Kronikë

Përmirësohet situata në Kaninë! Vengu në terren: U ndalua autori i zjarrvënies në Shashicë

27 Korrik, 00:39| Përditesimi: 27 Korrik, 07:31

  • Share

 

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu ndodhet në Vlorë, aty ku situata është më kritike nga zjarret. Në një prononcim për gazetarët, ministri u shpreh se ka një përmirësim të situatës në Kaninë, por kritike mbetet vatra e Sherishtës, ku janë evakuuar edhe 4 familje. Ndërkohë, në Kaninë forcat janë në gatishmëri, por ministri thekson se nuk ka rrezik për banorët.

Zjarri që nisi në Shashicë kaloi në Sherishtë, ndërsa ministri Vengu bëri me dije se kanë ndaluar edhe autorin e zjarrvënies.

“Në Shashicë patëm një situatë zjarrvënie, ç'është e vërteta, gjatë pasdites madje edhe policia ka kryer veprimet e duhura hetimore dhe ka ndaluar edhe personin që dyshohet se ka qënë shkaktari i kësaj zjarrvënie. Në momentet që flasim kemi një ndarje në dy fronte, me dy skuadra të Bashkisë së Vlorës, Agjencisë Kombëtare të emergjencave civile dhe të forcave të armatosura, me mbështetje edhe nga baza e Pashalimanit. Të cilat janë të pozicionuar në dy frontet që janë sot në Kaninë. Fatmirësisht jemi në kushtet, të themi që ka një përmirësim të situatës në Kaninë. Zonat e banuara në momentin që flasim nuk rrezikohen, po pozicionojnë forcat në mënyrë të tillë që të qëndrojnë pranë banesave për çdo eventualitet gjatë natës, në kushtet ku ka akoma erë që fryn dhe e shtyn vatrën në drejtime të ndryshme sipas lëvizjes së erës. Mund të themi që për momentin kemi një përmirësim, nuk jemi jashtë rrezikut, qëndrojmë vigjilent dhe forcat do qëndrojnë këtu. Do kemi dhe një shtim forcash që na vjen nga qarku i Fierit dhe do qëndrojë në gatishmëri në Kaninë në mënyrë që në orët e para të mëngjesit të jemi në kushte që të ndërhyjmë përsëri në qoftë se është nevoja”, theksoi Vengu.

Nesër në mëngjes do të nisë edhe operacioni për shuarjen e flakëve me avionë.

“Jo vetëm në Kaninë, kemi dhe një situatë në Borzhë dhe në Piqeras, në lartësitë e Borshit të Veqerasit dhe aty, forcat e Himarës edhe forcat e armatosura kanë krijuar një perimetër në mënyrë që të gjitha zonat e banuara mos të dëmtohen. Zjarri nga maja e Shashicës rrezikon drejtpërsëdrejti Sherishtën. Siç e thashë, kemi dy skuadra, një skuadër në Sherishtë dhe një skuadër në Kaninë, që do qëndrojnë në vigjilencë maksimale. Sherishta ka një brez në fakt prej dy kilometrash gjërësie, që dukej sikur po zbriste drejt Sherishtës. Era ka ndryshuar drejtim dhe jemi në kushte të themi që kemi një përmirësim të situatës. Gjithsesi, do qëndrojnë forcat e tyre për çdo eventualitet”, tha Vengu.


Lajmi kryesor:

Zjarr në Kaninë-Delvinë-Borsh, në Sherishtë i afrohet landfillit, evakuohen 4 familje! Në flakë Parku Kombëtar i Prespës dhe Qafa e Buallit


SI.E./r.k./ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Si mendoni se po menaxhohet situata me zjarret?