Politikë

Meçe për Report Tv: Saliu u bë qesharak që nga slogani ‘Shqipëria Madhështore’! Kthupi: Zgjedhjet u vendosën me Kodin Zgjedhor! Tafani: PD e paaftë të fitonte, po gjen alibi! Çaça: Edhe Berisha përgjegjës

20 Maj, 21:44| Përditesimi: 20 Maj, 22:36

  • Share

Partia Socialiste i fitoi zgjedhjet jo vetëm fal organizimit dhe strukturave, por edhe për shkakun se përballë kishte figura të papëlqyera nga shqiptarët, si Sali Berisha dhe Ilir Meta.

Fraksionet e opozitës, listat e gabuara dhe deri slogani qesharak, ishin faktorë të tjerë që ndikuan dhe i dhanë kryesocialistit Edi Rama fitoren e mandatit të katërt.

Ky ishte deduksioni i analizës së sotme në studion e “Repolitix’ në Report Tv, me panelin e të ftuarve nga moderatori Denis Minga.

Ish-deputeti demokrat Arben Meçe shprehu mendimin se PD dhe Berisha u bënë qesharakë që nga slogani që vendosën për fushatë dhe prezenca e Berishës për herë të katërt përballë Ramës. Një tjetër argument sipas analistit ishte edhe konsulenti amerikan i paguar nga Berisha, Chris LaCivita që shkeli edhe ligjin me përfshirjen e tij.

“Faktori kryesor i rezultatit ishte organizimi i PS-së. Partitë e organizuara dhe me struktura mblodhën vota, sikurse edhe Mundësia, që vëri investim të zgjuar. Lapaj pati shumë demagogji dhe fjalë. PS dhe PD patën diferenca të mëdha në fushatë. PD u bë qesharake që te slogani Shqipëria Madhështore. Unë e quaj shkelje të madhe prezencën dhe daljen në tribunë të Chris LaCivita. Ai ishte në shkelje të ligjit dhe u kthye në ofendues për popullin shqiptar. Opozita po na paraqitet 4 herë me të njëjtin person, sepse pas Bashës de fakto ishte Berisha. Me atë u mor Rama dhe e përdori, e bëri objekt. Në këto kushte, Rama fitoi përballë të njëjtit kundërshtar, së bashku edhe me Ilir Metën, personazhet më të papranueshëm nga shoqëria shqiptare, ndaj edhe Rama fitoi”, tha Meçe.

Deputeti i parlamentit aktual Rezart Kthupi, drejtues politik i “Djathtas 1912”, kandidat në zgjedhjet e 11 majit, duke ironizuar deklaratën e Berishës për “betejën që vazhdon”, ndau mendimin se PD dhe Berisha nuk donin të fitonin, por të ruanin drejtimin e opozitës. Zgjedhjet sipas ligjvënësit, u vendosën më 26 korrik 2024 me ndryshimet në Kodin Zgjedhor.

“Të mos them se “beteja sapo ka filluar” (ironizon kreun e demokratëve), Berisha nuk e thotë se kur ka filluar beteja, por vazhdon, si duket i ka mbetur që nga vitet 90-të kjo si shprehje. Nëse PD nuk reformohet do e ketë edhe më të vështirë më tej, sidomos zgjedhjet e ardhshme lokale që janë më të afërta. Kurse për forcat e reja bëhet po ashtu e vështirë lufta ndaj dy forcave të mëdha. Shehaj përfitoi se edhe në luftën civile brenda PD-së nuk u përfshi. Këto janë të vetmet zgjedhje që nuk kanë humbës. Mos mendoni se PD hyri në zgjedhje për të fituar, Berisha hyri për partinë dhe fitoi. Rama mbajti pushtetin. Në këndvështrimin final të gjithë janë fitues. U vendos gjithçka më 26 korrik 2024 me Kodin Zgjedhor. Listat e mbyllura, mungesa e strukturave, lufta e gabuar në Parlament, mungesa e strukturave dhe organizimi”, u shpreh deputeti.

Për analistin Endri Tafani zgjedhjet ishin shkërmoqje e gjithanshme e PD-së, madje edhe në disa bastione të hershme.

“Fieri ishte një shkatërrim për PD-në me 12 mandatet dhe trendin. Sidomos Mallakastra që ka qenë një nga bastionet e PD-së, teksa edhe Lapaj i shkoi afër mandatit. Pati një shkërmoqje të PD-së. Për sa kohë Berisha është në PD, partitë e reja do fitojnë akoma më shumë terren. Partia Mundësia përfitoi më shumë nga e djathta duke i marrë vota PD-së. Ai e tregoi luftën e tij më 2021 kur garoi përballë Bashës. PD kishte frikë se nuk do i fitonte zgjedhjet, pra ishte e paaftë për të fituar dhe ndaj bëri ato lista të mbyllura, duke futur njerëzit besnikë te lista e mbyllur. PD po gjen alibi dhe justifikime për zgjedhjet”, argumentoi ai.

Kurse kandidati i demokratëve, juristi Përparim Çaça, u shpreh se zgjedhjet patën parregullsi dhe nuk ishin të ndershme.

"Kavaja është modeli se si mundet Rama, por ndikoi edhe fenomeni Roshi, sepse ishin vetëm në bashkinë Kavajë mbi 2500 vota. Pra kishte bazë votash majtas. Kavaja ka ndodhur që jep votë edhe kundër estabilishmentit, ndryshe nga Shkodra apo Fushë-Kruja. Por pyetja është a ishin zgjedhje të ndershme, të lira dhe të drejta, pasi edhe OSBE-ODIHR e tha, pati probleme. Por PD nuk ngriti frymën popullore, por vetëm të partisë”, tha Çaça.

Përparim Çaça ishte më i qartë në analizë, ku tha se nuk është justifikim vjedhja dhe shkaku i humbjes duhet parë brenda PD-së dhe lidershipit të saj.

“Në PD u morën me qeveri teknike dhe situata të tjera politike, dhe jo te Kodi Zgjedhor që e dakordësuan me PS. Më pas me organizimin dhe deri te listat e gabuar e deputetëve. Përgjegjësia duhet të shikohet brenda lidershipit, pra edhe te Berisha”, tha ai.

Ora 22:35
Meçe në ‘Repolitix’: Këto nuk janë zgjedhje si të vitit 1996 kur Berisha i vodhi, ai dhe Iliri tani kanë halle drejtësie! Rama problemin kryesor nuk ka opozitën, por korrupsionin e brendshëm

 

Zgjedhjet e 11 majit ishin më të mira edhe se ato të katër viteve më parë sipas raportit të OSBE-ODIHR dhe as mund të krahasohen me ato që u bënë më 26 maj 1996 kur Sali Berisha i vodhi hapur dhe i përgjaku.

Kështu u shpreh ish-deputeti demokrat Arben Meçe mbrëmjen e sotme në ‘Repolitix’. Sipas analistit, Berisha dhe Ilir Meta kanë halle drejtësie tani dhe jo halle votash e politike.

Kurse kryeministri Edi Rama problemin apo ‘njollën’ më të madhe ka korrupsionin e brendshëm, ndaj të cilit duhet të nisë luftë frontale.

“Iliri po kërkon lekët tani. U dhanë lekët e s’u morën votat. Iliri ka halle të tjera tani, duhet të merret me problemet ligjore dhe jo me hetimin e zgjedhjeve. Sa i përket raportit të OSBE-ODIHR, kujtojmë atë të 26 majit 1996 kur Berisha prishi e vodhi zgjedhjet, teksa u tha tekstualisht nga ndërkombëtarët se ku duheshin përsëritur zgjedhjet. Këtë herë raporti ishte më i mirë se i fundit. Berisha ndaj kërkon tezën e përhershme të mosnjohjes së zgjedhjeve. Po të shikosh edhe liderët e koalicionit të djathtë e kupton se në çfarë gjendje është opozita dhe forca e saj në këto zgjedhje. Viktimë aty është vetëm Agron Duka, që mori më shumë vota e përkthyer nga ajo çfarë mori me 1 deputet në listën e sigurt të PD-së. Të tjerët janë figura të konsumuara, nga Mediu, Meta etj. Berisha tani ka halle të tjera, si çështja “Partizani” dhe që rrezikon edhe 7 vite burg. PD do merret me mbrojtjen e Berishës tani. Rama problemin kryesor e ka me korrupsionin e brendshëm dhe as me PD-në e as me opozitën. Ky do jetë objektivi i Ramës që nesër, goditje frontale e korrupsionit. Ai do rregullojë këtë imazh që e ka të dëmtuar realisht dhe do përpiqet ta korrigjojë”, u shpreh Meçe.

Ora 22:12
Çaça: Shkaku i humbjes duhet gjetur brenda PD-së, Berisha përgjegjës! Tafani: Për rrotacion duhet të thyesh murin e administratës! Kthupi: Diaspora pati probleme! Meçe: Opozitës i mungoi fryma

 

Vota e diasporës shfaqi problematika që ishin parashikuar që kur nisi procesi, teksa PD po pretendon që të bllokojë njohjen e rezultatit duke ngritur ankesa dhe akuza.

Por rezultati i thellë i humbjes e rrëzon alibinë e demokratëve për manipulim apo vjedhje votash. Mungesa e frymës brenda opozitës ishte edhe një tjetër faktor i humbjes, teksa rrotacionet në Shqipëri kanë ndodhur vetëm dy herë kur është shembur muri i madh i administratës.

Deputeti Rezart Kthupi u shpreh:

“PD po kërkon të godasë procesin në dy drejtime. Si proces me problematika dhe me kontestimin e çdo vote, sidomos e diasporës. Nëse merret në konsideratë problematika e votës së diaspors, krijon edhe një situatë që mund të zgjasë. Vota e diasporës pati probleme dhe këtë e kemi thënë që më herët, pa nisur ky proces. Ishte proces jashtë kontrollit të shtetit shqiptar, sepse nuk kishte mekanizëm kontrolli se kush e mori zarfin etj”.

Kurse analisti Endri Tafani bëri një historik elektoral në dy precedentë kur ka ndodhur rrotacioni dhe çelësin politik e sheh te “muri i administratës”.

“Ka një mur të madh të administratës shtetërore dhe sektori publik është i pakalueshëm, i vështirë për opozitën. Ky mur ka qenë edhe kur ishte PD-ja në pushtet. Ky mur është thyer dy herë, në 2005 kur LSI mori një pjesë me vete dhe PS humbi. Berisha ngriti murin e vetë kur erdhi, PS nuk e theu dot në 2009 dhe vetëm pasi LSI kaloi te PS mori një pjesë të tij me vete dhe ky mur u thye përsëri në 2013. Dhe ajo që ndodhi më pas është përçarja brenda opozitës dhe ndaj ky mur mban dhe është i vështirë për t’u thyer. Kjo është baza në Shqipëri, po nuk thyeve murin e administratës, e ke të vështirë të bësh rotacion e të vish në pushtet”, tha ai.

Për ish-deputetin demokrat Arben Meçe, opozita në bllok nuk prodhoi frymë dhe Rama nga ana e tij e shfrytëzoi këtë defekt të tyre, duke e përdorur në favorin e PS, e cila ishte e njollosur nga rastet e administratës së lartë me dosje në SPAK.

“Ka një të vërtetë të madhe, se pushteti merret edhe për të vendosur njerëz, por kjo nuk do të thotë se e gjithë administrata është e politizuar apo përdoret në zgjedhje. Fushata ishte e lexueshme dhe nuk u prodhua frymë nga opozita. Rama e njihte situatën nga sondazhet, kurse Berisha nuk e pa situatën kështu. Ramës njollën ia dha edhe administrata me hetimet ndaj zyrtarëve. Ndaj Rama ndoqi strategjinë duke mos goditur SPAK-un apo luftën e brendshme, por goditi partitë e reja, që nuk e administruan frymën”, argumentoi ai.

Përparim Çaça ishte më i qartë në analizë, duke theksuar se nuk mund të gjesh justifikim te vjedhja e votës për një rezultat të tillë. Ai u shpreh se përgjegjësia duhet parë brenda lidershipit të PD, me gabimet që nga Kodi Zgjedhor që dakordësuan dhe në fund me listat e deputetëve.

“Problemi duhet gjetur se çfarë ndodhi brenda kampit tënd, çfarë mbolle dhe çfarë korre. Nuk mund të gjesh justifikime te vjedhja e votës apo manipulimi. Duhet nisur që nga Kodi Zgjedhor. U morën me qeveri teknike dhe situata të tjera politike dhe jo te Kodi. Më pas me organizimin dhe deri te listat e deputetëve. Përgjegjësia duhet të shikohet brenda lidershipit, pra Berishës”, tha ai.

A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Berisha kalon për gjykim për dosjen Partizani, a do të ketë drejtësi?