Niko Peleshi mbajti fjalimin e parë si kryetari i ri i Kuvendit mes zhurmave të opozitës, deputetët e së cilës u binin tavolinave teksa ai fliste.
Në fjalën e tij, Peleshi u shpreh se objektivi për anëtarësimin e Shqipërisë në BE do të udhëheqë diplomacinë parlamentare.
Kryeparlamentari i ri i Shqipërisë u zotua për t’i krijuar çdo deputeti hapësirën e nevoshme të fjalës dhe për t’i kushtuar rëndësinë e duhur të gjithë ligjvënësve.
Peleshi theksoi se nën drejtimin e tij, Kuvendi do të vendosë një standard të ri të Kushtetutës, rregullores dhe Kodit të Etikës.
“Një moment historik për Shqipërinë, ndaj ndihem dyfish i vlerësuar dhe thellësisht mirënjohës dhe angazhohem për ta kthyer këtë besim në një shtysë për të punuar me përkushtim çdo ditë. Dëshiroj të falenderoj Elisa Spiropalin për kontributin e vyer gjatë vitit të fundit të legjislaturës së kaluar. Falenderoj të gjithë deputetët, pavarësisht votës pro apo kundër apo mospjesëmarrjes në votim dhe do bëj gjithçka mundem për të krijuar hapësirën e nevojshme të fjalës në parlament, statusin e ri dinjitoz të deputetit dhe kuvendit, infrastrukturës së përshtatshme për lehtësimin e punës së deputetit.
Do doja të vendosnim një standard të ri të respektimit të Kushtetutës, rregullores dhe Kodit të Etikës. Ne jemi bashkëudhëtarë dhe kontribues në segmentin final dhe të shumëpritur të rrugëtimit të Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.
Objektivi strategjik që synon mbylljen e negociatave në 2027 dhe anëtarësimin në BE brenda vitit 2030 do udhëheqë diplomacinë tonë parlamentare në vitet që vijnë. Ky është angazhim që kërkon punë të pandërprerë".
Niko Peleshi theksoi se sjellja në Parlament mes deputetëve ndikon edhe jetën shoqërore të vendit. Për këtë arsye, siç tha ai, duhet një mendësi e re europiane. Në funksion të kësaj, Peleshi kërkoi nga deputetët që gjuha e urrejtjes në Kuvend, dhuna verbale e fizike, të lihen mënjanë, dhe të kultivohet fryma e bashkëpunimit.
Gjuha e urrejtjes, dhuna verbale bëhen pengues për të ndërtuar mendësinë e re europiane. E kundërta modelojnë shoqërinë bashkëpunuese. Marrëdhëniet me PE do të thellohen më tej, ndërsa do thellojmë komunikimin me parlamentet e 27 vendeve anëtare. Është detyra jonë të mbajmë gjallë bashkëpunimin me Kuvendin Kosovës dhe të punojmë për të drejtat e shqiptarëve kudo në rajon. Do ushtrojmë kontrollin ndaj Ekzekutivit duke kërkuar llogari”.
Në mbyllje të fjalës së tij, kryeparlamentari i ri u kërkoi takim ditën e hënë në orën 11:00 krerëve të grupeve parlamentare.
Niko Peleshi u zgjodh kryetari i ri i Kuvendit me 84 vota pro dhe 3 kundër.
Lajmi kryesor:
Niko Peleshi zgjidhet kryetari i ri i Kuvendit me 84 vota, opozita bojkoton procesin! Betohen 135 deputetë nga 140
V.GJ /ReportTv.al
