Policia e Vlorës ka publikuar videon e momentit të arrestimit në lokal të Edison Begaj, të cilit iu bë atentat pak kohë më parë në pragun e shtëpisë. 41-vjeçari po qëndronte në lokal me miqtë e tij, në momentin që forcat RENEA dhe forcat operacionale ndërhyjnë duke i neutralizuar dhe shtrirë në tokë. Gjatë kontrollit Begajt iu gjet në çantën e tij një pistoletë dhe një krehër me 5 fishekë pa leje.
41-vjeçari Edison Begaj u plagos me katër plumba në hyrje të banesës së tij, në fshatin Kaninë. Autori, ende i paidentifikuar e ka pritur atë në këmbë afër banesës dhe më pas e qëlloi. Plumbat e kapën Begajn në pjesën e poshtme të trupit, ndërsa për ngjarjen pistat e hetimit janë ajo e prishjes së pazareve të drogës ose një konflikt i kohëve të fundit që mund të ketë pasur Begaj.
Gjatë mbrëmjes së djeshme RENEA dhe forca e policisë kanë zhvilluar operacione blic në Vlorë, Elbasan, Fier, Lushnje e Durrës, pas ngjarjeve të fundit kriminale. Kontrollet janë zhvilluar në disa ambiente, për kapjen e personave në kërkim, atyre që mbajnë armë zjarri dhe lëndë narkotike.