TIRANË- Katër kandidatët demokratë që kërkuan rinumërim të votave preferenciale për Sali Berishën ndoqën rrugën e gabuar. Ky ishte qëndrimi i kreu të PD një ditë pasi anëtarët e PD dhe PS në komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve bashkuan votat për të rrëzuar kërkesat e Ilir Alimehmetit, Lisandër Hoxhës, Mimoza Hajdarmatajt, kandidatë në Tiranë dhe Ilirjana Kuçanës, kandidate e Durrësit për ri-numërim të kutive të votimit.
Berisha mbron anëtarët e PD në KAS, duke thënë se vepruan konform ligjit. Pyetjes së gazetares së Report Tv, Danjela Maloku, Berisha iu përgjigj duke thënë se anëtarët nuk mund të votonin një akt që është hequr me ligj, duke shtuar se një ndryshim i Kodit Zgjedhor në vitin 2019, i ka hequr të drejtën kandidatëve që të paraqesin ankesa dhe këtë mund ta bëjë vetëm subjekti politik.
“Në vitin 2019, një ndryshim i kodit zgjedhor, por e vërteta i mbështetur nga Komisioni i Venecias dhe ODIHR-i, ka hequr të drejtën e kandidatëve që të paraqesin ankesa të kësaj natyre. Nuk ekziston ajo e drejtë nga viti 2019 e këndej për kandidatin. Komisioni i Venecias, ODIHR dhe kodi ynë, këtë të drejtë ua njohin subjekteve politike.
Subjektet politike investohen edhe për kandidatin. Këta kandidatë të nderuar kanë ndjekur një rrugë të këshilluar, nuk mund të them pasi përfaqësuesit tanë ua kanë bërë të qartë edhe interpretimin e thirrjes time, që duhet t’i bëjnë nëpërmjet partisë, por brenda platformës së miratuar nga partia. Në ç’kuptim? Në qoftë se partia ka kërkuar paligjshmërinë e zgjedhjeve, e para kërkesë që shqyrtohet është paligjshmëria. Pas kësaj, partia merr dhe paraqet një nga një kërkesat e kandidatëve.
Disa kandidatë që kanë kërkuar rinumërim i kanë depozituar pranë përfaqësuesve të partisë në KQZ dhe presin momentin e vlerësimit që partia ka për X qark dhe pastaj do paraqiten ankesat e tyre. Edhe për kandidatët e Tiranës, ata u informuan dje përsëri se rruga që kanë ndjekur është një rrugë që nuk ka mbështetje ligjore. Përfaqësuesit tanë në KAS kanë zbatuar ligjin. Ata nuk mund të votonin për një akt që është hequr me ligji”, tha Berisha.
Berisha thotë se PD ishte e gatshme t’i mbështetëse ligjërisht, duke theksuar se ankesat e tyre mund t’i depozitojnë pranë përfaqësuesve të opozitës në KQZ.
“Këta të katërt kanë të drejtë të depozitojnë ankesën tanë pranë përfaqësuesve tanë në KQZ dhe ata do e paraqesin siç dëshirojnë kërkesën pranë KQZ-së. Pra, ka qenë vetëm një keqkuptim nga ana e tyre. Në qoftë se nga unë është thënë dy herë se çdo kandidat që mendon se i duhet transparenca, do mbështetet nga partia, duhet të respektojë këtë platformë që ka përcaktuar partia në përputhje me ligjin elektoral”, tha Berisha.
Deklaratën e Metës se në zgjedhjet vendore, PL do të dal me logo me vete, ai tha se çdo parti ka të drejtë që të bëjë zgjedhjen e vet.
'Ilir meta është një i burgosur poltikë, pastaj për zgjedhjet të tjera çdo forcë politike bënë zgjedhjen e vet, kjo aleancë që ne bëmë ishte për 11 majin', tha ai.
Në mbledhjen me dyer të mbyllura, 4 anëtarët e KAS Ledio Braho, Elvis Cefe, të PD-së Koli Bele dhe Elvin Lako të PS bashkuan votat për të mos pranuar shqyrtimin e kërkesave të mbërritura nga kandidatët për rinumërim të kutive të votimit, duke i qëndruar argumentit se një kërkesë e tillë duhet të vijë vetëm nga subjekti politik.
Pro legjitimimit të kandidatëve doli vetëm Ilir Rusmajli.
Të kontaktuar nga Report Tv kandidatët thanë se kjo artificë ligjore përdoret si justifikim për të mos lejuar vërtetimin e trafikimit të votave drejt kandidatëve të tjerë duke paralajmëruar ndjekjen edhe në rrugë të tjera ligjore të çështjes, pasi me hedhjen në garën për votë preferenciale, kandidatët duhet të lejohen të kërkojnë ri-numërim të votave të tyre.
Vetë PD, vetëm në rastin e Qarkut të Durrësit dhe Tiranës, kur ka kërkuar pavlefshmëri dhe përsëritje të zgjedhjeve, në ankimimin zyrtar në KAS, ka shtuar kërkesën e rinumërimit, kur sipas tyre vërtetohet se ka prova të mjaftueshme se vota është tjetërsuar.
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha është pyetur ditën e sotme nga gazetarët nëse ka një krisje mes tij dhe kreut të PL-së Ilir Meta, pasi ky i fundit ka paralajmëruar se në zgjedhjet lokale do dalë me siglën e tij.
Në përgjigje gjatë konferencës për shtyp, Berisha tha se ‘për zgjedhjet e tjera, çdo forcë politike bën zgjedhjet e vet’.
“Ilir Meta është një i burgosur politik. ASHM ishte një aleancë për zgjedhjet e 11 majit. Ilir Meta është një i burgosur politik. Për Partinë Demokratike dhe Aleancën për Shqipërinë Madhështore ai është një i burgosur politike. Ky është mendimi ynë. Pastaj për zgjedhjet e tjera, çdo forcë politike bën zgjedhjet e vet. Kjo aleancë vetëkuptohet që ishte një aleancë për këto zgjedhje.“-u shpreh Berisha.
Nga ana tjetër pak ditë më parë, Ilir Meta tha në një deklaratë për mediat se tashmë, pas rikthimit të vulës së PD-së në duart e palës zyrtare, PL do të garojë më vete në zgjedhjet vendore që priten në disa bashki.
“Do të garojmë me siglën tonë në të gjitha Këshillat Bashkiakë,” -tha Meta, duke nënvizuar fillimin e një etape të re për partinë e tij.
Kreu i PD, Sali Berisha nga selia blu prezantoi një rezolutë të IDC-CDI për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, sipas të cilit është miratuar më datë 30 në Asambleja e Përgjithshme në Abixhan. Sipas Berishës, farsa elektorale u godit nga organizata më e madhe në botë e partive të qendrës dhe qendrës së djathtë, Internacionalja Demokrate e Qendrës.
Berisha lexoi edhe tekstin e rezolutës, duke thënë se shprehet shqetësim se këto zgjedhje ishin një farsë politike. Ndalur në procesin e integrimit, Berisha thotë se rezoluta i bën thirrje BE-së që të kushtëzojë përparimin e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit me reforma konkrete zgjedhore dhe demokratike
“I bën thirrje BE-së që të kushtëzojë përparimin e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit me reforma konkrete zgjedhore dhe demokratike;
•Paralajmëron se konsolidimi autoritar dhe ndikimi kriminal në Shqipëri përbëjnë rrezik serioz për demokracinë e brendshme dhe për stabilitetin rajonal”, lexoi Berisha.
Rezoluta është hartuar dhe propozuar nga PD me titull “Shqipëria: Integriteti Zgjedhor dhe të Drejtat e Opozitës”, në të cilën përmenden pretendimet e Berishës për zgjedhjet, blerje votash, presion ndaj votuesve dhe përdorim të administratës publike.
Në rezolutë, flitet gjithashtu edhe për "përndjekje gjyqësore" ndaj liderëve të opozitës, duke përmendur Ilir Metën, Sali Berishën, Fatmir Mediun, Ervin Salianjin dhe Fredi Belerin. Mes të tjerash, në rezolutë, i kërkohet BE-së që të "kushtëzohet" përparimi i Shqipërisë.
Rezoluta e lexuar nga Sali Berisha
Rezolutë mbi Zgjedhjet Parlamentare të vitit 2025 në Shqipëri.
“Shqipëria: Integriteti Zgjedhor dhe të Drejtat e Opozitës”.
Propozuar nga Partia Demokratike e Shqipërisë – Shqipëri.
Unioni i Demokratëve të Qendrës dhe Internacionalja Demokrate e Qendrës (IDC-CDI),
Duke riafirmuar rëndësinë thelbësore që kanë zgjedhjet e lira dhe të ndershme për qeverisjen demokratike dhe për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE,
Duke rikujtuar rezolutat e mëparshme të PPE-së, IDU-së dhe IDC-CDI-së që kanë paralajmëruar për prapakthimin demokratik dhe keqpërdorimin e institucioneve nga Partia Socialiste (PS) në pushtet,
Të alarmuar nga gjetjet e misioneve ndërkombëtare të vëzhgimit (OSBE/ODIHR, OSBE PA, APKE, Parlamenti Evropian) lidhur me zgjedhjet e 11 majit 2025,
Shprehin shqetësim të thellë se këto zgjedhje ishin një farsë politike, që nuk përmbushën standardet ndërkombëtare dhe shkelën kriteret e Kopenhagenit, duke përfshirë:
•Lirinë e votuesve për të zgjedhur (paragrafi 7.7 i Kopenhagenit):
Votuesit iu nënshtruan presionit sistematik, survejimit, frikësimit dhe blerjes masive të votës. Qeveria shpërndau bonuse prej 100 euro për 760.000 pensionistë pak para zgjedhjeve; fali gjoba dhe borxhe mbi 200 milionë euro nga periudha 2015–2025 vetëm dy ditë para votimeve. U shpenzuan rreth gjysmë miliard euro për tendera, prokurime dhe koncesione në kundërshtim me ligjin, të gjitha me qëllim sigurimin e mbështetjes elektorale. Vota e fshehtë nuk u respektua në shumë qendra votimi, dhe klima u karakterizua nga frikë dhe presion, duke u mohuar qytetarëve të drejtën për zgjedhje të lirë.
•Lirinë e shprehjes dhe aksesin në informacion (paragrafi 7.8 i Kopenhagenit):
Kontrolli i partisë në pushtet mbi median, censura editoriale dhe ndalimi me motiv politik i platformës TikTok dëmtuan rëndë mundësinë e votuesve për të pasur qasje në informacion të balancuar dhe të larmishëm.
•Ndarja e partisë nga shteti (paragrafi 5.4):
Partia Socialiste në pushtet i ka fshirë kufijtë midis shtetit dhe partisë, duke përdorur institucionet publike dhe burimet shtetërore për përfitim partiak, në kundërshtim me parimin që "shteti duhet të jetë i ndarë nga partia në pushtet".
•Keqpërdorimi i burimeve publike: Qindra mijëra punonjës të administratës publike u vunë nën presion për të bërë fushatë përmes një “rrjeti patronazhist” të shtrirë në të gjithë vendin, duke minuar konkurrencën demokratike.
•Liria e votuesve për të zgjedhur (paragrafi 7.7): Votuesit u përballën me presion, survejim, frikësim, kërcënime, blerje vote dhe mungesë të sekretit të votës;
•Liria e shprehjes (paragrafi 7.8): Kontrolli i qeverisë mbi median, censura dhe ndalimi i TikTok-ut kufizuan qasjen në informacion të paanshëm.
•Pandëshkueshmëria institucionale: Rreth 200 kallëzime formale për krime zgjedhore pranë Prokurorisë së Posaçme dhe qindra denoncime në KQZ mbetën pa ndonjë reagim apo ndjekje penale.
IDC-CDI dënon manipulimin e procesit zgjedhor përmes:
•Kapjes së shtetit dhe bashkëpunimit kriminal në frikësimin e votuesve dhe manipulimin e rezultateve;
•Përndjekjes gjyqësore ndaj liderëve të opozitës, përfshirë Sali Berishën, Ilir Metën, Fatmir Mediun, Ervin Salianjin dhe Fredi Belerin;
•Pandëshkueshmërinë institucionale, me mbi 30 kallëzime formale për krime zgjedhore pranë Prokurorisë së Posaçme dhe qindra denoncime në KQZ, pa ndonjë ndjekje ligjore.
IDC-CDI u bën thirrje autoriteteve shqiptare që të:
Zbatojnë urgjentisht rekomandimet prioritare të OSBE/ODIHR, përfshirë ato mbi barazinë në fushatë, mediat dhe institucionet e paanshme;
Ndërpresin përndjekjen politike dhe të rikthejnë të drejtat e plota për liderët e opozitës;
Të krijojnë një qeveri teknike (kujdestare) për të mbikëqyrur reformat drejt BE-së dhe për të përgatitur zgjedhje të reja;
Sigurojnë pluralizëm real mediatik dhe akses të barabartë në media për të gjitha forcat politike.
IDC-CDI:
•Shpreh solidaritet të fuqishëm me Partinë Demokratike të Shqipërisë (PD-ASHM) dhe të gjithë aktorët civilë që mbrojnë demokracinë;
•U bën thirrje anëtarëve të CDI-së të dërgojnë një mision për verifikim faktesh dhe vëzhgimi në Shqipëri për të vlerësuar ecurinë e zgjedhjeve, për t’u takuar me aktorët përkatës dhe për të dhënë një vlerësim të pavarur mbi përputhjen me normat demokratike;
•I bën thirrje BE-së që të kushtëzojë përparimin e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit me reforma konkrete zgjedhore dhe demokratike;
•Paralajmëron se konsolidimi autoritar dhe ndikimi kriminal në Shqipëri përbëjnë rrezik serioz për demokracinë e brendshme dhe për stabilitetin rajonal.
Asambleja e Përgjithshme, Abixhan, 30.05. 2025.
Rezoluta e IDC-CDI
Gazment Bardhi, në emër të Grupit Parlamentar të PD, i kërkoi dje presidentit Bajram Begaj që të mos lejojë ndërhyrjen e këshilltarit të tij Ilirjan Rusmalit në procesin e administrimit të zgjedhjeve.
Lidhur me këtë Berisha tha se këshilltari i presidentit nuk duhet që të jetë anëtarë i KAS. Sipas tij, kjo është në kundërshtim të ligjit.
'Që presidenti është i detyruar të zbatojë ligjin kjo dihet dhe që këshilltarit si lejohet asnjë detyrë tjetër kjo është e sanksionuar në ligj. Dhe presidenti e shkel me të dyja këmbët ligjin që këshilltarin e mban edhe në KAS. Bardhi ka thënë një të vërtetë dhe presidenti nuk ka zbatuar ligjin. Këta s'kanë ligj dhe as Maliq', tha ai.
Komente
