Sali Berisha thotë se PD-ja ka disa kandidatura, që sipas tij, janë të pakrahasueshme me Ogerta Manastirliun, kandidatura e PS-së që u zyrtarizua nga kryeministri Edi Rama gjatë Asamblesë më 11 shtator. Në konferencën e sotme për mediat, kreu i PD-së u pyet nga gazetarja e Report TV, Daniela Maloku nëse e kanë një emër që do të jetë përballë Manastirliut, por kryedemokrati nuk dha asnjë emër.
Ai iu shmang pyetjes duke përmendur akuzat ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj, ndërsa më pas, kur gazetarja këmbënguli për një emër, ai tha se “nuk është i autorizuar që të nxjerrë emra”.
“Kandidatët nuk mund të jenë gjë tjetër veçse emra. Nuk jam unë i autorizuar të nxjerr emra. Të siguroj se PD ka kandidatë të pakrahasueshëm me korbën e Covidit, përgjegjëse direkte me vjedhjet e tmerrshme të fondeve dhe politikave që ndoqi gjatë pandemisë duke i çuar vdekjet e shqiptarëve në nivelet më të larta në botë. Ka disa kandidatura.”, u shpreh Berisha.
Ai theksoi se do të bëjnë përpjekje për të dalë me një emër të përbashkët opozitar, por shtoi se zërin përfundimtar do ta ketë PD- ja si forcë më e madhe. Këto përpjekje, tha kreu i Partisë Demokratike, do të bëhen si me partitë me të cilat janë në koalicion apo edhe me parti të tjera opozitare.
“PD do të bëjë përpjekje për të hyrë me koalicion. Do të përpiqemi të biem në ujdi dhe bashkëpunim me partitë opozitare. Aty pastaj debate do të jetë për kandidatura. Ne nuk themi o kandidatura jonë ose nuk ka koalicion me ne. Por secili është i vetëdijshëm se zëri kryesor për përzgjedhjen do të jetë PD, dhe pasi të ulemi me aleatët dhe partitë opozitare të tjera, të debatohet e diskutohet dhe do t’u japim kandidatin. PD ka disa kandidatë brenda dhe jashtë e kudo.”, shtoi ai.
Berisha u pyet gjithashtu edhe për shkresën e Veliajt për të marrë pjesë në mbledhjen e nesërme të Këshillit Bashkiak të Tiranës, ku do të diskutohet për shkarkimin e tij. Sipas tij, këshilltarët e opozitës do të votojnë që Veliaj të mund të dëgjohet para se të merret një vendim për shkarkimin e tij. Berisha sulmoi edhe ish-kryebashkiakun e Durrësit Vangjush Dako, teksa tha se është rikthyer në qeli për t’i dhënë informacione Veliajt.
“Veliaj ka bërë letër kërkesë që të dëgjohet. Këshilltarët tanë të garantojnë se do të votojnë që ai të dëgjohet. Ajo është një e drejtë që nuk mund t’i mohohet atij. Përkundrazi do të shihni se si do e rendisin këshilltarët tanë para tij dhe qytetarëve të gjithë dosjen e zezë, edhe ato që ka renditur SKAP dhe ato që ka fshehur. Por besoj se është gjëja më elementare ndaj të cilit të merret një masë të dëgjohet. Mbrëmë ai ka fjetur me Gjushin në qeli. E morët vesh. Po Gjushi u dënua 8 dite vetëm e vetëm që të shkojë në qeli te ai. Gjushi është si urith. I them Gjushit se ke bërë gabimin më të madh, mos u bëj spiun ordiner. Çpunë ke me Veliajn? 8 ditë burg.”, shtoi Berisha.
I pyetur për aksionin opozitar, Berisha paralajmëroi protesta, sepse siç shtoi ai, janë e vetmja rrugë e opozitës për të luftuar qeverinë.
Në konferencën për mediat, Sali Berisha vijoi akuzat për mbyllje të dhunshme të Kuvendit, duke iu referuar seancës ku deputetët e tij shkaktuan kaos dhe penguan kryeministrin Edi Rama të prezantonte programin qeverisës, duke bërë që qeveria e re të votëbesohej brenda 25 minutave pa pasur debate. Duke e cilësuar situatën si “një betejë në vazhdim”, Berisha njoftoi se opozita do të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm institucionalë për të kundërshtuar atë që e quan "shkelje të kushtetutës".
"Siç e patë ju, parlamentin e mbylli Edi Rama me Niko Peleshin, të cilët donin me çdo kusht që shqiptarët të mos kuptonin, të mos njiheshin me vjedhjet, shpërdorimet monstruoze të Edi Ramës, familjes dhe ministrave të tij. Shqiptarët të mos njiheshin me lidhjet e tmerrshme të krimit të ministrave dhe deputetëve të Edi Ramës. Shqiptarët të mos njiheshin me mashtrimet e mëdha që Edi Rama kishte përgatitur ntë ashtuquajturin program të tij. Ndaj dhe përdorin dhunën, shkelmimin e Kushtetutës, shkelmimin e rregullores për të mbyllur seancën. Kjo është një betejë në vazhdim. Ne do të insistojmë me të gjitha mënyrat. Është bërë një vendim që të kërkohet një mocion mosbesimi për Peleshin e Ramës dhe do të dërgohet në Gjykatë Kushtetuese. Tani unë u garantoj ju se protesta dhe vetëm protesta është rruga e vetme që ka opozita për t’i imponuar këtij narkoregjimi ligjin dhe Kushtetutën.", tha Berisha.
Kreu i PD-së, Sali Berisha, gjatë konferencës për mediat, u pyet gjithashtu edhe për urimin që mori kryeministri Edi Rama dhe ministrat e rinj mëngjesin e sotëm nga zyra e BE-së në Tiranë. I pyetur nëse rezolutat e partive të djathta evropiane për atë që Berisha e quan farsë elektorale të 11 majit bien me këtë urim që qeveria e re "Rama 4" mori, kryedemokrati u shpreh:
"Rezolutat nuk bien asnjëra. Ambasadori i BE-së nuk përfaqëson në detyrën e tij, organizatat e partive politike. Ai përfaqëson BE-në. Pra këtu nuk ka asnjë lloj ngjarje të paqartë. Rezolutat përkundrazi janë në fuqi dhe do jenë, e ju garantoj ju se farsa elektoral e Edi Ramës e dënuar tashmë nga të gjitha rezolutat ndërkombëtare të forcave politike të qendrës së djathtë dhe të djathtë, nuk do pranohet kurrë nga PD-ja.", tha Berisha.
Në konferencën për mediat, Sali Berisha shënjestroi edhe ish-kryebashkiakun e Durrësit Vangjush Dako, i cili u rikthye në burg pas vendimit të Apelit të GJKKO, ku i duhej të kryente edhe 10 ditë burg. Dako u dërgua dje në burg për shkak se ndodhej i shtruar në spital, ndërsa do duhet të bëjë dhe 5 ditë burg.
Kreu i PD hodhi akuza se ai është dërguar vetëm për t'i dhënë informacione Veliajt.
"Mbrëmë Veliaj ka fjetur me Gjushin në qeli. E morët vesh? Po. Gjushi u dënua tetë ditë vetëm e vetëm që të shkojë në qeli tek ai. Ja, këto nuk i pëlqej unë. Jo, këto unë jam kundër tyre. Do të respektohen të gjithë rregullat. Se Gjushi është si urith. Dhe i them Gjushit ke bërë gabimin më të madh të jetës. Mos i bëj spiun ordiner. Ç’punë ke ti me Erion Veliajn? Lëre aty. Tetë ditë Gjushi burg, por kjo është...", tha Berisha.
Komente

Boll mo ordiner, shpifës , kriminel, hajdut, djegës i Shqipërisë merresh me thashetheme or plak i rrjedhur.
PërgjigjuPo cfar emri do thoje Berisa per kanditat , si nuk i vjen turp qe del me fol, ky eshte tradhetari i shqiperise, ta provoje Berisha per bashkine, as per anter keshilli nuk i ben votat, haaaaaa
PërgjigjuMbase mund te dilet me Halim Kosoven serish, me argumente qe ska bere asgje kur ishte te shendetesia. Me figure politike veshtire se fitohet. Alimehmeti burre i mire duket, por jo mbledhes votash.
Përgjigju