Sociale

Nis viti i ri shkollor! 345 mijë nxënës në gjithë vendin, 26 500 ulen për herë të parë në banka! Nga masat e policisë, udhëzimi për celularët te Kodi Etik i mësuesve

8 Shtator, 07:10| Përditesimi: 8 Shtator, 13:01

  • Share

Sot, më 8 shtator, nis viti i ri shkollor në të gjithë vendin. Rreth 345 mijë nxënës ulen në bankat e shkollës, 26.500 prej të cilëve për herë të parë, ndërsa 31 mijë mësues do të jenë në dispozicion për procesin mësimor.

Ministria e Arsimit ka njoftuar se këtë vit është përforcuar mbështetja për nxënësit me aftësi të kufizuara, me 2,260 mësues ndihmës, 150 më shumë krahasuar me vitin e kaluar.

Gjithashtu, transporti falas do të ofrohet për 38 mijë nxënës dhe 12 mijë mësues, ndërsa 3,500 bursa janë vënë në dispozicion për nxënësit që kanë nevojë për mbështetje financiare.

Ky vit shënon hapjen e 30 shkollave të reja dhe të rehabilituara, si dhe vënien në funksion të 340 laboratorëve SMART, të cilët synojnë të rrisin cilësinë e procesit mësimor. Nga ana tjetër, 236 mijë nxënës janë pajisur me libra falas. Sipas INSTAT, në Shqipëri llogariten rreth 1000 shkolla 9-vjeçare publike dhe rreth 380 shkolla të mesme.

Siguria në shkolla

Nga shtimi i efektivëve pranë shkollave, mbyllja e ambulantëve që shesin alkool e deri te vlerësimi i çdo situate, policia ka përpiluar plan të mirëfilltë për nisjen e vitit të ri shkollor. Plani parashikon rritjen e pranisë së efektivëve pranë institucioneve arsimore, sidomos gjatë orarit të nisjes së mësimit, përfundimit apo pushimit të madh. 

Po ashtu, do të merren masat edhe për mbylljen e pikave ambulante që tregojnë alkool pranë shkollave, apo produket ushqimore të skaduara. Kontroll është parashikuar edhe për nxënësit që mund të mbajnë me vete sende të jashtëligjshme, që shpesh janë shkas për tragjedi. Policia thotë se ka marrë masat për të vlerësuar çdo informacion për konflikte të mundshme, përfshirë fenomenin e bullizmit.

Vetëm 60 oficerë sigurie do të jenë gati për të ruajtur rendin dhe qetësinë në shkolla, pavarësisht se numërohen rreth 1400 institucione të arsimit 9-vjeçar dhe të mesëm. Ministrja e Arsimit tha se gjithsesi në tetor do të jenë në punë 400 oficerë sigurie, pasi t’i nënshtrohen trajnimit. 60% e shkollave nuk do të kenë oficerë sigurie, pasi sipas një vendimi qeverie të muajit prill 2025, një shkollë 9-vjeçare mund të ketë oficer sigurie, vetëm nëse ka mbi 350 nxënës, ndërsa gjimnazet, kur kanë mbi 80 nxënës.

Celularët në shkollë vetëm me “lejen” e prindit!

Nxënësit, mund ta marrin me vete celularin në shkollë, nëse prindi e argumenton të domosdoshme, por gjatë orës mësimore duhet ta fikë ose ta vendosë në “airplane mode” për ta futur më tej në kutinë e posaçme në klasë. Udhëzimi i vitit 2018, që i ndalonte plotësisht, është shfuqizuar, pasi nuk arriti të zbatohej në praktikë.

Në rast se nxënësi e fsheh telefonin duke mos e dorëzuar dhe kapet duke e përdorur atë në klasë apo ambiente të tjera të shkollës, aparati sekuestrohet dhe dorëzohet në drejtori. Për shkeljen e parë, parashikohet një masë më e butë, në fillim këshillim i nxënësit, në rast përsëritjesh shënim nga kujdestari dhe më tek njoftohet edhe prindi, e në këtë rast, vetëm ai mund ta tërheqë telefonin nga drejtoria.

Udhëzimi i ri i Ministrisë së Arsimit ndalon përdorimin e telefonit në klasë edhe nga vetë mësuesit, përveç rasteve emergjente ose për nevoja të provuara pedagogjike.

Kod i ri Etik për mësuesit: Kujdes me postimet në rrjetet sociale!

Pjesë e risive është edhe Kodi i ri i Etikës për mësuesit parauniversitarë, i cili zëvendëson atë të miratuar 12 vite më parë. Kodi i ri përcakton rregulla të qarta mbi etikën, sjelljen, marrëdhëniet me nxënësit, prindërit dhe komunitetin, si dhe përdorimin e teknologjisë e rrjeteve sociale.

Me miratimin e Kodit të ri të Etikës, Ministria e Arsimit ia ndalon çdo arsimtari postimin e imazheve apo videoje që do të kompromentonin misionin e tij, atë të edukimit. Në pikën 1 të nenit 9 të Kodit thuhet gjithashtu se “Mësuesi kujdeset që ndërveprimi në rrjete apo platforma sociale të mbështetet gjithmonë në standardet etike të komunikimit në publik”.

Kodi i ri Etik sanksionon se edhe veshja dhe paraqitja e jashtme përfshihen në udhëzimet e reja, duke i dhënë rëndësi mënyrës si mësuesi paraqitet përballë nxënësve. Ky dokument është një udhëzues i qartë mbi etikën, sjelljen dhe përgjegjësitë e mësuesit, jo vetëm në raport me nxënësit, por edhe me prindërit, kolegët dhe vetë komunitetin.

Ora 12:45
Mbi 12 mijë nxënës në Qarkun Dibër nisin vitin e ri shkollor

1757328230_shkolladiber.jpg

12,699 nxënës në të katër bashkitë e Qarkut Dibër kanë nisur vitin e ri shkollor këtë të hënë. Numrin më të madh të nxënësve e ka bashkia Dibër 6,204, ndjekur nga Bulqiza me 2,887, Mati me 2,208 dhe Klosi me 1,400 nxënës.

Për herë të parë në bankat e shkollës janë ulur 980 nxënës në të gjithë Qarkun Dibër, duke bërë që numri të jetë më i vogëli i regjistruar ndonjëherë.

Ndërkohë, ende nuk ka një shifër të saktë të nxënësve të këtij viti, pasi numri mund të ndryshojë në ditët e ardhshme.

Ajo që vihet re edhe këtë vit shkollor është mosulja e numrit të mësuesve ku edhe pse ka rënie të numrit të nxënësve vijon të mbetet i njëjtë.

Një tjetër problematikë që vihet re është edhe mësimi në klasa kolektive në shumë fshatra për shkak të uljes drastike të numrit të nxënësve.

Ora 12:43
Viti i ri shkollor në Gjirokastër nis me rënie të lehtë të regjistrimeve në klasë të parë

1757328186_shkollatgjirokaster.jpg

Në Gjirokastër, nxënësit rikthehen sot në bankat e shkollës për të nisur vitin e ri shkollor, duke sjellë një atmosferë emocionuese dhe festive.

Drejtoria Arsimore ben te ditur se në shkollat 9-vjeçare janë regjistruar 190 nxënës ne klase te pare, ose 43 me pak se vitin e kaluar.  Klasat e 10-ta regjistruar nje renie prej 25 nxenesish.

Në total, ne gjithe bashkine e Gjirokastres numerohen 3,232 nxënës ne arsimin fillor e te mesem, një rënie prej 189 nxënësish krahasuar me vitin e kaluar.

Sakaq, shkollat janë përgatitur për të ofruar kushte të sigurta dhe mjedise të përshtatshme mësimore. Ky moment është një tregues i përkushtimit të komunitetit të Gjirokastrës ndaj arsimit, edhe në kushtet e një rënieje të lehtë të regjistrimeve.

Ora 12:41
Lushnje e Divjakë, rritet interesimi për arsimin profesional

1757327235_shkollalushnje.jpg

Viti i ri Shkollor nisi në Lushnje e Divjakë pa problematika.

Interesi më i madh vihet re për Shkollën e Mesme Mekanike “Hasan Gina”, ku këtë vit janë regjistruar 493 nxënës, krahasuar me 450 një vit më parë. Nxënësit dhe prindërit vlerësojnë mundësinë e sigurimit të një profesioni, tregun e punës dhe njohjen e diplomës në Bashkimin Europian si arsye kryesore për zgjedhjen te zjedhjes se profesionales.

Ndesa ne total ne gjithe bashkine e Lushnjes numerohen 6,879 nxënës, prej te cileve 510 vogelushe te klasave te para. Në Divjakë jane 2,863 nxënës, ku 221 ulen per here te pare ne bankat e shkolles.  

Ora 12:22
Viti shkollor në Vlorë nis me investime, por më pak nxënës

 

Ka nisur sot viti i ri shkollor 2025–2026 edhe për nxënësit e Vlorës dhe Himarës. Në të gjithë qarkun janë ulur në banka rreth 11 mijë e 587 nxënës te arsimit 9-vjecar dhe te mesem, nga të cilët 915 në klasën e parë dhe 795 në klasën e dhjetë.

Krahasuar me një vit më parë, kur ishin të regjistruar 11 mijë e 350 nxënës dhe 853 në klasën e parë, shifrat tregojnë një rritje të lehtë të numrit ne klasen e pare, por një tendencë rënieje në klasat e tjera.

Në dispozicion për këtë vit janë 27 shkolla 9-vjeçare qendër, 15 vartëse, 8 gjimnaze dhe 5 shkolla të bashkuara, ku procesi mësimor do të zhvillohet normalisht. Autoritetet vendore bëjnë të ditur se është garantuar shpërndarja 100% e librave shkollorë, ndërsa nga klasa e parë deri në të tretën, tekstet ofrohen falas.

Ky vit sjell edhe një shtim të oficerëve të sigurisë në shkolla si dhe prani të shërbimit psiko–social.

Në Vlorë, eshte rikonstruktuar shkolla 9-vjeçare “Avni Rustemi”, që këtë të hënë hapi dyert me kushte më bashkëkohore.

Kryetari i bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha, i cili shoqëruar nga drejtoresha e ZVAP, Gentiola Shehu, dhe mësues e prindër, uroi nxënësit për një vit të mbarë.

Dredha ka konfirmuar se përveç “Lef Sallatës” ku vijojnë punimet, janë në projekt edhe tre shkolla të tjera për rikonstruksion. Per risite foli dhe drejtoresha e ZVAP, Gentiola Shehu, si dhe drejtuesja e shkollës “Avni Rustemi”.

Vlora nis vitin e ri shkollor mes investimeve të reja dhe sfidës së uljes së numrit të nxënësve, një tendencë që po vërehet vit pas viti në të gjithë vendin.

Ora 12:08
Shpopullimi zbras shkollën në Drizë të Mallakastrës, viti i ri shkollor nis me 3 nxënës dhe 2 në parashkollor

 

Bashkia e Mallakastrës e ka nisur këtë vit të ri shkollor me numrin më të ulët të regjistruar ndonjëherë në historinë e arsimit në këtë zonë.

Në shkollën 9-vjeçare të Drizarit këtë vit janë regjistruar vetëm tre nxënës në klasën e 4-t dhe dy fëmijë parashkollorë.

Stafi mësimor është katandisur vetëm me një mësuese dhe një edukatore. Banorët thonë se kjo ka ndodhur për shkak të shpopullimit ndërsa godina ka mbetur një gërmadhë e braktisur pa asnjë investim.

Ora 11:55
Nis viti shkollor në Lezhë, por nuk ka transparencë për numrin e nxënësve

 

Viti i ri shkollor 2025-2026 ka nisur këtë të hënë edhe në shkollat e Qarkut të Lezhës, por ndryshe nga çdo vit tjetër, institucionet arsimore kanë zgjedhur të qëndrojnë në heshtje.

Hasan Muca, Drejtori i Arsimit Parauniversitar në Lezhë dhe as Zyrat vendore  ne Kurbin e Mirdite nuk ka dhënë asnjë informacion lidhur me numrin e nxënësve që janë ulur sot në bankat e shkollës, numrin e institucioneve arsimore që kanë hapur dyert, apo problematikat që shoqërojnë këtë fillimviti shkollor.

Prej tre ditësh gazetarët kanë kërkuar zyrtarisht një përgjigje nga drejtuesit e arsimit në Lezhë, por interesimi i tyre është lënë pa përgjigje. Madje këtë të hënë, në ambientet e Drejtorisë nuk është gjetur asnjë punonjës, çka e bën edhe më te rende mungesën e transparencës.

Në një kohë kur shpopullimi dhe ulja e numrit të nxënësve është një realitet i prekshëm në shkollat e qarkut, heshtja e institucioneve të arsimit ngre pikëpyetje të mëdha mbi mënyrën se si po menaxhohet një prej sektorëve më jetikë për të ardhmen e fëmijëve.

Ora 11:38
Nisi vit i ri shkollor/ Në Korçë, 784 nxënës më pak ulen në bankat e shkollës

 

Në qarkun e Korçës, këtë të hënë kanë nisur mësimin 19,340 nxënës të arsimit fillor dhe te mesem.. Sipas të dhënave zyrtare të Drejtorisë së Arsimit, numri i nxënësve është 784 më pak se një vit më parë, rënie që lidhet kryesisht me lëvizjet demografike dhe uljen e lindshmërisë. Në klasën e parë këtë vit janë regjistruar 1450 nxënës, ndërsa në klasën e dhjetë 1540 nxënës kanë nisur gjimnazin.

Megjithatë, shifra e raportuar nga DRAP bie ndesh me atë të Sindikatës së Mësuesve në Korçë, e cila pak ditë më parë deklaroi se në nivel qarku ka mbi 3 mijë nxënës më pak. Zyrtarisht, drejtoria mohon mbylljen e shkollave, por burime të tjera bëjnë me dije se rreth gjashtë shkolla janë mbyllur në gjithë qarkun.

Vështirësitë janë të dukshme jo vetëm në shkollat e fshatrave, por edhe në qytetin e Korçës, ku shkollat “Naim Frashëri”, “Ismail Qemali” dhe “Asdreni” kanë rënë ndjeshëm në numër dhe pritet të shndërrohen në shkolla vartëse.

Përballë mbylljeve dhe tkurrjes së numrave, sot u inaugurua shkolla 9-vjeçare në fshatin Gështenjas të Bashkisë së Pogradecit, e cila u hap me ambiente të reja për nxënësit e zonës.

Ndërkohë, disa shkolla në qark po zhvillojnë mësimin me turne, pasi shkolla “Kajo Karafili” dhe ajo e Qatromit ndodhen në proces rikonstruksioni.

Ora 11:27
Viti i ri shkollor në Qarkun Berat nis me 470 nxënës më pak! Mësim me turne në dy shkolla

 

Në Berat kanë hapur dyert 58 shkolla, publike dhe private, por shifrat tregojnë një rënie të dukshme të numrit të nxënësve krahasuar me vitin e kaluar.

Sipas të dhënave zyrtare: Në shkollat publike, këtë vit do të ulen 4,980 nxënës, ndërsa vitin e kaluar ishin 5,450 nxënës, duke shënuar një rënie prej 470 nxënësish. Ne klase te pare jane rgjistuar 164 nxënës me pak se vitin e kaluar.

Edhe pse ka pasur këtë rënie, Zyra Arsimore Rajonale Berat nuk raporton mbyllje shkollash.

Mësimi me dy turne vijon për nxënësit e shkollave që janë në rindërtim, si “22 Tetori” dhe Shkolla e Mesme e Bashkuar Lapardha. Problematike mbetet mungesa e shkollës 9-vjeçare në fshatin Donofrosë, ku nxënësit do të zhvillojnë mësimin në një lokal të përkohshëm.

Në qytetin e Beratit, vogëlushët mbërritën në shkollë me buqeta lulesh, te cilet thane per mikrofonin tone se jane te emocionuar per kete rrugetim te bukur.

Ora 08:05
Nis viti i ri shkollor për 345 mijë nxënës, Manastirliu uron: Mbështesim talentet, investojmë në teknologji dhe arsim gjithëpërfshirës

1757311593_WhatsAppImage20250908at07.52.14.jpeg

Me rastin e nisjes së vitit të ri shkollor 2025-2026, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, ka përcjellë një videomesazh urimi për nxënësit, mësuesit dhe prindërit në të gjithë vendin, duke ndarë emocionet e kësaj dite të veçantë dhe duke prezantuar risitë që do të shoqërojnë këtë vit shkollor.

Mesazhi i plotë i Ministres Manastirliu:

“Të dashur nxënës, mësues dhe prindër!

Sot është një ditë e veçantë. Një ditë që përsëritet çdo vit, por që gjithmonë sjell emocione të reja. Është dita e parë e shkollës. Një ditë që na kujton se arsimi është fillimi i çdo rruge të bukur, i çdo ëndrre që duam të realizojmë.

Në këtë mëngjes shtatori, të gjithë së bashku ndajmë një simbolikë të fortë për fëmijët që për herë të parë hedhin hapin në klasën e parë. Për mbi 26,500 nxënës, kjo ditë është dritarja më e re që sot hapet drejt dijes. Çantat sot janë të mbushura jo vetëm me libra të rinj, por edhe me ëndrra, kuriozitet dhe gëzimin e një rrugëtimi të bukur që nis në bankat e shkollës.

Sot ju, të dashur prindër, dorëzoni më të shtrenjtët tuaj në duart e shkollës. Faleminderit për besimin dhe për bashkëpunimin. Së bashku, jemi partnerë në edukimin e brezit të ri, duke ndërtuar mbi dashurinë tuaj për fëmijët një bazë të fortë për të ardhmen e tyre.

Të dashur mësues,

Ju jeni themeli i çdo suksesi që vendi ynë arrin në fushën e arsimit. Me përkushtimin dhe profesionalizmin tuaj, ju nuk mësoni vetëm matematikën, gjuhën, shkencën apo artin. Ju mësoni vlera, mësoni shpresën, mësoni përgjegjësi, ndaj jemi krenarë për punën e secilit prej jush.

Ky vit i ri shkollor sjell të reja të rëndësishme. 30 shkolla të reja e të rehabilituara mirëpresin fëmijët të cilët rikthehen në klasat e tyre me standardet më të mira. Ne kemi vijuar punën, kemi bërë më të mirën që ta riorganizojmë dhe rikthimin në shkollë ta bëjmë sa më të kënaqshëm për ju.

Në shkolla tashmë kemi 340 laboratorë inteligjentë, ku nxënësit mund të eksperimentojnë, të krijojnë dhe të shfrytëzojnë teknologjinë moderne për të mësuar më mirë dhe po punojmë për ta çuar në 1000 numrin e laboratorëve inteligjentë në shkolla. Për herë të parë, kemi përfshirë nocionet bazë të inteligjencës artificiale në kurrikulën e TIK nga klasa e IV duke përgatitur nxënësit për një botë ku dijet dhe teknologjia ecin bashkë.

Po ashtu, nisim një program të ri për zhvillimin profesional të mësuesve, që do t’i ndihmojë ata për të zgjeruar aftësitë në platformat digjitale dhe për t’iu përgjigjur nevojave të brezit të ri. Mësues më të përgatitur do të thotë nxënës më të aftë dhe një shkollë më cilësore.

Por arsimi nuk është vetëm teknologji dhe reforma. Arsimi është mbi të gjitha njeriu. Për këtë arsye, ne përgatitemi të forcojmë mbështetjen psikosociale për nxënësit, duke i ndihmuar ata të jenë edhe më të sigurt, edhe më të përfshirë në një mjedis të qetë dhe miqësor në shkollë.

Në këtë vit, në shkolla do të kemi 340 oficerë sigurie, rreth 100 oficerë sigurie më shumë se vjet që do të punojnë sipas protokolleve dhe standardeve të përditësuara. Do të thotë një garanci më shumë për sigurinë në shkolla.

930 psikologë dhe punonjës socialë do të jenë pranë nxënësve për të adresuar çdo nevojë sociale apo emocionale të tyre.

Për nxënësit me aftësi të veçanta kemi rritur numrin e mësuesve ndihmës. 2260 mësues ndihmës do të mbështesin këta nxënës me aftësi speciale sipas planeve të personalizuara në mbështetjen e tyre në shkollë.

Shkollat tona po bëhen gjithnjë e më shumë hapësira ku nxënësit zhvillojnë talentet dhe janë më të angazhuar e të lidhur gjithnjë e më shumë me komunitetin.

300 shkolla ofrojnë programin “Art dhe Zeje”, teksa mbi 12 mijë nxënës do të jenë pjesë e programit të ekipeve sportive në shkolla, duke përfshirë në këtë program për herë të parë, veç basketbollit dhe volejbollit, edhe shahun.

Siç e dini, shkolla nuk është vetëm mësimi në klasa; këtë vit do të jetë shkolla një ekran, një skenë ku nxënësit tanë do të shfaqin talentet në konkurset që realizojmë për herë të parë këtë vit. Në Konkursin Kombëtar të Teatrit, i cili do të nxisë krijimtarinë, vetëbesimin, punën në grup dhe do u sjellë nxënësve një tjetër përvojë të vlefshme kulturore e edukative.

Për herë të parë do të zhvillojmë Festivalin e Shkencës për gjimnazet, për të nxitur tek nxënësit të eksperimentojnë me ide të reja dhe të përjetojnë shkencën si krijim dhe aventurë. Do të vijojmë me edicionin e 4-t të Konkursit Kombëtar të Gjuhës, organizimi i të cilit tashmë është kthyer në një traditë të bukur.

Të dashur nxënës,

Jam e bindur se ky vit për secilin prej jush do të jetë një eksperiencë e jashtëzakonshme që ju do ta përjetoni të rrethuar nga shoqe e shokë fantastikë, me mësues të gatshëm t’ju mbështesin në çdo hap tuajin dhe me prindërit, që jam e bindur që ju do t’i bëni kaq shumë krenarë për arritjet tuaja.

Në emër të gjithë sistemit arsimor, ju uroj të gjithëve një vit të mbarë, të mbushur me suksese, dije dhe gëzim.”

Ora 07:58
Kryeministri Rama uron nxënësit për ditën e parë të shkollës: Suksese dhe për 26,500 nxënës të klasave të para, që nisin sot rrugën e bukur të dijes

1757311427_postimiirames.jpg

Kryeministri Edi Rama ka uruar suksese për 345 mijë nxënës që ulen sot në bankat e shkollave, përfshirë 26 500 fëmijët që nisim rrugëtimin e dijes në klasë të parë.

Xh.D/K.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Viti i ri shkollor, sa i sigurt iu duket ambienti për fëmijën tuaj?