Trajneri i Milanit ka analizuar fitoren 3-0 në derbin e kthimit ndaj Interit dhe sigurimin e finales në Kupën e Italisë.
Sergio Conceiçao kërkon ta mbajë Milanin me "këmbë në tokë", kjo pasi kuqezinjtë fituan derbin kundër Interit dhe siguruan finalen e Kupës së Italisë. Trajneri portugez tha pas ndeshjes se ekipi i tij ka nevojë për ekuilibër, ndërsa për të Jovic është si gjithë lojtarët e tjerë.
“Nuk kemi fituar ende asgjë, ka ende një finale për të luajtur dhe mbi të gjitha është një finale e sezonit në Serie A që duhet të bëjmë maksimumin për të ndryshuar fytyrën e këtij Milani, duke qenë se kemi shumë më tepër cilësi sesa kemi treguar deri më tani”, shpjegoi trajneri portugez.
Sergio më pas u ndal te analizimi i fitores kundër rivalëve të Interit.
"Ndjenjat e mira vijnë direkt nga java, nga stërvitja, prandaj besoj se ky qëndrim dhe kjo ambicie janë rezultat i asaj pune. Në fillim vuajtëm pak, duke bërë disa gabime në kundërsulme, por më pas erdhi goli. Në pjesën e parë rregulluam disa gjëra dhe më pas patëm një pjesë të dytë të mrekullueshme", shtoi ai.
Ylli i mbrëmjes ishte padyshim Luka Jovic me dopietë. Një lojtar që Conceiçao i ka besuar pavarësisht vështirësive të hasura në muajt e fundit dhe ka arritur shumë më tepër nga sa mund të pritej .
"Jovic po punon shumë mirë, ai po jep gjithçka. Ai ka humbur disa kilogramë dhe po na jep atë që na nevojitet në lojë. Ne kishim nevojë për mbështetjen e tij sepse ai mund të na lërë hapësirë në korridoret qendrore. Sulmuesit e tjerë nuk duhet të mendojnë se nuk kam besim tek ata, sepse unë vendos se kush të luaj në bazë të karakteristikave të ndeshjes dhe kundërshtarit. Tammy bëri mirë në Udine dhe është turp që në kampionat nuk mund të hedhim në fushë atë që përgatisim në stërvitje", nënvizon trajneri i Milanit.
Ka ende kohë për të ardhmen e Conceiçao, sepse së pari ka disa objektiva për t'u arritur.
"E ardhmja ime nuk është e rëndësishme, ajo që është e rëndësishme është të fitojmë me Venezian dhe të luajmë finalen në Romë. Nuk kemi fituar ende asgjë, lojtarët janë gjithmonë të njëjtë, prandaj nuk është se gjithçka po shkon mirë tani ose ka qenë e tmerrshme më parë. Tani duhet vetëm të gjejmë një ekuilibër dhe taktikë emocionale", tha Conceiçao.
Komente
