TIRANE - Pasi lamë pas një javë të nxehtë me temperatura të larta, që nga dita e djeshme kemi pasur përkeqësim të motit. Dita e sotme ka nisur me reshje shiu dhe me ulje të temperaturave, duke bërë që të kemi një ditë më të freskët. Meteorologia Adiola Bani, në një intervistë për Report Tv, tha se problematike është parametri i erës, ku në zonat bregdetare do të arrijë mbi 60 km/h.
“Ne zonat bregdetare jo vetëm mbrëmjen e djeshme por sot edhe nesër do të paraqitet era problematike pasi do të kemi shpejtësi të erës deri mbi 60 km/h duke bërë që dallgëzimi në det të hapur të arrijë në 5 apo 6 ballë, gjë që do të jetë problematike edhe për trafikun detar. Gjithashtu edhe në brigjet detare është paraqitur problematike situata edhe për pushuesit pasi dallgëzimi ka qenë shumë i lartë edhe në det”-tha meteorologia
Muaji korrik do të mbyllet me një rritje graduale të temperaturave, ku do të arrijnë në 32-33 gradë. Muaji gusht do të jetë një muaj i kthjellët dhe me temperatura tipike, por jo aq të nxehta sa në muajin korrik. Edhe gjatë 15 ditëve të para të gushtit do të kemi një rritje të temperaturave.
“15 ditëshi i parë i muajit gusht do të sjelli rritje të temperaturave pasi do të kemi dhe qarkullim të masave ajrore nga veriu Afrikës, që do të sjelli rritje të temperaturave. Gjatë gushtit pritet që të kemi temperatura jo me shumë se 35 gradë, do të kemi një shkëputje me dy apo tre ditë duke bërë që të kemi rënie të temperaturave dhe prani të reshjeve të shiut, dhe pritet që pjesa e dytë e muajit gusht të mbyllet me temperature tipike të muajit”-u shpreh Bani.
Situata është paraqitur më problematike në zonat bregdetare ku gjate ditës së djeshme një person humbi jetën në det,por edhe policia ka ndërhyrë në shpëtimin e disa turistëve të bllokuar në zona të ndryshme.