Më shumë se një muaj nga prezantimi i parë i draftit të Kodit të ri Penal, dhe pas një gushti të nxehtë kritikash ndaj këtij projekti, hartuesit e projektligjit zhvilluan tryezën e parë.
"Shqipëria do të ketë një Kod të ri Penal vetëm pas një procesi të gjerë të konsultimeve publike të brendshme dhe pasi të marrë vulën në Bruksel sepse Shqipëria tashmë e ka të qartë destinacionin e saj, mbylljen e negociatave brenda 2027 dhe anëtarësimin brenda 2030. Ky kod do të jetë një kod ekuivalent siç janë të gjitha kodet penale moderne brenda BE.", u shpreh Manja.
Premtimin ministri Manja e ripërsëriti pasi më herët i bëri një rezyme të gjithë punës disa vjeçare të bërë për të mbërritur te ky Kod, ndërsa theksoi se janë mbajtur shënim të gjitha kritikat dhe sugjerimet e bëra që do të diskutohen sipas tij në të paktën 25 tryeza të planifikuara me çdo grup interesi.
"Kemi mbajtur shënim komentet e analizat, sugjerimet e shqetësimet por nga momenti i publikimit të draftit në uebin e ministrisë dhe dhënies së linkut të sekretariatit, deri tani kanë ardhur një numër i vogël komentesh dhe disa organizatata të shoqërisë civile kanë kërkuar të jenë pjesë e procesit të konsultimit publik.", theksoi ministri.
Pas ministrit fjalën e mori kreu i grupit të punës që bëri gati draftin prej 950 nenesh, Arben Rakipi.
“Qëllimi parësor është mbrojtja sociale dhe mbrojtja e viktimës dhe në cilësinë e saj mund të them se është dokumenti më i mirë penal që i kemi ofruar këtij vendi. Për rrjedhojë them se shërbimi që do i bëhet publikut dhe institucioneve do të jetë mjaft i madh.”
Për Rakipin diskutimi duhet të jetë parimor, ndërsa dy janë elementët thelbësorë, depenalizimit të veprave dhe masa e dënimit.
“Nuk bëhet fjalë për populizëm, sondazhe të rreme e dëshira, por për një sondazh real që na lejon të kuptojmë a ia vlen të penalizohet për shembull bigamia, pirja e alkolit në publik etj, që janë çështje të thjeshta në pikëpamjen ligjore, por në pikëpamjen sociale janë shumë të rëndësishme. Ka edhe çështje të tilla që kërkojmë të depenalizojmë siç është eutanazia që nuk është prekur në publik apo prostitucioni, edhe për këtë çështje nuk është folur fare. Diskutimi publik është mjaft i rëndësishëm sepse na jep një përgjigje të arsyeshme dhe të besueshme dhe gati në nivel shkensor, lidhur me faktin nëse këto vepra duhet penalizuar apo jo.”, tha Rakipi.
Kritikës së fortë për një Kod Penal represiv, kreu i Shkollës së Magjistraturës i dha këtë përgjigje:
“A është represiv apo jo?! Është një çështje që është paraqitur me ngjyra pesimiste. Ka krijuar përshtypjen se represiviteti është fjala e parë e këtij projekti. Dhe natyrisht që nuk më vjen mirë. Është represiv përtej proporcionalitetit apo nuk është. Kjo duhet diskutuar”.
Dy nene që kanë tërhequr vëmendjen dhe kanë nxitur më së shumti kritika, sidomos nga gazetarët, janë ato që parashikojnë burg për komentet ndaj drejtësisë dhe çështja e shpifjes.
“Ne jemi të bindur që në proporcionalitetin e interesave publikë në këtë çështje prevalon interesi i drejtësisë. Çështjet e fjalës së lirë janë gjithmonë të ndjeshme, dhe ekuilibri është gjithnjë prezent. Dispozita qartazi nuk e lidh këtë çështje me profesionin e gazetarit. Por lidhet me qëllimin e mbrapsht, qëllimin e dezinformimit, qëllimin për të ndikuar në vendimin e gjykatës, presionin. Të gjitha këto që thashë nuk kanë lidhje me misionin e gazetarëve dhe nuk mund t’i takojë atyre. Sistemi ynë gjyqësor goditet ditë pas dite. Sa i përket shpifjes, kërkesa për të përjashtuar gazetarin për mendimin tim është fyese për gazetarët. Shpifja nuk lidhet me punën e tyre. Dekriminalizimi i shpifjes nuk është standard ndërkombëtar. “
Pas mbarimit të tryezës së parë, ministri Manja një koment e kishte edhe për Report Tv që e pyeti për kritikat e forta të krerëve të institucioneve të drejtësisë.
“Organet e drejtësisë të vijnë në tryeza, e kanë edhe për detyrë ligjbërjen.”
Kryetarja e Komisionit të Medias, Ina Zhupa ka reaguar pas prezantimti të dytë publik të qeverisë të draftit të Kodit të ri Penal.
Në një reagim në Facebook, deputetja demokrate Ina Zhupa shprehet se asnjë nga nenet problematike nuk është reflektuar me ndryshime në përputhje me standardet europiane.
“Riprezantimi i sotëm, i kamufluar si dëgjesë ku su dëgjua askush nga shoqëria civile, nuk kishte ndryshuar aspak qasje të kodit penal ndaj lirisë së medias. Nenet problematike që cënojnë drejtpërdrejtë lirinë e shprehjes, lirinë e ushtrimit të profesionit të gazetarët dhe fjalën e lirë vazhdojnë dhe mbrohen me absurditete si në videon bashkëlidhur”, thotë Zhupa
Deputetja ka listuar edhe nenet problematike që cënojnë median dhe gazetarët, duke thënë se bien ndesh me çdo standard eurupian.
Deklarata e plotë e Ina Zhupës:
Gazetarët do ndjehen të fyer po nuk i futem në burg; Gazetarët duhen mbajtur nën kërcënim penal; Gazetarët duhet të kenë frikë kur publikojnë lajme për qeverinë dhe për gjykatat; këto ishin disa nga postulatet e kodit të ri penal të Edi Ramës kundër lirisë së medias dhe gazetarëve.
Metodë represive dhe insistim djallëzor për të heshtur dhe kontrolluar gazetarët nëpërmjet kodit të ri penal, totalisht të papranueshëm me standartet europiane.
Riprezantimi i sotëm, i kamufluar si dëgjesë ku su dëgjua askush nga shoqëria civile, nuk kishte ndryshuar aspak qasje të kodit penal ndaj lirisë së medias.
Nenet problematike që cënojnë drejtpërdrejtë lirinë e shprehjes, lirinë e ushtrimit të profesionit të gazetarët dhe fjalën e lirë vazhdojnë dhe mbrohen me absurditete si në videon bashkëlidhur.
Neni 865 (Shpifja) rrit ndjeshëm dënimet, veçanërisht kur informacioni shpërndahet nëpërmjet kanaleve mediatike dhe përdoret si mjet kërcënimi i drejtëpërdrejtë për gazetarët.
Neni 863 (Fyerja) për fyerjet e rënda prezanton kritere të paqarta si “shqetësimi i opinionit publik” dhe “zakonet e mira”, duke mos pasur përkufizime të qarta dhe duke lënë mundësi për interpretim subjektiv dhe zbatim selektiv.
Neni 536 (Ndikimi në pavarësinë e gjykatës) është veçanërisht shqetësues pasi ndalon gjerësisht bërjen apo publikimin e komenteve mbi procedurat gjyqësore, duke ndërhyrë kështu drejtpërdrejt në rolin thelbësor mbikëqyrës të medias dhe duke minuar transparencën.
Neni 517 (Dhënia e Informacioneve) ndalon ‘dekonspirimin’ e operacioneve policore dhe hetimeve, duke prekur drejtpërdrejt punën e mediave, veçanërisht në rastet e investigimit. Kur një gazetar publikon informacion lidhur me një operacion ose hetim në proces, ligji tashmë e përkufizon si dekonspirim.
Për të gjitha këto kishte zero reflektim, përkundrazi një mbrojtje sharlatane për ti lënë të pandryshuara pavarësisht reagimit të Rrjetit të Gazetarëve të Sigurt, partnerë të Nismës për Reagim të Shpejtë për Lirinë e Medias (MFRR) dhe organizatave të shoqërisë civile në Shqipëri.
Ndërkohë që do duhet të kemi një kod penal që e trajton cështjen e gazetarëve dhe lirisë së medias në përputhje me standardet e Këshillit të Evropës dhe rekomandimet e BE-së, dhe siç parashikohet në Udhërrëfyesin për Shtetin e së Drejtës dhe siç kërkohet nga shoqëria civile dhe komuniteti i medias.
Me konstituimin e legjislaturës së re të kuvendit do e ndjek me prioritet absolut këtë cështje, duke përdorur të gjitha instrumentat kushtetues për të dëgjuar grupet e interesit, për të ndjekur standartet europiane dhe për mos lejuar cënimin e lirisë së medias.
Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja në përfundim të tryezës për konsultimin publik të draftit të Kodit të ri penal, është pyetur në lidhje me mos përfshirjen e drejtuesve të institucioneve të drejtësisë në hartimin e draftit të Kodit Penal por edhe për lirimin me kusht të burgosurve me dënim të përjetshëm.
Ministri theksoi se nuk ka koment, por se do të ketë disa tryeza konsultimesh për pasurimin e draftit të Kodit të ri Penal dhe se edhe opinioni i drejtuesve të institucioneve të drejtësisë, do të merret në konsideratë.
“Nuk kam koment, ftoj organet e drejtësisë, të mirëpritur grupet e interesit. Brenda muajit tetor duhet të ndryshojmë 6 direktiva në Kodin aktual, do të mbahet një tryezë e posaçme. Kemi bërë një reformë drejtësise unike në llojin e saj, politika që prej 2016 është distante nga drejtësia”, tha Manja.
Një ndër temat që Manja i dha përgjigje ishte edhe neni për lirimin e të dënuarve me burgim të përjetshëm. Ministri theksoi se drafti i ri i Kodit Penal e vështirëson daljen nga qelitë të burgosurve me dënime të përjetshme. Manja tha se Kodi i ri Penal nuk e lë në dorë të gjykatësit, por janë disa rrethana që lejojnë lirimin e të burgosurve përjetë nga qelitë.
“Nëse ka një detajim, Kodi i ri Penal e ka për lirimin me kusht të personave të dënuar me burgim të përjetshëm! Kodi Penal aktual, thotë: Personi që ka kryer 35 vite burgim, në rrethana të jashtëzakonshme, mund të lirohet dhe e kishte lënë në rrethanat e gjykatës të vlerësoj se cilat janë rrethanat e jashtëzakonshme dhe ju e dini shumë mirë se gjykatat kanë vendosur për lirimin e tyre.
Drafti i ri i Kodit Penal, ka përcaktuar një procedurë të veçantë të gjykimit për lirimin e të burgosurve me burgim të përjetshëm dhe ka treguar rrethanat për lirimin e tyre. Dhe i kanë dhënë përparësi viktimës, normalizimin e marrëdhënies me viktimës dhe kompensimit dhe dëmshpërblimin moral të viktimës.
Pra, ky draft i Kodit të ri Penal, e ka vështirësuar lirimin e të dënuarve me burgim të përjetshëm. Dhe nëse do ta shihni pjesën e drafti ku do ta shihni që një ditë paraburgim nuk do të jetë më 1.5 ditë, por do të jetë 1 ditë. Pra kjo periudhë e dënimit 35 vjet zgjatet akoma më shumë dhe nëse nuk ka një shprehje të qartë të gjyqtarit që do të gjykojë këtë çështje dhe se nuk ka normalizim të marrëdhënieve me familjarët e viktimës, kjo kërkesë nuk merret në konsideratë”, tha Manja.
Drejtuesi i Grupit të Punës për hartimin e draftit të Kodit të ri Penal, Arben Rakipi u ndal edhe te neni 536 në pavarësinë e gjykatës që ka shqetësuar gazetarët. Në nen përmendet një dënim deri në tre vite burg për komentet që bëhen mbi një çështje gjyqësore përmes të cilave synohet të ushtrohet ndikim.
Sipas Rakipit, kjo dispozitë nuk lidhet me profesionin e gazetarit dhe nuk ka asnjë tendencë kundrejt tyre.
"Pavarësia e gjykatës dhe ndikimi në sistem. Unë dua të siguroj të gjithë ata që u përfshinë, edhe gazetarët sigurisht, që nuk ka asnjë tendencë, do të ishte kriminale nëse do të ishte. Ne jemi të bindur që në proporcionalitetin e interesave publikë në këtë çështje prevalon interesi i drejtësisë. Çështjet e fjalës së lirë janë gjithmonë të ndjeshme, dhe ekuilibri është gjithnjë prezent. Dispozita qartazi nuk e lidh këtë çështje me profesionin e gazetarit. Por lidhet me qëllimin e mbrapsht, qëllimin e dezinformimit, qëllimin për të ndikuar në vendimin e gjykatës, presionin. Të gjitha këto që thashë nuk kanë lidhje me misionin e gazetarëve dhe nuk mund t’i takojë atyre. Sistemi ynë gjyqësor goditet ditë pas dite.", tha Rakipi.
Çfarë thotë neni 536
Ndikimi në pavarësinë e gjykatës
Bërja apo publikimi i komenteve me anë të të cilave synohet haptazi të ushtrohet ndikim në aftësinë e gjykatës për të marrë vendimet, nëpërmjet krijimit të rrethanave shtypëse ndaj pavarësisë së saj, shtrembërimit të qëllimshëm të cilësisë së provave apo paraqitjes së tyre në kundërshtim me përmbajtjen e vërtetë, imponimit për të krijuar pabesueshmërinë në publik të aftësisë së gjykatës për të qenë e pavarur, të kryera për çdo interes apo përfitim, për të dëmtuar apo favorizuar persona të veçantë, e kryer përpara dhënies së një vendimi gjyqësor, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.
Ai u ndal edhe te neni 865 për shpifjen, për të cilin tha:
"Sa i përket shpifjes, kërkesa për të përjashtuar gazetarin për mendimin tim është fyese për gazetarët. Shpifja nuk lidhet me punën e tyre. Shqipërisë nuk mund t’i vijë e keqja nga parashikimi i shpifjes në Kod Penal. Unë mendoj që pikëpamja të zbutet dhe të vendoset një ekuilibër i interesave në këtë. Unë uroj që çështja të mos rrezikojë standardet juridike. Dekriminalizimi i shpifjes nuk është standard ndërkombëtar. Depenalizimi i shpifjes është një orientim politik dhe gjyqësor, që ka filluar të përkrahet në disa vende, në pakicën e vendeve të BE dhe të OSBE-së. Vendet e rajonit e kanë depenalizuar. Duke mos qenë standard atëherë i shtohen pikët plotësimit të nevojave të vendit, na duhet apo jo? Megjithatë konsultimi publik do të na ndihmojë në këtë drejtim. Mund të dëgjohet edhe mendimi i viktimave. Mund të bëhet një analizë e përhapjes, sa e përhapur është shpifja dhe kush shpif? Kjo e fundit mund të ndihmojë për të mos vlerësuar si subjekte profesione të caktuara.", shtoi Rakipi.
Drejtuesi i Grupit të Punës për hartimin e Draftit, Arben Rakipi iu përgjigj edhe pyetjes nëse projekti i Kodit Penal represiv.
“Është paraqitur me ngjyra mjaft pesimiste dhe ka krijuar përshtypjen që represiviteti është fjala e parë e këtij projekti. E kuptoj shumë mirë, efektet që mund të krijojë. ”, tha Rakipi.
Ai përmendi edhe se ku janë bazuar për masat e dënimeve të propozuara në draft.
“Burimi i parë është Kodi aktual dhe burimi i dytë, praktika gjyqësore. Burim tjetër janë vepra të ngjashme të penalizuara nga legjislacione të ndryshme. Burim tjetër janë direktivat. Burim tjetër është edhe eksperienca e anëtarëve të grupit dhe në shumatoren e kësaj praktike mund të dalim në një konkluzion të caktuar”, tha Rakipi.
Drejtuesi i Grupit të Punës për hartimin e Draftit të Kodit të ri Penal, Arben Rakipi foli edhe për depenalizimin disa veprave penale. Ai tha se kanë propozuar depenalizimin e prostitucionit dhe eutanazisë. Megjithatë, ai shtoi se është e nevojshme që propozime të tilla, t'i nënshtrohen diskutimit publik.
“Depenalizimi i veprave është një çështje mjaft e rëndësishme dhe kërkon një opinion të gjerë. Depenalizimi i veprave, që janë hedhur për të provokuar një debat të gjerë dhe për fat të keq nuk janë pikasur cilat janë ato. Depenalizimi i veprave nuik është process thjesht politik që mund të shtyhet dhe vendoset në një krah apo tjetër. Qëndrimi politik është vota e parlamentit dhe nuk ka dyshim për këtë. Elementët ligjore që përfshihen në këtë proces të mos neglizhohen, siç është frekuenca e ndodhjes së kësaj vepre si rastet praktike apo niveli i kriminalitetit në pëegjithësi. Konsultimi publik na lejon të kuptojmë nëse do të shkojmë te depenalizimi apo jo.
Nëse kriminaliteti, ky është një pozicionim që krijon ndikim, influencë, në drejtësi, atëherë çështja që lidhet me depenalizimin duhet parë me një sy objektiv dhe të kujdesshëm. Ne si grup pune kemi menduar, që përveç atyre provokimeve që thashë, kemi menduar që në shumicën tonë dërrmuese apo unanime, këto vepra të penalizohen. Por diskutimi publik mund të jetë një test që të verifikohet nëse ky penalizim është i drejtë apo jo. Nuk bëhet fjalë për populizëm, sondazhe të rreme e dëshira, por për një sondazh real që na lejon të kuptojmë a ia vlen të penalizohet për shembull bigamia, pirja e alkolit në publik etj, që janë çështje të thjeshta në pikëpamjen ligjore, por në pikëpamjen sociale janë shumë të rëndësishme. Ka edhe çështje të tilla që kërkojmë të depenalizojmë siç është eutanazia që nuk është prekur në publik apo prostitucioni, edhe për këtë çështje nuk është folur fare. Diskutimi publik është mjaft i rëndësishëm sepse na jep një përgjigje të arsyeshme dhe të besueshme dhe gati në nivel shkenzor, lidhur me faktin nëse këto vepra duhet penalizuar apo jo.”, tha Rakipi.
Më tej, duke u ndalur specifikisht te prostitucioni, Rakipi shtoi:
“Kodi aktual e ka 1.5 vjet burg dhe gjobë , ndërsa projekti ynë orienton dhe synon depnealizimin sepse lidhet edhe me masa të tjera penalizimi. Nuk e di kur do të ndodhë. Të depenalizohet ushtrimi i këtij profesioni! Për fat të keq duhet të përdor termin profesion, vajza apo djali që ushtron me vullnet të lirë, për fat të keq duhet ta quaj profesion. Kodi italian e francez nuk e dënon ushtrimin e prostitucionit dhe ne tendencën e kemi atje. Propozimi ynë nuk është për shkaqe thjesht ngjashmërie me ca ndodh në Europë se kjo nuk do të mjaftonte. Unë mendoj se terreni shqiptar nuk mbahet më me lëndë penale, sidomos në këtë fushë. Ky lloj profesioni ka marrë përkrahje të gjerë që demonstrohet haptasi edhe nga influencerët e jetës të të miturve apo të tjerëve në vend. Për rrjedhojë lënda penale tashmë është e padobishme. Këtu jemi bazuar për të bërë propozimin tonë.”
Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja theksoi se 6 direktiva që kanë të bëjnë me veprat penale që lidhen me terrorizmin, pastrimin e parave, trafikun e drogërave, armët, abuzimin seksual ndaj fëmijëve apo shpifjen, do të rishikohen në Kodin Penal Ekzistues. Kjo sepse është një detyrim që kërkohet nga BE në kuadër të negociatave dhe afat kohor është vendosur fundi i tetorit.
Ministri theksoi se diskutimet për këto 6 direktiva do të zhvillohen ndarazi nga konsultimi publik për draftin e ri të Kodit, në kuadër të ecurisë së punës për negociatat. Por shtoi, se janë të reflektuara edhe në draftin e ri, kur ai të miratohet, pas marrjes së vulës së BE.
“Lidhur me plotësimin e piketave të ndërmjetme në kuadrin e negociatave për grup themelorët, Shqipërisë i kërkohet që brenda Tetorit të reflektojë në Kodin Penal ekzistues rreth 6 direktiva që kanë të bëjnë me veprat penale të pastrimit të parave dhe terrorizmin, rishikimin e kuadrit ligjor me veprat e terrorizmit, rishikimin e kuadrit për trafikun e drogërave, për viktimat e trafikimit të qenieve njerëzore, me abuzimi seksual të fëmijëve dhe pornografisë së fëmijëve, rishikimin e kuadrit ligjor lidhur me armët, dhe me shpifjen. Ky proces do të jetë i ndarë me procesin e konsultimit publik që do të zhvillohet për draftin e ri. Edhe pse të gjitha këto direktiva janë të reflektuara në draftin e ri, por duke qenë se në kuadrin e përmbushjes së piketave të ndërmjetme për negociatat me BE, kemi afat kohor që është fundi të tetorit, për këtë grup veprash konsultimi publik do të zhvillohet ndarasi në lidhje me konsultimin për draftin. Këto ndryshime do të reflektohen në kodin penal aktual, dhe do të jenë pjesë e draftit të ri kur të jetë në axhendë parlamentare.”, u shpreh ministri Manja.
Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja tha se kanë mbajtur shënim kritikat dhe sugjerimet pas publikimit të draftit të Kodit të ri Penal. Ai tha se që nga publikimi i draftit në faqen zyrtare të ministrisë, kanë marrë një numër të vogël komentesh dhe disa organizata të shoqërisë civile kanë kërkuar të jenë pjesë e procesit të konsultimit publik.
Ministri theksoi gjithashtu se për draftin kanë kërkuar opinionin e një grupi ekspertësh italianë. Konsultimi i gjerë publik për këtë draft pritet të zgjasë deri në fund të vitit, me 25 tryeza diskutimi të parashikuara, dhe më pas me reflektimin e sugjerimeve dhe me marrjen më pas të “vulës” së Brukselit për këtë draft, do të kalohet për miratim në Kuvend.
"Na jepni mundësinë që edhe njëherë të informojmë dhe qartësojmë opinionin publik por cilido individ, grup interesi apo aktor që janë të interesuar për të qenë pjesë aktive e diskutimit dhe pjesëmarrjes në konsultimin e gjerë publik që do t’i nënshtrohet drafti i ri. Në 25 korrik prezantuam draftin e kodit të ri, por gjatë kësaj periudhe, ka pasur mjaft komente, analiza dhe debate e diskutime, por edhe shqetësime për aspekte të veçanta teknike të vetë draftit por edhe procesit të ndjekur për hartimin e kodit të ri penal dhe rolin e ministrisë së drejtësisë. Kemi mbajtur shënim komentet e analizat, sugjerimet e shqetësimet por nga momentii publikimit të draftit në uebin e ministrisë dhe dhënies së linkut të sekretariatit, deri tani kanë ardhur një numër i vogël komentesh dhe disa organizatatë shoqërisë civile kanë kërkuar të jenë pjesë e procesit të konsultimit publik.
Gjithsesi e menduam këtë tryezë sot për të dhënë disa përgjigje në lidhje me procesin, rolin e ministrisë dhe aspekte të veçanta teknike të draftit të ri. Më duhet të them që roli i ministrisë së drejtësisë në këtë proces është ai i porositësit të draftit të kodit të ri penal. Pra, jemi ne ministria e Drejtësisë, në emër të qeverisë, që e kemi porositur këtë draft të Kodit të ri edhe si përmbushje e detyrimeve tona në kuadrin e strategjisë së drejtësisë por edhe të negociatave me BE-në. Në procesin e hartimit apo draftimit të ligjeve, ka dy rrugë ose nëpërmjet drejtorisë së legjislacionit në ministri ose nëpërmjet grupit të ekspertëve të fushës. Kemi zgjedhur këtë të dytën edhe për shkak të rëndësisë që ka hartimi i një kodi të ri në jetën politike, juridike dhe ekonomike të vendit.
Drafti i është përcjellë për mendim edhe disa ekspertëve italiane, që e kanë asistuar nëpërmjet ministrisë së Drejtësisë dhe Agjencinë italiane të bashkëpunimit për zhvillim. Ekspertët e kanë konkluduar opinionin e tyre me një raport në 31 korrik 2021, që e ka patur në dispozicion grupi i punës për hartimin e draftit. Masa e reflektimit të atyre komenteve në draft është çështje që i takon grupit të punës.”, u shpreh ministri.
Komente

dikur: I GJITHE POPULLI -USHTAR-, ndersa tani me Kodin e Ri Penal do jete: I GJITHE POPULLI -BURGAXHI-
Përgjigju