Numërimi te Parku Olimpik i Tiranës “Feti Borova” për votat e diasporës së Greqisë ka vijuar deri orët e vona të natës, teksa komisionet kanë marrë edhe pushim në mëngjes për shkak të lodhjes (18 maj) dhe ka rinisur rreth orës 09:30.
Ndryshimi më i fortë momental sipas tabelës zyrtare të KQZ-së është përmbysja pak pas mesnate që deputetja Olta Xhaçka i bëri koleges Blerina Gjylameti në garën brenda PS në Tiranë, për listën e hapur, për vendin e vetëm që luftohej në kuotën gjinore. Ish-ministrja gjatë numërimit të votave të diasporës së Greqisë për qarkun Tiranë, që ende vijon, arriti ta kalonte dhe po mban avantazh të lehtë. Por do pritet përfundimi i votave preferenciale për kandidatët, kalkulimi, përgatitja e tabulateve të rezultatit dhe konfirmimi zyrtar nga KQZ.
E njëjta gjë edhe për garën tjetër brenda PS, ku Ornaldo Rakipi arrin të mbajë diferencë nga Xhemal Qefalia në qarkun e Tiranës.
Sipas tabelave zyrtare të KQZ-së, janë numëruar dhe referuar 198 939 zarfe me vota të emigrantëve për zgjedhjet e 11 majit, teksa kanë mbetur fare pak në proces.
Deri tani partia Socialiste ka fituar 119 661 vota, ose 60,83% dhe Partia Demokratike 46 676 vota, ose 23,73%. Diferenca e votave mes dy partive të mëdha ka kaluar mbi 73 mijë vota në favor të PS-së.
Në rang vendi (duke llogaritur diasporë dhe qarqe) PS gjithashtu ka një diferencë shumë të thellë me mbi 323 mijë vota nga demokratët. Aktualisht socialistët kanë një total me mbi 853 mijë vota, kurse demokratët mbi 529 mijë vota.
Në diasporë, mbi 14 mijë vota ka marrë Nisma Shqipëria Bëhet, ose 7,55%, 5864 vota Mundësia, ose 3,09%, 2,25% Lëvizja Bashkë dhe 1,19% Partia Socialdemokrate. Të tjerat janë nën pragun e 1%-shit.
Deri tani PS ka siguruar 83 mandate, pasi arriti ta ruante mandatin e 12-të të Fierit pas numërimit të zarfeve të emigrantëve të Greqisë për këtë qark për partitë, teksa e tentonte Nisma Shqipëria Bashkë që t’ia hiqte.
PD ka mbetur në kuotën e 50 mandateve, pasi ruajti mandatin e katërt të Lezhës dje me deputetin Kastriot Piroli, PSD me 2 mandate, Mundësia po 2 mandate dhe nga 1 mandat Nisma Shqipëria Bëhet dhe Lëvizja Bashkë.
Ka përfunduar aktualisht numërimi i fletëve për subjektet zgjedhore në 9 qarqe. Teksa vijon numërimi për kandidatët në 6 qarqe për listën e hapur.
Aktualisht vijon numërimi edhe për votat preferenciale, ku gara më e fortë mbetet ajo e Tiranës brenda PS. Deputetja Olta Xhaçka, sipas KQZ-së ka arritur t'ia kalojë koleges së saj brenda partisë, Blerina Gjylameti, teksa u numëruan gati 43 mijë vota të diasporës së Greqisë. Gjylameti ndodhej vetëm 19 vota para Xhaçkës në numërimin e qarkut dhe të diasporës së shteteve të tjera, por tani gjendet pas koleges socialiste. Por duhet pritur përfundimi, që këto shifra të zyrtarizohen edhe nga KQZ, pasi herë pas herë janë shfaqur edhe pasaktësi në hedhjen e rezultateve në sistem.
Deputetja tjetër nga kuotat gjinore që hyri prej listës së hapur të PS ishte ministrja Anila Denaj.
Për një vend u luftua edhe mes deputetëve Ornaldo Rakipi dhe Xhemal Qefalia, me të parin që ka krijuar shkëputje me rreth 200 vota.
Në PD gara konsiderohet e mbyllur, pasi Jorida Tabaku ndodhet gati 3 mijë vota para Ilir Alimehmetit dhe vota e diasporës nuk pritet të ndryshojë gjë për mandatin e vetëm të listës së hapur në Tiranë.
Garë për preferencialet ka edhe në Lezhë vetëm brenda kandidatëve të PD-së dhe PS-së për t’i zënë vendin njëri-tjetrit në një mandat, vetëm brenda partisë dhe jo mes tyre. Te PD Kastriot Piroli duket shumë i shkëputur nga ndjekësi Aleksandër Lala te lista e hapur dhe në PS lufta më e fortë bëhet mes Admir Kadelit dhe Marjeta Nelit, me këtë të dytën që ndodhet qindra vota para kolegut të partisë.
Gara mes partive për të rrëmbyer mandat përfundoi dje (17 maj), ku PD e ruajti mandatin e katërt vetëm për disa dhjetëra vota. Në Kukës gara brenda PD-së për mandatin e listës së hapur përfundoi me përmbysje në favor të deputetit Isuf Çela, që tejkaloi Shkëlqim Shehun.
Kurse Besa Spaho në Korçë përpiqet ta ruajë mandatin nga socialistja tjetër Eslemvera Zake.
Procesi i numërimit të zarfave me votat e diasporës së Greqisë te Parku Olimpik i Tiranës po vijon dhe po shkon drejt fundit.
Gara është zhvendosur kryesisht te votat preferenciale për kandidatët në qarqe. Beteja zhvillohet kryesisht mes kandidatëve brenda vetë dy partive të mëdha, PS dhe PD, në qarqe.
Pas Vlorës, në orët e pasdites u mbyll numërimi edhe për qarqet Berat e Elbasan për subjektet politike. Teksa Korça dhe Gjirokastra ndodhen në kutitë e fundit.
Ka përfunduar aktualisht numërimi i fletëve për subjektet zgjedhore në 9 qarqe. Gjithashtu po vijon numërimi për kandidatët në 6 qarqe për listën e hapur, që po shkon drejt fundit.
VOTIMI NGA JASHTË:
-Ka përfunduar numërimi dhe vlerësimi i fletëve të votimit nga jashtë (Greqi) për subjektet zgjedhore në qarqet:
1. Kukës
2. Durrës
3. Tiranë
4. Shkodër
5. Dibër
6. Lezhë
7. Vlorë
8. Berat
9. Elbasan
-Vijon procesi i numërimit dhe vlerësimit të fletëve të votimit nga jashtë (Greqi) për subjektet zgjedhore në qarqet:
1. Korçë
2. Gjirokastër
-Ka filluar procesi i numërimit dhe vlerësimit të votave nga jashtë për kandidatët e votimit preferencial (në listë “të hapur”) në qarqet:
1. Durrës
2. Tiranë
3. Shkodër
4. Fier
5. Lezhë
6. Dibër
-Në qarkun Kukës ka përfunduar procesi i numërimit dhe vlerësimit të votave nga jashtë për kandidatët e votimit preferencial (në listë “të hapur”).
Komente
