Presidenti Ilir Meta ka reaguar pas situatës problematike me reshjet në vend, ku në Fier dhe Vlorë ka pasur edhe përmbytje. Përmes një postimi në Facebook, Meta shkruan se Autoritet e mbrojtjes civile dhe Prefekturat nuk kanë njoftuar banorët e rrezikuar nga reshjet, ku sipas tij këto situata priteshin sipas parashikimeve të IGJEUM. Meta iu bën thirrje institucioneve të angazhohen për siguruar jetën dhe pronën e qytetarëve.
“Jam duke ndjekur me vëmendje të veçantë situatën kritike të krijuar, si pasojë e motit të keq dhe masat që po merren për tejkalimin e saj në disa zona të përmbytura dhe të bllokura nga reshjet e borës.
Jam informuar se situata paraqitet më problematike në Qarkut e Fierit, sidomos në njësinë administrative Levan, fshatin Ferras, ku janë evakuuar 15 familje dhe qindra hektarë tokë bujqësore, ndodhen nën ujë.
Përmbytje të shumta ka edhe në Qarkun e Vlorës, sidomos në zonën e Mifolit ku sipërfaqja e përmbytur e tokës bujqësore i kalon mbi 1200 hektarë, ndërkohë që shumë fshatra në Lumin e Vlorës rezultojnë të izoluara.
Gjithashtu në Veri, Veri-Lindje dhe Jug-Lindje të vendit shumë zona rezultojnë sot të bllokuara nga reshjet e shumta të borës.
Problematik është fakti se ashtu si në të kaluarën, autoritetet e Mbrojtjes Civile dhe Prefekturat nuk e kanë njoftuar më herët popullatën në zonat me risk të lartë, lidhur me parashikimin e hershëm sipas IGJEUM, që prej ditësh ka njoftuar autoritetet shtetërore në lidhje me parashikimin e motit.
Duke u solidarizuar me banorët e prekur nga pasojat e motit të keq, u bëj thirrje të gjithë institucioneve përgjegjëse shtetërore të angazhohen maksimalisht për sigurinë e jetës dhe të pronës”, shkruan Meta.
Lajmi kryesor:
Situata e rrezikshme e krijuar nga reshjet, në Vlorë Vjosa del nga shtrati! Ministria e Mbrojtjes: Jemi në terren, 30 familje të evakuara! Ministria e Bujqësisë: 1000 hektarë tokë nën ujë
SI.E./ReportTv.al