Përmbytjet në Vlorë/ 33 familje kaluan natën në konvikt! Rrugët të kalueshme, problem garazhet Vëngu: Dëmshpërblim për banesat, për bizneset do shikohet gjetja e një formule

5 Tetor, 07:23| Përditesimi: 5 Tetor, 20:45

  • Share

VLORË- Në kulmin e dëshpërimit 44-vjeçarja, Vjollca Goxhaj, nënë e 4 vajzave të mitura, pas përmbytjes së banesës është vendosur para Prefekturës së Vlorës.

Vetëm pas apelit në Report tv, bashkia e strehoi në konviktin e shkollës mjekësore, ndërsa caritas siguroi ushqime për të vegjlit. Nëpër konvikte e kaluan natën dhe 33 familje të tjera, por në mëngjes u larguan për të shpëtuar ato pak sende që kanë mbetur në shtëpitë e shkatërruara.

Banorët do të dëmshpërblehen për banesat e dëmtuara nga përmbytja, premtoi ministri i Mbrojtjes Piro Vëngu, ndërsa bizneset do të shikohet gjetja e një formulë për t’i lehtësuar nga tatimet ose përmes siguracionit.

“Do t’i evidentojmë dëmet dhe të shfrytëzojmë të gjithë ato instrumente financiare që i japim mund qoftë bashkisë qoftë emergjencave të dëmshpërblejnë banorët për dëmet që janë konstatuar. Në një periudhë të shkurtër të japim resurset financiare. Bizneset kemi instrumente të tjerë që po i konsiderojmë, siç janë rimbursimet përmes instrumentit tatimor dhe evidenca e dëmeve do përcaktojë edhe vlerën e instrumenteve tatimor, supozohet që kanë instrumente të tjerë bizneset qoftë siguracioni”.

Vëngu tha se 250 forca ushtarake e civile ndodhen në terren për të ndihmuar banorët e prekur sidomos në rrugën Albano dhe Romina, lagjia historike, zona e spitalit dhe ajo e kishës ortodokse. Rrugët janë të kalueshme por problem mbeten garazhet e pallateve, ku dhjetëra makina janë të përmbytura.

“62 janë të evidentuara si të tilla, forcat janë angazhuar që të çlirohen ujërat që të vihen në funksionalitet të plotë stacionet e pompimit, që kanë pasur vështirësi mbrëmjen kaluar nga ai vërshim. Po bëjmë të mundur evidentimin e dëmeve që të qenë pranë qytetarëve dhe bizneseve. Çlirimi i ujërave nga nëntoka e pallateve është prioritet, do ecim hap pas hapi, do shtensionojmë situatën në pallate. Ndërhyrja ka qenë e shpejtë dhe e duhur, pavarësisht se ekipet nuk lëvizin me media a foto”.

Përmbytjes nuk i shpëtuan as monumentet si xhamia në lagjen Muradie, lagjia historike në qendër të qytetit dhe Manastiri i Zvërnecit.

Raportuan për Report Tv dhe Shqiptarja.com, gazetarët Armand Xhelili dhe Sokol Dema

Ora 20:30
Vlorë/ Përmirësohet situata gjatë pasdites, largohet uji nga rrugët! Problem mbetet balta dhe inertet

 

Përmirësohet situata gjatë pasdites, uji largohet nga rrugët e qytetit të Vlorës duke sjellë përmirësim të situatës.

Zona e Skelës, lagja Pavarësia, 28 Nëntori, Kushtrimi si dhe lagjja Albano dhe Romina kishin prezencë uji gjatë paradites duke vështirësuar lëvizjen e qytetarëve dhe automjeteve, por prej pasdites këto rrugë janë bërë sërish të kalueshme nga automjetet dhe qytetarët.

Dëmet janë të shumta në rrugën Hasan Kushta në bizneset që operojnë në këtë zonë.

Ora 20:02
Përmbytjet/ Çuçi viziton Hidrovorin e Vlorës: Do shohim çfarë çedoi! Bashkia do ndërhyjë tek ndërtime pa leje mbi kolektorë

 

Drejtuesi politik i PS-së në Vlorë, Bledi Çuçi së bashku me kryebashkiakun Ermal Dredha dhe ministrin e Mbrojtjes Pirro Vengu vizituan hidrovorin e Vlorës. Çuçi thotë se nga situata e përmbytjeve do të ketë dëmshpërblime për të prekurit, ndërsa bëri thirrje për prishjen e ndërtimeve pa leje, në ato zona informale të Vlorës ku ka munguar urbanizimi. Më tej shtoi dhe problematikën e pompave të vjetra një ndër shkaqet e përmbytjeve në Vlorë 24 orët e fundit. 

Çuçi: Pas situatës së rëndë të krijuar nga një intensitet i paparë më parë i reshjeve në Vlorë dhe në rrethina ku kishim 180 mm në sekondë për më shumë se 2 orë, e padëgjuar më parë. U krijua situatë emergjente. Shteti bashkia strukturat shtetërore, ministri i mbrojtjes ishin 24 orë në terren për të menaxhuar situatën. Situata po normalizohet. Po punohet në të gjitha frontet. Sidomos në hapjen e rrugëve në mënyrë që të evadojmë ujërat që mblodhi kjo situatë. Bashkia ka ngritur një ekip, përveç emergjencës, ministrit, bashkia ka ngritur një strukturë që po bën vlerësimi e dëmeve të kompensohet kushdo që ka pasur dëme. Duke patur kujdes shmangien e abuzimit. Me shumë përgjegjësi do shohim ku ka çeduar kjo situatë. Do na shërbej të kemi një pamje të qartë të problematikave të rëndësishme ku duhet ndërhyrje të mos përsëritet. Situatë që ndodh në të gjitha vendet. E rëndësishme si përgjigjen. Tani jemi më të qetë. Dhe besoj të gjitha ato mësime, për zonat informale ku ka munguar urbanizimi kryetari i bashkisë do filloj ndërhyrjen për të urbanizuar dhe për të pastruar ndërtime pa leje, ku janë të gjithë kolektorët. Ne shkuam kolektorin e qytetit ku patëm dhe një incident nga pompat e vjetra. Në punë ishin dhe pompat e vjetra që duhen zëvendësuar. Situatë e rëndë në 24 orë. Por e gjithë shteti bashkia ishte në këmbë dhe u përgjigj në kohë rekord situatës.

Dredha: Ne vazhdojmë të jemi në terren 24 orë në 7. Kemi pasur ndihmën edhe të qyteteve të tjera. I është bashkuar edhe bashkia e Tiranës. Në mënyrë që të vendosej në shërbim të qytetarëve

Ora 18:56
Përmbytjet, Çuçi e Vëngu në Vlorë: Situata drejt normalizimit, të gjitha strukturat në terren! Ndihmë për qytetarët dhe bizneset e dëmtuara

1728147474_vengudhecuci.jpeg

Nënkryetari i Kuvendit dhe drejtuesi politik i socialistëve, Bledi Çuçi, ishte në Vlorë për të parë nga afër situatën emergjente të krijuar pas reshjeve intensive të shiut.

Bashkë me ministrin e Mbrojtjes, Pirro Vëngu dhe kryebashkiakun Ermal Dredha, u ndalën te hidrovori i Vlorës ku po vijon ndërhyrja për normalizimin e situatës.

Çuçi tha se të gjitha strukturat shtetërore janë në terren prej momenteve të para kur nisi kjo emergjencë dhe aktualisht gjendja është drejt përmirësimit.

Por sipas tij do duhet të bëhet një vlerësim i mirë i kësaj që ka ndodhur dhe të merren të gjitha masat për ndërhyrje në infrastrukturën e kanalizimeve, si dhe të ndihmohen qytetarët dhe bizneset e prekura nga përmbytjet.

Më tej Çuçi mori pjesë edhe në mbledhjen e Shtabit të Emergjencave në Prefekturën Vlorë, ku u diskutuan më gjerësisht masat për kapërcimin e kësaj situate.

Ora 17:29
Pasojat e përmbytjeve në Vlorë/ Mure të shkatërruara, oborret e shtëpive dhe rrugët të mbushura me baltë

 

Pasojat e përmbytjeve në Vlorë vijojnë të rëndojnë mbi banorët e lagjeve të qytetit bregdetar.

Në lagjen Muradie nga pamjet e siguruara nga Report Tv, duken mure të shkatërruara nga vërshimi i ujërave.

Në një prej banesave porta kryesore është shpërfytyruar. Ndërsa rrugët dhe oborret e shtëpive janë të mbushura me baltë.

Ora 16:03
VIDEOLAJM/ Vlora nën ujë, qytetarët me fshesa në duar pastrojnë trotuaret e mbuluara nga llumi

 

Qytetarët e qytetit bregedar të Vlorës ditën e sotme janë zgjuar nën pushtetin e ujit.

Nga pamjet e siguruara për Report Tv shohim se disa prej qytetarëve kanë dalë me fshesa në duar duke pastruar trotuaret dhe rrugët që kryesisht janë afër bizneseve të tyre.

Ora 15:50
Edhe Manastiri i Zvërnecit nuk i shpëton përmbytjeve, ambienti i jashtëm dhe bodrumet pushtohen nga uji! Punonjësit ndërhyjnë me pompa

 

Prezencës së madhe të ujit, nuk i ka shpëtuar as Manastiri i Zvërnecit.

Si pasojë e reshjeve intensive, si asnjëherë më parë, ambienti i jashtëm dhe bodrumet e manastirit kanë qenë nën pushtetin e ujit kanë pohuar punonjësit e këtij institucioni fetar.

Kemi ndërhyrë me pompa për largimin e ujit kanë pohuar ata, teksa theksojnë se nuk kanë patur ndihmën e askujt.

Ora 15:11
Vlorë/ Inertet që lë pas përmbytja, në lagjen e Kalasë banesat përfshihen nga balta

Përmbytjet në Vlorë kanë krijuar pasoja të mëdha për banorët e qytetit dhe shtëpitë e tyre.

Siç duket nga pamjet e siguruara nga Report Tv, duket një shtëpi në lagjen Kala e përmbytur nga balta që sollën reshjet e dendura ditën e djeshme.

Njerëzit e asaj shtëpie po duket teksa përpiqen të nxjerrin baltën e madhe nga shtëpia.

Ora 14:51
Përmbytjet në Vlorë/ Vengu: Hidrovori s’ka qenë në kushtet optimale, duhet investim i ri! Pritet dëmshpërblim edhe për bizneset

Ministri i mbrojtjes, Pirro Vengu në një prononcim për mediat ka folur për situatën e përmbytjeve në Vlorë, pas mbledhjes së Emergjencave. Vengu tha se reshjet kanë qenë me intensitet të lartë, ndërsa u ndal edhe në shkaqe të tjera, duke thënë se sistemi i pompimit dhe Hidrovori s’ka qenë në kushte optimale. Ai paralajmëroi investime të reja për Hidrovorin, ndërsa në paktën e dëmshpërblimeve pritet të përfshihen përveç banesave, edhe bizneset.

Prononcimi i ministrit Vengu

Kemi realizuar një mbledhje të dytë të Emergjencave Vlorë, me prefektin dhe kryetarin e Bashkisë dhe gjithë strukturat, qoftë ushtarake apo të emergjencave civile që janë angazhuar në terren. Kemi 250 forca civile dhe ushtarake në terren, në gjitha zonat e prekura, është ai trekëndëshi mes rrugës Romina Arbana, Kishës Ortodokse dhe lagjes historike, që mbeten ende një pjesë të pallateve dhe garazheve të prekura nën ujë. 62 janë të evidentuara si të tilla, forcat janë angazhuar që të çlirohen ujërat që të vihen në funksionalitet të plotë stacionet e pompimit, që kanë pasur vështirësi mbrëmjen kaluar nga ai vërshim, sikundër hidrovori të vijojë punën në kushte optimale. Po bëjmë të mundur evidentimin e dëmeve që të qenë pranë qytetarëve dhe bizneseve. Lagja historike ka pasur probleme, kemi 5 grupe të bashkisë atje, sepse është momenti ti qëndrojmë pranë gjithë qytetarëve, t’i evidentojmë dëmet dhe të shfrytëzojmë të gjithë ato instrumente financiare që i japim mund qoftë bashkisë qoftë emergjencave të dëmshpërblejnë banorët për dëmet që janë konstatuar. Në një periudhë të shkurtër të japim resurset financiare.

Shkaqet?

Ka shkaqe objektive, kemi një situatë ku në shumë pak orë kanë vërshuar 20 cm ujë. Ka dhe shkaqe teknike që lidhen me rrjetin infrastrukturor dhe të evakuimit të ujërave të zeza dhe bardha në nivel bashkie dhe qarku. Janë evidente nga ekipet në terren që po shohin, që nga kolektorët deri te hidrovorët e stacionet e pompimit, situata nuk ka qenë detyrimisht në kushtet optimale. Na duhet të reagojmë dhe përmirësojmë përmes investimeve në javët në vijim.

Ndërhyrja ka qenë e shpejtë dh e duhur, pavarësisht se ekipet nuk lëvizin me media a foto, nuk do të thotë që s’kanë qenë në terren. Kanë qenë tre orë kritike nga ora 15:00 deri në 18:00 të pasdites së djeshme ku vërshimi ka qenë maksimal dhe i vështirë për t’u menaxhuar. Dhe aksesi ka qenë i vështirë. Që nga ai moment kanë qenë në dispozicion edhe mjetet e kalueshmërisë së lartë të FA edhe fadromat, një lajm i mirë është që gjithë akset janë të kalueshme.

Kemi dyfishuar dhe po presim të na bashkohen edhe 10 mjete pompimi, 2 me kapacitet shumë të lartë pompimi që përdoren vetëm për rastet e Forcave të Armatosura. Çlirimi i ujërave nga nëntoka e pallateve është prioritet, do ecim hap pas hapi, do shtensionojmë situatën në pallate.

A do dëmshpërblehen bizneset?

Legjislacioni parashikon një rend dëmshpërblimi që i jep përparësi individëve që preken dhe familjeve. Bizneset kemi instrumente të tjerë që po i konsiderojmë, siç janë rimbursimet përmes instrumentit tatimor dhe evidenca e dëmeve do përcaktojë edhe vlerën e instrumenteve tatimor, presupzohet që kanë instrumente të tjerë bizneset qoftë siguracioni. Ne s’do të përjashtojmë askënd, qoftë individët, familjarët dhe bizneset do u qëndrojmë pranë.

Ora 14:31
Vlora nën ujë/ Merr flakë pompa e hidrovorit e qytetit bregdetar, stakohen të 4-ta deri në rregullimin e defektit! Punonjësi: Njerëzit na shkatërruan pompat nga mbeturinat që hedhin

 

Një nga pompat e hidrovorit të qytetit bregdetar, është përfshirë nga flakët.

Për pasojë specialistët kanë fikur edhe pompat e tjera deri në riparimin e defektit.

Theksojmë se nëse ato stakohen nuk janë në gjendje të tërheqin ujin nga rrugët e bllokuara.

Ndërkohë një nga punonjësit i cili punon në hidrovorin e qytetit bregdetar ka thënë për Report Tv se si pasojë e mbeturinave që njerëzit hedhin janë shkatërruar 2 pompa.

"Këtu na shkatërruan pompat nga mbeturinat që njerëzit hedhin në kanal. Na nxorën 2 pompa të mëdha jashtë loje. Këtu janë me mijëra mbeturina, dyshek, jorganë, batanije, rrogoza, kolltuqe,divanë, bidona çfarë nuk ka.

Na kanë mbetur të hedhim krokodila në ujë që t’i hanë me gjithë mbeturina. I bëjmë thirrje qeverisë të na sjellin pompa të reja. 30 vite e njëjta situatë. Njerëzit janë të pandërgjegjshëm", ka thënë një punonjës i hidrovorit për Report Tv.

 

 

Ora 13:54
Përmbytjet/ PD e Vlorës: Prokuroria të nisë hetimet, nuk u morën masa

Partia Demokratike, dega Vlorë, ka reaguar për përmbytjet dhe dëmet e shkaktuara në qytetin bregdetar të Vlorës. Kryetari Atird Hoxha, nga terreni, i bëri thirrje Prokurorisë që të nisë hetimet, pasi sipas tij nuk janë marrë masat e duhura dhe s’ka pasur reagim në kohë duke krijuar edhe këtë situatë të rëndë në qytetin e Vlorës.

Deklarata e plotë

Përmbytjet e fundit që kanë goditur qytetin tonë kanë sjellë pasoja të rënda për shumë familje dhe pronat e tyre. Fatkeqësisht, këto ngjarje të rënda dhe të përsëritura janë pasojë e mungesës së investimeve të qëndrueshme në infrastrukturën urbane dhe planifikimin afatgjatë nga ana e bashkisë dhe qeverisë së Rilindjes.

Qyteti nën ujë, është një tregues i qartë i papërgjegjshmërisë në menaxhimin e tij.

Përfundimisht, kjo qeveri, ky model nuk kanë më turp e cipë dhe nuk duan të dinë më për qytetin e qytetarët. Mungesa e energjisë elektrike në të gjithë qytetin për orë të tëra ka përkeqësuar gjendjen në shumë zona për shkak të mosfunksionimit të sistemeve.

Drejtuesit e institucioneve duke filluar nga Kryetari i Bashkisë Vlorë Dredha, në rehatinë e tyre e pritën të pushoi shiu dhe u jepnin urdhër punonjësve që i lanë në mëshirë të fatit, pa mjete me rrogë qesharake, ndërkohë që rrogat e tyre i shtuan i bënë miliona.

Sot me siguri do ti shihni tek nxitojnë të hedhin foto me punonjës e makina, duke na treguar se po punojnë për rikthimin e normalitetit. Një popull që paguan taksa për zyrtarët që e drejtojnë por që mbytet nga keqqeverisja për 30 minuta, është një popull i vjedhur në mënyrë kriminale dhe i përbuzur nga arroganca dhe cinizmi.

Vlora dhe vlonjatët nuk e meritojnë këtë. Në këto kushte Partia Demokratike Dega Vlorë i bën thirrje Prokurorisë të nisi menjëherë hetimin për situatën e krijuar në qytetin tonë pasi është e qartë se nevoja për masa paraprake dhe efektive nuk është përmbushur, duke lënë qytetin të pambrojtur e në mëshirën e fatit.

Ora 13:34
Vlora nën ujë/ Strehoi familjet e prekura, konvikti i shkollës mjekësore nuk i shpëton përmbytjeve! Qytetarët, ushqime dhe veshmbathje për fëmijë e të rritur

Përmbytjes nga reshjet e dendura të shiut, nuk i ka shpëtuar as konvkti i djemve të shkollës mjekësore Vlorë.

Gjatë ditës së sotme Kisha Ortodokse, dhe qytetarë të shumtë janë solidarizuar me familjet e dëmtuara duke ofruar ndihma në veshmbathje.

Kujdestari i konviktit Fredinand Saliaj ka pohuar gjithashtu se që nga dita e djeshme janë strehuar 4 familje, të cilat janë larguar mëngjesin e sotëm, ndërsa aktualisht e strehuar ndodhet vetëm një nënë me 4 fëmijë të mitur.

"Unë jam kujdestari i shkollës mjekësore, dje rreth orës 16:30 na ka ardhur dyndja e ujit dhe kemi qenë në një problem kritik. Pas ndërhyrjes së Bashkisë filluam të sistemojmë gjënë. Dje na kanë ardhur 4 familje, sot në mëngjes kanë ikur të gjithë. Sot na ka ardhur vetëm një familje me 4 fëmijë të vegjël. Na kanë ndihmuar edhe zjarrfikëset jemi në gjendje të mirë për momentin. Kemi marrë ndihma, veshmbathje për fëmijë dhe të rritur edhe ushqime", ka thënë kujdestari i konviktit Fredinand Saliaj për Report Tv.

Ora 13:28
Përmbytjet në Vlorë, mblidhet shtabi i emergjencave! Ministri Vengu kërkon pastrimin urgjent të xhamisë: S'e shoh dot ashtu 

Ministri i mbrojtjes Pirro Vengu, ndodhet në prefekturën e Vlorës ku është mbledhur shtabi i Emergjencave

Ndërsa kërkoi të mësojë më shumë për situatën urdhëroi pastrimin e xhamisë së qytetit, në afërsi të zonës muzeale e cila edhe ajo është përmbytur.

‘Filloni xhaminë se nuk e shoh atë monument kulture të bërë në atë farë feje’ tha Vengu në tryezën e mbledhjes së shtabit të emergjencave.

Edhe kisha ortodokse është e rrethuar me ujë.

Ndërkohë ka kërkuar zgjidhjen e e problemit të furnizimit me ujë të pijshëm.

Prefekti i qarkut tashmë është duke e informuar mbi situatën, ndërsa presim prononcimin për media të ministrit.

Ora 12:10
PAMJET/ Vlora nën ujë, Forcat e ushtrisë pastrojnë zonën historike 'Muradie'

 

Foto: Forcat e ushtrisë në lagjen 'Muradie'

Që prej ditës së djeshme Vlora ka qenë nën pushtetin e ujit. Ditën e sotme Forcat e ushtrisë kanë nisur punimet për të pastuar një nga zonat historike të qytetit bregdetar, pikërisht lagjen ‘Muradie’.

Nga pamjet e siguruara për Report Tv shohim se uji nga kjo zonë është larguar dhe ajo që ka mbetur në këto rrugë është balta.

Ora 12:09
VIDEO/ Reshjet e dendura të shiut, në Vlorë përmbytet edhe stadiumi 'Flamurtari'! Uji 'pushton' dhomat e lojtarëve

Rreshjet e dendura të shiut që paralizuan Vlorën një ditë më parë, kanë sjellë shumë përmbytje në rrugë, banesa dhe biznese. Një fat të tillë ka pësuar edhe stadiumi "Flamurtari". Fusha e impiantit ndodhet nën pushtetin e ujit, ndërsa rreshjet kanë depërtuar edhe në dhomat e zhveshjes së lojtarëve dhe ambientet e brendshme të tribunës kryesore. Vlonjatët luajnë sot në Kategorinë e Parë kundër Korabit në Peshkopi.

 

Ora 10:52
Përmbytjet në Vlorë/ Rënia e gurëve dëmton 2 banesa në zonën e Kalasë! Banorët: Jemi në qiell të hapur

 

Në një ngjarje alarmante, rënia e gurëve nga një shkëmb në zonën e Kalasë ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në dy banesa, të cilat tashmë janë jashtë funksionit. Banorët e prekur raportojnë se gurët dhe balta kanë hyrë brenda, duke krijuar kushte të papërshtatshme për jetesë.

Dëshmitarët e ngjarjes tregojnë se në momentin e rënies, ata dolën jashtë për siguri dhe kërkuan ndihmë nga institucionet, por deri tani nuk kanë marrë asnjë reagim. Banorët bëjnë thirrje për ndërhyrje urgjente dhe mbështetje nga autoritetet.

“Nuk futem dot në shtëpi, nuk kam ku të vete. Jam në qiell të hapur. Lutem shtetit të më ndihmojë.Na janë tharë rrobat në trup”, ka thënë një nga banoret që i është dëmtuar shtëpia për Report Tv.

Ndërkohë një tjetër banor ka thënë se dhomat janë të mbushur me gurë edhe dhe.

"Nuk futemi dot në shtëpi se aq shira të rrëmbyeshëm kanë rënë sa na e kanë bllokuar hyrjen. Dhomat janë mbushur me gurë edhe dhe. Nuk kemi as tesha për tu ndëruar. Kemi bërë thirrje po...ky është realiteti", shprehet një banor tjetër për Report Tv.

Ora 10:33
Përmbytjet në Vlorë/ Ushtria pastron llumin e ujin nëpër rrugë e në blloqet e banesave! Uji ka hyrë dhe në Xhami

Foto: Forcat e ushtrisë duke punuar për heqjen e ujit në Vlorë

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu ka reaguar pas situatës problematike në Vlorë, ku reshjet e shumta të shiut përmbytën pjesën më të madhe të qytetit. Në disa zona në Vlorë energjia është ndërprerë për shkak se gabinat elektrike kanë prezencë uji.

Deklarata e plotë:

Të gjitha strukturat e emergjencave civile vijojnë të jenë të angazhuara në terren që prej pasdites së djeshme, për të riparuar të gjitha problematikat e shkaktuara nga reshjet me intensitet të lartë. Si pasojë e punës së bërë gjatë gjithë natës dhe ndërprerjes së reshjeve, situata është përmirësuar.

Aktualisht, puna e të gjitha strukturave: Bashkisë së Vlorës, UK Rajoni Vlorë, Drejtoria Vendore e Policisë, OSHEE, Prefekturës, është përqendruar në 4 kryqëzime ende të bllokuara në qytetin e Vlorës, i cili u prek më shumë nga situata e keqe e motit në 24 orët e fundit.

Në mbështetje të tyre janë edhe 24 efektivë të Forcave të Armatosura, me 5 mjete transporti, 3 mjete të kalueshmërisë së lartë dhe 2 pompa thithëse.

Trupat në terren po punojnë për largimin e ujit në blloqet e banesave midis akseve të bllokuara: te Universiteti, rruga “Albano e Romina”, Dyqanet e reja, si dhe te Kisha Ortodokse. Prezencë uji ka dhe brenda xhamisë së qytetit.

Efektivët e FA po punojnë me dy pompa për largimin e ujit nga stacioni kryesor i pompimit, ku ende vazhdon të ketë prezencë uji.

Hidrovori i qytetit punon me kapacitet të plotë, duke bërë tërheqjen graduale të ujit.

Është stakuar energjia elektrike në disa blloqe banesash të qytetit, kryesisht aty ku gabinat elektrike kanë prani uji.

Situata vazhdon të ndiqet në terren nga autoritetet vendore dhe Drejtori i Gadishmërisë dhe Veprimeve Operacionale në AKMC.

Ora 08:49
Gazetari i Report Tv raporton situatën pas përmbytjeve në Vlorë: Pritet bilanci i dëmeve, disa lagje ende pa energji elektrike

Bashkia e Vlorës pritet të nisë bilancin e dëmeve pas përmbytjeve të shkaktuara ditën e djeshme pas reshjeve intensive dhe çarjes së kanalit të ujërave të larta. Gazetari i Report Tv, Armand Xhelili ka Vlora raportoi si paraqitet situata ditën e stome.

Dëme të mëdha raportohen në biznese e banesa që janë mbuluar totalisht nga uji, ndërsa në disa lagje dhe rrugë uji nuk është larguar ende. Makinat e qytetarëve shihen nën ujë.

Gazetari Xhelili raporton për disa lagje problematike  ‘Albano dhe Romina’, lagjia ‘Leg Sallat’, lagjia ‘28 nëntori’, zona te Xhamia, zona te Xhamia, lagja 'Rilindja', 'Skela', 'Pavarësia', rruga ‘Hasan Kushta’ rruga "Gjergj Araniti" aksi pranë Kishës Ortodokse dhe bibliotekës publike si dhe pjesë të bulevardit ‘Ismail Qemali’. 

Në lagjen Kushtrimi, banorët kanë qenë duke nxjerrë orenditë nga banesat e përmbytura. Ndërkohë, 33 familje kanë kaluar natën ne konviktin e qytezës studenti dhe atë të shkollës industriale ‘Pavarësia. Në disa lagje energjia vijon të mbetet e stakuar për të mos krijuar probleme pasi në disa kabina ka prezencë uji.

Ora 08:33
VIDEOLAJM/ Përmbytjet në Vlorë, makinat e zhytura nën ujë

Gjithçka nën ujë. Përmbytjet e djeshme në Vlorë kanë lënë pas dëme për banorët e qytetit bregdetar. Rrugët e lagjet janë zgjuar nën pushtetin e ujit.

Në këtë video që sjell Report Tv, dallohen disa rrugë të mbushura ende me ujë, ndërsa mjetet e qytetarëve janë të zhytura nën ujë.

Ora 07:54
PAMJET/ Vlora zgjohet nën ujë, rrugët e lagjet ende të përmbytura

Qyteti i Vlorës është zgjuar nën ujë. Report Tv sjell pamjet nga qyteti i Vlorës, ku duket situata ditën e sotme.

Rrugë e lagje janë ende nën ujë, siç mund të shihni në këtë pamje, për shkak të reshjeve intensive dhe përmbytjeve pasditen e djeshme.  

Ora 07:02
Situata gjatë natës në Vlorë, qytetarët të mbuluar nga uji

 

Report Tv sjell pamjet nga situata e përmbytjeve në qytetin e Vlorës gjatë natës. Siç shihet edhe në pamje, niveli i ujit ka qenë goxha i lartë në lagjen Albano dhe Romina, një prej zonave me problematikave më të madhe.

Në video dallohen edhe qytetarët të mbuluar nga uji, të cilët përpiqen të ecin në zonën e mbushur me ujë. Ndërkohë, një 60-vjeçar që banon në këtë zonë ka kërkuar ndihmë për të marrë oksigjen, por ambulanca ka pasur vështirësi për t’u futur për shkak të situatës.

SI.E.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Iris: 06/10/2024 02:52

    Dhe kjo eshte cfare kalojne rutine shtete si U.S.A,Indokina,Kina,India,Japonia ,por pa forcen shkaterruese te uraganeve,tajfuneve e tornadove te atjeshme.Me ndryshimet klimatike e gabimet njerezore,shfaqje e pasoja te tilla do t'i keni edhe me te shpeshta.

    Përgjigju
  • Vari leshtë këtij Kryetari: 05/10/2024 21:22

    Po këta janë vetëm pordhacër që bëjnë shtet me fb dhe tiktok.N

    Përgjigju
  • AsssTttPPP: 05/10/2024 20:59

    Din me me diftu kush pse nuk permytet PARISI?vetem qytetet tona Vlona,Fieri,Lushnja,Lezha,Shkodra!

    Përgjigju
  • Vlore: 05/10/2024 16:13

    O shoku Mali E ke bere ti kete permbytje me paaftesine tende dhe administrates qe ke me sherbim Po ishte funksional hidrovori si ka qene gjithmone sdo te ishte care dhe kanali ujarave te larta.qe e nxjerr si justifikim Po te mos inkishe bere rruget copa me ujsellesin prape sdo kishte te tilla permbytje E cte te themi me peperpara ne ty o vella Po edhe ti do mbahesh mend per keq njesoj si rruget me disnivel qe ti i permbend si justifikim qe jane problematike e mbartur qe nga babi yt kryetar bashkie.

    Përgjigju
  • Lami: 05/10/2024 15:39

    Demshperblim, pa nje pa dy. Leket jane mire ne prag fushate dhe per te mbyllur gojen. Kur ndodhnin tutje ne kohe ne Shkoder.... no monies!!!

    Përgjigju
  • Pensionisti: 05/10/2024 15:26

    Nuk behet shtet me pordhacer ne media sociale. Keta vetem per video e kane mendjen, shtyje sa ta shtysh. Permbytjet me te medha ka ndodhur ne lagjet qe jane gjysem ilegale, me ndertime te bera pa asnje plan. Kodra rreth Vlores kane qene me agrume dhe ullinj dhe sot jane me shtepi. Me ndryshimet klimatike ato kodra do rreshqasin se nuk ishin budallenj te paret tane qe nuk lejonin ndertime aty. Jo vetem kaq por barbaret nuk duan ta dine i hedhin plehrat neper kanale. Ca do bej bashkia? Edhe kur i pastron brenda javes behen me keq. Nuk ka shtet ketu mire thote punetori duhet gjoba se keta po na vene flaken. Po kush do ta bej?

    Përgjigju
  • Roy: 05/10/2024 15:12

    Mos. Eshte mbytur edhe xhamia. Hallall.

    Përgjigju
    • Loku: 05/10/2024 19:26

      E kaurri i pabese

  • Alb: 05/10/2024 12:02

    Kur nerton pa laps nermal se do permytesh. Jo nje vite,por zhdo vite

    Përgjigju
  • Mjaft me Dekllarata!: 05/10/2024 11:27

    Kryeministri Edi Rama, per arsye qe nuk i beri kurre publike, iu qep si "morr" kryebashkiakut Dritan Leli, cdo fundjave, per gati dy vjet, per copeza letrash e qesesh "te papastruara" ne cepa te humbura ku i conte era, e shkoi, per kete show, deri ne plazhe te dhena me koncesion privateve. Po me dhendrin e Gramoz Rucit, kryebashkiakun aktual Ermal Dredha prej gati 1 viti e gjysem, qe nuk eshte kujdesur per mirembajtjen dhe pastrimin e perrenjve e kanaleve qe rrethojne Vloren as perpara, as ne prag e as gjate rrebeshit te djeshem cfare do te beje? Perseri nga parate e popullit te sotem dhe te brezave qe do te vijne do te paguhen ("demshperblehen") matrapazlleqet e "neglizhences" e "shperdorimit" te detyres, dhe me shume akoma, perdorimi e shperdorimi i fondeve te Emergjences Civile?

    Përgjigju
    • Reshit Koci: 05/10/2024 17:22

      Ah, pse qenka dhendri Shokut Gramoz

    • Lushka: 05/10/2024 11:59

      Shum tr bukura komentet ne te lecuar por ne praktike fjale qe shuhen me kohen. Shkurt paster edhe pa gabime mos hskoni te votoni absenoni njeher te vetme. Edhe shikoni si ndryshon ky komb mjeran prej 34 vitesh...

  • Inxhinieri: 05/10/2024 10:22

    Sigurisht qe shteti duhet te paguaj demet ekonomike direkte dhe indirekte per shkak te pezullimit te aktivitetit. Jane drejperdrejte pergjegjesi e shtetit, pasi qytetaret jane ne objekte te ndertura sipas ligjeve ne fuqi. Shteti nuk eshte i afte te ndertoj kanalizime. Kanalizimet nuk sjellin vota, vota sjellin fasadat. Kjo eshte hiprokrizia e investimeve fasade te pushtetit hiprokit!

    Përgjigju
  • Loni: 05/10/2024 10:05

    Pa plan studimi tymce nga keto gjera pret. Ka dal shum e bukur si qytet por jo praktik ja si ndodhi permbytje. Uji qelbezohet edhe kthehet ne semundje infektive nese nuk merren masa per pastrim. Ishalla me kaq edhe pa probleme jetike.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?