Ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca ka shkuar në Vlorë për të inspektuar situatën problematike për shkak të daljes së lumit Vjosa nga shtrati. Krifca bëri me dije se deri më tani, nga të dyja anët e lumit është përmbytur rreth 1 mijë hektarë tokë bujqësore.
“Po përpiqemi të menaxhojmë një situatë jo të zakontë, por prej 24 orësh ministria e Bujqësisë, prefektura janë të gjithë në terren duke monitoruar dhe duke u përpjekur të kuptojmë ku duhet të jenë ndërhyrjet e nevojshme, për të përforcuar me argjinaturë apo për të mundësuar që skemat kulluese të kryejnë funksionin në mënyrë që ndikimi i reshjeve të jetë sa më i zbutur. Siç thashë është një situatë e rënduar. Konkretisht lumi Vjosa ka dalë nga shtrati dhe llogariten rreth 1 mijë hektarë tokë nga të dyja anët e lumit që janë në ujë momentalisht. Pretendohet që gjatë tre ditëve në vijim mund të ketë shkarkim të këtyre niveleve të ujit. Në Memaliaj, uji është ulur në dy metra, hidrovoret janë në funksion të plotë”, u shpreh Krifca.
Ministrja shtoi se në dispozicion të qytetarëve është vendosur edhe shërbimi veterinar për të ndihmuar në zhvendosjen e bagëtive në rastet kur ka probleme.
“Strukturat po punojnë, shërbimi veterinar po, në mënyrë që të mundësojë një komunikim në kohë reale me fermerët me blegtorët për të lëvizur gjën e gjallë nga zonat problematike”, tha Krifca.
Krifca tha se pritet të ketë një ulje të nivelit të ujit që do të reflektohet pas disa orësh, pais në Memaliaj dhe Përmet niveli i ujit është ulur.
"Aktualisht do të ketë ulje, në Memaliaj dhe Përmet ka ulje, ky është lajmi më i mirë që mund të kemi për momentin", tha ajo.
Lajmi kryesor:
Situata e rrezikshme e krijuar nga reshjet, në Vlorë Vjosa del nga shtrati! Ministria e Mbrojtjes: Jemi në terren, 30 familje të evakuara! Ministria e Bujqësisë: 1000 hektarë tokë nën ujë
SI.E.//ReportTv.al