Nga sot, babai i “Lulëkuqe mbi mure” apo “Përrallë nga e kaluara”, krijuesi i personazheve si Sulo apo kujdestari, Gjinos dhe Marigosë, nuk është më. Dhimitër Anagnosti, një nga figurat më të shquara të panteonit të kinematografisë shqiptare, u nda nga jeta në moshën 89-vjeçare, pas një beteje të gjatë me një sëmundje të rëndë.
Lajmi që pllakosi në zi të gjithë dashamirësit e filmit shqiptar, e bëri vajza e e regjisorit, Juna Anagnosti përmes një postimi në rrjete sociale. “Lamtumirë Dhimitër Anagnosti, regjisori i jetës sonë! Pas një lëngimi te gjate ju binde ligjit të jetës! Lamtumirë babush!”, shkroi Juna Anagnosti.
Për ndarjen e tij nga jeta kanë reaguar figura të artit dhe politikës. Kryeministri Edi Rama shkruan se iku 'babai i kinemasë shqiptare', autori i shumë skenareve që shenjuan rrugën e kinematografisë. Presidenti Bajram Begaj shprehet se "Plejadës së artistëve të mëdhenj shqiptarë iu shkëput sot një tjetër yll". Ish presidenti Ilir Meta u shpreh se trashëgimia e tij do të mbetet monument i pavdekshëm.
I cilësuar si një prej regjisorëve që e shkroi me gërma të artit historinë e artit shqiptar, Dhimitër Anagnostit i numërohen në karrierën 40-vjeçare, 15 skenarë, 14 filma artistikë, 10 dokumentarë dhe disa çmime kombëtare e ndërkombëtare.
Artisti i Popullit” dhe “Nderi i Kombit” lindi në vitin 1936 në Vuno. Shkollën fillore e kreu në fshatin e lindjes dhe shkollën unike dhe të mesme të përgjithshme i kreu në Vlorë. Më 1954 - 1960 ndoqi Institutin Kinematografik "VGIK" të Moskës, ku u diplomua për kinooperator.
Pas kthimit në Shqipëri, filloi punë si operator në Kinostudion “Shqipëria e Re”, duke debutuar me filmin “Debatik” dhe më pas “Toka jonë”. Ai realizoi edhe filmin e parë dokumentar me ngjyra, “Gurët dekorativë”. Në vitin 1966, bashkë me Viktor Gjikën, solli filmin “Komisari i dritës”, ndërsa vetëm një vit më vonë, në moshën 31-vjeçare, realizoi si regjisor i vetëm “Dueli i heshtur”. Të dy filmat mbeten edhe sot ndër më të dashurit për publikun shqiptar.
Edhe pse nën trysninë e një sistemi që artin e shikonte me lupë për të qenë strikt të realizimit socialiste, Anagnosti i dhuroi filmit shqiptar vepra të tilla që do t’i rezistojnë kohës ndër dekada, për shkak të vlerës artistike që kanë.
Mbi të gjitha “Përrallë nga e kaluara”, një histori e martesës së detyruar mes Gjinos 14-vjeçar dhe Marigosë 20-vjeçare, e mbështetur nga kryeveprën e Andon Zako Çajupit “14 vjeç dhëndërr, historia e mrekullueshme e Sulos dhe batuta ‘komisar surratë patate” te “Lulëkuqet mbi mure” apo “Kthimi i ushtrisë së vdekur”, i realizuar mjeshtërisht mbi një nga perlat e Ismail Kadaresë.
Anagnosti ishte njeriu i mendimit të lirë, këmbëngulës në mbrojtjen e pikëpamjeve të tij, me një kurajë qytetare, e cila e ka vënë shpesh në shënjestër të mediokërve. Në fillim të viteve ’90, Anagnosti shërbeu si deputet dhe ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Por siç duket në arenën e politikës dhe intrigave të saj nuk e gjeti veten.
Ishte i martuar me aktoren e madhe Roza Anagnosti, me të cilën ndau jo vetëm jetën, por edhe pasionin për artin.
Në vitin 2006, ai dhuroi për publikun veprën e tij të fundit, filmin “Gjoleka, djali i Abazit”, një rrëfim i ndjerë për përplasjet e brezave, plagën e emigracionit dhe realitetin e vështirë të një vendi të vogël e të pazhvilluar.
Pas kësaj u tërhoq, i goditur edhe nga sëmundja e rëndë. Veprimtaria e tij u vlerësua me disa nga titujt më të lartë si “Artist i Popullit”, “Nderi i Kombit” dhe “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, duke kurorëzuar një jetë të përkushtuar ndaj artit, kulturës dhe qytetarisë.
Ashtu siç kishte vetë e la amanet, regjisori do të prehet në Vuno të Himarës, vendlindjen që e mbajti gjithmonë në zemër. Homazhet do të mbahen nesër në Hollin e Teatrit të Operas dhe Baletit nga ora 10:00-13:00.
Regjisori Dhimitër Anagnosti
Të martën, regjisori Dhimitër Anagnosti do të përcillet për në banesën e fundit. Homazhet do të mbahen në Hollin e Teatrit të Operas dhe Baletit nga ora 10:00-13:00.
Detajet u bënë me dije nga e bija e regjisorit, Juna Anagnosti përmes një postimi në rrjete sociale.
“Homazhet për Dhimitër Anagnostin do të zhvillohen të martën datë 02 shtator në Hollin e Teatrit të Operës dhe Baletit, ora 10.00 - 13.00.”, ka shkruar ajo.
Kineasti i njohur, Dhimitër Anagnosti u nda nga jeta në moshën 89-vjeçare, i vlerësuar si një nga regjisorët shqiptarë më të rëndësishëm të shekullit XX. Filmat e tij janë ndër të paktit që edhe sot paraqesin interes nga ana artistike.
Dhimitër Anagnosti lindi në Vuno të Himarës më 23 janar 1936. Shkollën fillore e kreu në fshatin e lindjes dhe shkollën unike dhe të mesme të përgjithshme i kreu në Vlorë. Më 1954 - 1960 ndoqi Institutin Kinematografik "VGIK" të Moskës, ku u diplomua për kinooperator. Së bashku me Viktor Gjikën xhiruan si punë diplome filmin "Njeriu kurrë nuk vdes", një ekranizim i tregimit të Ernest Heminguejt, i cili u vlerësua me Çmimin e Parë në Festivalin Botëror të Shkollave Kinematografike, që u zhvillua në Holandë më 1961.
Filloi punë si operator në Kinostudion "Shqipëria e re" në 1961, me filmin "Debatik" (1961) e më pas me filmin "Toka jonë" (1964). Xhiroi edhe të parin film dokumentar me ngjyra "Gurët dekorativë". Filmin e parë si regjisor e realizoi në vitin 1966, së bashku me Viktor Gjikën, "Komisari i dritës" dhe një vit më vonë i vetëm si regjisor filmin "Dueli i heshtur".
Në karrierën e tij 40-vjeçare ka realizuar 14 filma artistikë, 10 filma dokumentarë, ka fituar mjaft çmime në konkurse të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare. Është autor i 15 skenarëve dhe pothuajse në të gjithë filmat e tij skenarin e ka shkruar vetë. Anagnosti ishte njeriu i mendimit të lirë, këmbëngulës në mbrojtjen e pikëpamjeve të tij, me një kurajë qytetare, e cila e ka vënë shpesh në shënjestër të mediokërve.
Për cilësitë e tij të rralla artistike, si dhe për veprat e tij dinjitoze u nderua me titullin “Artist i Popullit”, 1987 dhe me kupën e karrierës në Festivalin e 10-të Filmit Shqiptar. Viti 1991 e gjeti të impenjuar në lëvizjen demokratike për pluralizmin në Shqipëri, motiv për të cilin u zgjodh edhe deputet i Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë (1991-1996). Në 12 prill 1992 u emërua ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, post të cilin e mbajti deri në 4 dhjetor 1994, ku dha dorëheqjen.
Anagnosti ishte ideator dhe kryetar i Fondacionit për Artin dhe Kulturën "Fan Noli", duke mbështetur intelektualët më aktivë, duke u impenjuar në forcimin e kulturës shqiptare në vend e në botë. Në vitin 2001 shkroi, dhe vuri në skenë në Teatrin Kombëtar dramën e vetme "Nata e trokitjeve në xham". Ndërsa në vitin 2005 korri sukses me filmin e tij më të fundit "Gjoleka, djali i Abazit", film i nderuar me dy çmime ndërkombëtare në Itali.
Veprat artistike:
Gjoleka, djali i Abazit (2006)
Kthimi i ushtrisë së vdekur (1989)
Përrallë nga e kaluara (1987)
Gurët e shtëpisë sime (1985)
Kujtime nga Gjirokastra (1983)
Vëllezër dhe shokë (1982)
Në shtëpinë tonë (1979)
Monumenti (1977)
Lulëkuqet mbi mure (1976)
Kur hiqen maskat (1975)
Cuca e maleve (1974)
Përjetësi (1974)
Motive nga dita e diel (1973)
Malet me blerim mbuluar (1971)
Parafabrikatet (1970)
Plagë të vjetra (1968)
Duel i heshtur (1967)
Komisari i dritës (1966)
Njeriu kurrë nuk vdes (1961)
Komente

NGUSHELLIME FAMILJES! LAMTUMIRE NJE PREJ PERSONAZHEVE ME TE MEDHENJ & ME TE RENDESISHEM TE JETWS ARTISTIKE SHQIPTARE!
Përgjigjunje regjisor i madh qe kurre me nuk i vjen artit dhe filmit shqiptar shume respekt
PërgjigjuPaste drite shpirti, emri dhe vepra e tij! Ngushellime familjes. Flm, mjeshter!
PërgjigjuNGUSHELLIME FAMILJES,,NDJEJME DHE NE ARTEDASHESIT TRISHTIM,,,,CUCA E MALEVE...LULEKUQET MBI MURE..ETJ ..JANE KEYEVEPRA TE FILMIT TONE...ME KETO FILMA JEMI RRITUR....JEMI KRENAR--DHE FALENDERUES PERJETE NJEKOHESISHT QE TE TILLE NJEREZ I KEMI PATUR NE MES NESH....
Përgjigju