Politikë

Mbyllet votimi në qarkun e Vlorës, Giro d’Italia bllokoi 55 qendra votimi, lirohen rrugët! Zgjedhësit që janë në radhë mund të votojnë

11 Maj, 07:37| Përditesimi: 11 Maj, 21:13

  • Share

Edhe në qarkun e Vlorës është mbyllur votimi. 55 qendra votimi mbetën të bllokuara për shkak të garës së çiklizmit Giro d’Italia që po zhvillohej në qytetin bregdetar. Për shkak të garës, disa një pjesë e rrugëve ishin të bllokuara nga ora 10:00 deri në 18:00, duke krijuar vështirësi në lëvizje dhe 55 qendra votimi mbetën të bllokuara dhe më pas u hapën për qarkullim dhe zgjedhësit që do të ishin në radhë patën mundësi që të votojnë edhe pas orës 19:00.

Nisur nga kjo situatë, PS kishte kërkuar shtyrjen e orarit të votimit deri në 22:00 vetëm për qarkun e Vlorës, por PD ishte kundër. Komisioni Rregullator i KQZ u mblodh për të shqyrtuar kërkesën e PS, por dështoi pasi nuk u arrit kuorumi. Dy anëtarë të opozitës u larguan nga mbledhja, duke e bërë të pamundur shqyrtimin e kërkesës, pasi duhej një shumicë prej 4 votash. Nga anëtarët e PD u propozua që votuesit të presin në radhë tek qendrat e votimit, pasi në këtë mënyrë qendrat nuk mbyllen edhe pse orari i përcaktuar me ligj është deri në orën 19:00. 

Procesi i votimit në Vlorë

Për shkak të mungesë së sekretarit, votimi në paraburgimin e Vlorës nisi pas 3 orësh. Partia Socialdemokrate bëri një denoncim nga Qarku i Sarandës, ku pretendoi se kandidatët e saj për deputetë, Dhimitër Boli dhe Jorgo Kaca konstatuan shkelje ligjore të rënda në fshatin Dhivër. Bashkangjitur denoncimit, PSD publikoi një foto të një qytetari i cili mbante në dorë jashtë qendrës së votimit, një fletë të ngjashme me atë të votimit.

Gjithashtu, PSD pretendoi se kandidatët e saj bënë me dije se në qendrën e votimit në Dhivër u futën 7 persona si dhe Komisioneri i PD ndihmonte për të votuar kandidatin e PS.

“Gjithashtu kandidatët e PSD-së janë kërcënuar duke u detyruar të largohen nga vendi. Personi në foto, që shihet me fletën e votimit, quhet Dhimitër Llajo (aktivist në Partinë Socialiste), i cili duke shkelur ligjin instrukton votuesit për numrin që duhet të votojnë. Edhe në fshatin Halo janë parë shkelje ligjore. Por kandidati Dhimitër Boli ka lajmëruar po ashtu policinë që kishte shkuar në vendngjarje dhe të dyshuarit ishin larguar. I bëjmë thirrje SPAK-ut dhe autoriteteve përgjegjëse të marrin masa të menjëhershme”,- shkruan PSD.

Kryetari i Bashkisë Vlorë, Ermal Dredha votoi mëngjesin e sotëm në Qendrën e Votimit nr.4471. Dredha u bëri thirrje qytetarëve të dalin sa më herët në votime, pasi në Vlorë do të zhvillohet sot edhe eventi sportiv Giro d’Italia, dhe disa akse do të bllokohen për këtë arsye.

Ndërkohë Fredi Beleri votoi në shkollën 9-vjecare 'Pano Nikolla', Himarës. Pas votimit Beleri është shprehur se çdo gjë po shkon shumë qetë.

"I ftoj të gjithë qytetarët të shkojnë në votime. Votimi në gjithë botën është festë e demokracisë", u shpreh Beleri.

Në 2 qendra votimi në bashkinë Finiq: Kardhikaq dhe Gravë, nuk u tërhoqën materialet zgjedhore dhe si pasojë procesi i votimit nisi me vonesë. Në KZAZ 92 në Finiq, po shkoi oficeri i policisë gjyqësore për të marrë në dorëzim materialet dhe të referoje ngjarjen për ndjekje penale për komisionerët që nuk u paraqitën. Komisionerët në fshatrat Grave dhe Kardhikaq u ndryshuan. Materialet zgjedhore u tërhoqën dhe nisi procesi i votimit. 

Policia e Vlorës informon se një kandidat për deputet është vënë në hetim, pas denoncimit të një 19-vjeçari se e ka kanosur në rrjetet sociale. Burime bëjnë me dije se bëhet fjalë për një kandidat të partisë Mundësia, ndërkohë që ndaj tij rëndon vepra penale “Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”. Kallëzimi më 10 maj.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare referuan materialet në Prokurori dhe nisën procedimin penal për shtetasin P. A., 52 vjeç, banues në Vlorë, për veprën penale “Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”, pasi më datë 10.05.2025, në orën 11:50, ka bërë kallëzim shtetasi Sh. M., 19 vjeç, banues në Vlorë, kandidat i një subjekti politik në qytetin e Vlorës, se shtetasi P. A. e ka kanosur me fjalë në rrjetet e tij sociale”, njoftoi Policia e Vlorës.

Ndërkohë rreth orë 16:40 në burgun e Vlorës u mbyll procesi i votimit , ku nga 178 persona votuan 163. Nga këta 6 persona janë të huaj, 6 personave iu refuzua vota për shkak të veprës penale, 2 persona janë në spital dhe 1 person nuk pranoi të votojë.

Qarku i Vlorës, nxjerr 12 mandate, 4 kandidatë janë në listën e mbyllur dhe 12 në listën e hapur.


Lajmi kryesor:

Mbyllet votimi, procesi i qetë/ Deri në 19:00 votuan 42.16 % e zgjedhësve, pjesëmarrja më e ulët se në 2021


SI.E./S.B/ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria votoi për Kuvendin e ri, si ju duk procesi i votimit?