Përdorimi i skafeve, si shkelet ligji në plazhet e vendit! Nuk respektohet distanca 300 metra, probleme me licencimin dhe kontrollet nga autoritetet

3 Gusht 2022, 19:22| Përditesimi: 3 Gusht 2022, 21:50

  • Share

Mos respektimi i ligjit po merr jetë në plazhet e vendit. Ngjarja e rëndë e ndodhur në plazhin e Potamit në Himarë, vërtetoi edhe një herë që ligjet nuk zbatohen. Përdorimi i skafeve, gomoneve apo motorëve të ujit, është i rregulluar me vendime e ligje të ndryshme, por që në rastin e Potamit, nuk u zbatuan duke filluar që nga ruajtja e distancës me bregun e detit.

Në një vendim të vitit 2019, “Vendim Nr. 171, datë 27.3.2019 Për Miratimin e Rregullores “Për Kushtet dhe Kriteret e Ushtrimit të Veprimtarisë së Stacionit të Plazhit”, është e specifikuar që lëvizja e motorëve duhet të bëhet në një distancë prej 300 m nga zona e notimit.

“Lejohet aktiviteti i dhënies me qira të pedaloneve apo i mjeteve të tjera ujore dhe përdorimi i tyre duhet të bëhet jashtë zonës së notimit. Lëvizja e motorëve të ujit apo varkave motorike duhet të bëhet në një distancë prej 300 m nga zona e notimit”, thuhet në vendim.

Sipas këtij vendimi plazhi i Potamit klasifikohet i kategorisë B, pasi ka përbërje shkëmbore dhe zhavorri, dhe është detyrë e stacioneve të plazhit që të vendosin sinjalizim dhe kufizim me bova me ngjyrë të kuqe, të lidhura me litarë pluskues me njëra tjetrën, çdo 30-50 metër të hapësirës ujore përpara stacionit të plazhit të dedikuar për not, e cila duhet të jetë deri në 100 metra nga bregu për plazhet e tipit B dhe të kontrollohen periodikisht nga përgjegjësi i stacionit të plazhit nëse ato kanë lëvizur nga pozicioni i tyre nga dallgët, era apo shkaqe të tjera. Ndërsa në plazhin ku ndodhi tragjedia, drejtuesi i gomones ka shkelur këtë kufi.

Por kush i jep me qira motorët e ujit dhe mjetet lundruese dhe kush mund ti përdor ato?

Motorët e ujit apo ‘JET SKI’, jepen me qira nga operatori turistik i certifikuar nga Ministria e Turizmit, nuk mund t’ju jepet personave nën 18 vjeç, si dhe personi që drejton një motor uji duhet të jetë i pajisur me leje-drejtimi përkatëse të lëshuar nga Drejtoria e Përgjithshme Detare. Drejtuesi Arjan Tase nuk e kishte këtë leje drejtimi për të dalë në det me mjetin lundrues.

Përdorimi i motorëve të ujit dhe distanca nga bregu është i përcaktuar në vendimin numër 845 të 2020 për zhvillimin e aktiviteteve detare ku në pikën 5 thuhet:

a) distanca më e afërt e lundrimit me bregun e detit më të afërt është menjëherë pas kufirit të vendosur për notarët, por asnjëherë më e vogël se 300 (treqind) m;

b) distanca më e largët e lundrimit me bregun e detit më të afërt është 1 (një) milje detare;

c) gjatë periudhës prill–nëntor, motorët e ujit (JET SKI), të cilët lundrojnë deri në 500 (pesëqind) m nga bregu, nuk mund të lundrojnë me shpejtësi më të madhe se 10 (dhjetë) nyja; (apo 18.05 km në orë)

ç) gjatë afrimit për ankorim apo parkim në tokë, shpejtësia duhet të ulet në 3 (tri) nyja (apo 5.5 km në orë).

Ndërsa në pikën 6 të këtij vendimi thuhet që gjatë përdorimit të motorit ndalohet që drejtuesi i mjetit të kryejnë sjellje të gabuara, të cilat komprometojnë stabilitetin e mjetit. Ndërsa Drejtuesi Tase ka bërë manovra të ndaluara dhe të rrezikshme brenda zonës së notimit, në kundërshtim me ligjin

Kush mund të ketë licencën e operatorit turistik që pajiset me mjete lundruese dhe kush e licencon?

Institucioni përgjegjës për certifikimin e operatorit turistik është ministria e Turizmit.

“Në bazë të ligjit për turizmin të vitit 2015, thuhet se një operator turistik përpara fillimit të aktivitetit ai duhet të jetë aplikojë për pajisjen me licencë nga Ministria e Turizmit në bazë të ligjit “Për licencat, autorizimet dhe lejet në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

Që të licencohet operatori turistik duhet të jetë i regjistruar në Qendrën Kombëtare të Regjistrimeve, me objekt veprimtarie si operator turistik, të mos jetë i dënuar me vendim të formës së prerë, të ketë diplomë me objektin e veprimtarisë së biznesit dhe pas publikimit të licencës në Regjistrin Kombëtar të Licencave dhe Lejeve, ministria përgjegjëse për turizmin bën regjistrimin e kësaj licence në Regjistrin Qendror të Turizmit.

Ministria e Turizmit është institucioni që certifikon subjektet për të operuar si operator të turizmit detar. Madje në një Udhëzim të vitit 2020 (Nr. 4 , datë 31.12 2020), janë të përcaktuara kriteret që duhet të plotësojë ky operator për të marrë certifikatën.

Përveç se duhet të ketë licencën e sipërcituar, duhet të ketë një kontratë për vendbanimin e mjeteve lundruese me një port, marinë apo subjekt që zotëron një stacion sezonal ankorimi. Duhet të ketë një plan menaxhimit të emergjencave, të ketë në pronësi mjete lundruese, të sigurojë përgjegjësitë ndaj palëve të treta dhe të zbatojë Kodin e Etikës së Operatorit të Turizmit Detar.

Po në këtë udhëzim janë të listuara edhe të gjitha dokumentet që duhet të dorëzojë aplikuesit për certifikatë në mënyrë që të marrë dokumentin nga Ministra e Turizmit. Pas marrjes së kërkesës është Komisioni i Standardizimit të Veprimtarive turistike në varësi të ministrisë që nis shqyrtimin e kërkesës 15 ditë pas depozitimit të saj, duke marrë edhe mendimin e Agjencisë Kombëtare të Bregdetit dhe më pas merret vendimi për dhënien ose jo të certifikatës dhe njofton subjektin.

Vlefshmëria e certifikatës së operatorit të turizmit detar është me afat 5-vjeçar, për zonën dhe aktivitetet e miratuara”.

Ndërsa kontrolli i aktivitetit të këtyre mjeteve sipas ligjit për regjistrimin, mënyrën e përdorimit dhe kontrollin e mjeteve lundruese turistike dhe të argëtimit, është përgjegjësi e Policisë Kufitare. Në nenin 12 për kontrollet e mjeteve lundruese, thuhet se “Mbi bazën e regjistrave elektronikë të administrimit të mjeteve lundruese, sistemit të posaçëm elektronik për lëvizjen e mjeteve lundruese dhe mbi bazën e analizës së riskut, Policia Kufitare ushtron kontrolle specifike për dokumentacionin, për zbatimin e rregullave të lundrimit dhe të sigurisë së mjeteve lundruese, objekt të këtij ligji, si dhe për veprime të kundërligjshme brenda fushës së kompetencës”.

Dje pas ngjarjes u shkarkua i gjithë zinxhiri zinxhirit komandues i drejtuesve të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë, si persona përgjegjës, me neglizhencën e tyre, në moszbatimin e masave shtesë me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë në plazhe.

Ndërkohë institucioni tjetër përgjegjës për sigurinë e plazhe, Agjencia Kombëtare e Bregdetit, nuk mban asnjë përgjegjësi për ngjarjen e rëndë, dhe në mungesë transparence thotë se nuk është kompetencë e saj kontrolli i mjeteve lundruese, pasi sipas saj “AKB është institucion përgjegjës për kontrollin dhe inspektimin e subjekteve që ushtrojnë aktivitet si stacion plazhi, me objekt verifikimin e subjekteve për pajisjen me kontratën për përdorimin e hapësirës së plazhit dhe verifikimin e zbatimit të kushteve dhe kritereve sipas VKM nr. 171 datë 27.03.2019 “Për miratimin e rregullores për kushtet dhe kriteret e ushtrimit të veprimtarisë së stacionit të plazhit”, i ndryshuar.

Mirëpo në një vendim të Këshillit të Ministrave (Nr. 569, datë 17.7.2019), për kompetencat dhe funksionimin e kësaj agjencie, thuhet se duhet të sigurojë performancën në zonat bregdetare dhe ka kompetencë sigurimin e zhvillimit të qëndrueshëm të turizmit, nëpërmjet inspektimit dhe kontrollit të veprimtarive turistike.

“AKB-ja ka për mision mbrojtjen dhe zhvillimin e një mjedisi të qëndrueshëm të zonës bregdetare, nëpërmjet monitorimit dhe kontrollit të të gjithë potencialit ekzistues të zonës bregdetare e detare dhe pasurive mjedisore që përfshihen brenda saj, si dhe kontrollin e veprimtarive turistike në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm të turizmit”, thuhet në pikën tre të këtij vendimi.

Pra as ky institucion nuk ka kryer detyrën e saj ligjore për të garantuar sigurinë në plazhe.

SI.E.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Ilir: 04/08/2022 08:07

    Me gjeni nje fature te ketyre qe japin skafe apo motora uji me qera dhe do jua paguaj une rrugetimin ne gjithe bregdetin, edhe dietat e stafit.

    Përgjigju
  • anduena: 04/08/2022 06:02

    KJO NGJARJE I VURI KAPAKUN E ARKIVOLIT QEVERISE RAMA,,,SI NJE QEVERISJE TE PAPERGJEGJSHME DHE TE KORRUPTUAR.....NUK K8SHTE SI TE NDODHTE NDRYSHE KUR NE POLITIKE HYJNE DOKTORE E PIKTORE TE DESHTUAR..

    Përgjigju
  • Iris: 04/08/2022 02:09

    Ne kete rast AKB ka te drejte.Ne VKM nuk shpjegohet,ose nuk specifikohet se kush futet ne /veprimtari turistike/, po keshtu dhe /mbrojtja/ eshte pergjithesuar,le hapsire per ambiguitet dhe mosmbajtje pergjegjesie te justifikuar.Fajtorin kerkojeni te formulimi i ligjit.

    Përgjigju
  • vaso: 03/08/2022 20:36

    Kontrollet behen para fillimit te sezonit jo kur ndodhin aksidentet...

    Përgjigju
  • Dhendri i Besnik Bekteshit: 03/08/2022 19:59

    Po Ministria e Turizmit drejtohet nga nje mesuese frengjishtjeje. Cfare pret me shume ? Si tha per ate aferen e Butrintit ? E shikoni kete piken e vockel ketu ? Behej fjale per nje "firo " te vogel nga Parku i Butrintit prej 4000 m2... Mirela Kumbaro Furxhi pra

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?