Kronikë

Durrës/ 300 banesa të përmbytura, evakuohen 6 familje, akomodohen te Konvaleshenca! 40 ha tokë nën ujë! FOTOT ME DRON

30 Janar, 08:44| Përditesimi: 30 Janar, 16:03

  • Share

DURRËS- Rrebeshet e shiu kanë shkaktuar përmbytje në Durrës, duke krijuar problematika të shumta në disa zona të qytetit. 300 banesa dhe ambiente publike janë nën ujë, ndërsa burime për Report Tv bëjnë me dije se 6 familje janë evakuuar nga banesat të cilat u pushtuan nga uji që vërshoi pas reshjeve të dendura të shiut një ditë më parë, 29 janar.

Familjet e evakuuara janë vendosur te Kavalishenca. Ministria e Mbrojtjes në raportin e përditësuar për situiatën në Durrës, njofton se rreth 40 hektarë tokë bujqësore ndodhet nën ujë.

Report Tv sjell pamjet nga përmbytjet në Durrës, ndërkohë që banorët janë angazhuar vetë në nxjerrjen e ujit nga banesat. Dje u bë i mundur shpëtimi i 4 fëmijëve që për shkak të ujit ishin bllokuar në furgonin e shkollës.

Problematika më të theksuara kanë rrugët dytësore në zonën e Durrësit të Ri, Shkozetit, Gjykata e Apelit, pjesërisht Zona e Plazhit. Ka një rritje të lehtë të niveleve të lumenjve Ishëm dhe Erzen, por pa rrezik për daljen nga shtrati.

Hidrovorët në Hamallaj dhe Porto Romano vijojnë punën me kapacitet të plotë. Në terren janë të angazhuara forca nga MZSH, Autoriteti Portual, Bordi i Kullimit, ndërmarrjet e punëve publike të bashkisë.

Në mbështetje të forcave në terren janë angazhuar 2 pompa thithëse me kapacitet të lartë dhe 3 kamionë të kalueshmërisë së lartë nga Forcat e Armatosura.

Ora 16:01
Përmbytjet në Durrës/ Kryebashkiakja Sako: Ka filluar vlerësimi i dëmeve! Zona e Shkozetit, problematike! Ministri Vengu: Forcat e Armatosura do qëndrojnë deri në normalizimin e situatës

Ministri i Mbrojtes, Piro Vengu ishte këtë të enjte (30 janar 2025) në Durrës, ku vizitoi nga afër disa prej zonave të përmbytura për shkak të reshjeve të dendura të shiut.

Së bashku me kryebashkiaken e Durrësit, Emirjana Sakon dhe prefektin e Qarkut të Durrësit, Emiljan Janin, ministri Vengu ndoqi nga afër angazhimin e Forcave të Armatosura në përballimin e situatës.

Kryebashkiakja Sako theksoi se dhe grupet e punës së vlerësimit të dëmeve kanë filluar menjëherë punën dhe se sapo ky process të përfundojë, bashkia do të miratojë kompensimet për qytetarët e Durrësit.

“Situata sot në qendër të qytetit dhe kryqëzimet kryesore paraqitet e qetë. Problematike është zona e ish-kënetës apo Durrësit të Ri, ku ne kemi bërë një bilanc sepse ekipet kanë qenë në terren dje gjatë gjithë kohës dhe grupet e punës së vlerësimit të dëmeve kanë filluar menjëherë punën. Falë ndërhyrjes që është bërë me argjinaturën e Erzenit që ka qenë një problematikë e vazhdueshme, me këtë investim kjo zonë nuk ka pasur probleme të mëdha. Zona e Shkozetit paraqitet me problematika apo zona e plazhit, ajo që është më afër shinave dhe pjesës së kanalit, ku dhe atje kemi grupet. Ne do të bëjmë vlerësimin e dëmeve dhe më tej do të bëjmë menjëherë miratimin për t’i shpërblyer për demët brenda banesave”,- theksoi Sako.

Ministri Vengu theksoi se mjetet e Forcave të Armatosura do të qëndrojnë në zonat e përmbytura të Durrësit, deri në kthimin në normalitet të situatës.

“Ajo që duhet theksuar është se hidrovori ka fuksionuar me kapacitet të plotë, vazhdon edhe tashmë të funksionojë me kapacitet të plotë. Prurja në disa kanale ka krijuar disa zona tampon që po pastrohen. Duhet të qëndrojnë mjetet si ato të ndërmarrjeve publike edhe ato të Forcave të Armatosura”,-tha Vengu.

Ora 10:45
Përmbytjet në Durrës, banorët për Report Tv: Situatë e përsëritur! Rruga e shtruar për zbukurim, nuk ka asnjë tubacion

 

Banorët në Durrës shprehen të irrituar pas situatës që shkaktuan reshjet e shiut në Durrës. Për Report Tv banorët shprehen se kjo situtë është e përsëritur, teksa theksojnë se rruga është bërë sa për sy e faqe

“Rruga ka vetëm ka çakull dhe pak asfat. Nuk është hera e parë, kemi mbi 10-15 herë që mbytemi, kemi bërë ankesë, nuk ka ndriçim. E gjithë shtëpia është nën ujë, 1 metër ujë. Asnjë nuk ka ardhur deri tani. Jemi në mëshirë të Zotit”, tha një qytetar.

“Më keq nuk ka, kati parë i shtëpisë është nën ujë, divane, krevate minibare janë dëmtuar, tani e pastrova. Asnjë nuk na ka ardhur. E gjithë lagja është përmbytur. Paguaj katër herë taksa, 52 mijë lekë për ujin. Rruga nuk ka çakull vetëm asfaltin sipër, nuk ka as ndriçim, as tuba, as trotuare, është shtruar vetëm për zbukurim. Hap derën të shtyp kalamanin (makina), tha një qytetar tjetër.

Ndërkohë zv. kryetari i Durrësit, Elio Jani shprehet se kanë ngritur grupe vlerësimi për banorët që janë prekur nga kjo situatë.

“Situata është më e qetë sa i përket motit. Kemi 300 banesa të përmbytura. Kemi ngritur rreth 10 grupe vlerësimi për dëmet e shkaktuara. Kemi vendos disa numra kontakti për banorët që kanë nevojë për ndihmë. Do të kemi një përmirësim në vijim”, tha Elio Jani, zv.kryetar i bashkisë Durrës.

Ora 09:55
Përmbytjet në Durrës, 300 banesa nën ujë! FOTOT ME DRON

Foto:Durrës

300 banesa  në zonën e Durrësit të Ri, Shkozet, Nishtulla, kryqëzimi pranë burgut ndodhen nën ujë pas reshjeve të shiut që ranë dje.

Lajmin e bëri të ditur kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako përmes një postimi në Facebook.

"Rreth 300 banesa në total, nga të cilat 200 shtëpi janë në zonën e Durrësit të Ri, 60 në zonën e Shkozetit dhe Plazhit, 4 banesa në njësinë administrative 4, 1 shtëpi në njësinë 1, 20 banesa në Sukth, 10 në Katund të Ri dhe 5 shtepi në Rrashbull", shkroi Sako, teksa theksoi se grupet e punës ndodhen në terren. 

Ora 09:38
Kukës/ Reshje shiu intensive gjatë natës dhe rrëshqitje dherash e gurësh! Ja akset më problematike, shoferët këshillohen të kenë kujdes (VIDEO)

 

Rënia e gurëve dhe situata në një nga rrugët e Kukësit

I gjithë qarku i Kukësit është përfshirë gjatë natës nga reshje shiu me intensitet të lartë. Aktualisht nuk ka reshje shiu dhe situata raportohet normale nga strukturat vendore.

Sipas të dhënave, në disa segmente rrugore ka pasur rënie gurësh dhe inertesh në rrugë. Më problematike situata ka qenë në rrugën Kukës-Qaf Mali-Pukë, ku nga segmenti Kolsh-Qaf Shllak, ka prezencë të gurëve e dherave në rrugë.

Subjekti kontraktor për mirëmbajtje ka punuar dhe po punon për pastrimin dhe mbajtjen funksionale të këtij aksi. Sipas KMC-së, rrugët nacionale janë të qarkullueshme normalisht, ndërsa nga bashkitë Kukës, Tropojë dhe Has nuk ka raportime për ndonjë problematikë. 

Gazetari i Report TV, Benet Beqiri, informon se të gjitha rrugët janë të kalueshme. Policia këshillon që përdoruesit e rrugës të bëjnë kujdes në lëvizje dhe të respektojnë sinjalistikën, të reduktojnë shpejtësinë për shkak të lagështisë në rrugë.

Furnizimi me energji elektrike është normal në gjithë territorin e Qarkut Kukës, përveç fshatit Gabricë, Njësia Administrative Bicaj, Bashkia Kukës dhe 12 abonentë të Fshatit Berishë, njësia Bytyç, në Bashkinë Tropojë. Furnizimi me ujë të pijshëm është normal.

Ora 09:26
PAMJET nga përmbytjet në Durrës, banorët angazhohen për tërheqjen e ujit nga banesat

Banorët e Durrësit u zgjuan sot nën pushtetin e ujit.

Nga videot e sigurara për Report Tv, shohim se disa qytetarë aktualisht në zonën e ish-Kënetës banorët me anë të disa pompave po tërheqin ujin nga banesat e tyre.

Ndërkohë në zonë ndodhet edhe policia bashkiake për monitorimin e situatës.

Xh.K/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Alb: 30/01/2025 11:13

    Nerto ven e pa ven dhe pa lapc.Kjo ashte pasoje

    Përgjigju
    • Bal: 30/01/2025 14:06

      fiks! shohin vetem ta ngrene sa me shume kate (lene dhe hekurat ne tarace se ku i dihet mund te bejne dhe ndonje te fundit fare me vone) dhe nuk shohin ku hedhin kembet.

  • zakarel zaka: 30/01/2025 10:23

    te vihen para drejtesise pergjegjesit nuk shtyhet cdo vit keshtu

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Strategjia e SPAK për parandalimin e krimit elektoral, a do ketë sukses?