Lushnjë/ Shuhet pas më shumë se 10 orësh zjarri në qendrën tregtare 'Metropol'! Autoshkalla mbërriti pas 8 orësh! 42 në spital, mes tyre 3 fëmijë e 8 zjarrfikës (VIDEO+FOTO)

25 Dhjetor 2023, 15:00| Përditesimi: 26 Dhjetor 2023, 08:51

  • Share

LUSHNJË-  Dhjetë orë betejë me flakët të cilat përfshinë qendrën tregtare 'Metropol' në Lushnje rreth orës 14:40 minuta të së hënës së Krishtlindjeve. 

Qendra e cila është ndërtuar në qendër të qytetit, ndodhet mes dy godinave 12 katëshe, katet e sipërme të të cilave funksiononin si apartamente banimi.

Flakët u riaktivizuan në orët e vona të natës në katin e katërt ku ndodhej dhe një lokal veror me strukturë druri si dhe disa zyra të administratës. Mungesa e një autoshkalle e bënte të vështirë shuarjen e zjarrit ndërsa zjarrfikësit hodhën ujë  nga kati i parë për në katin e katërt të qendrës që ishte duke u shkrumbuar. Flakët përpinë dhe katin e tretë të ndërtesës. 

Ne ndihmë shkuan dhe një numër i madh zjarrfikësish të ardhur nga Qarku Fier, Tiranë, Durrës, Vlorë, Elbasan e Berat.

Zjarri që u aktivizua rreth orës 14:40 rrezikoi jetën e shumë personave të cilët kishin shkuar për të bërë pazar apo festuar ditën e Krishtlindjeve, por dhe të banorëve që jetonin në katet e sipërme të pallatit.

Rreth orës 18:00 policia deklaroi se kishte arritur të kryente evakuimin e plotë të banorëve në apartamentet e kateve të mësipërme. Eshtë dashur ndërhyrja e forcave RENEA e cila ka arritur të hyjë në çdo apartament për të bërë evakuimin e plotë të tyre. Gjithesj janë 36 të evakuuar nga banesat, ndërsa 80 zjarrfikës morën pjesë në shuarjen e zjarrit. 

Mes të shpëtuare nga RENEA ishin dhe tre fëmijë,  një 7 vjeç dhe 2 nga 14 vjeç. Rreth 42 persona u shtruan në spital pasi kishin probleme me frymëmarrjen mes tyre dhe 8 persona personel zjarrfikës.

Nga 3 fëmijët dy kanë lënë spitalin njëri në observim. Nuk ka djegie por asifksi' tha Kreu i Urgjencës Kombëtare Brataj.

 Në operacionin e evakuimit morën pjesë dhe forcat Shqiponja, forcat speciale dhe forcat zjarrfikëse. Edhe Ministri i Brendshëm, Taulant Balla dhe ministrja e  Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ishin në vendngjarje për të ndjekur nga afër situatën.

Do të jenë hetimet që do të zbulojnë shkaqet e këtij zjarri.

Qendra tregtare u ndërtua në qendër të qytetit të Lushnjes rreth vitit 2015.  Tre katet e para ishin shfrytëzuar si qendër tregtare për shitjen e materialeve industriale. Kati i katërt ishte lokal veror dhe zyra, ndërsa kati i pestë dhe lart ishin apartamente ku banonin qytetarë. Zjarri mendohet se ka rënë në katin e tretë ose të katërt. Janë gati 100 firma që operonin në këtë qendër.

Ora 01:01
Shuhet pas 10 orësh zjarri në qendrën tregtare në Lushnje

Rreth orës 01:00 forcat zjarrfikëse duket se kanë arritur të shuajnë zjarrin në qendrën tregtare Metropol e cila shpërtheu rreth orës 14.40 minuta të 25 dhjetorit.

Ndërsa po verifikohet me imtësi për të mos lënë asnjë vatër zjarri e cila mund të rrezikojë të riaktivizohet mëson Report tv.

Ora 00:26
VIDEO/Zjarri në qendrën tregtare, zjarrfikësja me autoshkallë mbërrin pas 8 orësh,ato të Lushnjes nuk kishin

 

Pas orës 22:00 ka vijuar ndërhyrja e zjjarrfikësve në pjesën lindore.

Zjarrfikësit e Lushnjes nuk kanë pasur autoshkallë por ardhja e zjarrfikëseve nga qytetet e tjera kanë ndihmuar për të izoluar flakët.

  

Ora 22:42
Lushnjë/ Flakët jashtë kontrolli në qendrën tregtare, në ndihmë shkojnë edhe efektivë të FA, zjarrfikësit pa autoshkallë hedhin ujë nga kati i parë

Aktualisht, vatra e zjarrit në qëndrën tregtare “Metropol” në Lushnje ka dalë jashtë kontrolli dhe në ndihmë janë nisur edhe efektivë të Forcave të Armatosura. Ndërkaq të penalizuar për shkak se nuk kanë mjetet e nevojshme zjarrfikësit po hedhin ujë nga kati i parë për në katin e katërt të qendrës që është duke u shkrumbuar.

 

 

Ora 22:27
VIDEO/ Zjarri në qendrën tregtare në Lushnjë merr përmasa të mëdha, pamje brenda godinës! Kati i katërt drejt shkrirjes

 

Zjarri në qendrën tregtare Metropol në Lushnje ka marrë përmasa të mëdha. Këto janë pamjet e flakëve katit të fundit të qendrës tregtare ku ka dalë jashtë kontrollit duke shkrumbuar strukturën kartosere qe ndodhet ne katin e 4. Kjo sipërfaqe ku është aktivizuar zjarri, përbëhet nga material druri dhe kartosere.

 

Ora 21:58
VIDEO/Zjarri në Lushnjë del jashtë kontrollit, përfshihet nga flakët i gjithë kati i fundit i qendrës tregtare! Merren masa për evakuuimin e banorëve përreth

 

Zjarri në qendrën ‘Metropol’ në Lushnjë ka dalë sërish jashtë kontrollit. Mësohet se kati i fundit i qendrës, ku ndodhet një lokal i ndërtuar prej druri, është përfshirë totalisht nga flakët dhe zjarri ka dalë jashtë kontrollit. Gazetari Armand Xhelili raporton se po merren masat për evakuimin e banorëve të pallateve pranë qendrës tregtare.

Ora 21:40
Riaktivizimi i zjarrit në Lushnjë, dyshohet se flakët u përhapën me shpejtësi për shkak të lokalit prej druri

 

Report Tv ka siguruar pamje nga zjarri i riaktivizuar në qendrën tregtare “Metropol” të Lushnjës. Siç shihet nga pamjet, zjarri i riaktivizuar në tarracën e qendrës ka përfshirë një lokal me konstruksion druri.

Dyshohet se shkak për përhapjen e shpejtë të flakëve është bërë konstruksioni i lokalit.

Ora 20:56
Zjarri në qendrën tregtare në Lushnjë, dy zjarrfikësit që përfunduan në spital: Morëm oksigjen, tani do kthehemi përsëri në punë

 

Mes personave të asfiksuar nga tymi në godinën 12 katëshe në Lushnje që u përfshi nga flakët pas një zjarri që ra fillimisht në qendrën tregtare Metropol janë edhe dy zjarrfikës. Ata tregojnë për problemet që patën gjatë betejës për shuarjen e flakëve ndërsa thonë se tashmë që bënë serume do të rikthehen në krye të detyrës.

“Patëm problem me frymëmarrjen u bllokuam nga tymi, morëm serum dhe oksigjen, tani do shkojmë përsëri në punë.”

Ora 20:44
VIDEO/'Tymi s'mbaronte nga jashtë, mbyllëm dyer e dritare', të evakuuarit tregojnë si u shpëtuan nga pallati i përfshirë në flakë në Lushnjë

LUSHNJË- 42 banorë të asfiksuar nga tymi përfunduan në spital pasi për orë të tëra mbetën të izoluar në katet e sipërme të apartamenteve që ndodheshin mbi qendrën tregtare "Metropol" e cila u përfshi nga zjarri masiv.

Një prej banorëve të pallatit 12-katësh që u përfshi në flakë tregon se si u evakua.

“Isha në kat të gjashtë. Nga poshtë lart erdhi zjarri. Pronari i pallatit erdhi dhe na ndihmoi. Tymi na e bëri të vështirë për të dalë.  Isha unë nusja ime... 4 veta”, tha një banor i pallatit.

Ndërsa një e moshuar rrëfen se në momentin që gjithçka ishte e mbuluar nga tymi mbylli dyer e dritare derisa u shpëtua nga një zjarrfikës.

“Tymi nuk mbaronte nga jashtë mbyllëm dyer e dritare. Këto na merrnin që telefon dhe qanin kurse unë u thashë s’kam gjë, jam mirë. Pastaj erdhi një polic, një vullnetar dhe na shpëtuan jetën, rrofshin. Unë isha në banesë me një komshie sepse jetoj vetëm”, shtoi e moshuara.

Ora 20:18
VIDEO/ Riaktivizohet zjarri në qendrën tregtare në Lushnjë

 

Janë riaktivizuar flakët në qendrën tregtare Metropol në Lushnjë. Flakët nisën që në orën 15:40, por në momentin që situata u vu nën kontroll duket se flakët janë riaktivizuar në katin e fundit të qendrës tregtare.

Ora 19:25
Zjarri në qendrën tregtare në Lushnjë, Policia: Përfundon operacioni i evakuim-shpëtimit! Zgjati rreth pesë orë, 39 qytetarë dhe 3 zjarrfikës në spital

 

Ka përfunduar pas pesë orësh operacioni i evakuimit të qytetarëve në qendrën tregtare në Lushnjë që u përfshi nga flakët këtë pasdite, ndërsa zjarri u përhap edhe në apartamentet sipër.

Njoftimi i policisë

Përfundoi operacioni i evakuim shpëtimit në qendrën tregëtare në Lushnjë. Në operacion për evakuimin e qytetarëve morën pjesë Forcat Renea, Forcat e Sigurisë Kombëtare, Njësitë Shqiponja, shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë dhe zjarrfikësit.

Në vendngjarje ishin Ministri i Brendshëm Taulant Balla, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Muhamet  Rrumbullaku, Zëvëndës Drejtori i Përgjithshëm Sokol Bizhga, Drejtori Vendor i Policisë Fier Lorenc Panganika, Drejtues të tjerë të DVP Fier dhe drejtues të lartë të Policisë së Shtetit.

Janë evakuuar dhe dërguar në spital për ndihmë mjekësore rreth 39 qytetarë dhe 3 punonjës të zjarrfikëses, jashtë rrezikut për jetën.

Grupi i posaçëm hetimor në drejtimin e Prokurorisë vijon punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe përcaktimin e shkakut të rënies së zjarrit.

Ora 19:20
VIDEO/ Një zyrë vatra e fundit aktive në godinën e qendrës tregtare në Lushnjë, zjarrfikësit mes tymit në majë të vinçit

 

Këto janë pamjet e vatrës së fundit aktive në qendrën tregatare Metropol në Lushnje që u përfshi nga flakët pasditen e sotme. Zjarrfikësit në majë të vinçit shihen në mes të tymit, duke bërë përpjekjet e tyre për të vënë nën kontroll flakët.

Ora 18:35
Zjarri në qendrën tregtare të Lushnjës, Balla: Ndërhyrja e RENEA-s solli evakuimin e banorëve të bllokuar! Problem temperatura e lartë, rreziku s'ka kaluar

 

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka dhënë një prononcim për mediat pas zjarrit që përfshiu qendrën tregtare “Metropol” në pallatin 12 katësh. Duke folur për situatën, Balla tha se rreziku nuk ka kaluar ende pasi ende ka vatra të vogla zjarri në godinë.

Ai shtoi se problem mbetet temperatura e godinës ku po punohet për shkak të zjarrit që përfshiu katin e tretë.

“Falë ndërhyrjes dhe koordinimit të mirë mes forcave zjarrfikëse, Shqiponja dhe RENEA të cilat për shkak të profesionalizmit arritën të ndërhyjnë në kohë në banesa për të cilat u informuam që nuk ka banorë por pas hyrjes me forcë djemtë e RENEA-s gjetën njerëz në këto banesa.

Ato tani janë jashtë rrezikut për jetën dhe po trajtohen në spitalin e Lushnjës. Rreziku nuk ka përfunduar sepse në momentin që flasim ka ende disa vatra më të vogla të ndërtesës.  Problem mbetet temperatura e godinës ku po punohet është shumë e lartë për shkak të zjarrit që ka qene në katin  e tretë”- tha Balla ndër të tjera.

Ora 18:35
Lushnjë/ ‘Asnjë i bllokuar në qendrën tregtare, po kontrollohet godina e fundit’, kreu i Urgjencës Kombëtare, Brataj: 42 persona në spital, 8 zjarrfikës dhe tre fëmijë

 

Kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj ka bërë me dije se 42 persona janë dërguar në spital të asfiksuar nga zjarri i rënë në ndërtesën e qendrës tregtare Metropol në Lushnje që u përhap më pas në apartamentet që ndodheshin në të njëjtën ndërtesë. Siç nënvizon ai mes tyre 8 persona janë personel zjarrfikës, kurse tre janë fëmijë një 7 vjeç dhe 2 nga 14 vjeç. Sipas Bratajt momentalisht nuk ka persona të bllokuar, por kontrollet vijojnë në ndërtesën e fundit.

“Nga 42 persona, 8 personel zjarrfikës dhe tre fëmijë. Dy fëmijë e kanë lënë spitalin, një është në observim. Nuk ka kode të rënda të kuqe, nuk rrezikon njeri jetën. Ka thjesht intoksikime nga tymi. Nuk ka djegie"

“Janë krehur 3 godina, për të parë nëse ka ende banorë. Shërbimet e urgjencës janë këtu. Nuk besoj se do ketë pasoja për pacientët në spital. Dy fëmijë ishin 14 vjeç, njëri 7 vjeç. Nuk ka kode të vështira. Janë kontrolluar 3 godinat, po hapet çdo derë për të parë nëse ka persona të tjerë të bllokuar. Por deri tani nuk rezulton asnjë person i bllokuar si në qendrën tregtare si në godinat përreth", tha ai.

Ora 18:34
Zjarri në qendrën tregtare në Lushnjë, ministrja Koçiu jep detaje mbi gjendjen e 35 personave që janë në spital

 

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ka vizituar mbrëmjen e sotme qytetarët të cilët u dërguan për të marrë ndihmën e parë mjekësore në spital pasi u asfiksuan nga zjarri i rënë në një qendër tregtare në Lushnje.

Ministrja deklaroi se ata ndodhen jashtë rrezikut për jetën dhe sipas stafit mjekësor, deri tani nuk ka asnjë rast të rëndë si pasojë e zjarrit të rënë në këtë godinë.

"Sapo kemi vizituar të gjithë qytetarët që iu drejtuan spitalit në Lushnje. Janë të gjithë jashtë rrezikut për jetën, falë një pune të ekipit të mjekëve. Çdo gjë është nën kontroll, gjendja paraqitet e qetë, qytetarët kanë marrë mjekimet e nevojshme dhe për momentin nuk kanë asnjë shqetësim", u shpreh ministrja Koçiu.

Ministrja Koçiu bëri me dije se "përpara se të vija në spital kam qenë edhe pranë qendrës tregtare".

"Situata është nën kontroll. Janë evakuuar të gjithë banorët dhe janë forcat e RENEA-s që po kontrollojnë kat më kat. Nga informacionet që kam, të gjithë janë të evakuuar dhe policia e zjarrfikëset janë aty për të vënë situatën nën kontroll", u shpreh ministrja.

Ministrja e Shëndetësisë, Koçiu falenderoi dhe shprehu mirënjohje për përpjekjet dhe punën e jashtëzakonshme të efektivëve të Policisë së Shtetit, RENEA-s e zjarrfikësve në përballje me flakët si dhe gatishmërinë e mjekëve dhe infermierëve për të ofruar ndihmë e shpejtë për qytetarët.

Ora 18:18
VIDEO/ Shpëtohen 2 të moshuara të bllokuara nga zjarri në qendrën tregtare të Lushnjës, Braçe: Djemtë e RENEA-s po kontrollojnë derë më derë

 

Forcat RENEA i janë bashkuar aksionit për shpëtimin dhe evakuimin e banorëve të bllokuar si pasojë e zjarrit që ka përfshirë qendrën tregtare që prej orës 14:40 të ditës së sotme.

Siç shihet në pamjet e publikuara, ky është një moment kur nxirren 2 qytetare të moshuara dhe më pas dërgohet në autoambulancë për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.

Deputeti i PS, Erion Braçe ka shpërndarë pamjet dhe ka falënderuar efektivët e RENEA-s për kontrollet që bëjnë në çdo banesë për persona që mund të kenë mbetur të bllokuar.

 

 

 

Ora 18:17
Panik nga zjarri në Lushnje, riaktivizohet një vatër! Tubi i zjarrfikëses ngrihet me vinç, nuk ka autoshkallë (VIDEO)

 

Zjarri në qendrën tregtare në Lushnjë vijon të jetë aktiv prej më shumë se 3 orësh. Një vatër zjarri është riaktivizuar, ndërsa zjarrfikësit nuk kanë të gjitha mjetet e nevojshme për të fituar këtë betejë me flakët. Report Tv sjell pamje nga momenti kur tubi i ujit nga zjarrfikësja ngrihet përmes një vinçi për shkak se mungon autoshkalla.

Ora 17:40
Zjarri në pallatin shumëkatësh në Lushnjë, 35 persona të asfiksuar në spital, mes tyre dy fëmijë dhe katër zjarrfikës

 

Ka shkruar në 35 numri i personave të asfiksuar nga zjarri që ka rënë në ndërtesën 12 katëshe në Lushnjë, që më pas janë dërguar në spital. Mes të transportuarve janë dy fëmijë dhe katër zjarrfikës. Këta të fundit janë asfiksuar ndërsa kanë marrë pjesë në operacionet e shpëtimit të personave të bllokuar në ndërtesë. Të gjithë janë jashtë rrezikut për jetën.

"Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Albana Koçiu në spitalin e Lushnjes viziton personat që po marrin ndihmën mjekësore. Aktualisht, 35 persona ndodhen në urgjencën e spitalin e Lushnjës, 4 prej të cilëve janë punonjës zjarrfikës.  Fatmirësisht personat që po trajtohen në spital janë në gjendje stabël, jashtë rrezikut për jetën", njofton ministria e Shëndetësisë.

Ora 17:26
Zjarri në qendrën tregtare, mes të asfiksuarve ka edhe fëmijë

1703521824_lushnje.JPG

Ka edhe fëmijë mes të asfiksuarve si pasojë e zjarrit të rënë në ndërtesën shumëkatëshe në Lushnje që nisi fillimisht në katet e qendrës tregtare Metropol dhe më pas u përhap në banesa.

 

Ora 17:08
Lushnjë/ Zjarri në qendrën tregtare është përhapur edhe në banesat e pallatit, mbërrin helikopteri

1703520745_d858beb44b8b4508bc90e4e0afaddefe.jpg

Zjarri i rënë fillimisht në katin e dytë, të tretë dhe të katërt në qendrën tregtare Metropol në Lushnje është përhapur edhe në banesat që ndodheshin në katet e mësipërme të pallatit 12 katësh. Për shkak se forcat zjarrfikëse nuk kanë mundur që të vënë nën kontroll situatën, ka mbërritur një helikopter për të ndërhyrë. 

 

Ora 16:59
VIDEO/ Tym nga të katërta anët e godinës 12-katëshe në Lushnjë, momenti kur qytetarët nxirren nga ballkonet e banesave

Report Tv sjell pamje nga momentet e shpëtimit të qytetarëve që janë bllokuar në ndërtesën 12 katëshe që është rrethuar nga flakët në Lushnjë pas një zjarri të rënë fillimisht në katin e dytë dhe të tretë të qendrës tregtare Metropol.

Zjarri ka rënë në momentin kur brenda qendrës tregtare kishte ende njerëz. Disa prej tyre, të frikësuar po përpiqen të dalin nga dritaret. Disa prej tyre janë nxjerrë me sukses ndërsa brenda të rrezikuar ka ende qytetarë.

Ora 16:57
Zjarri në qendrën tregtare, deputeti Braçe dhe kryebashkiakja e Lushnjës, në vendngjarje

1703519961_erionbraeeriseldasefa.PNG

Deputeti i PS, Erion Braçe dhe kryebashkiakja e Lushnjës, Eriselda Sefa kanë mbërritur në vendngjarje ku qendra tregtare “Metropol” është përfshirë nga flakët prej më shumë se 2 orësh.

Ora 16:47
Report Tv siguron pamjet, momenti kur i jepet ndihma e parë një qytetari të asfiksuar nga tymi në qendrën tregtare të Lushnjës

Ky është momenti kur një prej qytetarëve është nxjerrë nga qendra tregtare "Metropol" të përfshirë nga zjarri. Siç shihet nga pamjet, menjëherë pasi është nxjerrë nga godina, qytetarit i është dhënë ndihma e parë. 

Ora 16:36
Zjarri në qendrën tregtare në Lushnjë, reagon Gazment Bardhi

Deputeti i opozitës Gazment Bardhi ka reaguar lidhur me zjarrin në Lushnjë.

“Po ndjek me shumë shqetësim situatën e rëndë në Lushnje. Në këtë moment të vështirë dhe ankthi për të gjithë, uroj me zemër që të kalojë sa më parë, pa asnjë pasojë në jetën dhe shëndetin e qytetarëve. Në këtë moment fokusi i vetëm duhet të jetë mbështetja ndaj forcave zjarrfikëse dhe policisë, për të frenuar zjarrin dhe për ti dhënë ndihmën e nevojshme qytetarëve të rrezikuar.

Ora 16:33
Intensifikohet zjarri në qendrën tregtare në Lushnjë, nisen automjete dhe zjarrfikës nga Tirana

1703515948_lushnje.jpg

Edhe pse ka më shumë se një orë që ka rënë zjarri në qendrën tregtare 'Metropol' në Lushnjë, flakët nuk janë shuar ende por madje janë intensifikuar. 2 automjete dhe 6 zjarrfikës janë nisur nga Tirana për t'u ardhur në ndihmë.

Ora 16:33
Zjarri në qendrën tregtare të Lushnjës, Balla mbërrin në vendngjarje, ndjek me shqetësim situatën e rëndë

 

Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka mbërritur në Lushnjë në vendin e ngjarjes ku qendra tregtare "Metropol" është përfshirë nga flakët. Teska gazetari i Report Tv tentoi ta merrte në pyetje Balla u shpreh: "Flasim më vonë!", teksa ndiqte me shqetësim situatën e rëndë. 

Ora 16:29
Lushnjë, zjarri në qendrën tregtare "Metropol', zjarrfikësja nuk ka autoshkallë, në ndihmë vinçi privat

Flakët në qendrën tregtare 'Metropol' që ndodhet mes dy godinave vijon prej orës 14:40. Zjarrfikësja e Lushnjës nuk ka autoshkallë dhe në ndihmë ka shkuar një vinç privat i cili ka ndihmuar për transportimin e tyre në katet e larta të godinës. 

Ndërkohë shtëllunga të mëdha tymi dalin nga të dyja godinat. Deri tani flitet për mbi 20 persona në spital.  

Report Tv mëson se qendra tregtare kishte shkallë emergjente. 

1703518988_cats.jpg

Ora 16:16
U asfiksuan nga tymi në qendrën tregtare ‘Metropol’ në Lushnjë, 25 qytetarë të shtruar në spital! 7 zjarrfikëse dhe 8 ambulanca në vendngjarje

 

25 qytetarë të asfiksuar nga flakët që kanë përfshirë qendrën tregtare në Lushnjë, janë shtruar në spitalin e Fierit për të marrë ndihmë mjekësore.

Mësohet se gjendja e tyre është e qëndrueshme, por mbeten nën kujdesin e mjekëve. Ndërkohë në vendngjarje kanë mbërritur 7 zjarrfikëse dhe 8 ambulanca. 

Ora 16:15
I kishte zënë rrugën zjarrfikëses, qytetarët në Lushnjë bëhen bashkë për të shtyrë makinën e parkuar pranë pallatit të përfshirë nga zjarri

Report Tv ka siguruar pamje të reja nga situata e krijuar në qytetin e Lushnjës pas zjarrit që ka përfshirë qendrën tregtare “Metropol” në pallatin 12 katësh.

Një grup qytetarësh janë bërë bashkë për t’i ardhur në ndihmë duke shtyrë një makinë që kishte zënë rrugën dhe pengonte zjarrfikësen të afrohej pranë godinës ku kanë rënë flakët.

Ora 15:54
Zjarri në qendrën tregtare, shtëllunga të mëdha tymi përfshijnë qytetin e Lushnjës

Shtëllunga të mëdha tymi kanë ‘pushtuar’ qytetin e Lushnjës si pasojë e zjarrit që ka përfshirë qendrën tregtare “Metropol”.

Siç shihet nga pamjet, tymi është përhapur në një pjesë të madhe të qytetit duke sjellë një ndotje tejet të madhe. Ndërkohë një zjarrfikës ka hipur në kovë dhe përmes një vinçi transportohet drejt kateve të sipërme të godinës. Nga ana tjetër disa ambulanca po mbërrijnë në vendin e ngjarjes. 

 

 

Ora 15:46
Zjarri në qendrën tregtare në Lushnjë, në ndihmë shkon vinçi për te evakuuar qytetarët e bllokuar

Kati i dytë e më pas kati i tretë i një qendre tregtare është përfshirë nga flakët në Lushnjë. Në ndihmë të zjarrfikëses së Lushnjës kanë mbërritur edhe zjarrfikëse nga Fieri e Patosi. Po ashtu për të evakuar qytetarët e bllokuar, në ndihmë u ka ardhur dhe vinçi i një firme private pasi vetë zjarrfikësja e Lushnjës nuk ka autoshkallë.

Me vinç zjarrfikësit do të ngjiten në katet e sipërme në mënyrë që të nxjerrin qytetarët nga ndërtesa.

Sakaq në një anë janë vendosur shkallë për të evakuuar personat nga dritaret e godinës.

Ora 15:29
Zjarri në qendrën tregtare në Lushnjë, reagon Balla: Policia po lufton për të marrë nën kontroll situatën e rëndë! Ka edhe mjedise banimi në katet e sipërme

1703514955_lushnje.PNG

Foto: Qendra tregtare "Metropol" ne flake, 25 dhjetor 2023

Në qendrën tregtare në Lushnje, ku ka rënë zjarr gjatë mesditës së sotme, ka edhe mjedise banimi në katet e sipërme. Këtë gjë e bën me dije vetë ministri i Brendshëm Taulant Balla i cili ka theksuar se policia ndodhet në vendngjarje për të vënë nën kontroll situatën e rëndë.

“Një zjarr i madh në Qendrën Tregëtare Metropol në Lushnjë ka krijuar një situatë tepër të vështirë rreziku, ndërsa ndërtesa ka dhe mjedise banimi në katet e sipërme. Forcat zjarrfikëse dhe policia po luftojnë për të vendosur nën kontroll situatën e rëndë”- shkruan Balla.

Ora 15:26
Të bllokuar në qendrën tregtare në Lushnjë nga zjarri, njerëzit të frikësuar përpiqen të dalin nga dritaret

Përfshihet nga flakët një qendër tregtare në Lushnjë.

Zjarri ka rënë në katin e tretë të godinës. Brenda qendrës ka ende njerëz, ndërsa disa prej tyre po përpiqen të dalin nga dritaret. Në vendngjarje është edhe policia

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë dhe Forca e Posaçme "Shqiponja" kanë shkuar në vendngjarje dhe po marrin masa për evakuimin e qytetarëve dhe banorëve në qendrën tregtare. Janë dërguar edhe forcat e sigurisë kombëtare në mbështetje të Policisë Vendore për evakuimin e qytetarëve.

Shërbimet zjarrfikëse ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për shuarjen e flakëve. Është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe në drejtimin e Prokurorisë, po punohet për zbardhjen e rrethanave të rënies së zjarrit.’- njoftoi policia.

M.Q.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Or tej: 26/12/2023 07:07

    Fajin si gjithmone eshte i renies se murit te Berlinit or teeeejjjjj

    Përgjigju
  • Scutari: 26/12/2023 07:02

    Bilanc lufte për një emergjencë civile që duhej menaxhuar nga njësia vendore dhe jo të angazhoheshin të gjithë repartet speciale për t'u djegur në fund me sukses pallati dhe jetëgjatët të shpëtonin! Më shumë intervista nga ata që duhej të intervistoheshin nga prokurori sesa punë për shuarjen e zjarrit! Si përfundim nuk kemi asnjë standard në asnjë aspekt. Qofsha i gabuar por mendoj ato kullat në Tiranë ...

    Përgjigju
  • Jfkd: 26/12/2023 03:52

    Ska zjarrfiskja autoshkalle? Genjeshter. Shqiperia ka 2 satelite ne hapesire, s'paska autoshkalle

    Përgjigju
  • Iris: 26/12/2023 02:34

    Dyqane poshte pallateve ka ne gjithe boten,por ne rastin konkret mund te kete disa arsye qe ndihmuan ne kohezgjatjen e zjarrit e perhapjen e tij.p.sh.u sqarua qe ndertesa kishte shkalle emergjente,por nuk dihet nese kishte brenda hidrante tavani,bombola per shuarje zjarri dhe sensore tymi e zjarri;duket qe qendra tregetare nga pershkrimet merrej me shitje materialesh industriale,nje pjese e mire e te cileve jane me perberes qe ndihmojne zjarrin,gjithashtu dhe lokali me material druri e kartosere ishte nje tjeter minus.Mungesa e autoshkalles te zjarrfikesve lokale dhe koha qe ju desh zjarrfikseve te zonave e qyteteve te tjera te vinin ne Lushnje duke care trafikun nderqytetas e te brendshem edhe ky eshte nje tjeter problem.Lartesia e nderteses,vendi i ngushte ku manovronin zjarrefikesit,te mos harrojme dhe ate makinen pa zot, qe e ngriten dhe e zhvendosen qytetaret me krahet e tyre edhe keto ndikuan.Nje tjeter faktor negativ eshte prania e bleresve (nuk po them per banoret e apt.siper qe jane ne te drejten e tyre).Sot ishte dite feste,dyqanet e qendrat tregetare (perjashtim bejne farmacite)ne shume vende te botes jane te mbyllura,makuteria jone per fitim nuk njeh pushim.Shume bleres mund te mos kishin pesuar asfiksim dhe zjarrefikesit mund te kishin qene me te sukseshem,po te kishin te benin vetem me evakuim banoresh e jo te humbnin kohe e te rrezikonin jeten duke kerkuar edhe bleresit kat me kat e kend me kend te qendres tregetare e lokalit!

    Përgjigju
  • Flori: 25/12/2023 23:28

    O te mvaruar me gjith bashkine lushnje ku aszjarrfikse nuk ka me fonder qe jan vjedh cdo vit,lere pastaj ndertimet ngjitur beton dhe pallate o te babzitur politikan qe sju kapi 97a po ngelet verdall

    Përgjigju
  • jani: 25/12/2023 23:18

    shtet pa shtet,,,qeveri qe vetem vjedh,,opozite me keq se qeveria,,,mjere ai popull atje...zjarrfikese te pakualifiuar,,dhe pa mjete,,se leket per mjete i vjedh edi rrama,,,duhen 100.milion euro per te modernizuar zjarrfikesit...qytete si ne gaza...pa plan urbanistik..e pa lulishte,,r..bt ku ti kesh o edi rama..

    Përgjigju
  • Tipi: 25/12/2023 22:47

    Kane ter diten s’fikin dot nje zjarr. Si perfundim iu doli jashte kontrollit…????????????

    Përgjigju
  • Tini: 25/12/2023 22:44

    Ore se marr vesh!! Ore ka Struktura te posacme per zjarrin ujin etj etj.. ore po c’pune ka Renea aty. Ore i thoni Reneas qe s’ka pengje aty. Ore seriozisht c’pune ka Policia me zjarrin dhe ujin.. ore o Zjarrfiksa o barkderra o te pacipe. Ore po per nje rast jeni. O pisa o te pa organizuar. Ore po u asfiksiuan te shkretet. Ore po nuk do zgjidh cdo gje Renea.

    Përgjigju
  • halla esma: 25/12/2023 19:47

    keshtu eshte kur ben dyqane poshte pallateve...ju hengert mortja...idiot komb..

    Përgjigju
    • Loni: 25/12/2023 20:55

      Mjer njerezit e shkrete... Qendra metropol lale ne lushnje. Hajde hajde... Gezuar krishtlindjet edhe qofte me kaq.

  • Gjyshi: 25/12/2023 19:09

    U angazhuan kreret dhe shpetuan jetet e banoreve, shume mire. Por, keta krere dhe ky drejtori i zjarrfikseve a kane ndonje pergjegjesi ligjore per mos zbatimin e ligjit nga ndertuesit? A kane hidrante pallatet? A i kane respektuar kushtet kundra zjarrit sipaa ligjit? Ku jane shksllet e emergjences? Problemi ketu eshte pandeshkueshmeria dhe ndergjegjia kolektive. U ndeshkua njeri per pasojat e termetit? JO! Po zjarri te Casa Italia? JO! Po ketu? JO!

    Përgjigju
    • Këshilli i Lagjjes: 26/12/2023 12:17

      Fajin e ka Saliu

    • Partia: 25/12/2023 23:43

      Jo nuk kanë asnjë faj, e dimë kush e ka fajin për çdo gjë ne atdhe.

  • Mario kempes: 25/12/2023 19:06

    Lushnja qyeteti i endrrave

    Përgjigju
  • Toni: 25/12/2023 18:05

    Kjo tregon katrahuren urbanistike te ndertimeve mafioze me bekimin e arkitekteve dhe urbanisteve, te cilet kane vetem nje hall: si te fusîn me shume leke ne xhep. Mjafton t’i verdallosesh godinave tek Kodra e Diellit, Komuna e Parisit apo nga rruga e Kosovareve, dhe kupton sa ne rrezik jane banoret ne rast zjarri apo shembje nga termeti. Zjarrfikeset, makina te medha nga permasat, nuk hyne kurre ne disa rrugica, ku pallatet jane aq afer sa mund te trokasesh ne ballkonin e komshiut! Kjo eshte Shqiperia pa ligje per te ruajtur banoret nga ndertuesit mafioze, inxhinieret me diplloma Kristali dhe ligjzbatuesit kokëshkretë dhe te korruptuar deri ne palcë! Gezuar!

    Përgjigju
    • Leja e ndërtimit: 26/12/2023 12:22

      Katrahura e Tiranës këto 30 vjet e ka një emër. Është ai heroi që hoqi kioskat buzë Lanës. p.s jo të gjithë ata që të nxjerrin nga muti të duan të mirën. Terence Hill

  • Jevgu: 25/12/2023 18:00

    Ore nga dyqani i altin jevgut filloi zjarri di gje njeri? E sqaron bledi at muhabet

    Përgjigju
  • PylliOrbitaliBetonit: 25/12/2023 17:27

    KÇK-ja keto ka. Na ka ruajtur Zoti se si i kane bere keto ndertime pa asnje kriter...

    Përgjigju
  • Gazepi: 25/12/2023 16:57

    E gjithe Tirana ne pallate eshte bllokuar nga zenja e garazheve dhe hapesirave te daljes. Duhet kontroll nga shteti se po bdesin njerez kot

    Përgjigju
  • Dash Labi: 25/12/2023 15:27

    I themi Celes edhe pse cunat jan ne burg gjoben duhet tja paguash prape ..je vone

    Përgjigju
    • Hasani: 25/12/2023 16:19

      Cela ate pune ka mendon se mund te fitoj perher duke perfituar nga te tjeret

  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?