Tirane- Prokuroria e Tiranës po heton kolegjin privat universitar në Tiranë, Uisdom, për lëshimin e diplomave false, pas kallëzimeve nga dy ish-rektorët, Lush Përpali dhe Bajram Hysa.
Të dyve, u ranë në duar diploma të falsifikuara dhe ndoqën rrugën deri në Prokurori, por siç organi i akuzës zbulon, kjo u pasua me një kundër-kallëzim nga administratori i kolegjit, Savino Cianci gjatë qershorit, ndërsa së fundmi, është arrestuar në Itali bashkë me gruan Lucia Catalano, të dy administratorë të Uisdom, dhe 7 të tjerë.
Në Itali, prokuroria e Tranit po i heton si arkitektë të një skeme mashtrimi me diplomat false, 6 mijë euro shkonte çmimi për një diplomë hotelerie e deri në 19.500 euro për një master në shkencat e edukimit.
Në Shqipëri, i pari që zbuloi falsifikimin ishte Lush Përpali kur pa se në disa diploma ishte vendosur firma e tij për programe që s’ekzistonin në Kolegj. Ai ka dëshmuar për hetimet e nisura në korrik nga prokurorja Antoneta Sevdari, duke vënë në dispozicion edhe disa certifikata false masteri.
Përpali u largua me dorëheqje pasi zbuloi skandalin, ndërsa pasuesi i tij Bajram Hysa, arriti në gjurmët e një tjetër falsifikimi.
Çifti italian i administratorëve pretendonin se kishin marrëveshje me një universitet në Itali, dhe se diplomat e Uisdom do njiheshin edhe në shtetin fqinj, por në të vërtetë nuk kishin asnjë vlerë ligjore.
Rektori Bajram Hysa pa se diçka nuk shkonte dhe kërkoi ndërhyrjen e ministrisë së Arsimit, e cila në këtë shkresë që Report Tv siguron, i është drejtuar Kolegjit Uisdom më 30 maj për vënien në dispozicion të dokumentacionit të plotë të marrëveshjes së pretenduar për kurset e përbashkëta të trajnimit profesional me “Universo Docente” në Itali. Por njëkohësisht në këtë shkresë, ministria e vë në dijeni universitetin se do i shkojë për kontroll bazuar nga pretendimet e ish-rektorëve, kontroll nga i cili u zbuluan shkelje të cilat ministria nuk i ka barë publike, deri në vendimin për të mos e certifikuar kolegjin për këtë vit akademik.
"Kishte shumë problematika, me pagesat, stafin akademik i pushonin nga puna, merrnin njerëz në punë pa kritere. Ata i kanë quajtur certifikata, por në titull thuhet master profesional në psikologji për arsim parashkollor. Certifikata dhe diploma janë të barasvlershëm në përmbajtje. Dëgjova që kishin shkruar në FB e tyre, që ne nuk kemi shitur dhe nuk shesim diploma. Fakti që e kanë shënuar certifikatë, nuk e justifikon problemin. Edhe certifikata nuk lëshohet false" tha Lush Përpali – Ish-rektor, Uisdom për Report Tv
Në një nga përgjimet e autoriteteve italiane, del se presidentja e bordit të akreditimit të universiteteve, Shqiponja Telhaj është korruptuar nga çifti italian i bashkëshortëve të Uisdom me një çantë Louis Vuitton 1200 euro.
Shkolla ben ahmetajs
Përgjigju