Sulmi në veri/ DASH: S'e kemi verifikuar ende nëse ushtria serbe u tërhoq nga kufiri! PE pritet të miratojë rezolutë për raportet Kosovë-Serbi

2 Tetor 2023, 10:28| Përditesimi: 2 Tetor 2023, 23:57

  • Share

Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Matthew Miller, ka theksuar se SHBA nuk kanë verifikuar ende tërheqjen e personelit dhe pajisjeve ushtarake të Serbisë afër kufirit me Kosovën. Ai theksoi se Uashingtoni vazhdon të jetë i shqetësuar për rritjen e vazhdueshme të tensioneve dhe dhunës së herëpashershme në veri të Kosovës ndërsa udhëzoi palët t’i riktheheshin dialogut.

Parlamenti Evropian pritet ta miratojë një rezolutë të jashtëzakonshme për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë më vonë këtë muaj, pas sulmit nga një grup i armatosur serb ndaj Policisë së Kosovës në veri të vendit më 24 shtator, njoftoi të hënën deputeti kroat në EP, Tonino Picula.

Më herët, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka thënë të hënën, 2 tetor, se Policia e Kosovës ka mandat për t’i hetuar sulmet që i janë bërë në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, ndërsa Serbia e ka obligim të bashkëpunojë, pa kushte. Ai i ka bërë këto deklarata teksa është pyetur për dëshmitë e fundit të publikuara nga autoritetet e Kosovës lidhur me këtë sulm.

Ndërkohë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se dokumentacioni i konfiskuar nga Policia e Kosovës ka konfirmuar se sulmi terrorist ishte pjesë e një plani më të madh për të aneksuar veriun e Kosovës.

Sipas tij ky plan do të ishte në bashkëpunim përmes një sulmi të koordinuar në 37 pozicione të dallueshme.

“Do të pasonte krijimi i një korridori për në Serbi, për të mundësuar furnizimin me armë dhe trupa”, ka shkruar Kurti në platformën ‘X’.

Dje në një konferencë për median,  ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla bashkë me drejtorin e Policisë, Gazmend Hoxha prezantuan pamje të nxjerra nga dronët e sekuestruar, që tregonin se sulmuesit serbë duke u përgatitur disa ditë para sulmit të 24 shtatorit. Ai tha se provat e paraqitura me video dëshmojnë “përgatitjet e këtij grupi nga shteti i Serbisë në qtesiendrat zyrtare të trajnimeve”. 

Gjithashtu u publikua edhe videoja që tregon momentin e vrasjes së oficerit Afrim Bunjaku, nga grupi terrorist serb që organizoi sulmin në komunën e Zveçanit.

Më 24 shtator, grupe të armatosura terroriste të mbështetura nga Serbia, sulmuan forcat policore të Kosovës në Banjskë nga i cili sulm u vra rreshteri policor i Kosovës, Afrim Bunjaku. Gjatë sulmit u vranë dhe 3 terroristë serbë.

Ndërkohë Britania e Madhe do të dërgojë trupa shtesë në misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, me kërkesë të kësaj të fundit, pas sulmit vdekjeprurës ndaj Policisë së Kosovës në veri të vendit javën e kaluar.

Ministria e Mbrojtjes e Britanisë së Madhe njoftoi të dielën se do t’i zhvendosë rreth 200 trupa shtesë në kontingjentin e saj në Kosovë, i cili ka tashmë 400 ushtarë britanikë, në ditët në vijim.

Ora 21:28
Parlamenti Evropian pritet të miratojë një rezolutë për raportet Kosovë-Serbi

1696274877_pe.jpg

Parlamenti Evropian (EP) pritet të miratojë një rezolutë të jashtëzakonshme për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë këtë muaj, pas sulmit nga një grup i armatosur serb ndaj Policisë së Kosovës në veri të vendit më 24 shtator, njoftoi të hënën deputeti kroat në EP, Tonino Picula.

Kërkesën për këtë rezolutë e bëri vetë Picula, në lidhje me raportet mes dy vendeve fqinje dhe gjendjen e sigurisë në veri të Kosovës pas sulmit. Picula tha se e mori shumicën e nevojshme për propozimin e tij dhe se për këtë rezolutë do të diskutohet në seancën e dytë plenare gjatë këtij muaji.

“Ne e dënojmë agresionin e fundit të terroristëve të armatosur ndaj oficerit të policisë së Kosovës. Të gjitha faktet për këtë sulm duhet të zbardhen dhe përgjegjësit të përballen me drejtësinë“, tha Picula.

Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i armatosur serb në fshatin Banjskë, në komunën e Zveçanit më 24 shtator, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku. Sulmuesit u strehuan në manastirin e fshatit, pasi e kishin sulmuar në një pritë një patrullë të policisë, nga ku e vazhduan konfrontimin me policinë, dhe si pasojë tre prej tyre u vranë.

Policia kosovare i arrestoi dhe i paraburgosi tre sulmues, si dhe gjeti arsenal të jashtëzakonshëm armësh në vendin e ngjarjes pas sulmit. Serbia i ka mohuar akuzat e Kosovës se ajo është përfshirë në këtë sulm të cilësuar si terrorist nga autoritetet kosovare.

Për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, ecurinë e dialogut dhe tensioneve në veri, do të diskutohet të martën me 3 tetor në një seancë plenare të Parlamentit Evropian. Pesë ditë pas sulmit, Milan Radoiçiç e mori përgjegjësinë për këtë sulm, dhe dha dorëheqje nga posti i nënkryetarit të Listës Serbe - partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila e ka mbështetjen e Qeverisë serbe.

Sulmi në veri ndodhi rreth dy javë pasi Kurti dhe Vuçiçi dështuan të arrijnë marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve gjatë takimit të nivelit të lartë të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimit Evropian më 14 shtator në Bruksel.

Prishtina beson se duhet të jetë një njohje reciproke, ndërsa Beogradi insiston në një zgjidhje kompromisi. Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, e shpallur më 2008, dhe ka mbështetjen e aleatëve Rusisë dhe Kinës kundër saj për këtë./REL

Ora 20:55
Zëdhënësi i DASH: S'e kemi verifikuar ende nëse ushtria serbe është tërhequr nga kufiri me Kosovën

1696272938_dffd.JPG

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të Shteteve të Bashkuara, Matthew Miller, ka theksuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë verifikuar ende tërheqjen e personelit dhe pajisjeve ushtarake të Serbisë afër kufirit me Kosovën.

"Ne kemi parë raportet se Serbia ka tërhequr pajisjet e personelit ushtarak larg kufirit. Ne ende nuk i kemi verifikuar ato në mënyrë të pavarur dhe do të kërkojmë konfirmim të mëtejshëm, por nëse është e vërtetë, ky do të ishte një hap i mirëpritur". - deklaroi ai gjatë konferencës ditore për shtyp të Departamentit të Shtetit.

Ndërkohë, ai theksoi se Uashingtoni është i shqetësuar për rritjen e tensioneve në veri të Kosovës dhe bëri thirrje që palët që t'i kthehen në dialogut të lehtësuar nga BE.

“Ne vazhdojmë të jemi të shqetësuar për ciklin e rritjes së tensioneve dhe dhunës sporadike në veri të Kosovës dhe inkurajojmë të dyja palët t'i kthehen në dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian". - deklaroi ai.

Ora 19:11
Albin Kurti intervistë për mediat boshnjake: Beogradi e kuptoi se terroristët s'kanë shanse me policinë tonë

1696266687_kurti.jpg

Në një intervistë për median boshnjake “Hyat Tv”, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se pret nga bashkësia ndërkombëtare që t’i bëjë presion Serbisë për dorëzimin e terroristëve që kanë ikur pas sulmit terrorist të 24 shtatorit ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit. 

Kurti ka përsëritur deklaratën se shteti serb qëndron prapa këtij sulmi, gjë që e dëshmoi edhe fakti se Serbia shpalli ditë zie për vdekjen e tre terroristëve. 

“Tani po llogarisim në presionin e bashkësisë ndërkombëtare që këta kriminelë dhe terroristë t’iu dorëzohen autoriteteve tona të sigurisë dhe drejtësisë… Serbia përmes bashkësisë ndërkombëtare duhet t’i dorëzojë Kosovës këta anëtarë të tjerë që nuk u vranë dhe nuk u arrestuan për të vuajtur dënimin pas dorëzimit dhe pas procesit gjyqësor, sepse ata janë padyshim terroristë, janë njerëz që kanë sulmuar me armë të rënda dhe në këtë mënyrë tentuan destabilizimin e Kosovës. Ata dështuan në këtë, por kjo nuk do të thotë se nuk duhet të përballen me drejtësinë”, tha Kurti.

Kurti tha gjithashtu se e diela e 24 shtatorit dëshmoi se organizatat terroriste dhe bandat e tilla kriminale nuk kanë asnjë shans me Policinë e Kosovës. Ai tha se “në Serbi ekzistojnë dy organizata, ndoshta kanë anëtarë në pjesën veriore të Kosovës, të quajtura Brigada e Veriut dhe Mbrojtja Civile, dhe ne i kemi shpallur organizata terroriste në seancën e Qeverisë sonë më 29 qershor të këtij viti”.

“Kjo do të thotë se pas tyre qëndron Serbia dhe mbi ta, Beogradi zyrtar ka dhënë urdhrin për të sulmuar Kosovën, por mendoj se tani e kanë kuptuar se organizatat dhe bandat e tilla terroriste nuk kanë asnjë shans me policinë tonë. Në Serbi ekzistojnë dy organizata, ndoshta kanë anëtarë në pjesën veriore të Kosovës, të quajtura Brigada e Veriut dhe Mbrojtja Civile, dhe ne i kemi shpallur organizata terroriste në seancën e Qeverisë sonë më 29 qershor të këtij viti. Besojmë se këto dy organizata, të cilat mbështeten nga Beogradi zyrtar, janë drejtpërdrejt përgjegjëse”, tha Kurti.

Ora 18:40
Deputeti gjerman: Mobilizimi i ushtrisë serbe, sulm i qartë ndaj Evropës

1696264799_adis.jpg

Deputeti gjerman Adis Ahmetoviç dhe Kryetar i Nënkomitetit për Politikë Ndërkombëtare të Klimës dhe Energjisë, ka shprehur shqetësimin e tij për rritjen e destabilizimit në Evropë. Në një deklaratë për shtyp, Ahmetoviq ka theksuar se loja e rrezikshme e forcave autokratike në Ballkanin Perëndimor po sjell një dimension të ri në këtë krizë të përgjithshme.

Sipas politikanit socialdemokrat  mobilizimi ushtarak i forcave serbe në kufirin verior të Kosovës dhe deklarata e presidentit të “Republika Srpska-s”, Milorad Dodik, për shkëputje, janë sulme të qarta ndaj Evropës liberale demokratike. Këto veprime synojnë të shtyjnë kufijtë dhe kështu të shkaktojnë konflikte të mëtejshme në Evropë.

Ahmetoviç është shprehur se është evidente që ka lidhje të ngushta mes  agresionit rus në Ukrainë dhe konflikteve në Kosovë dhe Bosnjë e Hercegovinë, por për këtë nuk janë të vetëdijshëm të gjithë në Komisionin e BE-së. Ai është i mendimit  se presidenti rus, Vladimir Putin, ka shfrytëzuar situatën për të krijuar paqartësi dhe tensione në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Me luftën në Ukrianë, Putini e ka kapërcyer portën e parë të sulmit në Evropën Lindore. Me këtë përpjekje të njëkohshme për të ringjallur konflikte të reja në Ballkanin Perëndimor, siç po ndodh aktualisht në Kosovë dhe Bosnjë-Hercegovinë, Perëndimi po vihet përballë një prove të mëtejshme, së cilës ne duhet t’i kundërvihemi me çdo vendosmëri".

Në këtë kontekst, Ahmetovic bën thirrje për vendosmëri të shtuar nga Bashkimi Evropian. Ai thekson se porta e dytë për hyrjen në Evropën Lindore është e lëkundur nga agresioni rus dhe konfliktet në Ballkanin Perëndimor. Në këtë situatë, është e rëndësishme që BE-ja të angazhohet në mënyrë më aktive dhe të mbrojë lirinë dhe sigurinë në kontinentin evropian.

Ahmetoviç përsërit thirrjen ndaj palës serbe për deeskalim të menjëhershëm në Kosovë dhe ndalim të grumbullimit të trupave serbe në kufi. Ai shton se kjo jo vetëm që do të ruajë  stabilitetin e rajonit, por gjithashtu do të siguronte kredibilitetin e Serbisë në rrugën e saj drejt anëtarësimit të mundshëm në Bashkimin Evropian.

Në këtë kohë të vështirë, Ahmetoviç bën thirrje për veprime të menjëhershme nga Gjermania, shtetet e Bashkimit Evropian dhe NATO-ja për të parandaluar përkeqësimin e situatës dhe për të ruajtur paqen dhe sigurinë në Evropë. 

Konflikti në Kosovë nisi të përshkallëzohej në datën 24 shtator pas një sulmi ndaj policisë së Kosovës, si pasojë  humbi jetën një polici kosovar./DW

Ora 16:23
Pas takimit me shefat e BE, reagon kryediplomatja gjermane: Serbia urgjentisht të tërheqë forcat e armatosura në kufi me Kosovën

1696256580_baer.jpg

Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, është takuar me 27 shefat e diplomacisë së unionit evropian në Kiev, e cila pas këtij takimi i ka bërë thirrje Serbisë që të ulë numrin e forcave të armatosura përgjatë kufirit me Kosovën.

"Trupat në kufi duhet të reduktohen nga Serbia. Nuk duhet të ketë tensione të mëtejshme midis Serbisë dhe Kosovës", tha Baerbock.

Kryediplomatja gjermane theksoi se bashkë me amerikanët ditë më parë i kanë me dije Beogradit, për uljen e tensioneve me Kosovën. Sipas saj kjo është “është thirrja urgjente” që Gjermania dhe SHBA, i ka bërë Serbisë.

“E rëndësishme është që ditëve të fundit ne bashkë me amerikanët ua kemi bërë të qartë që të mos ketë tensione ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Serbia duhet të ulë praninë e trupave ushtarake të saj përgjatë kufirit me Kosovën dhe kjo është thirrja urgjente e jona që vjen nga takimi i përbashkët i 27 ministrave të jashtëm në Kiev”, tha Baerbock.

Ora 15:51
Deklarata e fortë e ministrit serb të Mbrojtjes: Nëse ushtria merr urdhër nga Vuçiçi, hyn në Kosovë

1696254996_999999999.JPG

Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Millosh Vuçeviç në një konferencë të përbashkët për media në Beograd me kreun e ushtrisë, Milan Mojsilloviç, duke folur për provat që prezantoi policia e Kosovës lidhur me sulmin e 24 shtatorit në Veri nuk ka ngurruar të bëjë deklaratë të fortë.

“Nëse ushtria e Serbisë merr një urdhër të tillë nga presidenti i Republikës si komandant suprem, që njësitë e saj të hyjnë në territorin e Kosovës, ushtria e Serbisë një detyrë të tillë do ta ekzekutojë në mënyrë efikase, profesionale dhe të suksesshme”, është shprehur ministri serb.

Ai më tej ka pretenduar se deri më tani asnjëherë ushtria e Serbisë nuk e ka shkelur marrëveshjen e Kumanovës dhe se e ka respektuar Rezolutën 1244 të OKB-së.

Ora 14:30
VIDEO/ Terroristi serb i vrarë në Kosovë përcillet si hero

Tre sulmues serbë vdiqën në sulmin që organizuan ndaj Kosovës më 24 shtator, ndërsa i vrarë në krye të detyrës mbeti edhe polici Afrim Bunjaku. Në Kralevo të Serbisë, njëri prej sulmuesve serbë që humbi jetën është pritur me ceremoni.

Në pamjet e publikuara, Stefan Nedeljkoviç është përcjellë në varrezë si heto, ndërsa trupi i tij prehet në panteonin e luftëtarëve, çka dëshmon se lidhja mes ngjarjes së 24 shtatorit dhe Beogradit është evidente.

Serbët e vrarë janë Stefan Nedeljković, Igor Milenkvić, Bojan Mijailović.

Ora 13:59
BE për sulmin në veri: Kosova e ka mandatin të kryej hetime, Serbia të bashkëpunojë pa kushte

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka thënë të hënën, 2 tetor, se Policia e Kosovës ka mandat për t’i hetuar sulmet që i janë bërë në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, ndërsa Serbia e ka obligim të bashkëpunojë, pa kushte.

Ai i ka bërë këto deklarata teksa është pyetur për dëshmitë e fundit të publikuara nga autoritetet e Kosovës lidhur me këtë sulm.

Ai e ka përsëritur se BE-ja është në pritje të rezultateve të plota të hetimeve, që ta ketë një pasqyrë të qartë të asaj që ka ndodhur, dhe në bazë të tyre të marrin vendime vendet anëtare, pëfshirë edhe ndonjë masë të mundshme ndaj Serbisë.

I pyetur rreth përgjegjësisë që e ka marrë ish-nënkryetari i Listës Serbe Millan Radoiçiç për sulmin, dhe a do të ndihmojë BE-ja që ai të ekstradohet në Kosovë, Stano ka thënë vetëm se blloku evropian pret “bashkëpunim të plotë, transparent dhe pa kushte nga Serbia“, në mënyrë që të sqarohet jo vetëm se kush e ka përgatitur dhe kryer sulmin terrorist, por edhe kush qëndron prapa tyre”.

“E kemi parë se çfarë ka thënë Radoiçiç. Të gjitha faktet duhet të verifikohen dhe të zbardhen. Presim bashkëpunim të plotë nga Serbia. Ne nuk e bëjmë angazhimin tonë përmes mediave, por përmes kanaleve tona“, ka thënë zëdhënësi i BE-së.

I pyetur për deklaratat e Beogradit se misioni i BE-së në Kosovë për sundim të ligjit, EULEX, nuk është lejuar të marrë pjesë në hetime, Stano ka thënë se “EULEX-i nuk ka nevojë për zëdhënës që flet në emër të këtij misioni nga ana tjetër, por e ka zyrën e vet për këtë“.

“Secilën ditë dalin dëshmi të reja. Nuk i komentojmë, por presim rezultate përfundimtare që i sqarojnë të gjitha rrethanat e sulmit terrorist. Presim bashkëpunim të plotë nga Serbia. BE ka thënë qartë se jemi gati të vendosim masa edhe ndaj Serbisë, nëse vendet anëtare vlerësojnë se kanë dëshmi të mjaftueshme“, ka thënë Stano.

Zëdhënësi i BE-së nuk ka lënë asnjë dyshim se mandatin për ta hetuar rastin e Banjskës e kanë autoritetet e Kosovës.

“Kjo ka ndodhur në territorin e Kosovës dhe hetimet i bën Policia e Kosovës. Ne kemi bashkëpunim shumë të mirë me të“, ka thënë ai.

I pyetur se e ka kuptim vazhdimi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë në këtë situatë, pasi edhe Serbia në dhjetor mund të shkojë në zgjedhje, zëdhënësi i BE-së ka thënë se BE-ja dhe partnerët e saj e shohin pikërisht vazhdimin e dialogut si mënyrën e vetme për t’i zgjidhur problemet.

“Gjithmonë ka cikle të zgjedhjeve. Por duhet të rifillojmë dialogun, sepse është rruga e vetme për normalizim të raporteve. Sikur të kishte normalizim, nuk do të kishim situatën që kemi. Prandaj bëjmë thirrje nga BE-ja dhe partnerët që palët t’i kthehen dialogut“, ka thënë Stano, citon REL.

Ora 13:19
Musliu: Në afërsi të Izvorit Serbia po ndërton një bazë ushtarake

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, deklaron se situata e sigurisë në veri është e brishtë duke bërë të ditur se në zonën e Izvorit po ndërtohet një bazë ushtarake.

Musliu, që njëherit është kryetare e Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), ka thënë të hënën se AKI-ja e ka vërejtur rritjen e pranisë së ushtrisë serbe në afërsi të kufirit me Kosovën.

“Dua te theksoj me bindje të plotë se AKI-ja bashkë me Policinë kanë qenë në detyrën e tyre dhe e kanë kryer në mënyrë perfekte dhe në kohë. Siç e dini se Serbia kishte pretendime territoriale dhe kishte pretendim mbajtjen e krizës në lidhje me interesat e Rusisë. Diçka e re që morëm nga AKI-ja është vërejtur rritja e pranisë të ushtrisë së Serbisë në kufi. E në afërsi të Izvorit është duke ndërtuar një bazë ushtarake. Ajo çka vlen të theksohet se gjendja e sigurisë është e brishtë”, ka thënë deputetja e PDK-së pas mbledhjes së këtij Komisioni.

Ora 12:14
Petkoviç: Kërkojmë nga KFOR-i dhe EULEX-i të jenë objektivë

Petar Petkoviç, ka thënë të hënën se autoritetet në Serbi nuk janë duke kërkuar nga misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR dhe misioni i Bashkimit Evropian për sundim të ligjit, EULEX, “që të qëndrojnë në anën serbe”.

“Ne vetëm kërkojmë që ata të jenë objektivë, të jenë neutralë”, ka thënë Petkoviç në një konferencë për media në Beograd, në të cilën është diskutuar për sulmin ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator.

Petkoviq ka thënë të hënën se ende nuk ka marrë përgjigje nga EULEX-i lidhur me detajet e autopsisë së tre shtetasve serbë.

“Çështja e autopsisë është vendimtare”, ka thënë Petkoviç.

Ai ka vlerësuar se EULEX-i “ka refuzuar” për të marrë pjesë në hetimet e Policisë së Kosovës në teren. Petkoviç e ka akuzuar Policinë e Kosovës për fshehje të provave se si sulmuesit serbë janë vrarë në Banjskë. Më 28 shtator, EULEX-i i ka hedhur poshtë pretendimet e zyrtarëve serbë se nuk është lejuar të marrë pjesë në aksionin e Policisë së Kosovës.

S.G/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Mirditori: 02/10/2023 22:00

    I lumtë Adisit(deputetit) është i vërtet në atë që thotë.FALEMINDERIT PËR ÇFARË KA THËNË.

    Përgjigju
  • ISH OFICER IU.P.: 02/10/2023 21:16

    Nuk e kuptoj më duket se SH.B.Apo luan me dy porta, përsa i përket informacionit për largimin e trupave nga kufiri.Ndërsa të tjerat jan lodra fëmijësh. Ne themi që fshati që duket nuk do kallauz.

    Përgjigju
  • Tili: 02/10/2023 16:38

    Po u rofshin pishtaret se iken me brek neper kemb si legena. E pam si e lan shokun ne vend plerat qe bejn trimin se na q.u nenen Turku qe na moren teritoret ata legena. Ata jan njerez idiot qe bejn sikur e kan te tyren kosoven. Po na 1 liber historie te huaj kan hap kets njerez apo vetem historin e Titos. Ikni k..a mos u kruani de do ju vi bombardimi tjeter qe mos te beheni me per 100 vjetet e ardhshem.

    Përgjigju
  • Bim: 02/10/2023 14:43

    Serbia duket sikur eshte ne mesjete, ato imazhe jan te tmerrshme

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?