Kronikë

Vijon zjarri në Dukat, rrezikon Parkun e Llogarasë! Kërkohet ndërhyrje nga ajri, flakët prekin edhe masivin pyjor në Shkopet (VIDEO)

19 Korrik, 07:52| Përditesimi: 19 Korrik, 23:55

  • Share

Prej mëngjesit, forcat zjarrfikëse po ‘luftojnë’ për të shuar zjarrin që ka shpërthyer në malin e Dukatit. Në orët e pasdites, flakët kanë marrë përmasa më të mëdha, ndërsa për shkak të erës së fortë po përhapen drejt majës së malit. Rrezikohet edhe Parku Kombëtar i Llogarasë nëse era do të vijojë të fryjë nga verilindja.

Me qindra pisha, bredha apo pemë të tjera janë shkrumbuar nga zjarri. 20 forca të zjarrfikësve ndodhen në mal, ndërkohë që kërkohet ndërhyrja nga ajri për shuarjen e flakëve. Prezentë janë edhe inspektorë të pyjores, ndërsa në ndihmë iu kanë ardhur edhe efektivë të Forcave të Armatosura.

Për shkak të terrenit të vështirë, është e pamundur ndërhyrja me mjete zjarrfikëse, ndërkohë që po punohet me lopata dhe degë peme për të izoluar flakët. Banorëve të zonës iu është kërkuar që të largojnë bagëtitë nga zona, për shkak se mund të digjen.

Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë edhe një masiv pyjor dhe me kullota pranë rrugës nacionale Skuraj–Burrel, në afërsi të zonës së Shkopetit. Flakët janë përhapur me shpejtësi për shkak të erës së fortë. Drejtori i Përgjithshëm i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit po ndjek nga afër situatën në terren, ndërsa për shuarjen e zjarrit janë angazhuar forcat zjarrfikëse nga Kurbin, Lezhë, Burrel dhe Kamëz.

Aktive mbetet gjithashtu edhe vatra te “Liqeni i Luleve”, pjesë e Parkut Kombëtar të Lurës si dhe në zonën e “Malit të Peladhisë”, në Dibër. Ndërkohë, vatrat e zjarrit në masivin pyjor të Drenovës, kodrat e Gorishovës dhe ato të Belishovës, u neutralizuan plotësisht pas 6 ditësh.

Ora 22:06
Zjarri përfshin një masiv pyjor në zonën e Shkopetit, angazhohen zjarrfikës nga disa bashki (VIDEO)

Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë një masiv pyjor dhe me kullota pranë rrugës nacionale Skuraj–Burrel, në afërsi të zonës së Shkopetit. Flakët janë përhapur me shpejtësi për shkak të erës së fortë, duke përfshirë një sipërfaqe të gjerë me vegjetacion.

Drejtori i Përgjithshëm i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit po ndjek nga afër situatën në terren, ndërsa për shuarjen e zjarrit janë angazhuar forcat zjarrfikëse nga Kurbin, Lezhë, Burrel dhe Kamëz.

Ekipet po punojnë intensivisht për izolimin e vatrës dhe parandalimin e përhapjes së mëtejshme të flakëve, ndërsa deri më tani nuk raportohet për rrezik ndaj banesave apo jetës së qytetarëve.

Ora 20:05
Pas 6 ditësh, neutralizohen vatrat e zjarrit në masivin pyjor të Drenovës, Gorishovës e Belishovës (VIDEO)

Pas 6 ditësh përballje me flakët, zjarret në masivin pyjor të Drenovës, si dhe në kodrat e Gorishovës dhe Belishovës, janë neutralizuar plotësisht. Operacioni për shuarjen e zjarreve vijoi nga ora 05:30 deri në 19:00, me angazhimin e 30 efektivëve të ushtrisë, forcave zjarrfikëse të Mallakastrës dhe Fierit, si edhe të Forcave të Armatosura dhe Regjimentit të Këmbësorisë së Jugut.

Ndërhyrja është bërë në një terren të vështirë, ndërsa situata do të vazhdojë të monitorohet gjatë natës për shkak të rrezikut nga era që mund të riaktivizojë vatrat. Pas përfundimit me sukses të operacionit, drejtori i emergjencës civile pranë Bashkisë Mallakastër, Hajri Malaj, ka zhvilluar një takim falënderues me të gjitha forcat që morën pjesë në këtë aksion intensiv.

Përpara dhjetëra efektivëve të shërbimit zjarrfikës, policisë bashkiake, forcave të ushtrisë dhe punonjësve të tjerë të përfshirë në operacion, Malaj shprehu mirënjohjen për përkushtimin dhe punën e palodhur të treguar gjatë ditëve me përballje të vështira me flakët. 

“Ju falënderoj për përkushtimin, bashkëpunimin dhe gatishmërinë që treguat për të mbrojtur jetën, pronën dhe natyrën. Pa përpjekjen tuaj të jashtëzakonshme, ky operacion nuk do të ishte i mundur,” u shpreh Malaj.

Operacioni për shuarjen e zjarreve në këto zona ka qenë një ndër më të vështirët e këtij sezoni, për shkak të terrenit të thyer, por falë ndërhyrjes së koordinuar dhe vendosmërisë së forcave në terren, flakët janë neutralizuar pa rrezikuar banesa, puse nafte, apo jetë njerëzish.

Ora 19:04
Zjarret në vend, ministria e Mbrojtjes: Janë raportuar 22 vatra, 11 janë ende aktive

1752911365_zjarretnevend.jpg

Ministria e Mbrojtjes bën me dije se deri në orën 18:00, janë raportuar 22 vatra zjarri në të gjithë vendin, nga të cilat 11 mbeten ende aktive.

Në qarkun Dibër, vatrat më të mëdha ndodhen në Parkun Kombëtar Lurë dhe nga krahu i Gurë Lurës, ku po punohet nga forcat vendore dhe ato të Forcave të Armatosura. Në Bulqizë, zjarri është riaktivizuar në zonën Shupenzë. Në Mat, në një terren të thepisur në Zall Gjoçaj, vijon ndërhyrja me forca tokësore dhe një helikopter.

Në Fier, një vatër me përmasa të mëdha është aktive në Belishovë, Mallakastër, ku janë përfshirë shumë njësi zjarrfikëse dhe forca ushtarake. Në Vlorë, në zonën e Dukatit, flakët kanë përfshirë edhe kurorën e pyllit me pisha.

Në Elbasan, dy vatra janë ende aktive, në fshatin Shmil dhe në kodrën e Krastës. Në qarkun Lezhë, zjarri po përhapet në fshatin Tenë të Mirditës. Zjarre të tjera janë regjistruar në fshatin Zallë të Krujës dhe pranë Parkut të Kamionëve në Shijak.

Terreni i vështirë dhe era e fortë kanë bërë që përpjekjet për shuarjen e zjarreve të jenë sfiduese në disa zona. Operacionet vijojnë me angazhim të madh nga zjarrfikësit, ushtria dhe shërbimet pyjore.

Ora 16:23
Vijon zjarri në malin e Dukatit, terreni i vështirë vështirëson ndërhyrjen me mjete zjarrfikëse! Po punohet me lopata dhe degë peme (VIDEO)

Vijon lufta me flakët e zjarrit në malin e Dukatit. Forcat e zjarrfikësve të Vlorës ndodhen prej orëve të para të ditës në malin e Dukatit, ku terreni i vështirë por dhe malor e bën të pa mundur ndërhyrjen e mjetit, dhe zjarrfikësit janë duke punuar me lopata apo dhe me degë peme për të izoluar flakët dhe shuar ato.

Me qindra pisha, bredha apo dhe pemë të tjera janë shkrumbuar nga zjarri, i cili i ndihmuar dhe nga era po përparon duke u ngjitur në pjesën e majës së malit të fshatit Dukat. Edhe pse parku kombëtar i Llogorasë është larg, por era, nëse do të vijojë të fryjë nga veri lindja rrezikon Llogoranë.

20 forca të zjarrfikësve ndodhen në mal, ndërkohë që kërkohet ndërhyrja nga ajri për shuarjen e flakëve.

Ora 11:13
Vlorë/ Riaktivizohet vatra e zjarrit në malin e Dukatit, era favorizon përhapjen e flakëve! Rrezikohet Parku Kombëtar i Llogarasë (VIDEO)

 

Në malin e ‘Shën Gjergjit’ në fshatin Dukat të Vlorës mëngjesin e sotëm është riaktivizuar vatra e zjarrit. Era e fortë ka favorizuar përhapjen e flakëve.

Aktualisht në terren po punojnë 10 forca zjarrfikëse dhe 3 punonjës të shërbimit pyjor. Për shkak të terrenit të thyer dhe bimësisë së dendur, forcat në terren e kanë të vështirë ta vendosin situatën nën kontroll.

Në këto kushte, Bashkia Vlorë ka kërkuar ndërhyrje nga ajri me helikopter dhe angazhimin e 30 forcave të armatosura, me qëllim përballimin e flakëve dhe vendosjen e situatës në normalitet, pasi zjarri po rrezikon  Parkun Kombëtar të Llogarasë.

 

Ora 09:47
Zjarret në vend/ Mbrojtja: Gjatë 24 orëve janë raportuar 20 vatra, 4 ende aktive! 52 hektarë me shkurre dhe bimësi të djegur

Ministria e Mbrojtjes ka bërë me dije se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 20 vatra zjarri në të gjithë vendin, nga të cilat 4 janë ende aktive.

Vatrat e zjarrit janë evidentuar në bashkitë: Dibër, Bulqizë, Mallakastër, Patos, Fier, Rroskovec, Himarë, Tiranë, Rrogozhinë, Mirditë, Pogradec,  Delvinë,  Memaliaj dhe Malësi e Madhe.

"Vatrat aktive:

Qarku Dibër - Në zonën e quajtur “Liqeni i Luleve”, pjesë e Parkut Kombëtar të Lurës, i cili po zhvillohet në dy vatra. Një vatër po zhvillohet në drejtim të Lurës, rreth liqenit të Zi dhe po punohet nga forcat operacionale, por terreni i keq dhe intensiteti i madh që ka zjarri vështirëson puën për vendosjen e saj nën kontroll. Ndërsa vatra tjetër po zhvillohet në pjesën e sipërme të vatrës nga krahu i Malit të Dejës, por po mbahet nën monitorim për shkak të sipërfaqes së madhe që kapërshkuar. Në operacion për shuarjen e zjarrit janë angazhuar 23 forca operacionale dhe 30 forca nga FA, të cilët po punojnë për shuarjen e tij.

Qarku Dibër - Bashkia Bulqizë - Në zonën e “Malit të Peladhisë”, njësia administrative Zerqan. Vetëm një vatër është aktive, e zhvendosur në lartësinë mbi fshatin Krajkë, e cila po zhvillohet në terren të vështirë, në sipërfaqe me shkurre e dushqe. Vatra e zjarrit po mbahet nën kontroll nga forcat në terren. Si pasojë është përshkuar rreth 33 ha sipërfaqe me dushqe, shkurre dhe barishte.

Qarku Fier, në fshatin Drenovë, njësia administrative Qendër Dukas, bashkia Mallakastër, vijon aktive vatra e zjarrit të rënë në një sipërfaqe me shkurre, ferra dhe pyll pishe nën kurorë, midis kufirit ndarës të fshatit Drenovë, Belishovë, dhe fshatit Gorishovë, i cili u riaktivizua më datë 14 korrik. Vatra e zjarrit ka marrë zgjerim të perimetrit, për shkak të erës. Po punohet nga forcat operacionale për shuarjen e tij.

Qarku Vlorë - Në fshatin Borsh, njësia administrative Lukovë, bashkia Himarë. Në mbrëmje vatra e zjarrit është riaktivizuar dhe u ndërhy nga efektivët e MZSH Himarë me pompa shpine, duke izoluar atë. Gjatë natës efektivët kanë qëndruar në vendngjarje për të monitoruar situatën, por mëngjesin e sotëm vatra e zjarrit është riaktivizuar përsëri, në një sipërfaqe me shkurre pranë banesave, e cila vështirëson ndërhyrjen me trupa, pasi është terren i vështirë. Ditën e sotme po punojnë për shuarjen e tij 4 efektivë të MZSH Himarë dhe 1 helikopter i FA-së.  Si pasojë u dogj rreth 10 ha sipërfaqe me shkurre", informoi sot Mbrojtja.

Si pasojë e zjarreve janë djegur rreth 52 hektarë me shkurre dhe bimësi, si dhe rreth 90 rrënjë ullinj.

Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan 32 automjete zjarrfikëse dhe 275 forca operacionale. Gjithashtu në operacionet e ditës së djeshme mori pjesë 3 automjete zjarrfikëse dhe 50 forca nga FA. Ditën e sotme nga FA, në operacion për shuarje zjarri janë angazhuar 30 forca ushtarake dhe 2 automjete zjarrfikëse me ekuipazh dhe 1 helikopter.

"Sa i përket rrezikut për zjarre në pyje, sot pritet nivel rreziku “I LARTË” në qarqet Lezhë, Tiranë, Fier dhe Berat, ndërsa në të gjitha qarqet e tjera pritet nivel rreziku “I MODERUAR”.

Strukturat e Mbrojtjes Civile vijojnë të jenë në gatishmëri të plotë në të gjithë territorin për të ndërhyrë në kohë dhe për të parandaluar përhapjen e zjarreve.

U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr dhe të njoftojnë menjëherë shërbimet emergjente në rast se konstatojnë një vatër zjarri", përfundon njoftimi.

SI.E./Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Akademi për trajnimin e administratës lokale, si e vlerësoni?