ROMË- Papa Françesku ka ndërruar jetë në moshën 88-vjeçare. Vatikani konfirmoi nëpërmjet kardinalit Kevin Farrell lajmin e hidhur për besimtarët katolikë në të gjithë botën.
“Të dashur vëllezër dhe motra, me dhimbje të thellë duhet të njoftoj vdekjen e Atit tonë të Shenjtë Papa Françesku. Në orën 7:35 të mëngjesit të sotëm, Peshkopi i Romës, Françesku, është kthyer në shtëpinë e Atit. E gjithë jeta e tij iu kushtua shërbimit të Zotit dhe Kishës së Tij. Ai na mësoi të jetojmë vlerat e Ungjillit me besnikëri, guxim dhe dashuri universale, në mënyrë të veçantë në shërbim të më të varfërve dhe të përjashtuarve. Me një mirënjohje të pamasë për shembullin e tij si një dishepull i vërtetë i Zotit Jezus, ia besojmë shpirtin e Papës Françesku dashurisë së pafund dhe mëshirës së Zotit të vetmit dhe të Trinisë së Shenjtë", njoftoi Kardinali Farrell.
Lajmi erdhi një ditë pasi Ati i Shenjtë u shfaq në ballkon në një karrige lëvizëse për t’iu drejtuar besimtarëve në sheshin Shën Pjetër, ku mesazhi i tij shkoi për përfundimin e luftërave dhe padrejtësive.
Papa ishte 88 vjeç. Dukshëm shëndeti i tij ishte përkeqësuar pas betejës me pneumoninë e rëndë që e mbajti mbi 1 muaj në spital. Kjo u pa edhe në daljen e tij të fundit përpara besimtarëve, ku edhe pse fizikisht u bë pjesë e ceremonisë për Pashkën ai kishte të pamundur të fliste gjatë.
Papa Françesku u nda nga jeta pas disa muajve të vështira për shëndetin e tij. Prej muajsh ai vuajti nga problemet e shëndetit, që nga ato të gjunjëve e deri tek pneumonia që e mbajti në spital për mbi 1 muaj 88-vjeçarin.
Konfirmimi për vdekjen e Papa Françeskut solli reagime të menjëhershme. Kryeministrja Italiane Meloni tha se lajmi sjell trishtimi të madh, sepse një njeri i madh dhe një pastor i madh na largohet.
Presidentja e Komisionit Evropian Ursula Von Der Leyen tha se Françesku frymëzoi miliona njerëz, shumë përtej Kishës Katolike, me përulësinë dhe dashurinë e tij të pastër. Mesazh ngushëllimi u përcoll edhe nga Presidenti i Rusisë Vladimir Putin, i cili e quajti Papa Françeskun një njeri të jashtëzakonshëm.
Foto: Papa Françesku
Një funeral papal ka qenë tradicionalisht një procedurë standarte, por Papa Françesku miratoi së fundmi planet për ta bërë të gjithë procedurën më pak komplekse.
Papët e mëparshëm u varrosën në tre arkivole të bëra nga selvi, plumbi dhe lisi. Papa Françesku ka zgjedhur një arkivol të thjeshtë prej druri të veshur me zink.
Ai ka hequr gjithashtu traditën e vendosjes së trupit të Papës në një platformë të ngritur - të njohur si katafalkë - në Bazilikën e Shën Pjetrit për shikim publik. Në vend të kësaj, vajtuesit do të ftohen të bëjnë nderimet e tyre ndërsa trupi i tij mbetet brenda arkivolit, me kapak të hequr.
Françesku do të jetë gjithashtu Papa i parë në më shumë se një shekull që do të varroset jashtë Vatikanit. Ai do të prehet në Bazilikën e Shën Marisë Major, një nga katër bazilikat kryesore papale në Romë.
Presidenti rus ka shprehur ngushëllimet e tij për vdekjen e Papa Françeskut, duke e cilësuar hirësin e tij si "një person të jashtëzakonshëm".
Në një mesazh drejtuar kardinalit Farrell, presidenti Vladimir Putin thekson se Papa Françesku "gëzonte një autoritet të madh ndërkombëtar si shërbëtor besnik i mësimeve të krishterimit, një udhëheqës i urtë fetar dhe një burrë shteti, si dhe një mbrojtës i palëkundur i vlerave të larta të humanizmit dhe drejtësisë", raporton ANSA.
"Gjatë papatit të tij -shton Putin -Papa Françesku kontribuoi në mënyrë aktive në zhvillimin e dialogut midis Kishës Ortodokse Ruse dhe asaj Katolike Romake, si edhe në bashkëpunimin konstruktiv mes Rusisë dhe Selisë së Shenjtë".
Presidenti rus Vladimir Putin dhe Papa Françesku "kishin një respekt të madh për njëri-tjetrin". Kështu është shprehur zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
Dalja e fundit e Papa Françeskut para se të ndërronte jetë, ishte pikërisht dje, në festën e Pashkëve.
Ati i Shenjtë pas mesazhit të tij nga nga ballkoni i madh i Shën Pjetrit, bëri një shëtitje makinë ku edhe bekoi disa fëmijë-bekimet e tij të fundit.
Foto: Papa Françesku
Liderët botërorë reagojnë për ndarjen nga jeta të Papa Françeskut në moshën 88-vjeçare. Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni shprehet se Ati i Shenjtë u kthye në shtëpinë e Atit.
"Papa Françesku u kthye në shtëpinë e Atit. Ky është një lajm që na trishton shumë, sepse një njeri dhe një pastor i madh na largohet. Kam pasur privilegjin të kem miqësinë e tij, këshillat dhe mësimet e tij, të cilat nuk dështuan asnjëherë edhe në momente sprovash dhe vuajtjesh.
Në meditimet e Via Crucis, ai na kujtoi fuqinë e dhuratës, e cila e bën gjithçka të lulëzojë përsëri dhe është e aftë të pajtojë atë që në sytë e njeriut është e papajtueshme. Dhe i kërkoi botës, edhe një herë, guximin për të ndryshuar kursin, për të ndjekur një rrugë që “nuk shkatërron, por kultivon, riparon, mbron”.
Ne do të ecim në këtë drejtim, për të kërkuar rrugën e paqes, për të ndjekur të mirën e përbashkët dhe për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë dhe më të barabartë. Mësimi i tij dhe trashëgimia e tij nuk do të humbasin. I japim lamtumirë Atit të Shenjtë me zemrën plot trishtim, por e dimë se ai tani është te Zotit”, shprehet Meloni.
Presidenti francez Macron tha: "Papa Françesku donte që Kisha të sillte gëzim dhe shpresë për më të varfërit"
Tajani: Ishte një mik i Italisë
"Papa Françesku është kthyer në shtëpinë e Atit. Kujdesi për krijimin, mëshirën, vëllazërinë: ishte një pontifik i madh. Një mik i Italisë. Le të lutemi për të dhe për të ardhmen e gjithë Kishës Katolike. Ati i Shenjtë, na ruajtë nga atje lart", shkruan zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm Italian Antonio Tajani në X.
Reagon ministri i Jashtëm spanjoll
"Ngushëllimet e mia më të thella për katolikët e Spanjës dhe të gjithë botës për vdekjen e Shenjtërisë së Tij Papa Françeskut": kjo është ajo që shprehu Ministri i Jashtëm spanjoll, José Manuel Albares , në emër të qeverisë spanjolle në një postim në rrjetet sociale X. Albares kujton se Françesku ishte "njeri i paqes dhe i dialogut midis kulturave dhe feve". Dhe përfundon: “Pusho në paqe”.
Ngushëllime edhe nga Teherani
Irani ka shprehur “ngushëllimet” e tij për vdekjen e Papa Françeskut, përmes zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme.
Kallas: Ngushëllime të gjithë katolikëve në botë
"Me pikëllim të madh mësova për ndarjen nga jeta të Shenjtërisë së Tij Papa Françeskut. Kur u takuam kohët e fundit në Romë, falënderova Papa Françeskun për udhëheqjen e tij të fortë në mbrojtjen e më të cenuarve dhe mbrojtjen e dinjitetit njerëzor. I shpreh ngushëllimet e mia të gjithë katolikëve në mbarë botën”, shkroi Kaja Kallas, shefja e diplomacisë së BE.
Tel Aviv: Një njeri me besim të thellë dhe dhembshuri të pafund
Ngushëllime vijnë edhe nga Tel Avivi. Presidenti izraelit Herzog vlerësoi "një njeri me besim të thellë dhe dhembshuri të pafund" në mesazhin e tij për vdekjen e Papa Françeskut.
Zëvendëspresidenti amerikan: “I lumtur që e takova dje”
Sapo mësova për vdekjen e Papa Françeskut. “Zemra ime është me miliona të krishterë në mbarë botën që e donin atë”, shkroi Zëvendëspresidenti i SHBA Vance në X, i cili e takoi dje Papën. "Isha i lumtur që e pashë dje, edhe pse ai ishte padyshim shumë i sëmurë. Por do ta kujtoj gjithmonë për predikimin që bëri në ditët e para të Covid-it. Ishte vërtet e bukur."
Reagon Von der Leyen
"Sot bota mban zi për vdekjen e Papa Françeskut. Ai frymëzoi miliona, shumë përtej Kishës Katolike, me përulësinë dhe dashurinë e tij të pastër për ata që kanë më pak fat," shkruan presidentja e Komisionit të BE-së Ursula Von der Leyen në X. "Mendimet e mia janë me të gjithë ata që e ndjejnë këtë humbje të thellë. Le të gjejnë ngushëllim në njohurinë se Papa Françesku do të vazhdojë të na udhëheqë drejt të gjithëve në botë".
Shtëpia e Bardhë: U prehsh në paqe Papa Françesku
“U prehsh në paqe Papa Françesku”. Kështu në shkruan në X Shtëpia e Bardhë, ndërsa postoi gjithashtu dy foto të Papës: një me Presidentin e SHBA Donald Trump dhe një me Zëvendës Presidentin e SHBA JD Vance.
Papa Françesku ndërroi jetë në moshën 88-vjeçare, një ditë pas festës së Pashkëve.
Mesazhi dhe dalja e fundit ishte pikërisht dje, ku përsëriti edhe njëherë që të ndalen armatimet dhe përçmimet ndaj emigrantëve.
"Zoti na ka krijuar për jetën dhe dëshiron që njerëzimi të ringjallet! Në sytë e Tij çdo jetë është e çmuar! Qoftë ajo e një fëmije në barkun e nënës, apo ajo e një të moshuari apo të sëmuri, që në një numër gjithnjë e më të madh vendesh shihen si njerëz të padobishëm. Sa shumë vullnet për vdekje shohim çdo ditë në konfliktet e shumta që përfshijnë pjesë të ndryshme të botës! Sa shumë dhunë shohim shpesh edhe në familje, ndaj grave apo fëmijëve! Sa përçmim ka ndonjëherë ndaj më të dobëtëve, të përjashtuarve, emigrantëve!
Bëj thirrje palëve ndërluftuese: ndaloni zjarrin, lironi pengjet dhe ndihmoni popullin, që ka uri dhe që aspiron për një të ardhme paqeje! Të lutemi - vijon ai - për komunitetet e krishtera në Liban dhe Siri, të cilat, ndërsa kjo e fundit po përjeton një moment të ndjeshëm të historisë së saj, shpresojnë në stabilitet dhe pjesëmarrje në fatin e kombeve të tyre.
Nxis gjithë Kishën që të shoqërojë me vëmendje dhe lutje të krishterët në të dashurin Lindje të Mesme. Një mendim të veçantë i kushtoj edhe popullit të Jemenit, i cili po përjeton një nga krizat më të gjata humanitare në botë për shkak të luftës, dhe i ftoj të gjithë të gjejnë zgjidhje përmes dialogut konstruktiv. Krishti i Ringjallur – shkruan Bergoglio – i dhëntë dhuratën e paqes popullit të martirizuar të Ukrainës dhe i inkurajojë të gjithë aktorët e përfshirë të vazhdojnë përpjekjet për të arritur një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”, ishin disa nga fjalët e tij.
Komente
