Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov ka përjashtuar për momentin mundësinë e një takimi midis Vladimir Putin dhe Volodymir Zelensky, duke hedhur më tej dyshime mbi iniciativën e Presidentit të SHBA-së Donald Trump për një samit që synon t'i japë fund luftës.
Lavrov foli për Nbc Njuzin amerikan ku argumentoi se pse kjo nuk do të ndodhë ku nënvizoi gatishmërinë e Putin për këtë samit. Sipas ministrit të jashtëm rus, Zelensky në Shtëpinë e Bardhë të hënën ka refuzuar principet mbi të cilat duhet të zhvillohet një samit mes tij dhe Putin. Ato sipas shefit të diplomacisë evropiane ruse, Trump ia ia ka referuar edhe atij edhe liderëve të BE.
“Presidenti Trump sugjeroi pas takimit në Ankorexh në Alaskë disa pika që i ndamë dhe për disa prej të cilave ramë dakord që ne të tregojmë fleksibilitet. Kur Presidenti Trump I çoi ato çështje në takimin e Uashingtonit me Zelenskyn dhe sponsorët e tij europianë, ishte shumë e qartë për të gjithë që janë disa principe të cilat Uashingtoni beson se duhen pranuar, duke përfshirë: mos anëtarësimin në Nato, përfshirjen e diskutimeve për territoret dhe Zelensky tha jo për secilën nga ato. Nuk pranoi as të anullojë ligjin që ndalon gjuhën ruse. Si mund të ketë një takim me dikë që sillet kështu dhe pretendon se është një lider”, tha Lavrov.
Kievi ndërkohë është në pritje të garancive të sigurisë. Në reagimin e fundit në rrjetet sociale Zelensky thotë se ato duhet të ndërtohen në dy shtylla. Një ushtri më e fortë ukrainase dhe një mbështetje e vazhdueshme nga aleatët SHBA dhe BE.
Çështja e territoreve të Ukrainës në Evropë po shihet me skepticizëm të madh, madje shefja e diplomacisë evropiane Kaja Kallas tha se Vladimir Putin po e përdor atë për qëllime të tjera.
“Ky është pikërisht kurthi ku Vladimir Putin kërkon të na fusë. Një diskutim ku flitet vetëm për atë se nga çfarë Ukraina duhet të heqë dorë apo nga çfarë është e gatshme që të heqë dorë. Ndërkohë që ne harrojmë se Rusia nuk ka hequr dorë nga asgjë dhe janë ata agresori në këtë histori. Nëse do të ecim drejt këtij kurthi, atëherë ai do të përsëritet, sepse do të thoshte se agresioni në këtë rast shpërblehet me diçka mbrapsht”, tha Kallas.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, bëri një vizitë të papritur në Kiev. Ai u takua me Presidentin Volodymyr Zelensky.
"Garancitë e forta të sigurisë për Ukrainën janë thelbësore dhe ne po punojmë për to", tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ndërsa një paralajmërim për sulme ajrore u dha në Kiev.
Pas takimit në Shtëpinë e Bardhë, Zelensky tha se pret që SHBA dhe BE ti paraqesin një paketë me garancitë e sigurisë Ukrainës brenda 10 ditëve.
Komente
