Ekipi i avokatëve të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka zhvilluar sot një vizitë në ambientet e paraburgimit në Durrës, një ditë përpara seancës së apelit për shqyrtimin e kërkesës së tij për lirim me kusht.
Në këtë takim, atyre iu bashkua edhe Joshua Roberts, përfaqësues i studios ligjore amerikane "Kasowitz Benson Torres LLP", e cila po këshillon kryebashkiakun Veliaj.
Në një deklaratë për mediat pas vizitës, Roberts bëri të ditur se ndodhet në Shqipëri si vëzhgues dhe theksoi rëndësinë e respektimit të standardeve ligjore ndërkombëtare.
“Në Shtetet e Bashkuara, sipas Kushtetutës dhe legjislacionit amerikan, akuzat penale ngrihen vetëm kur ekziston një shkak i arsyeshëm që një vepër penale është kryer. Gjithashtu, ndalimi i qytetarëve para gjykimit ndodh vetëm nëse ata paraqesin rrezik arratisjeje ose rrezik për shoqërinë”,- deklaroi Roberts.
Ai shtoi se “mbajtja e një politikani në paraburgim pa akuza të qarta dhe pa një rrezik të justifikuar është në kundërshtim me parimet e shtetit ligjor dhe demokracisë”. “Nesër do të ndjek nga afër argumentet e apelit për çështjen e Kryetarit Veliaj”,- tha ai.
Studio Kasoëitz ka shërbyer si përfaqësues i Presidentit Trump "për një gamë të gjerë çështjesh gjyqësore për më shumë se 15 vjet", si në bizneset e tij ashtu edhe gjatë fushatës presidenciale.
Komente
