Politikë

Rama mbyll fushatën: Më 11 maj firmosim marrëveshjen për Shqipërinë evropiane! Marrim të paktën 78 mandate! Bufi i rrjedhur, ‘Latifi’ do ikë edhe më i pasur

9 Maj, 19:12| Përditesimi: 9 Maj, 22:59

  • Share

Premtimi  që përshkroi gjithë fushatën se Shqipëria do të mund të bëhet anëtare e Bashkimit Europian në vitin 2030 dhe bindja e deklaruar se do të rikonfirmohet në pushtet me së paku 78 mandate, ishin boshti i fjalës së kryetarit socialist Edi Rama, në mbyllje të turit të gjatë elektoral, që ndali mbrëmjen e sotme në kryeqytet. Aty ky, këtë herë, në fitoren që socialistët presin ia dedikoi, ai njohu, ndonëse pa ia përmendur emrin, dhe kontributin e Erion Veliajt, për transformimin e kryeqytetit.

Në të njëjtin podium, ndërtuar mbi simbolin e fushatës, yllin e verdhë të flamurit të Europës së Bashkuar, të konturuar me sfondin e blu që rrethohet nga ngyrat kuqezi, Rama e nisi dhe përfundoi fjalinë e tij me Shqipërinë anëtarë të BE-së në vitin 2030. Sërish atij i erdhi në ndihmë data 9 maj, që përfaqëson festën e BE-së. “Unë besoj se nuk ka rastësi te fakti që ne sot jemi këtu në ditën e Europës për të thënë fjalën e fundit të këtij rrugëtimi e për të shkuar pastaj bashkë me shumicën më të madhe ndonjëherë të shqiptarëve në kutitë e votimit për të firmosur marrëveshjen tonë të madhe për Shqipërinë europiane, për Shqipërinë në BE”.

Për Ramën “ta mendosh sot Shqipërinë pa ne, PS në krye të punëve të saj të mëdha dhe të përpjekjes sonë, për tu ngjitur në, majën 2030, është njësoj si ta mendosh Shqipërinë me flamurin ngjyrë kënete, njësoj si ta dëgjosh zërin e vendit me shkëputjet e fillit të një plaku të rraskapitur mendërisht, të dëshpëruar moralisht dhe të pashpresë politikisht”.

Por, Berisha nuk ishte i vetmi ndaj të cilit ai nuk kurseu epitetit, as mbrëmjen e së premtes. “Do të harrohet edhe Latifi njësoj si kapelja trumpiste, që ia rrasi bufit në kokë duke e bërë edhe më qesharak”.

Ai etiketoi pjesën dërrmuese të drejtuesve demokratë të qarqeve, ndërsa bënte llogaritë e fushatës, duke shpjeguar me zë, bastin e shkruar mbi mbulesën e letrës, në një bar të Kuçit, një ditë më parë: një minimum prej 78 mandatesh, 4 më shumë se mandati aktual. Dhe pa llogaritur Tiranën, ku shpresat e socialistëve shkojnë deri në 2 mandate më shumë. “Tiranën e lënduar nga ngjarja e fundit”, e përshkroi ai, me një referencë të qartë për arrestimin e Erion Veliajt. Ndonëse nuk e përmendi emrin e tij, vënia e theksit disa herë te transformimi i kryeqytetit të cilit “ne i dhamë sharmin e pamohueshëm të Europës”, ishte një mënyrë e qartë për të mos e lënë në hije kryebashkiakun.

Dhe pikërisht Tiranës “së madhe dhe të bukur”, Rama i drejtoi thirrjen e fundit që “të dielën të bëhet lokomotiva e fuqishme” e misionit, “për Shqipërinë europiane. Nxirr nga dora jote 20 mandate për majën e 2030 në BE”, u shpreh kryetari socialist ndërsa në podium iu bashkua dhe Linda Rama e më pas të gjithë kandidatët socialist të kryeqytetit.

Ora 21:07
Rama: Berisha të dielën do shpallë fitoren, të hënën vjedhjen e votave dhe të martën revolucion! Latifi do ikë andej nga erdhi edhe më i pasur

Kryesocialisti Edi Rama ironizoi Sali Berishën dhe Chris Lacivitan, teksa tha për këtë të fundit se do të ikë më i pasur se sa ishte në SHBA. Rama tha se i vuri Berishës një kapele në kokë si Trump, duke e bërë më qesharak sesa ishte. 

“Ky rrugëtim nëpër Shqipëri ka qenë i bukur, ka qenë i qetë pozitiv s’ka pasur ndotje të mëdha akustike apo pamore përveç grumbujve me leshterikë të kënetës nëpër sheshe apo grushtave dhe shkelmave madhëhstorë të tyre mes veti. Mua ato grumbujt e kënetës më hoqën mallin e Lulit, kur në 2017 përhapte dritën e republikës së re. Këtë herë në vend të shokut tim me pantallona verore ngjyrë verdhë, si këngëtar në përvjetorët e maturës ishte bufi me kapelen e Donald Trump, i kërrusur dhe i rrudhur si ai shtrigani i koncertit në vitin ‘36 me Latifin që kishte ardhur të përhapte tymin madhështor të magjisë që do të na shkatërronte të gjithëve ne, dhe sot ne s’do ishim këtu fare, dhe me syrin e qimit të qunit për lajmin madhështor që do ta bënte oqeanin atlantik kos.

Por tani fushata mbaroi dhe në fushë do të hyjë sovrani me votën e tij. Vazhdimin e tij bufi do ta falendërojë për fitoren mbrëmjen e të dielës, më pas do ta alarmojë për vjedhjen e votave drekën e së hënës dhe më pas do ta thërrasë në revolucion pa kthim mëngjesin e së martës. Latifi do të ikë andje nga erdhi, natyrisht më i pasur se andej nga erdhi se në atë grumbuj mbetjesh të pariciklueshme, ishte i vetmi rrotë same kur thonë kosovarët. Do të harrohet edhe Latifi njësoj si kapelja trumpiste, që ia rrasi bufit në kokë duke e bërë edhe më qesharak se vetë qim mjekër postiqja, i cili do të bjerë në dilemën madhështore ta rruaj apo jo. Ndërsa ne PS do të marrim mandatin e 4 me të paktën 78 mandate dhe s’do të humbim asnjë ditë për Shqipërinë 2030 në BE”, tha Rama. 

Ora 21:06
Rama për arrestimin e Veliajt: Nuk e harrova Tiranën e lënduar nga ngjarja e fundit! Kryeqyteti krenaria jonë, i dhamë sharmin e pamohueshëm të Europës

Kryesocialisti Edi Rama gjatë fushatës përmbyllëse tha se PS synon në Tiranë të paktën 20 mandate nga 18  që ka aktualisht. Në nisje të fjalës, Rama përmendi të gjitha qarqet, por jo Tiranën, për të cilën foli në vijim të fjalës së tij. Rama tha se nuk e harroi Tiranën e lënduar nga ngjarja e fundit. Duket se kryesocialisti i referohet arrestimit të Erion Veliajt, ndonëse nuk e përmendi me emër.

“Është njësoj si ta shohësh krahët drejtësisë të brejtura nga minjtë e kënetës, njësoj si t’ia presësh këtij shteti këmbët dhe ta rrokullisësh kovë pusi teposhtë. Po Tiranën e lënduar nga ngjarja e fundit, e harrova vallë që nuk e rendita në listën e qarqeve me mandatet e tyre. Nuk e harrova natyrisht, po pse e lashë jashtë listës së mësipërme ndërkohë që brenda nesh debati lidhur me sondazhet, lidhur me të dhënat nga terreni është s enë tiranë do marrim 1 ose dy plus, duke shkuar nga 18 në 20. Nuk e harrova por e lashë veç, sepse Tirana ha bukë veç, është jo vetëm kryeqytet dhe qarku më i madh, po është edhe krenaria jonë me  madhe, jo si qytetarë, por si shpëtimtarët e saj, i kemi dhënë këtij qyteti të mbytur në llumin e kënetës, sharmin e pamohueshëm të Europës”, tha Rama.

Ora 21:03
Rama në takimin përmbyllës: Tiranë e madhe nxirr nga dora jote 20 mandate për Partinë Socialiste

 

Edi Rama i kërkoi votuesve të Tiranës që me 11 maj të shtyjnë fort Shqipërinë drejt Bashkimit Europian, duke i dhënë Partisë Socialiste 20 mandate.

"Dora me 5 gishtat ka brenda mundësinë e një vote krenare për një Shqipëri krenare, në familje krenare, në familje europiane, për një Shqipëri të re, në historinë e re, një Shqipëri drejt finishit të një rrugëtimi të gjatë sa vetë ekzistenca e shqiptarëve në zemër të Europës. Për një Shqipëri ku përkatësia europiane nuk është vetëm një zakon, por edhe një ligj. Tiranë e madhe dhe e bukur, mos u mendo më, por bëhu të dielën lokomotiva e fuqishme e këtij misioni, për ty, për ne, për Shqipërinë dhe nxirr nga dora jote 20 mandate për majën e 2030 në BE. Rroftë Partia Socialiste e Shqipëria, rrofshi të gjithë ju që erdhët këtu, duruat, qëndruat, ju jam shumë mirënjohës dhe rrofshin të gjithë socialistët e progresistët. Qofshin të bekuar të gjithë fëmijët e Tiranës dhe fëmijët e Shqipërisë, të prindërve me të gjitha bindjet politike, dhe qofshin prindërit e tyre të vetëdijshëm se 11 maji është në radhë të parë i fëmijëve të tyre',-tha Rama.

Ora 20:57
Rama: Shqipëria pa PS, si flamur ngjyrë kënete! Bufi plak i rraskapitur mendërisht

 

Nga takimi përmbyllës i PS në Tiranë, kryesicialisti Edi Rama shigjetoi edhe Sali Berishën.

“Ta mendosh sot Shqipërinë pa ne, PS në krye të punëve të saj të mëdha dhe të përpjekjes sonë, për tu ngjitur në, majën 2030, është njësoj si ta mendosh Shqipërinë me flamurin ngjyrë kënete, njësoj si ta dëgjosh zërin e vendit me shkëputjet e fillit të një plaku të rraskapitur mendërisht, të dëshpëruar moralisht dhe të pashpresë politikisht”, tha Rama.

Ora 20:53
Takimi përmbyllës në Tiranë, Rama ‘zbërthen’ projeksionet për 78 mandate më 11 maj

Kryesocialisti Edi Rama "zbërtheu" edhe në takimin përmbyllës që zhvilloi këtë të premte në Tiranë, projeksionet për zgjedhjet e 11 majit.

"Ne kemi sot 74 mandate apo jo? A di kush të ma thotë ku, në cilin qark dhe pse ne do ta humbim njërin nga këto 74 mandate. Në Kukës, në mos e marrshim dhe një tjetër, nuk kanë se si na e marrin atë një që kemi se nuk e lejon aritmetika, ajo që kam mësuar në Lice dhe jo 7x7= 6 mln apo ajo 50 mijë ranë në 60 mijë. Në Shkodër kemi 3 mandate nga 11, më pak s’ka ku të shkojë. Pse do ta humbim edhe një tjetër? Apo mos vallë kryetari i bashkisë, antikomunisti lëkurë gri Bardh Hardhuca. Ai që mundi Beci në dy vjet më parë po transformon Shkodrën në një vend plehrash, ferrash dhe pluhurash të mbledhur në tre dekada qeverisje të PS për Shkodrën në një vend të denjë për vizionin evropian të demokratëve dhe për statusin e kryeqytetit të veriut. Pra unë them se me çfarë kemi bërë ne dy vjet për Shkodrën me Benetin është normale të pretendojmë minimum një mandat plus, edhe pse të gjitha sondazhet thonë dy. Mbajini në mend. Një plus! Në Lezhë kemi tre mandate nga 7, që ta humbim edhe një tjetër duhet që Lezha të dielën të gdhihet me bindjen se ndryshimet e mëdha, rilindja e Laçit pas tërmetit janë meritë e vjeshtorit personal të bufit, kryebashkiakut faqekuq, kameleon Gjekmarkaj. Kjo zor të ndodhë. Më e mundur është që kameleon vjershtori ta humbë një mandat dhe ta marrim ne. Megjithatë nuk e llogaris këtë te minimumi. Në Durrës kemi 8 mandate dhe mund të humbim një vetëm  nëse njerëzit të kuptojnë se fuqia e vërtetë e ndryshimit të Durrësit është kryebashkiaku dyll i verdhë Oerd gjinkalla, i cili e ka kthyer Durrësin në kantier me mbështetjen e veçantë të shqupit dhe nën kujdesin e atit të tij shpirtëror, bufit të kënetës. Shkurt 8 mandate në Durrës janë mur që s’e lëviz dot as topi ndërhohë që tulla e 6 e kënetës është duke rënë. Mandati i 9 i Elbasanit na shpëtoi për një fije para 4 vitesh, prandaj nëse zgjedhësit atje nuk do ta marrin vesh deri të dielën, se dhe Formula 1 do ta sjellim në Elbasan, pasardhësi i Luciano “fake” Pavarotit, Ludovik bej Alizoti, atëherë edhe një plus në Elbasan hyjnë pa asnjë zor të minimumin  tonë të 11 majit. Nëse fierakët nuk do ia dinë për nder kënetës që i shpëtoi nga kanceri i gjanëzës, Gazi nuk ka asnjë shans që të ndalojë mandatin e 10-të të kthyer. Në Berat, Korçë, Gjirokastër, nuk i lëviz topi mandatet tona, në Vlorë jo e jo, ku mund dhe t’a marim të 9-in, por prapë i 9-ti i Vlorës s’na hyn te minimumi, se minimumet tona janë 100% të sigurta. Prandaj të 4 plus që na çon në 78 minimumi, ne do ta marrim në dorë",-tha Rama.

Ora 20:53
Rama në takimin përmbyllës: Tironsit duhet të mendojnë më shumë për Shqipërinë në BE se sa për rrugicën e pashtruar të fytit të Fahri Balliut

Në takimin përmbyllës që zhvilloi në kryeqytet, kryesocialisti Edi Rama iu drejtua në veçanti qytetarëve të Tiranës, duke i kërkuar që më 11 maj të përdorin votën e tyre për të afruar më tepër Shqipërinë me Bashkimin Europian.

“Këtë qytet mund ta bëjnë më të mirë vetëm ata që jo vetëm e duan, por dinë ç’është e bukura. Jo vetëm ata që ndërtojnë shkolla, çerdhe, palestra… më shumë se të gjithë të tjerët bashkë në dekadë të tërë, por në çdo gjë që ndërtojnë sjellin më shumë Europë në Tiranë dhe Shqipëri. Tironas dhe tiranase, kam një mesazh për ju: simpatitë partiake mbajini për vete, po ndajeni Tironën, se ajo është më e bukur veç. Mos e ngatërroni Tironën me ngjyrën e partisë, se Tirana është e të gjithëve, Tirana është fëmijë i Kosovës, i shqiptarëve të Maqedonisë, i çdo fëmije që fjalën e parë e thotë “o nënë”. O tirons demokrat, si të kom, të dielën, duhet të mendosh më shumë për Shqipërinë në BE sesa për rrugicën e pashtruar të fytit të Fahri Ballit, ndërsa Tiranës të lëkundur i them se ti ke mall nga djemtë e aeroportit që nuk gjen në ndonjë asnjë mllef për mbrapsi, por duhet të mendosh për Shqipërinë në BE. Tirana duhet të mendojë të dielën për blunë e Europës dhe flamurin kuq e zi. Tirana duhet të ma besojë dhe një gjë: që kur ka ardhur dita që kamza e arratisur nga këneta do e sjellë në pako të 19, tirona do e sjellë patjetër të 20”,-tha Rama.

Ora 20:49
‘Me kuç, maç e minj morën Tiranën’, Rama kujton humbjen me 10 vota: S’do fitojnë dot nëse s’e kuptojnë se pse i mundim! Duhet të presin të dalin nga materniteti se nëpër sheshe e rrugë...

Kryesocialisti Edi Rama, gjatë fjalës së tij në mitingun përmbyllës, kujtoi edhe humbjen me 10 vota të bashkisë. Rama e cilësoi si sprovën më të fundit përpara ngjitjes së pandalshme të PS. 

“Tirana u bë kështjella jonë ku projektonim, ndërtonim dhe transformonim pa pushim qytetin duke hasur në çdo hap vrazhdësinë e injorancës armiqësore të kundërshtarëve tonë politike. Çfarë nuk bënë dhe nuk na bënë derisa morën edhe Tiranën. Me pahirin e një grabitjeje të pabesueshme pasi u bënë të tërë bashkë me kuç, maç e minj. Ajo përmbysje e fitores tonë epike me 10 vota që na dhanë gëzim sa të jashtëzakonshëm, aq edhe të përkohshëm, ishte në fakt testi më i vështirë i karakterit që ne faktuam hap pas hapi. Ai rrëzim poshtërues ishte sprova e fundit përpara ngjitjes së pandalshme lart të PS të Shqipërisë. Dy vjet pas atij poshtërimi, bashkësia dhe familja jonë e madhe e rimori qendrën e skenës politike shqiptare, ku jemi kthyer në fuqinë e pandalshme të rilindjes së Shqipërisë dhe ku do të qëndrojmë më të fortë se kurrë më parë pas fitores historike të dielën më 11 maj të PS së Shqipërisë. “, tha Rama. 

Më tej, Rama ironizoi opozitën teksa tha se nuk do të fitojë kurrë nëse nuk kupton se pse i mund kaq thellë. Ai tha se tani për tani PS është më e mira ndërsa ironizoi duke thënë se të tjerët do të duhet të presin te materniteti pasi aktualisht nuk kanë asnjë figurë të duhur politike. 

“Asgjë, asnjëherë nuk ka qenë e lehtë për mua dhe për ju dhe ajo që kundërshtarët tanë s’kanë për ta kuptuar kurrë, është se kurrë nuk do të na mundin dot po nuk e kuptuan se pse ne i mundim çdo herë  e më thellë. Ata thonë se ne nuk mundemi dot me vota, dhe jam dakord me ta sepse të marrësh më shumë vota sesa ne duhet të jesh më i mirë se ne. Por dihet ne nuk jemi më të mirët, por më të mirë se ne, kështu si po shkojnë këto punë kam frikë se duhet të presin të dalin nga materniteti sepse nëpër sheshet dhe rrugët e Shqipërisë hë për hë...aha harroje. Edhe ata që medemek janë prurje të reja, i keni parë nuk ngjajnë me ne por me kundërshtarët tanë të kahershëm. Dava humbësash që janë larg, shumë më larg. Ndërkohë që ne edhe aritmetikisht do të ngjitemi më lart, më e pakta 78 mandate. Ky është bllof, truk e propagandë thanë disa duke komentuar memorandumin e Kuçit dhe pyetja ime është se pse nuk qenka e vërtetë ose të paktën, në mos e vërtetë, pse nuk qenka e mundshme.”, u shpreh Rama. 

Ora 20:25
Takimi përmbyllës i PS në Tiranë, Braimllari: Ta kthejmë 11 majin ditën e festës së Shqipërisë evropiane

 

Kandidati për deputet i PS në Qarkun Tiranë në zgjedhjet e 11 majit, Endrit Braimllari, bëri thirrje për votëbesim plebishitar ndaj kryesocialistit Edi Rama.

“Kjo energji shpërthyese e qytetarëve të Tiranës, të rinjve dhe të rejave socialiste është garanci për një fitore historike më 11 maj, le ta kthejmë ditën e diel më 11 maj ditën e festës së Shqipërisë evropiane duke votuar numrin 5 dhe partinë socialiste’,-tha Braimllari.

Ora 20:14
Xhafaj me kandidatin e ri socialist në Tiranë: Unë dhe Roi, e djeshmja dhe e nesërmja e PS! 

 

Kandidati i PS në listën e hapur të Tiranës Fatmir Xhafaj tha se me 11 maj qytetarët do t’i japin një fitore të madhe PS. 

“Mbyllje më të mirë se kjo me shi s’mund të kishte. Është bereqet për fitoren e PS ditën e dielë. Numrin 5. Më kanë pyetur shpesh si ka mundësi mandati i 4-ëert. A e dini pse? Sepse ne fitojmë se jeni ju këtu, se ju kemi ju, se ju jemi zemra e PS. Kjo fushatë mban emrin tuaj, kontributin dhe ju së bashku me ne, në ditën e dielë, në kutitë e votimit, do t’i japim një fitore të madhe PS për Shqipërinë në BE.”, tha ai. 

Më pas, teksa thirri kandidatin e ri Roi Bashaj tha: 

“Dëshiroj që jo rastësisht t’ja lë radhën Roit. Unë dhe Roi, unë e djeshmja dhe Roi e nesërmja e PS. "

Ora 20:06
Gonxhja: Votoni PS! Më 11 maj hapim një epokë të re, atë të Shqipërisë evropiane 

 

Kandidati në listën e hapur, Blendi Gonxhja bëri thirrje për të votuar Edi Ramën dhe PS për të hapur epokën e re, atë të Shqipërisë evropiane. 

“Jeta ime është plot me eksperienca të forta por kjo fushatë është eksperienca më e jashtëzakonshme dhe më e bukur e jetës time.

Në 11 maj do të hyjmë në histori se mbyllim tranzicionin shqiiptar dhe hapim epokën e re dhe, të Shqipërisë evropiane. Ndaj votoni PS, votoni Edi Ramën, votoni 5. “, u shpreh Gonxhja. 
 

Ora 19:56
VIDEOLAJM/ Braçe përlotet në miting, kujton tre anëtarë të ndjerë të PS

Kandidati socialist në listën e hapur për Tiranën, Erion Braçe bëri thirrje për të votuar PS më 11 maj, për të bërë të mundur ëndrrën e të gjithëve, atë të integrimit të vendit në BE. Braçe tha se do të ishte nder akoma më i madh nëse PS do të skalitej në histori si partia që futi vendin në Union. 

Ai kujtoi edhe tre persona që janë ndarë nga jeta së fundmi, anëtarë të PS. 
 

“Faleminderit dhe mirë se keni ardhur në njësinë nr 5, në zemrën e kuqe të Tiranës dhe të PS. Ismail Haroku ishte burrë i drejtë, i ndershëm, punëtor e socialist. U nda vetëm pak ditë nga jeta. Deri në frymën e  fundit ishte duke folur me ne të njësisë 5, e organizatën e tij të PS te 1 Maji. Dha frymën e fundit duke dorëzuar listën e tij të votuesve për PS dhe Ramën. Nuk dua asgjë më shumë se sa për Ismail Harokun, Halil Allën dhe Altin Binjakun, që të tre të ndarë nga jeta vetëm në këto ditë. Një duartrokitje të madhe se këta burra bëjnë PS e Shqipërisë. Shpirti i tyre të prehet në paqe dhe të na udhëheqin nga atje lart. Jemi para një ngjarje të madhe dhe historike.

35 vite me radhë ky vend, dhe tre  breza kanë kërkuar Shqipërinë në BE. Tani është koha të plotësojmë ëndrrën e çdo shqiptari që ka luftuar për Shqipërinë në Evropë. Kjo është ora t’i japim nder akoma më të madh PS, ta skalisim në histori si partia qe e futi këtë vend në familjen evropiane dhe i dha një shans të madh e të vogli që të jetojë si qytetar evropian për gjithë jetën. Ndaj një lutje kam çdo votë ka vlere, e kujtdo në këtë qytet e ketë vend e merr vlerën në kutinë e votimit.”, tha ai. 

Ora 19:49
Manastirliu: 11 Maji nuk është thjesht datë zgjedhjesh, por ditë historike! Më shumë qytetarë do të na bashkohen për punët që do të bëjmë në 4-vjeçarin e ardhshëm

 

Drejtuesja politike e PS për Tiranën dhe kandidate në listën e mbyllur, Ogerta Manastirliu tha se më shumë qytetarë do t’i bashkohen socialistëve për punët e mira që do të bëjnë në 4 vjeçarin e ardhshëm. Teksa mori fjalën gjatë takimit përmbyllës, Manastirliu u shpreh se 11 Maji nuk është thjesht një datë zgjedhjesh, por një ditë historike. 

“Kemi qenë së bashku gjatë një fushate të jashtëzakonshme, me njerëzit, për njerëzit në çdo cep të Tiranës. Kemi trokitur në çdo derë, në çdo rrugë e lagje të Tiranës për të prezantuar vizionin dhe planin tonë ambicioz për Shqipërinë anëtare të BE. Kemi ndarë së bashku punët e mira të bëra në këto 12 vite. Ashtu sikurse kemi trokitur në çdo derë, kemi dëgjuar edhe kritika. Na kanë mbështetur dhe folur fjalë zemre sepse do të na bashkohen edhe më shumë qytetarë për punët që do të bëjmë në 4 vjeçarin e ardhshëm drejt Shqipërisë evropiane. Tirana ka folur në këtë fushatë përmes zërit të të rinjve, votues për herë të parë, që besojnë në Shqipërinë evropiane.

Ka folur përmes fuqisë së grave dhe vajzave që i kanë dhënë zemrën kësaj fushate. Tirana ka folur me qytetarinë, zgjuarsinë dhe besimin për të sotmen dhe të ardhmen e Shqipërisë evropiane me Ramën dhe PS, me skuadrën e kandidatëve të Tiranës. 11 maji nuk është thjesht një ditë e zgjedhjeve të radhës, por ditë historike. Do të doja që sot të ishim së bashku e gjithë skuadra e Tiranës. Secili prej jush ka bërë punë të jashtëzakonshme. “, u shpreh Manastirliu. 

Ora 19:47
Takimi përmbyllës i PS, Balla falenderon votuesit nga diaspora për pjesëmarrjen në zgjedhje: Nisini dhe ato pak vota që kanë mbetur

 

Në takimin përmbyllës të Partisë Socialiste në Tiranë, Taulant Balla përshëndeti dhe falenderoi votuesit në diasporë për pjesëmarrjen e tyre të kënaqshme në zgjedhjet e 11 majit.

“Plot 200 mijë vota e vulosën në diasporë e kanë shtruar fitoren e PS dhe është një fitore si askund tjetër më e fortë se të tre mandatet që kemi pasur deri tani. Kemi edhe pak orë në dispozicion nesër në mëngjes, nisni ato pak vota që kanë mbetur për ta shtuar fitoren si askund tjetër, sepse Rama dhe PS i kanë ngritur dinjitetin Shqipërisë dhe flamurit tonë kombëtar. Tani kemi mundësinë që flamurin tonë ta ngremë në derën e BE”,-tha Balla.

Ora 19:41
Elvana Gjata këndon në takimin përmbyllës të PS në Tiranë: Votoni Edi Ramën për Shqipërinë në BE

 

Këngëtarja Elvana Gjata ishte pjesë e hapjes së takimit përmbyllës të PS në Tiranë, ku pati një performancë elektrizuese për mijëra të pranishëm. 

Artistja e shumëdashur për publikun shqiptar, dhe jo vetëm, bëri thirrje për votë masive për kryesocialistin Edi Rama më 11 maj.

Ora 19:33
Flamuri i parë i PS në këtë fushatë shfaqet në takimin përmbyllës në Tiranë (VIDEO)

Sot PS mbajti në Tiranë takimin përmbyllës për zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Në mesin e mijëra flamunjve kombëtar, për herë të parë në këtë fushatë u duk edhe flamuri i PS, në një takim të kësaj të fundit.

Ora 19:29
Mitingu përmbyllës/ Rama shoqërohet nga bashkëshortja (VIDEO)

Në takimin përmbyllës të fushatës, kryesocialisti Edi Rama u shfaq me bashkëshorten, Linda Rama.

K.M/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Bravo: 09/05/2025 21:11

    Paska fol vetem per opozitën, goxha program.

    Përgjigju
  • Jani: 09/05/2025 19:57

    Si miting skuthash patronazhistes ordinier

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Zgjedhjet e 11 majit, si ju është dukur fushata zgjedhore?