Pas 6 ditësh përballje me flakët, zjarret në masivin pyjor të Drenovës, si dhe në kodrat e Gorishovës dhe Belishovës, janë neutralizuar plotësisht. Operacioni për shuarjen e zjarreve vijoi nga ora 05:30 deri në 19:00, me angazhimin e 30 efektivëve të ushtrisë, forcave zjarrfikëse të Mallakastrës dhe Fierit, si edhe të Forcave të Armatosura dhe Regjimentit të Këmbësorisë së Jugut.
Ndërhyrja është bërë në një terren të vështirë, ndërsa situata do të vazhdojë të monitorohet gjatë natës për shkak të rrezikut nga era që mund të riaktivizojë vatrat. Pas përfundimit me sukses të operacionit, drejtori i emergjencës civile pranë Bashkisë Mallakastër, Hajri Malaj, ka zhvilluar një takim falënderues me të gjitha forcat që morën pjesë në këtë aksion intensiv.
Përpara dhjetëra efektivëve të shërbimit zjarrfikës, policisë bashkiake, forcave të ushtrisë dhe punonjësve të tjerë të përfshirë në operacion, Malaj shprehu mirënjohjen për përkushtimin dhe punën e palodhur të treguar gjatë ditëve me përballje të vështira me flakët.
“Ju falënderoj për përkushtimin, bashkëpunimin dhe gatishmërinë që treguat për të mbrojtur jetën, pronën dhe natyrën. Pa përpjekjen tuaj të jashtëzakonshme, ky operacion nuk do të ishte i mundur,” u shpreh Malaj.
Operacioni për shuarjen e zjarreve në këto zona ka qenë një ndër më të vështirët e këtij sezoni, për shkak të terrenit të thyer, por falë ndërhyrjes së koordinuar dhe vendosmërisë së forcave në terren, flakët janë neutralizuar pa rrezikuar banesa, puse nafte, apo jetë njerëzish.
Lajmi kryesor:
Vijon zjarri në Dukat, rrezikon Parkun e Llogarasë! Kërkohet ndërhyrje nga ajri, flakët prekin edhe masivin pyjor në Shkopet (VIDEO)
Xh.D/ReportTv.al
