Kronikë

Ksenofon Konomi mes lotësh: M’i vranë kuajt në Llogara vetëm se pinin ujin e burimit, policia nuk ndëshkon autorin!

11 Gusht, 16:57| Përditesimi: 11 Gusht, 17:12

  • Share

Ksenofon Konomi, banor i “Dukat Fshat”, ka rrëfyer mes lotësh se disa ditë më parë janë qëlluar me çifte kuajt që ai i linte të lirë në pyllin e Llogarasë. Sipas tij, policia nuk ka mbërritur në vendngjarje, pavarësisht denoncimit të tij.

“Më kanë prekur thellë. Me ata kuaj mbaja familjen dhe punën time, transportoja turistët. M’i vranë vetëm se pinin ujë te lerat (burimet). Dua që autorët të ndëshkohen,” – është shprehur Konomi.

Sipas Konomit, tufa me 22 kuaj është qëlluar me armë gjahu. Katër prej tyre kanë ngordhur menjëherë, ndërsa pjesa tjetër është shpërndarë në zonë, disa të lënduar dhe disa drejt ngordhjes për shkak të plagëve.

Konomi ka gjetur mbetje të kuajve pranë lerës dhe në periferi të stanit, me gjak të mpiksur, që tregojnë se ngjarja ka ndodhur së fundmi.

Sipas tij, pavarësisht se autoritetet janë njoftuar menjëherë, policia nuk ka shkuar në vendngjarje për të kryer verifikimet.

Në komunikatën zyrtare, policia ka raportuar vetëm për një kalë të plagosur, ndërsa autori i dyshuar është proceduar në gjendje të lirë.

Ndërsa Konomi pretendon se policia e Vlorës nuk i ka shkuar deri në fund këtij hetimi dhe se ka lënë të lirë autorin.

INTERVISTA E PLOTË

Ju keni denoncuar se janë qëlluar kuajt në Llogara?

“Unë jam Ksenofon Konomi, banor i ‘Dukat Fshat’. Nga 22 kuajt që ishin në malin e Llogarasë, janë goditur me çifte, janë gjetur plumbat në kurrizin e kafshëve.

Policia s’ka ardhur as tek të plagosurit, as tek vendi ku janë kafshët. Kam denoncuar në polici, jam ndodhur i vetëm veç mediave, pa mbështetje. Duke i kërkuar policisë që të shohë provat, unë vetë i kam mbledhur provat, por s’janë marrë nga policia.

Personi që është i dyshuar është lëshuar dhe është mbajtur e sekuestruar arma e gjahut. Janë kufomat në vendngjarje dhe nuk kam sjellë foto në polici. Kafshët e tjera janë zhdukur. Ishin 22 kokë të gjitha, 2 të plagosura, një në gjendje të mirë. Kam gjetur 4 kufoma në periferi të stanit, dikush që mendoj unë… Të tjerat s’po i gjej më."

Çfarë kërkoni ju sot?

"Kërkoj ndihmën e policisë. Është një vaskë uji atje dhe kishte dikush stanin atje. Atë ta gjejë policia se unë jam i vetëm në këtë situatë. Unë bleva pak kuaj në fillim dhe janë shtuar vetë, derisa shkuan 22 copë. Unë i përdorja në kërkim të turistëve të zhdukur, kam ndihmuar edhe policinë kur kishte zjarre atje. Atje në atë periferi janë 2-3 vaska që kanë pak ujë dhe atje nuk gjenden më. Ku nuk të shkon mendja kur nuk gjenden… Deri më sot s’ka dalë kafshë e egër me plumb në gojë."

K.M/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Zjarrvënia e qëllimshme njësoj si vrasja, si ju duket propozimi i Ramës?