I mbuluar me flamur, i fundit me të cilin po punonte për të qenë pjesë e Muzeut që priste të hapte së shpejti, me duartrokitje, trëndafila të bardhë dhe muzikë funebre të kompozuar nga Vasil Tole për operën “Skënderbeu”, studiuesi dhe publicisti Artan Lame është përcjellë këtë të martë për në banesën e fundit.
Homazhet në nder të tij janë mbajtur në sallën “Libri Enciklopedik” në Akademinë e Shkencave.
Artan Shkreli, një nga miqtë më të ngushtë të Artan Lames, ishte ai që mbajti fjalimin e lamtumirës, ndërsa e përshkroi Lamen si njeri me zemër të madhe dhe përkushtim të pashoq ndaj familjes, punës dhe kauzave që mbrojti me pasion gjatë jetës së tij.
"Lame nuk ishte thjesht një mik i ngushtë, ai ishte vëllai im. Jo prej gjaku, por prej jete. Kemi kaluar bashkë shumë dekada në punë, në debat, në ide në netë të gjata bisedash për Shqipërinë, për princ Vidin, Zogun, historinë… për çmenduritë, dashuritë tona të përbashkëta, pastaj për arkitekturën, kulturën, për qytetet.
Artani ishte i jashtëzakonshëm, i paepur në pasionin e tij për trashëgiminë, i papërkulur përballë kompromiseve që nuk i duronte dot. Kishte lidhje intime me historinë, jo si studiues, por si njeri që e ndjeu t’i kthente çdo tulle të vjetër identitetin, çdo simboli të harruar respektin, çdo figure në nëpërkëmbur dinjitetin. Dhe nuk e bënte për lavdi apo për duartrokitje, e bënte sepse ishte kështu.
Kam punuar me të, kam debatuar me të, siç ndodh mes vëllezërve, por kurrë nuk kam dyshuar në qëllimin e tij, në thellësinë e mendimit, dhe dashurinë që kishte ndaj Shqipërisë. E kishte zemrën e madhe dhe të lodhur. Një zemër që më shumë dha sesa mori. Prandaj kush ka qenë pranë tij, zotëron një pjesë të zemrës së tij. Ai e jepte pa kursim edhe kur ndihej i mënjanuar.
Nuk e meritoje të ikje kaq herët o vëllai im. Ka kaq shumë dhe kishte kaq shumë për të dhënë, por Zot i kërkonte më shpejt njerëzit e mirë pranë vetes. Pse kështu? Kjo për ne do të mbetet mister, shpresoj ta zbuloj kur të takohemi përsëri një ditë vëlla. Do të mbaj mend gjithmonë siç ishe, me dosjet në dorë, gjithnjë me vrap, ku me shaka të quanim ‘lepuri i bardhë i Lizës’.
Do na mungosh tmerrësisht në tavolinën e punës, në mjediset e muzeut, në bisedat e mbrëmjes dhe në heshtjen që ndahet mes miqve të vërtet. Artan i dashur, u prehsh në paqe! Lamtumirë miku ynë, paç dritë, nuk do të harrojmë kurrë", tha i pikëlluar Shkreli.
Të pranishëm gjatë homazheve ishin figura të njohura të historisë, politikës, medias dhe kulturës,
“Në qarqet tona shkencore bëheshin edhe debate rreth risive që sillte Artan Lame në interpretimin e ngjarjeve dhe fakteve historike dhe sidomos në gjenialitetin e tij për të zbuluar detaje, të cilat të tjerëve nu ku shkonte ndërmend të përqendroheshin.”, tha Paskal Milo.
“Ishte një nga partizanët, një nga aktivistët shumë të fuqishëm të trashëgimisë kulturore. Që në fillim kanë bërë kaq shumë për mbrojtjen e monumenteve.” , tha Piro Thomo
“Ka lënë shumë gjurmë. Por vepra e tij do të jetë aty, sepse nuk ishte thjesht koleksionist, por ishte historian, studiues. Kishte disa koleksione. Njëri ndër to është ai i flamujve të Shqipërisë, uniformat ushtarake etj. Ishte një thesar më vete”, u shpreh Julian Demeti.
"Nga sot, Tiranës dhe Shqipërisë do i mungojë një njeri i ditur, që vetëofrohej për të bërë kauza të mira. Ka humbur jeta publike, jeta institucionale, por edhe shoqëria civile ka humbur një aktivist të madh. Ai ishte një intelektual me dije të gjithanshme”, tha Ulsi Manja
Vitet e fundit, Lame e kishte përqendruar gjithë punën dhe pasionin e tij në ngritjen e një muzeu të medaljeve dhe flamujve, punë, të cilën ministri i kulturës, Blendi Gonxhja, premtoi që do ta çonin deri në fund, ata, miqtë e tij.
“Kam komunikuar me të përpara kësaj fatkeqësie dhe tragjedie për familjen e tij dhe rrethin, për muzeun e koleksionit për të cilën punonte me miqtë e tij të mirë. Jam tërësisht i dërrmuar. Minimumi që të gjithë ne do bë bëjë është që të mbështesim muzeun në mënyrë që të nderojmë punën e tij”.
Me kontribut të madh në jetën publike dhe trashëgiminë kulturore, mbrojtës i monumenteve, me disa funksione të rëndësishme shtetërore ndër vite, Artan Lame ndërroi jetë në 23 maj pas një ndërhyrjeje kirurgjikale në Gjermani.
Në homazhet për ndarjen nga jeta të Artan Lames, Ministri i Drejtësisë Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja tha në një prononcim për mediat se është tmerrësisht i prekur për këtë humbje.
“E njoh prej shumë vitesh. Jeta na ka ndarë dhe bashkuar në projekte. Vendi ynë ka humbur një kujdestar të lartë dhe unik të trashëgimisë kulturore dhe historike.
Kam komunikuar me të përpara kësaj fatkeqësie dhe tragjedie për familjen e tij dhe rrethin, për muzeun e koleksionit për të cilën punonte me miqtë e tij të mirë. Jam tërësisht i dërrmuar.
Minimumi që të gjithë ne do bë bëjë është që të mbështesim muzeun në mënyrë që të nderojmë punën e tij”, tha Gonxhja.
Në homazhet për ndarjen nga jeta të Artan Lames, Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, tha se nga sot Tiranës do t'i mungojë një njeri intelektual me dije të gjithanshme.
"Nga sot, Tiranës dhe Shqipërisë do i mungojë një njeri i ditur, që vetëofrohej për të bërë kauza të mira. Ka humbur jeta publike, jeta institucionale, por edhe shoqëria civile ka humbur një aktivist të madh. Ai ishte një intelektual me dije të gjithanshme.
Ai dinte të mbronte kauzat e tij me pasionin që kishte. Ai ka mbrojtur çështjen e detit me Greqinë. Mbrojti këtë çështje si pak kush. Ndihem me fat që e kam pasur mik. Sot po shoh zbrazëti në rrugët e Tiranës sepse po na rrallohen njerëzit e mençur. U prehtë në paqe”, deklaroi Manja.
Komente

Para disa vitesh i ndjeri z.Lame hapi nje ekspozite me nje koleksion te uniformave militare te shtetit shqiptar nder vite.Ishte shume interesante.Shpresoj qe ai koleksion te behet pjese e ketij muzeu dhe qe muzeut t'i jepet emri i tij gjithashtu!
Përgjigju