshim se janë para të pista, pavarësisht se thuhet se janë për patriotizëm.
Problemi është juridik këtu, dhe ai ligjor në SHBA. Atje është deklaruar kontrata ligjërisht, por sigurisht nuk janë deklaruar të gjitha fondet, pasi është paguar vetëm kësti i parë. Nëse PD s’do kishte futur elektricistin Nuredin Seci si garant, s’do kishte probleme, pra nëse do i bënte nga banka private në Shqipëri, psh., 750 mijë euro të KQZ t’i kalonte në SHBA, do ishte ligjore. Pra janë dashur financime ekstra për kontratën e lobimit në SHBA”, shprehet Spahiu.
Ai i bën edhe një paralelizëm si një procedurë penale me raste të ngjashme. Dhe këtu kujtoi rastet e lobimit të Ilir Metës, i cili sot është në burg dhe Lulzim Bashës që u hetua dhe akuzua, teksa aktualisht lakohet edhe çështja e Ramës me McGonigal.
Spahiu tha se Amerika 'nuk të fal për këto raste lobimi' dhe precedentët janë, ndaj edhe me rastin e Berishës besonte se do ndiqet e njëjta praktikë ligjore dhe penale në të dy vendet.
“Ne jemi marrë me të katra kontratat e lobimit në SHBA dhe të gjitha janë bërë objekt i hetimit atje. Pra u bë Basha, Meta, po bëhet Rama me McGonigal dhe tani Berisha. Pra ata hetojnë dhe të dërgojnë FBI-në, nuk është e mundur të blihen SHBA-të as me 6 mln, as me 60, as me 600 dhe as me 6 mld dollarë!”, u shpreh ai.
Spahiu tha se nuk ishte e ligjshme që të ketë ndikim të huaj apo influencim në zgjedhje, qoftë me financime e në shkelje të ligjit.
“Po arrestohen njerëz për 50 euro për blerje vote, po për 6 mln dollarë financim? Sepse mund të influencojë edhe rezultatin e zgjedhjeve, kjo është shkelje. A mund të ketë ndikim kjo edhe të Shtëpia e Bardhë. Ndaj nuk lejohet ndërhyrja e enteve të huaja me ligj. Nëse vijnë njerëzit e huaj e vijën e bëjnë fushatë këtu, këtu pastaj s’ka garë. Ne duhet t’i kërkojmë falje atij fshatarit për 50 euro, për miellin apo vajin e ullirit, në krahasim me palën tjetër”, nënvizoi ai për Report Tv.
Për Spahiun, KQZ duhet të kishte reaguar publikisht, teksa shpjegoi se sa rrezikojnë të implikuarit në kontratë.
Spahiu hodhi edhe dyshimin se kryetarët e partive aleate të PD-së nuk dinë gjë për këtë kontratë dhe që mund të jetë një shkelje tjetër.
“Unë ndaj mendimin se KQZ duhet të ndërhyjë apo duhet të ndërhynte. Në momentin që kishte kontratë 6 mln dollarë, duhet t’i thoshte partisë politike se kishin kaluar limitet dhe shkelur ligjin. KQZ duhet të ndërhynte, pra duhet të reagonte për kontratën 6 mln dollarë. Kjo parashikon 6 muaj deri në 2 vjet heqje lirie për një shkelje të tillë penale. Përgjegjësia penale nuk është vetëm e personit që firomos kontratën, sepse në këtë rast Flamur Noka ka firmosur për të 25 aleatët e PD-së. Por a kanë dijeni këta 25 kryetarët e partive për këtë kontratë lobimi? Ai që po hetohet tani nga SPAK nuk është sekretari i Partisë së Lirisë, por kryetari i PL-së, Ilir Meta dhe jo për deklarim, por për shifrën, se është mashtruar me shumën përlobim në SHBA, që është tre herë më e vogël nga e deklaruara. E njëjta gjë edhe me Bashën, pavarësisht se prokuroria bëri interpretimin juridik dhe pushoi çështjen", vijoi ai.
Analisti shtoi se së shpejti do ketë reagime të tjera dhe veprime ligjore, duke sjellë në vëmendje se nuk ka dalë ende në pah kontrata e firmosur me konsulentin dhelobuesin Chris LaCivita, që do ishte një tjetër lajm i bujshëm.
“Tani presim edhe zbardhjen e kontratës me Chris LaCivitën. Pritet të zbardhet edhe kontrata që është firmosur me LaCivita. E çuditshme se si një qytetar amerikan, se nuk është as zyrtar, i jepet mikrofoni në fushatë elektorale, e nxjerr në publik, pavarësisht se çfarë është ai, e unë mendoj se nuk është vetëm çështja e kontratës së lobimit, por ka edhe të tjera. Sot diskutohet se Berisha përdori PD-në dhe Aleancën Shqipëria Madhështore, e që ato nuk kanë dijeni, pra përdor këto parti madhështore. Po jep para për të pastruar imazhin e tij, implikon partinë me faturë financiare dhe kjo është çështje tjetër”, tha ai.
Por a e ndryshojnë financimet situatën elektorale në Shqipëri?
“Jo 6 mln, por edhe 60 miliardë të hidhen, unë mendoj se nuk ndryshon situata, se elektorati e ka ndarë mendjen. Elektorati i PD-së psh., aktualisht e ka vendosur, e ka treguar edhe herë të tjera, edhe kur u shpall non grata nga SHBA. Berisha e ka trenin e fundit edhe për shkak të moshës, ai nuk ka sfidë izolimin amerikan, sepse edhe nëse thyhet këto ditë, nuk ndikon aspak. Ai ka sfidë vetëm 11 majin. Sepse nuk mund të jetë më faktor pas 4 vitesh po humbi, ndaj kjo është edhe beteja e fundit e tij”, tha Spahiu.
Juristi Kreshnik Spahiu thotë se partitë e reja janë gjëja më interesante që po i ndodh fushatës elektorale të 11 majit. Por ato kanë një armik të rrezikshëm, siç është sistemi elektoral rajonal në bazë qarqesh dhe jo kombëtar.
Dhe po t’i shtosh kësaj mungesën e strukturave dhe shpërndarjen e fushatës në qarqe ku nuk marrin dot deputetë, kjo e bën akoma edhe më të vështirë panoramën elektorale.
“Gjëja më tërheqëse, pozitive, atraktive, të kësaj fushate janë partitë e reja. Jo vetëm se i kam miq, por kanë tërhequr vëmendjen e publikut dhe simpatinë e tij. Por jo vetëm, sepse është edhe momenti politik, kanë pasur mbështetjen edhe të SPAK. Siç ndodhi edhe me Albin Kurtit, kur u arrestuan të gjithë liderët e tjerë dhe mbeti me fushë të hapur. A do e kenë këtë fat? Unë them se jo, do e kenë të vështirë, pasi sistemi zgjedhor nuk e lejon. Po marrë të mirëqena edhe sondazhet, që i nxjerrin me 6%. Por në qarqe kjo përqindje është e pamundur për deputetë, për të gjitha. I vetmi qark mbetet Tirana për të marrë deputetë, sepse sistemi elektoral nuk ua lejon. Nëse do ishte një sistem kombëtar, do kishte kuptim, ku merr 6% dhe ajo të përkthehet në deputetë. Kurse këtu e kemi me qarqe, pra nëse merr 7 mijë vota merr zero deputetë dhe nëse merr në gjithë vendin 100 mijë vota total, ti merr zero deputetë. Është skemë elektorale e mirëmenduar. Ndaj partitë e vogla duhet të ishin bashkuar pë të marrë deputetë e të mos humbiste vota, pasi të mbaronin zgjedhjet, le të ndaheshin pastaj”, shprehet Spahiu.
Por ai nënvizon edhe defektin që këto parti të reja opozitare kanë shfaqur së fundmi.
“Një tjetër defekt i tyre është deklarimi se nuk do hyjnë në qeveri, s’do bëjnë koalicion as me Berishën dhe as me Ramën. Nga njëra anë mirë bëjnë, por nga ana tjetër si do e realizojnë programin e tyre për rroga dhe pensione, pra duke mos qenë me asnjërin, ti rri në opozitë dhe programi yt bëhet zero, se nuk e realizon dot. Përfaqësimi i programit bëhet vetëm duke qenë aktiv, edhe në qeveri, ku ti e detyron atë të zbatojë programin tënd”, shpjegon ai.
Teksa uron që partitë e reja të marrin sa më shumë vota dhe t’i përkthejnë në mandate, ai këshillon që mirë do të ishte që fushata në qarqet e tjera të braktisej dhe të fokusohej në kryeqytet. Ai e sheh vështirësinë tek sistemi elektoral.
“Unë uroj që elektorati gri të votojë partitë e reja. Por ky sistem është i tillë, pasi populli voton të rejat, votat i numërojnë partitë e vjetra. Është sakrificë e madhe të jesh aktivist i një partie të re, unë i kam vuajtur edhe vetë, ndaj edhe i mbështes partitë e reja sepse i kuptoj. Madje partitë e mëdha edhe të baltosin me makinerinë e tyre, të sulmojnë etj. Kurse këta thonë nuk bëjmë koalicion ne me ta. Ja edhe Albin Kurti ashtu u soll dhe tani ndodhet në pozitë të vështirë. Unë vlerësoj më shumë partitë e reja se fraksionet e PD-së, sepse partia e re është më e vështirë. Por partitë e reja kanë defekte të struktura, atë që kanë më të lehtë fraksionet që vijnë nga PD-ja. Kur je parti e re, e para të vjedhin, partitë e mëdha ndajnë votat e tyre 50 me 50. Votat nuk vijnë nga media, por nga strukturat njerëzit, se ata nuk të tradhtojnë. Pëlqyeshmëria nga media është e tillë, por nuk të jep votë”, vijon juristi.
Dhe cila do ishte zgjidhja më e mirë për to, që të merrnin maksimumin nga ky rezultat?
“Lufta kryesore bëhet në Tiranë, hambari i votave është në kryeqytet. Dhe duke qenë të veçuara, partitë e reja dhe fraksionet do e kenë të vështirë. Madje do i këshilloja të vinin kyçin për fushatën në qarqe, e të punonin vetëm në Tiranë si një tren”, përfundoi Spahiu.
Kreshnik Spahiu e quan fushatën më të ftohtë dhe të akullt që pas pluralizmit.
Madje edhe rezultati është i parashikueshëm, teksa vendosi “bast publik” në emisionin “Studio Live” të Report Tv, se PD dhe Sali Berisha në aleancë me Ilir Metën, do të marrë më pak mandate deputetësh sesa mori Lulzim Basha më 2021.
“Kjo është fushata më e ftohtë, më e akullt, më e qetë, e paorganizuar. Unë i kam ndjekur të gjitha dhe PD-ja ka qenë gjithnjë kampione e tubimeve, pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve. Sot, ka dhjetëra arsye, përveç sondazheve, se e dinë rezultatin elektorati dhe lideri i saj,e asnjë lloj opozite nuk e nxjerr dot analizën apo të sjellë rotacionin. Nuk ka rotacion më 11 maj. Kemi PS-në përballë 10 subjekteve, kjo është panorama. Made më shumë se aleanca e PD ka 25 parti. Pse PS nuk bëri koalicion? Sepse sipas llogarive të dhënat nuk e nxjerrin apo të bjerë nga rezultati i 2021, pra jo më pak se 74 mandate. Unë vij më 12 maj në këtë studio. Shënoje, Berisha do marrë më pak mandate me Ilir Metën në koalicion, si bast publik, sesa Basha dhe Monika më 2021”, u shpreh juristi.
Gjatë analizës së tij ai nënvizoi se qëllimi i Berishës është të mbajë peng opozitën, kurse i Ramës të marrë edhe mandatin e 2029 dhe pse jo një të gjashtë, duke mbajtur Berishën si patericë.
Spahiu shprehu shqetësimin edhe për situatën e opozitës pas 11 majit.
“Do marrin më pak se Basha që e denigruan për 10 vjet dhe ai do ketë rezultat më pozitiv sesa Berisha dhe PD do marrë më 11 maj. Objektivi i tyre, i Berishës, është të marrë peng opozitën. Shqetësimi është jo se kush fiton 11 majin, por 2029. Nëse pas 11 majit shkrihen partitë e tjera, s’do ketë shpresa më 2029, shuhet shpresa. Kush do jetë prapë më 2029? Përsëri Rama dhe Berisha dhe madje Ramës i intereson të ketë Berishën përballë. Kjo është situata më e frikshme.
Kjo do ndodhi se e gjithë skema politike ishte për të lënë jashtë partitë e tjera dhe për të thënë se opozita e vetme jemi ne. Kompania amerikane i duhet për dy vite për vizionin e tyre se do jetëopozita e vetme. Për të thënë se doni rotacion politik, doni të iki Rama pas 16 vitesh, jemi ne këtu, jemi ne shishja e qumështit, për t’i vendosur faktorit diplomatik një detyrim se janë vetëm ata dhe kjo është më e keqja.Por kjo mund të shkojë në mandatin e 5 dhe të 6 të Ramës dhe kjo shkakton një patericë. Paterica e vërtetë e Ramës është Berisha”, theksoi juristi për ‘Studio Live’.
Ai komentoi edhe listat e deputetëve të të dy partive, duke thënë se PS ka negativitet te lista e mbyllur dhe pozitivitet tek e hapura, kurse PD-në e sheh pa emocion elektoral.
“PS ka dy momente. Listën e hapur dhe të mbyllur. Lista e mbyllur Rama ka mbyllur njerëz që nuk e meritojnë, emra të panjohur, që s’kanë asnjë meritë e kjo është pjesa më negative. Pjesa pozitive është se ujqërit e votave i ka nxjerrë në listë të hapur. Për të mbledhur vota, ish-ministra dhe deputetë me peshë. Kanë hyrë në konkurrencë dhe në fund kjo përkthehet në vota.
Te PD kam parë vetëm 2 kandidatë në Tiranë që bëjnë fushatë në listë të hapur, Jorida Tabaku dhe Ilir Alimehmeti, të tjerët nuk duken. Skema elektorale e Shqipërisë është e ndarë, jugu voton PS-në, veriu voton PD-në, e kush është lufta? Sigurisht që Tirana. Kush merr Tiranën, merr edhe pushtetin”, përfundoi juristi analizën e tij.
Kreshnik Spahiu ironizoi situatën me financimet elektorale dhe donacionet në fushata elektorale, duke thënë se për një thes miell quhet krim zgjedhor dhe arrestohesh, kurse për 6 mln dollarë e quajnë lobim ligjor, duke theksuar paradoksin që ekziston me situatën e krijuar.
Ai sqaroi se sipas ligjit shqiptar, donacionet anonime ndalohen me ligjin e partive politike. Sipas Spahiut, kjo është kontrata e tretë e PD-së, tani kemi një tjetër kontratë, por kemi dhe barrierën ligjore.
“Ka tre kufizime: Persona juridik të huaj s’mund të financojnë në Shqipëri. Nëse është donacion, duhet të tregohet lista e të gjithë donatorëve, sepse në Shqipëri nuk mund të bëhet. Kufiri 1 mln lekë të reja dhe tjetra, buxheti i shtetit, që donacioni s’mund ta kalojë 10% të buxhetit të shtetit. Por unë kam një dyshim se janë para të pista, pavarësisht se thuhet se janë për patriotizëm”, u shpreh ai sot për “Studio Live”.
Juristi tha se nuk ishte e ligjshme që të ketë ndikim të huaj apo influencim në zgjedhje, qoftë me financime e në shkelje të ligjit.
“Po arrestohen njerëz për 50 euro për blerje vote, po për 6 mln dollarë financim? Për një thes miell quhet krim elektoral dhe arrestohen e akuzohen, kurse për 6 mln dollarë equajnë lobim. Sepse mund të influencojë edhe rezultatin e zgjedhjeve, kjo është shkelje. A mund të ketë ndikim kjo edhe të Shtëpia e Bardhë. Po Arlind Qori çfarë taksirati ka të përballet me këta që harxhojnë lekë. Po nëse DASH del e mbështet Ramën në zgjedhje, a është influencë në zgjedhje, po, unë mendoj se është. E njëjta gjë me Berishën nëse del Shtëpia e Bardhë. Ndaj nuk lejohet ndërhyrja e enteve të huaja me ligj. Nëse vijnë njerëzit e huaj e vijën e bëjnë fushatë këtu, këtu pastaj s’ka garë. Ne duhet t’i kërkojmë falje atij fshatarit për 50 euro, për miellin apo vajin e ullirit, në krahasim me palën tjetër”, nënvizoi ai për Report Tv.
Ujërat e politikës shqiptare nuk i ka trazuar vetëm kontrata 6 mln dollarë e lobimit të PD-së dhe Sali Berishës me kompaninë amerikane “Continental”, por edhe lajmi që përhapën se kryeministri Edi Rama kishte ndërmjetësuar për takimin në Beograd me djalin e presidentit Donald Trump, Donald Jr.
Ky i fundit reagoi bashkë me Grenell për heqjen e këtij lajmi nga zyra e PD-së, duke e quajtur të pavërtetë, ose që ta përgënjeshtronin.
Juristi Kreshnik Spahiu tha sot për Report Tv se kjo nuk është e vetmja histori mashtrimi me lajme fake e makinerisë së opozitës dhe veçanërisht PD-së së Berishës, duke kujtuar edhe rastet kur përdornin emrin e SHBA-ve për heqjen e non gratës, arrestimin e ministrave, arrestimin e ish-ambasadores Yuri Kim dhe të tjera.
Por sipas tij, ky veprim nga zyra e PD-së do kishte konseguenca më të forta në vijim dhe nuk do ishte reagimi i vetëm.
“Si politikë shqiptare ne jemi shumë qesharakë dhe provinciale në raport me Amerikën. Këta kanë menduar se mund të përdorin familjen Trump. Por ajo që nuk pranon në traditën e saj familja Trump është që ta përdorin. Më tepër që ta blesh me para. Si mund të mendosh që ata të blihen me para, e tani po u kthehet në bumerang. Unë mendoj se ky nuk do jetë reagimi i vetëm nga Grenell apo djali i Trump. Do ketë zhvillime të tjera”, tha Spahiu.
Dhe më tej kujtoi disa raste të tjera kur nga zyra e selisë blu janë shpërndarë lajme të rreme.
“Jo vetëm lajmet e rreme, se i kemi dëgjuar jo do arrestohet Yuri Kim, jo do arrestohen 11 ministra, jo qeveri teknike, jo non grata, ngritën makineri mashtrimi, duke përdorur edhe SHBA-të. Ne e dimë shumë mirë se SHBA-të nuk hedhin poshtë as administratën, as ambasadorin, as Grenellin e kështu me radhë, kështu funksionon politika amerikane. Për më tepër me këtë rast, që mendoj se do vijnë reagime të tjera, ndaj edhe këta janë tërhequr totalisht, edhe nga reagimet publike”, nënvizoi juristi për “Studio Live”.
Komente
