TIRANË- Kuvendi pritet të mblidhet nesër në një seancë maratonë për votëbesimin e ministrave të qeverisë ‘Rama 4’. Seanca mund të zgjasë deri të premten, siç e do tradita, ndërsa kryesocialsiti Edi Rama do të prezantojë programin qeverisës.
Gazetarja e Report Tv, Raziela Myslimaj ka siguruar edhe programin që Rama do të prezantojë ditën e nesërme, me pika që janë prezantuar edhe gjatë fushatës, ku prioritet mbetet procesi i integrimit, deri tek infrastruktura, arsimi, shëndetësia, rritja e pagave apo pensionet.
Programi bazohet në tre shtylla, Shqipëria Europiane, Rritja Ekonomike e Qëndrueshme, Mirëqenie Për Të Gjithë.
Ndërkohë, sot u mblodh edhe Konferenca e kryetarëve për të përcaktuar axhendën e seancës. Opozita kërkoi debat pa limit kohor për programin qeverisës, por u vendos që secili nga 140 deputetët të ketë 10 minuta kohë për diskutim. Kryeministri do të ketë kohë të barabartë me kreun e opozitës ose kreun e grupit.
Kliko këtu për të lexuar programin e plotë
Lajm ne përditësim...
Një vëmendje e veçantë në programin qeverisës "Rama 4" i kushtohet edhe politikave sociale dhe strehimit. Programi parashikon ndërtimin e 1,500 banesave me kosto të ulët deri në 2029, zgjerimin e fondit për banesat sociale si dhe përdorimin e pasurive të konfiskuara për këtë qëllim.
Gjatë këtij mandati, qeveria synon të forcojë mbështetjen për personat me aftësi të kufizuara me pagesa të dyfishta dhe shërbime të integruara, si dhe krijimi i qendrave për fëmijët dhe të rriturit me autizëm. Synon që të zhvillojë edhe një sistem digjital për menaxhimin e mbrojtjes sociale, dhe të miratojë një paketë të re për familjet e reja me subvencione për strehim e kredi të buta.
Gjithashtu, synohet që të rriten shpenzimet sociale për grupet vulnerabël, të nxisin programet e punësimit për gratë dhe në zonat rurale, si dhe të shtojnë shërbimet për të moshuarit.
Programi i qeverisë Rama 4 për shëndetësinë synon rindërtimin e të gjitha qendrave shëndetësore deri në vitin 2029 dhe transformimin e QSUT në qendër ekselence rajonale. Fokus është Shëndetësia Digjitale me receta elektronike dhe sisteme të integruara, rritja e pagave të mjekëve e infermierëve me 25%.
Qeveria synon të zgjerojë shërbimet falas për kontrollin bazë dhe pensionistët, të forcojë kapacitetet diagnostikuese e spitalore dhe harmonizimin me mekanizmat e BE-së për krizat shëndetësore. Një tjetër objektiv është që të sigurohet akses universal në barna moderne, rritja e personelit mjekësor dhe zhvillimi i shërbimeve të shëndetit mendor me bazë komunitare.
Shqiptarja.com ka siguruar programin që do të prezantojë kryeministri Edi Rama në seancën e nesërme maratonë në Kuvend. Një prej shtyllave kryesore të programit është rritja ekonomike dhe e qëndrueshme. Qeveria Rama 4 synon të rrisë të ardhurat për frymë për qytetarët me rreth 40%, duke i çuar në 15.000 euro deri në vitin 2029.
Synohet rritja ekonomike me rreth 4% në vit duke e çuar prodhimin e brendshëm bruto në 35 miliardë euro deri në fund të mandatit.
Siç e pati paralajmëruar edhe gjatë fushatës, përmes programit ekonomik, qeveria e PS synon të çelë një kapitull të ri bashkëpunimi me sipërmarrjen shqiptare përmes marrëveshjeve disa-vjeçare të lehtësimit tatimor dhe nxitjes së deklarimeve të rregullta duke zbatuar “Paqen Fiskale” 2026–2029: faljen e detyrimeve tatimore më të vjetra se 10 vjet; skemën e riparimit të borxheve të 10 viteve të fundit me përqindje të reduktuara;
Do të vijohet me politikën e taksës 0% për bizneset e vogla deri në vitin 2029. Po ashtu, në program thuhet se do rishikohet skema e TVSH-s për fermerët bazuar në praktikat më të mira të BE me një efekt financiar prej rreth 1.5 mld lekë/vit transfertë direkte tek fermerët.
Parashikohen 2 miliardë euro kredi dhe garanci për bizneset, përmes Bankës së Shqipërisë dhe Bankës Shqiptare të Zhvillimit, për të rritur investimet dhe prodhimin vendas. Një buxhet prej 1.18 miliardë eurosh për Strategjinë e Specializimit Inteligjent (S3), për të orientuar fondet kombëtare dhe ato të BE-së drejt fushave me avantazh konkurrues, duke mundësuar rritje të qëndrueshme, më shumë projekte inovative dhe integrim të plotë me tregjet evropiane.
Me Paketën e Maleve qeveria Rama synon zhvillimin e investimeve në zonat malore duke lehtësuar marrjen e lejes së ndërtimit për poseduesit që duan të investojnë, si dhe marrjen e dokumenteve për pronën e familjeve. Për 500 sipërmarrësit e parë përfitues, nga paketa, taksat do të jene zero dhe TVSH zero për 10 vitet e para.
Shtylla e tretë e programit qeverisës "Rama 4" është Mirëqenia për të gjithë. Në programin të siguruar nga Report TV, sa i përket arsimit, theksohet synimi për të rritur pagat e mësuesve në 1,250 euro deri në 2029, ndërtimi i 200 shkollave të reja dhe 1 mijë laboratorëve inteligjentë.
Një tjetër objektiv i qeverisë është dixhitalizimi i arsimit dhe testimeve, kurrikula të reja me Inteligjencë Artificiale dhe integrimi në mësimdhënie, zgjerimi i shërbimeve online. Pritet të ngrihet edhe një agjenci e specializuar dhe e certifikuar sipas standarteve ndërkombëtare, që do të bëjë të mundur njohjen automatike të diplomave.
Programi parashikon gjithashtu programe ushqimi pas shkollore dhe në çdo bashki, ngritjen e një shoqërie publike të transportit shkollor dhe ofrimin e këtij shërbimi falas për nxënësit dhe mësuesit që jetojnë larg institucioneve arsimore. Synohet edhe dyfishimi i nxënësëve në arsimin profesional, dhe përfshirja e diasporës në hartim politikash, mësimdhënie dhe kërkim shkencor.
Shtylla kryesore e programit qeverisës “Rama 4” është integrimi në BE, që kryeministri Edi Rama e ka shpallur prioritet kryesor. Në programin qeverisës, të siguruar nga Report Tv, thuhet se objektivi është anëtarësimi i plotë brenda vitit 2030, që qeveria e sheh si mision kombëtar, i cili do të riformatojë shtetin në themel, duke forcuar institucionet, përmirësuar shërbimet publike dhe rritur konkurrueshmërinë e ekonomisë shqiptare.
Plani parashikon, ashtu siç e ka theksuar kryeministri, përmbylljen e kapitujve dhe negociatave deri në vitin 2027, për të vijuar më pas me nënshkrimin e Traktatit të Anëtarësimit në vitin 2028 dhe ratifikimin e tij nga parlamentet e vendeve anëtare. O
Shteti Digjital dhe siguria kibernetike
Qeveria synon një transformim dixhital, ku çdo qytetar dhe biznes do të ketë akses të sigurt e të thjeshtë në shërbime publike nga telefoni apo kompjuteri. Synohet që me e-Albania 2.0, shërbimet do të ofrohen sipas modelit “life events”. Të gjitha shërbimet publike, edhe ato vendore, do të digjitalizohen, ndërsa prokurimet publike do të bëhen përmes një sistemi tërësisht të automatizuar me inteligjencë artificiale për të eliminuar korrupsionin. Në shëndetësi, do të krijohet Dosja Elektronike për çdo qytetar. Digjitalizimi do të shtrihet edhe në fusha të tjera si financat, bujqësia, drejtësia dhe emergjencat civile, duke përdorur AI. Synohet krijimi i Portofolit të Identiteti Dixhital të vlefshëm në BE nga viti 2027, Platforma e Bashkëqeverisjes të fuqizuar nga AI, implementimi i European Case Law Identifier (ECLI) për sistemin gjyqësor, si dhe apostilimin elektronik.
Administrata publike, Antikorrupsioni dhe Transparenca
Qeveria synon administratë “pa letër”, me digjitalizim të plotë, automatizim të pagave e rekrutime meritokratike, parandalim të korrupsionit në sektorë kyç, transparencë të plotë me “Transparent Albania” dhe Prokurim Smart të bazuar në inteligjencë artificiale.
Drejtësia dhe të drejtat themelore
Qeveria synon forcimin e reformës në drejtësi përmes miratimit të Kodit të ri Penal e Civil të përafruar me BE-në, funksionalizimit të Sistemit të Integruar të Menaxhimit të Çështjeve me module të AI deri në 2028, modernizimit të infrastrukturës gjyqësore, zbatimit të Masterplanit të Burgjeve dhe ngritjes së Institutit për Edukimin e Rehabilitimin e të Miturve sipas standardeve europiane.
Politika e jashtme dhe diaspora
Qeveria synon që të thellojë partneritetin strategjik me SHBA, BE, Turqinë dhe Mbretërinë e Bashkuar si dhe organizimin e samitit të NATO-s në Tiranë më 2027. Synohet gjithashtu zgjerimi i rrjetit diplomatik me 10 përfaqësi të reja deri në 2029, dyfishimi i investimeve të huaja dhe promovimi i identitetit shqiptar në arenën ndërkombëtare përmes diplomacisë kulturore e shkencore.
Mbrojtja dhe siguria kombëtare
Synohet forcimi i Forcave të Armatosura me paga që arrijnë mesataren e NATO-s deri në 2029 dhe zhvillimi i industrisë ushtarake “Made in Albania” për municione, armatime, mjete të blinduara e sisteme pa pilot. Qeveria synon që të zgjerojë kapacitetet detare me tre anije të reja, dy avionë zjarrfikës dhe katër qendra të reja rajonale të emergjencave civile.
Siguria publike
Qeveria synon të përafrojë legjislacionin me BE-në kundër krimit të organizuar, pastrimit të parave dhe terrorizmit, duke funksionalizuar projektin “Smart City” për uljen e kohës së reagimit policor dhe duke rritur sigurinë rrugore me 30% më pak fatalitete deri në 2030. Parashikohet përdorimi i Hartës Digjitale të Kriminalitetit, përdorimi i pasurive kriminale për investime komunitare, modernizimi i dokumenteve biometrike, menaxhimi i kufijve sipas standardeve të Schengen-it dhe ngritja e qendrave kombëtare për zjarrfikësit dhe trajnimin emergjent.
Në vitin 2026 paga minimale në vend do të rritet nga 400 euro aktualisht në 500 euro. Kjo parashikohet në programin e ri qeverisës të socialistëve. Po ashtu në program thuhet se për 18 muajit e parë të aplikimit të kësaj rritjeje, nuk do të ketë asnjë taksë shtesë. Pra shteti do paguaj kontributet për diferencën mes 400 dhe 500 euro, në mënyrë që të mos rëndohet as punëdhënësi as punëmarrësi.
“Paga minimale në 500 euro deri në 2026, me 18 muaj pa asnjë taksë shtesë për punëmarrësit me paga të ulëta”, thuhet në dokument.
Kurse paga mesatare nga rreth 840 euro aktualisht, në dokument parashikohet të arrij në 1000 euro në vitin 2030, si dhe të vijohet me një tjetër reformë pagash në administratën publike.
“Paga mesatare kombëtare 1,000 € deri në 2030; në sektorin publik 1,200 €”, parashikohet në dokument.
Ndërsa për papunësinë është parashikuar ulje e papunësisë së përgjithshme në 6% deri në 2030 nga 8.5% që është aktualisht.
Foto nga kryeministria
Report Tv ka siguruar programin qeverisës që kryeministri Edi Rama do të prezantojë nesër në seancën plenare të Kuvendit. Programi qeverisës bazohet në tre shtylla, Shqipëria Europiane, Rritja Ekonomike e Qëndrueshme dhe Mirëqenia për të Gjithë.
Pjesë nga programi
Shqipëria Europiane është shtylla e parë dhe busulla që i jep drejtim çdo reforme. Anëtarësimi nuk është vetëm objektiv diplomatik, por proces transformues që forcon shtetin e së drejtës, modernizon shtetin digjital, rrit integritetin e administratës, garanton sigurinë publike dhe kombëtare, dhe e vendos Shqipërinë në zemër të vendimmarrjes europiane. Europa mbi të gjitha është përfitimi i drejtpërdrejtë për qytetarët, në jetën e tyre të përditshme – në punën që bëjnë, në shërbimet që marrin, në të drejtat që gëzojnë dhe në sigurinë që ndiejnë, si pjesë e një familjeje me 450 milionë anëtarë.
Rritja Ekonomike e Qëndrueshme është shtylla e dytë dhe rruga që kthen vizionin në realitet. Shqipëria e re ndërtohet mbi financa të shëndosha dhe tatime të ndershme, mbi një klimë të parashikueshme për biznesin dhe mbi një treg pune që hap dyer për të rinjtë. Ajo ngrihet mbi turizmin që nuk njeh më sezone, mbi bujqësinë dhe fshatin që modernizohen me teknologji, mbi energjinë e pastër që na kthen në eksportues të së ardhmes së gjelbër dhe mbi inovacionin që u jep hapësirë brezave të rinj për të krijuar e për të konkurruar. Dhe mbi të gjitha, ajo shtyhet përpara nga një infrastrukturë moderne – porte, aeroporte, hekurudha dhe korridore rrugore – që lidh Shqipërinë me rajonin, Europën dhe botën, duke e bërë vendin tonë një nyje të re zhvillimi.
Mirëqenia për të Gjithë është shtylla e tretë dhe kontrata jonë me qytetarët. Ajo është kujdesi për fëmijët e vegjël që rriten në çerdhe e kopshte më të mira, është arsimi që lidhet me jetën reale dhe me Europën, është shëndetësia falas e modernizuar, janë pensionet dinjitoze dhe shërbimet sociale që mbështesin ata që kanë nevojë. Është rinia që gjen punë dhe hapësira të reja, është sporti dhe kultura që gjallërojnë përditshmërinë, është mjedisi i mbrojtur dhe ekonomia e gjelbër që bëhen pjesë e zakoneve tona të përditshme.
Komente
