Kosova & Rajoni

Zgjedhjet në Kosovë/ Kurti forcë e parë me 40.83%, por nuk arrin shumicën! Pason PDK me 22,15%, LDK 17.59% dhe AAK-NISMA 7.47%

9 Shkurt, 19:37| Përditesimi: 10 Shkurt, 22:40

  • Share

PRISHTINË-  Lëvizja Vetëvendosje është fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit me mbi 40 për qind të votave, por do i duhet të negociojë një koalicion me partitë e tjera për të formuar qeverinë e re. Janë numëruar 2512 nga 2533 kuti, ose 99.17% e tyre.

Lëvizja Vetëvendosje rezulton se ka marrë 40.83% ose 339 mijë e 350 vota. E dyta në renditje vjen PDK me 22,15% ose 184 mijë e 87 vota, e ndjekur nga LDK me 17,59% ose 146 mijë e 241 vota. 

AAK-Nisma ka marrë 7,47% ose 62 mijë e 66 vota, Lista Serbe 4.43% ose 36784 vota, teksa në fund renditet Koalicioni për Familje, me 2,26% ose 18785 vota.

Rezultati sipas KQZ me 99.17% e votave të numëruara/ 2512 nga 2533 kuti: 
Vetëvendosje e Albin Kurtit ka marrë 40.83% të votave
PDK ka marrë 22,15% të votave,  kandidat për kryeministër Bedri Hamza
LDK ka marrë 17,59% të votave, kandidat për kryeministër Lumir Abdixhiku
AAK-Nisma ka marrë 7,47%, kandidat për kryeministër Ramush Haradinaj
Lista Serbe ka marrë 4.43% të votave
Lista për familjen ka marrë 2,26% të votave

Kreu i Vetëvendosjes shpalli fitoren pak pas mesnatës para simpatizantëve të mbledhur për të festuar në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, duke shtuar se do të vazhdojë qeverisjen në koaliicion me “Guxo” dhe “Alternativa”.

"Procesi zgjedhor ka qenë proces demokratik. Jemi të parët dhe ky është një konfirmim për qeverisjen tonë të mirë e të mbarë, demokratike dhe progresiste. Koalicioni ynë fitues do ta formojë qeverinë e re Kurti 3 dhe në këtë mënyrë ne do të vazhdojmë edhe ato punët të cilat i kemi nisur por edhe shumë të tjera të reja në përputhje me zotimet tona" tha Kurti

Kurti ka thënë se asnjëherë s’është bërë më tepër luftë se ndaj kësaj qeverie, derisa ndaj opozitës përdori termin “hajvan”.

“E keni parë çfarë rrenash prej premtimeve kanë dhënë. Thonin buxheti i shtetit do të bëhet më i madh se bruto produkti vendor. Çfarë hajvanash! Ose jepnin premtime për koeficient më shumë se programi i tyre. Çfarë hajvanash! Por, ka kalu koha e hajvanatit...Kurrë s'është bërë më tepër luftë se ndaj kësaj qeverie"

Ditës së zgjedhjeve e cila kaloi pa asnjë incident dhe Kosova u përgëzua për kulturën demokratike dhe pjesëmarrjen e qytetarëve në votime, i la hije të keqe në mbrëmje Komisioni Qendror Zgjedhor me dështimin që t’i publikojë në kohë rezultatet e zgjedhjeve për partitë politike. Për më shumë se tri orë, platforma online e KQZ-së ishte jashtë funksionit.

Fillimisht u paraqitën si të numëruara më shumë se 23 për qind të votave, e më pas edhe mbi 50 për qind, por që ka pasur mospërputhje të votave të përgjithshme të paraqitura, me ato nëpër komuna të caktuara.

Kreu i Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), Kreshnik Radoniqi njoftoi se të dhënat për procesin e votimit do të mblidhen në mënyrë manuale nga të gjitha vendvotimet, për shkak të mosfunksionimit të aplikacionit

"Softëeri nuk na funksionoi në fund. Na dështoi sistemi. Të dhënat do futen në mënyrë manuale gjithë natën. Nëse do prokuroria mund të hetojë. Do verifikojmë pse çfarë nuk funksionoi dhe do dalim me një rezultat! Kërkojmë falje" tha Radoniqi. " tha kreu i KQZ-se 

Ai garantoi se nuk do të ketë ndikim në rezultate. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përmes një reagimi kërkoi nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të mbrojë integritetin e procesit zgjedhor, pas njoftimit për dështim të softuerit për publikim të votave online.

Lëvizja Vetevendosje si forcë e parë doli dhe në rezultate paraprake që u publikuan edhe nga Demokracia në Veprim - rrjet i organizatave që monitoron zgjedhjet në Kosovë

Rezultati sipas Demokracia ne Veprim
Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar 40.4 për qind të votave, me margjinë gabimi 1.44%.
Partia Demokratike e Kosovës ka siguruar 21.7 për qind të votave, me margjinë gabimi 1.45%.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka siguruar 17.5 për qind të votave, me margjinë gabimi 0.97%.
Koalicioni i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës ka siguruar 7.2 për qind të votave, me margjinë gabimi 0.82%.
Lista Serbe ka siguruar 5.4 për qind të votave, me margjinë gabimi 1.68%.
Koalicioni për Familje ka siguruar 2.4 për qind të votave, me margjinë gabimi 0.21%.
Subjekti serb, Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë ka siguruar 0.6 për qind të votave

Ndërkohë Partitë filluan të publikonin vetë rezultatet

Zëdhënësi i fushatës së Partisë Demokratike të Kosovës, Blerand Stavileci u shpreh i lumtur me rezultatin e partisë së tij në zgjedhjet e 9 shkurtit, duke thënë se Partia Demokratike e Kosovës “ka arritur një rezultat të madh”.

“Jemi në situatë të pazakontë, ku ne si parti duhet t’i kallxojmë votat, dhe jo KQZ-ja. PDK-ja ka arritur rezultat të madh, është konfirmuar si forca e dytë më e madhe në vend me mbi 200 mijë vota. Falënderojmë qytetarët që votuan për PDK-në. Ky është sukses i pamohueshëm për ne dhe mesazh i fortë për ne. Shumica e qytetarëve ia kanë kthyer shpinën kësaj qeverie, pasi nuk e kanë shumicën. Rezultatet tregojnë se qytetarët kërkojnë qeveri të re”, ka thënë Stavileci.

Sa i përket koalicioneve, Stavileci ka thënë se duhet pritur në finalizimin e rezultateve.

“Ditëve në vijim me finalizimin e rezultateve, kryetari i PDK-së dhe kandidati i PDK-së do të dalin me qëndrime se si do të vazhdohet më tutje”, ka shtuar ai.

Në një prononcim për median Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e renditur forcë e tretë tha se përgjegjësinë për rezultatin e zgjedhjeve e merr vetë, ndërsa llogari do t’i japë vetëm LDK-së dhe votuesve të saj.

“Po e bëjmë punën që duhet ta kryejë KQZ-ja. Sipas numërimit që janë marrë nga komisionarët dhe vëzhguesit e LDK-së, LDK-ja ka marrë 158.954 vota apo 18.1 për qind, LVV-ja ka marrë 347.543 vota ose 39.8 për qind, PDK-ja ka marrë 190.363 vota apo 21.8 për qind, AAK-Nisma ka marrë 66.635 vota apo 7.6 për qind”, ka bërë të ditur ai.

Abdixhiku ka thënë se presin të kenë rreth 30-35 mijë vota nga mërgata dhe do ta çojnë rezultatin në rreth 190 mijë vota.

“Nuk e kam ndërmend të jap dorëheqje”, ka shtuar ai.

Exit Pollet 
Edhe Exit- Pollet nxorën Vetëvendosjen e Albin Kurtit forcë të parë nga 37% deri në 40.3% ndërsa PDK forcë e dytë, nga 22% deri në 23%. LDK parti e tretë me rreth 20% ndërsa AAK-Nisma deri në 8%.

Në total janë 28 subjekte politike me 1.280 kandidatë, garojnë për të siguruar ulëse në parlamentin 120 vendesh të Kosovës.

Sipas të dhënave të KQZ-së, numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime ishte 1 milion e 970 mijë e 944 votues, ndërsa pjesëmarrja u shënua 40%. Krahasuar me zgjedhjet e vitit 2021, pjesëmarrja ishte dukshëm më ulët - nga mbi 48 për qind ra në rreth 40 për qind. Procesi i votimit shkoi mjaft i qetë e me parregullsi të papërfillshme.

Zgjedhjet e sotme, të nëntat me radhë që nga përfundimi i luftës së viteve 1998-1999 që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s, u panë si një sprovë për kryeministrin Albin Kurti, partia e të cilit fitoi me një rezultat të thellë në vitin 2021 dhe u vu në përpjekje për një mandat tjetër.

Kjo është hera e parë që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, që parlamenti i Kosovës përmbushi mandatin e plotë katërvjeçar.

Ora 19:43
Zgjedhjet në Kosovë/ Nesër fillon numërimi i votave të kandidatëve për deputetë

1739213050_687174E23ACXUcLJ.jpg

Valmir Elezi

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) gjatë ditës së martë, në Qendrat Komunale të Numërimit, do të fillojë procesin e numërimit të votave të kandidatëve për deputetë

Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së, tha për RTKlive se gjatë këtij procesi, ashtu siç parashihet edhe me Rregulloren Zgjedhore të KQZ-së 16/2024 për Qendrat Komunale të Numërimit, do të bëhet verifikimi i rezultateve të subjekteve politike.

“Pas përfundimit të këtyre procedurave, numërimit të votave jashtë Kosovës, votave me kusht, votave të personave me nevoja të veçanta dhe aspekteve tjera që parashihen me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, KQZ do shpall rezultatet përfundimtare për subjektet politike dhe kandidatët për deputetë”, tha ai.

Ora 19:13
Zgjedhjet në Kosovë/ Numërohet 99% e votave, Lëvizja Vetëvendosje del forcë e parë me mbi 40%! PDK 22% dhe LDK 17%

1739131871_zgjedhjetnekosove.jpg

Ka përfunduar numërimi i votave të hedhura nga qytetarët për parlamentin.

Sipas Komisionit Qëndror Zgjedhor në Prishtinë, rezulton se Lëvizja Vetëvendosje ka dalë forcë e parë me mbi 40%, PDK 22% dhe LDK 17%.

Lajmi në përditësim...

Ora 19:04
Përfundon numërimi i votave në Prishtinë, partia e Albin Kurtit kryeson me 46.91%

1739123174_albinkurti.JPG

Ka përfunduar para pak minutave numërimi i votave të rregullta në Prishtinë, një ditë pas zgjedhjeve.

Sipas rezultateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në Prishtinë parti e parë është Lëvizja Vetëvendosje me 54.696 vota apo 46.91 %.

Po ashtu bëhet me dije se në vendin e dytë është Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 29.889 vota apo 25.63 %, ndërsa e treta renditet Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 21.326 vota apo 18.29 %.

Deri më tani, kur partia e kryeministrit Albin Kurti në të gjithë Kosovën është në kuotën e 41 %, ende nuk dihet se më kë do të bëjë VetëVendosja koalicion, për formimin e Qeverisë së re.

Ora 07:29
Zgjedhjet në Kosovë, 88,04% e votave të numëruara deri në orën 06:00! Vetëvendosja kryeson me 41,29%, PDK me 21,83%, LDK me 17,75% dhe AAK/Nisma me 7,68%

 

Rezultatet e zgjedhjeve sipas KQZ Kosovë, deri në orën 06:00

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë pavarësisht problematikave që ka shfaqur pëgjatë mbrëmjes së diel dhe gjatë orëve të para të mëngjesit me sistemin elektronik dhe tabelat e rezultateve, ka vijuar numërimin e votave dhe shpalljen e shifrave zyrtare.

Sipas të dhënave, deri në orën 06:04 janë procesuar 88.04% e vendvotimeve.

Kryeson Vetëvendosja e Albin Kurtit pothuajse me të njëjtat shifra si në mesnatë, me 41,29%,ose 306556 të votave, e ndjekur nga PDK me 21,83%, ose 162033 të votave, LDK me 17,75%, ose 131798 vota, AAK/NISMA me 7,68%, ose 56994 vota, Lista për Familjen me 2,31%, ose 17174 vota. Kurse SRPSKA LISTA ka marrë 3.96 %, ose 29406 vota.

LVV
41.29%, ose 306556 vota
PDK
21.83%, ose 162033 vota
LDK
17.75%, ose 131798 vota
AAK+NISMA
7.68%, ose 56994 vota
Lista për Familjen
2.31%, ose 17174 vota
SRPSKA LISTA
3.96 %, ose 29406 vota

Tabela e rezultateve zyrtare sipas KQZ Kosovë
Ora 00:01
Zgjedhjet parlamentare në Kosovë, Presidentja Osmani: Pres që numërimi i votave të mbarojë brenda natës

1739142476_Screenshot420.jpg

Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kërkon mbylljen e procesit të numërimit të votave të hedhura - në qendrat e votimit në vendit - në këto zgjedhje parlamentare, brenda natës së 9 shkurtit dhe orëve të para të 10 shkurtit.

"Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani përgëzon qytetarët që, edhe në këtë proces zgjedhor, treguan kulturë të lartë demokratike.

Ajo ka shprehur pritshmërinë që KQZ-ja do të përfundojë me sukses numërimin e votave brenda mbrëmjes së sotme. Megjithatë, pas dështimit të softuerit, informacion ky i konfirmuar nga KQZ-ja, Presidentja ka kërkuar që të mbrohet integriteti i procesit zgjedhor, duke siguruar që çdo votë të numërohet saktë.

Presidentja do të vazhdojë të jetë në kontakt me të gjitha institucionet përkatëse, deri në sigurimin e plotë që i gjithë procesi zgjedhor, përfshirë numërimin dhe publikimin e rezultateve, të zhvillohet në përputhje me standardet më të larta demokratike dhe në përputhje me vullnetin qytetar",- thuhet në deklaratën e presidencës së Kosovës.

Ora 23:50
Numërohen 1850 kuti votimi në Kosovë, VV kryeson me 42%, PDK afro 23%, LDK rreth 18%

1739141732_kosove.jpg

Menjëherë pas përfundmit të procesit të votimit, ka nisur numërimi i votave të hedhura nga qytetarët për përfaqësuesit e vendit në parlament.

Sipas Radio Evropa e Lirë, nga numërimi i 1,850 kutive me vota në Kosovë rezulton:

Lëvizja VETËVENDOSJE!

258020 vota ose 41.99 %

PARTIA DEMOKRATIKE E KOSOVËS - PDK

139357 vota ose 22.68 %

LIDHJA DEMOKRATIKE E KOSOVËS - LDK

109986 vota ose 17.90 %

AAK - ALEANCA PËR ARDHMËRINË E KOSOVËS
NISMA - NISMA SOCIALDEMOKRATE, KONSERVATORËT, INTELEKTUALË

46434 vota ose 7.56 %

SRPSKA LISTA

18313 ose 2.98 %

Koalicioni për Familje 

14094 vota ose 2.29 %

Ora 23:45
Kreu i LDK, Abdixhiku: Sipas vëzhguesve tanë, kemi marrë 18.4% të votave! Përgjegjësinë për rezultatin e marr unë

Lumir Abdixhiku, kreu i LDK-së, foli në një konferencë për gazetarët ku tregoi se forca që drejton ka dalë forcë e tretë në zgjedhjet e zhvilluara sot me rreth 18.4% të votave. Abdixhiku i pasqyron këto rezultate sipas të dhënave të marra nga vëzhguesit dhe komisionerët e partisë që drejton.

'Duam ti shpalli rezultate përfundimtare të marrë nga komisionerët tanë. Kërkoj mirëkuptim nga partitë e tjera. Sipas numërimeve nga vëzhguesit tanë. Kanë votuar 871 mijë qytetarë. LDK ka marrë 18.4%, 158 mijë vota. VV ka 39.8%. PDK 21.84%. AAK 7.62% Lista 1.5%, minoritete 11.02%. Dua të theksoj se votat e mërgatës nuk janë përfshirë. LDK pret 30 mijë vota të tjera.

Të kemi 190 mijë vota, diku tek 20%. Rezultat që e respektojmë, përgjegjësinë për këtë rezultat e marrë unë dhe do i jap llogari LDK dhe qytetarëve që kanë votuar LDK. Falënderoj qytetarët, aktivistët tanë që bënë fushatë moderne. Dritë do të ketë në Kosovë, LDK del me rritje të konsiderueshme ndonëse nuk është i kënaqshëm, do mbajmë konferenca në ditët në vijim.'

Ora 23:26
Kreu i KQZ-së në Kosovë sqaron rënien e faqes ku do të pasqyrohej numërimi i votave: Problemi me platformën s’ka ndikim në rezultat

Kreu i KQZ-së në Kosovë, Kreshnik Radoniqi tha se rënia e faqes së saj në internet, ku do të publikoheshin rezultatet e numërimit të votave në kohë reale, ishte e papritur.

Në një konferebcë për gazetarët, Radoniqi sqaroi mos transmetimi i të dhënave nuk ka asnjë ndikim në rezultate.

“Sot gjithë natën do të punohet dhe të gjitha të dhënat do të publikohen. Nuk ka komunikime periodike, pasi ti mbledhim të dhënat në mënyrë manuale do t'i publikojmë”,- tha Radoniqi.

I pyetur mbi lajmin në qarkullim se prokuroria e Kosovës ka nisur hetimet lidhur me rënien e faqes së KQZ-së, Radoniqi tha se “nëse prokuroria vendos të hetojë është në kompetencën e saj”.

Ora 22:43
Numërohen 1,289 kuti votimi në Kosovë, VV kryeson me 37.50%, PDK afro 30%, LDK 16%

Menjëherë pas përfundmit të procesit të votimit, ka nisur numërimi i votave të hedhura nga qytetarët për përfaqësuesit e vendit në parlament.

Nga numërimi i 1,289 kutive me vota në Kosovë rezulton:

Lëvizja VETËVENDOSJE!

166031 vota ose 37.50 %

PARTIA DEMOKRATIKE E KOSOVËS - PDK

131940 vota ose  29.80 %

LIDHJA DEMOKRATIKE E KOSOVËS - LDK

72138 vota ose 16.29 %

AAK - ALEANCA PËR ARDHMËRINË E KOSOVËS
NISMA - NISMA SOCIALDEMOKRATE, KONSERVATORËT, INTELEKTUALË

35073 vota ose 7.92 %

SRPSKA LISTA

10104 vota ose 2.28 %

Koalicioni për Familje 

8856 vota ose 2.00 %

Ora 22:30
Vetëvendosje: Presim numërimin e fundit për rezultatin e fitores

Zëdhënësi për media i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, tha se do të presin deri në numërimin final të votave “në mënyrë që të dimë rezultatin e fitores”.

Ai ka shkruar në Facebook se numërimi po vazhdon.

“Të dashur qytetarë, numërimi po vazhdon dhe duhet të presim deri në numërimin e fundit, në mënyrë që të dimë rezultatin e fitores sonë”, ka thënë ai.

KQZ-ja ka njoftuar për KOHËN se ka telashe teknike me uebfaqen ku po publikohen rezultatet preliminare të zgjedhjeve parlamentare.

Ora 22:19
Rrjeti 'Demokracia në Veprim' publikon rezultatet paraprake të zgjedhjeve në Kosovë: Kurti kryeson me 40% të votave, PDK 21%, LDK 17%

1739131814_zgjedhjetnekosove.jpeg

Demokracia në Veprim - rrjet i organizatave që monitoron zgjedhjet në Kosovë - bëri të ditur se pjesëmarrja në zgjedhje ishte 42.1 për qind, me margjinë gabimi prej 0.84%.

Votat me kusht dhe ato nga diaspora nuk janë përfshirë në këtë llogaritje.

Sipas DnV-së, Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar 40.4 për qind të votave, me margjinë gabimi 1.44%.

Partia Demokratike e Kosovës ka siguruar 21.7 për qind të votave, me margjinë gabimi 1.45%.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka siguruar 17.5 për qind të votave, me margjinë gabimi 0.97%.

Koalicioni i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës ka siguruar 7.2 për qind të votave, me margjinë gabimi 0.82%.

Koalicioni për Familje ka siguruar 2.4 për qind të votave, me margjinë gabimi 0.21%.

Lista Serbe ka siguruar 5.4 për qind të votave, me margjinë gabimi 1.68%.

Subjekti serb, Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë ka siguruar 0.6 për qind të votave.

"Votat jashtë vendit dhe ato me kusht mund të kenë ndikim deri në një shkallë prej 5% te subjektet politike", tha Eugen Cakolli nga DnV-ja.

Ora 22:04
VIDEO/ Zgjedhjet në Kosovë, nis festa me flamuj nëpër rrugë! Aktivistë të Vetëvendosjes këndojnë para selisë

Dhjetëra aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje janë mbledhur para selisë së partisë e këndojnë këngën për Mitrovicën. Ndërkohë vazhdimisht po lëvizin edhe vetura me flamuj të Lidhjes Demokratike të Kosovës para këtij subjekti politik.

Edhe simpatizantët e Partisë Demokratike të Kosovës lëviznin me vetura pranë zyrës së LVV-së duke brohoritur PDK.

Ora 21:50
Gabime në rezultatet e zgjedhjeve, Reagon KQZ: Faqja mbingarkesë në sistem

1739112449_KQZ.jpg

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi se po përballet me probleme teknike në platformën ku publikohen rezultatet preliminare të zgjedhjeve parlamentare.

Në një reagim për median thuhet se për shkak të interesimit të madh, faqja ka pasur mbingarkesë në sistem.

“Ju njoftoj se KQZ është duke mbledhur të dhënat pas numërimit të fletëvotimeve nga vendvotimet. Janë evidente probleme teknike në platformë. Të dhënat janë duke u mbledhur nga terreni dhe më pas do të publikohen nga KQZ. Për shkak të interesimit të madh të qytetarëve për t’u qasur në platformën e rezultateve, është shkaktuar mbingarkesë në sistem. Ekipet po punojnë në terren dhe po dërgojnë të dhëna “të cilat po bëjmë përpjekje që t’i transmetojmë në kohë sa më të shpejtë.  Deri në momentin e rënies së faqes së KQZ-së, shifrat tregonin se janë numëruar mbi 23 për qind e votave e se prej tyre mbi 50 për qind janë për Vetëvendosjen. Megjithatë ka pasur raportime se të dhënat janë të gabuara. ” thuhet në njoftimin e zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi.

Ora 21:20
Zgjedhjet në Kosovë/ Politologu: Rezultatet e exit polleve tregojnë se Vetëvendosje mund ta ketë të vështirë formimin e qeverisë e vetme

Politologu Dritëro Arifi thotë se rezultatet jozyrtare të zgjedhjeve tregojnë se Lëvizja Vetëvendosje mund ta ketë të vështirë formimin e qeverisë e vetme.

Sipas tij, rezultatet jozyrtare janë një sinjal për partinë në pushtet, se duhet të punojë më shumë dhe të mos mbështetet vetëm në fjalë.

Rezultatet e exit-polleve kanë treguar se Vetëvendosje ka pësuar humbje të mbështetjes për rreth 10%, shkruan REL.

Por, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, me më shumë se 23% të vendvotimeve të procesuara, Vetëvendsoje ka siguruar mbi 55% të votave.

Ora 21:03
Numërohen 599 kuti votimi në Kosovë, VV kryeson me 55%, PDK 25%, LDK 9%

1739132080_ergerwgrerwgr.JPG

Menjëherë pas përfundmit të procesit të votimit, ka nisur numërimi i votave të hedhura nga qytetarët për përfaqësuesit e vendit në parlament.

Nga numërimi i 599 kutive me vota në Kosovë rezulton:

Lëvizja VETËVENDOSJE!
178054 vota ose 55.77 %

PARTIA DEMOKRATIKE E KOSOVËS - PDK
81077 vota ose 25.39 %

LIDHJA DEMOKRATIKE E KOSOVËS - LDK
28718 vota ose  8.99 %

AAK - ALEANCA PËR ARDHMËRINË E KOSOVËS
NISMA - Nisma Socialdemokrate, Konservatorët, Intelektualët

15964 vota ose  5.00 %

SRPSKA LISTA
3672 vota ose 1.15 %

Koalicioni për Familje
3476 vota ose 1.09 %

Ora 20:48
Reagon dhe LDK: Exit Poll-i ynë tregon se jemi dyfishuar, kemi 24% të rezultateve, presim deri në 3% të tjera rritje!

Besian Mustafa, zëdhënësi i LDK në konferencë

Zëdhënësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa, mbajti konferencë për media mbrëmjen e sotme (9 Shkurt), ku ka bërë të ditura rezultatet e Exit Pollit të kësaj partie. 

Sipas tij, VV-ja (Vetëvendosja) ka marrë 34 për qind, LDK 24 për qind, ndërsa PDK 22 për qind sipas këtij Exit Polli.

Ai ka shtuar se presin rritje deri në tre për qind, pas numërimit të votave të diasporës.

“Të dhënat që na vijnë nga komisionerët tanë, tregojnë që përkojnë me të dhënat që kemi publikuar nga Exit Poll i LDK-së. Më i madhi që është bërë ndonjëherë me 18 mijë respodentë. Rezulton që VV ka 34 për qind, LDK 24 për qind, ndërsa PDK 22 për qind. E rëndësishme të theksohet, që LDK ka së paku dyfishim nga rezultati i zgjedhjeve të kaluara, pa llogaritur votat nga diaspora ku presim rezultat të shkëlqyeshëm, ku do të rritë rezultatin e LDK-së së paku në 2-3 pikë të përqindjes”, u shpreh Mustafa.

Ora 20:37
Numërohen 134 kuti votimi në Kosovë, VV kryeson me 37%, PDK 26%, LDK 17%

1739129971_ËhatsAppImage20250209at20.35.20.jpeg

Menjëherë pas përfundmit të procesit të votimit, ka nisur numërimi i votave të hedhura nga qytetarët për përfaqësuesit e vendit në parlament.

Nga numërimi i 134 kutive me vota në Kosovë rezulton: 

Lëvizja VETËVENDOSJE!

10721 vota ose 37.18 %

PARTIA DEMOKRATIKE E KOSOVËS - PDK

7236 vota ose 25.10 %

LIDHJA DEMOKRATIKE E KOSOVËS - LDK

4983 vota ose 17.28 %

AAK - ALEANCA PËR ARDHMËRINË E KOSOVËS
NISMA - Nisma Socialdemokrate, Konservatorët, Intelektualë

2554 vota ose 8.86 %

SRPSKA LIST

1435 vota ose 4.98 %

Koalicioni për Familje

421 vota ose 1.46 %

Ora 20:21
Zgjedhjet në Kosovë/ Exit-Polli: LVV 37 %, PDK 23 %, LDK 20 % AAK-NISMA 8%

Mediat në Kosovë kanë publikuar exit-pollet për zgjedhjet e 9 shkurtit: 

Lëvizja Vetëvendosje ka marrë: 37%

Lidhja Demokratike e Kosovës ka marrë: 20%

Partia Demokratike e Kosovës ka marrë: 23 %

Lista për familjen sipas exit-poll s’e ka kaluar pragun

Marzhi e gabimit s’mund të jetë më shumë se 1.5 %.

Të dhënat zyrtare të rezultatit të zgjedhjeve jepen vetëm nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Ora 20:21
Nis numërimi në Kosovë, PDK: Fitore për vendin dhe të ardhmen! Fushata ishte histori suksesi

1739129113_PDK.JPG

Partia Demokratike e Kosovës doli me një deklaratë zyrtare për mediat nga selia në Prishtinë, pas përfundimit të procesit të votimeve dhe nisjes së numërimit. PDK thotë se votimet folën për forcën e tyre politike, teksa fushata e saj dëshmoi pjekuri demokratike. Ndërkohë që nuk ngurojnë të shpallin fitoren në këto zgjedhje. 

'Sot qytetarët e Kosovës votuan për ma mirë. Kosova dëshmoi se është demokraci e pjekur ku qytetarë vendosin me votë. Ditë e rëndësishme për demokracinë, qytetarët treguan kulturë politike. Fitore për vendin dhe të ardhmen tonë. Falënderim për kandidatin Bedri Hamza që udhëhoqi fushatë dinjitoze për zhvillimin e Kosovës, mirënjohje për kryetarin e PDK, Memli Krasniqi që i dha kësaj fushate energji. Fushata bashkoi njerëzit e mirë drejt përparimit. Falënderimi për çdo votues ,aktivistë, komisionet, vëzhgues të PDK që punuan me aq zell. Falë jush kjo fushatë ishte histori suksesi. Mbrojtja e votës prioritet yni. Vullneti i qytetarëve pasqyron më mirë se sa pasqyrojnë exit poll. Çdo votë të ruhet me korrektësi. Respektojmë procesin dhe  do presim rezultatin përfundimtar. Gjatë mbrëmjes Bedri Hamza do mbajë një konferencë tjetër. ky është vetëm fillimi i një rruge të mbarë për Kosovën i një rruge për ma mirë.

E para ne po flasim në përfundim të një procesi që ende nuk ka mbaruar. Duke falënderuar gjithë mbështetësit e PDK, strukturat, komisionerët e vëzhguesit që të mbrojnë votën e PDK. Rezultati jonë inkurajues. Krasniqi dhe Hamza gjatë kohës kanë punuar me vizion për ti bashkuar njerëzit për një vizion ma mirë. Votuesi i Kosovës u bashkuan që vendin tonë ta bëjmë më mirë. Kemi pasur proces ku qytetarët treguan kulturë të lartë demokratike.'

Ora 20:07
Nis numërimi, Haradinaj shpall fitoren e opozitës: Do krijojmë shumicë solide me PDK dhe LDK! Jo koalicion me Kurtin

 

Kreu i AAK, Ramush Haradinaj ka folur për mediat pas mbylljes së votimeve në zgjedhjet parlamentare në Kosovë. Haradinaj shpalli se opozita fitoi dhe tashmë është krijuar mundësia për një kioalicion mes partive opozitare PDK, LDK dhe AAK për të hequr nga pushteti Vetëvendosjen e Kurtit. Haradinaj e përjashtoi mundësinë e një koalicioni me Albin Kurtin. 

'E kam vështirë me thënë saktë. Nuk jemi të kënaqur me sa thuhet. Jemi të interesuar me çfarë rezultate konkrete. Disa informacione që vijnë thuhet se jemi dyshifror. Kemi bërë shumë punë, e vlerësojmë besimin, mundi ynë ka rezultuar me fitoren e opozitës. Me të dyja nuk i ndajmë. Opozita e bashkuar e krijon një shumicë solide dhe i jep Kosovës qeveri të qëndrueshme dhe besoj se kjo ndodh. Nuk do bëjmë koalicion me Vetëvendosje. U gëzuam që opozita mund të bëjë qeveri. Kemi disa shqetësime me mënyrën e mbartjes dhe tërheqjes pa vëzhgues. Zgjedhjet janë të mira, është punuar shumë. Jam i kënaqur me fitoren e opozitës dhe i uroj sukses.'

K.M/SI.E./ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Zgjedhjet e 11 majit, cila listë e kandidatëve iu bind më shumë?