Presidenti amerikan Donald Trump, në një konferencë shtypi nga Shtëpia e Bardhë me Kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, ka prezantuar planin me 20 pika për të vendosur paqe në Gaza.
Gjatë takimit, Trump dhe Netanyahu zhvilluan një bisedë telefonike me Kryeministrin e Katarit, Mohammed bin Abdulrahman bin Jassim Al Thani. Palët diskutuan mbi propozimin për t’i dhënë fund konfliktit në Gaza, mbi perspektivat për një Lindje të Mesme më të sigurt dhe rëndësinë e forcimit të mirëkuptimit mes vendeve të përfshira.
Netanyahu gjithashtu kërkoi ndjesë për një sulm të fundit të kryer në Doha, duke siguruar se incidente të tilla nuk do të përsëriten.
Në pikat hyrëse të planit me 20 pika, thuhet se Rripi i Gazës do të jetë një “zonë e deradikalizuar, e lirë nga terrorizmi dhe që nuk do të përbëjë më kërcënim për fqinjët e saj”.
Gjithashtu, Gaza do t’i nënshtrohet një procesi të thellë rikualifikimi në dobi të popullatës që ka vuajtur mëse mjaftueshëm.
“Ky është një plan që ka gjetur mbështetje të gjerë në rajon, si nga vendet arabe ashtu edhe ato evropiane. E kemi quajtur këtë iniciativë ‘Paqe për Lindjen e Mesme’, dhe jemi shumë pranë një marrëveshjeje që mund t’i japë fund luftës në Gaza”, tha Donald Trump.
Plani përfshin rifillimin e ndihmave humanitare në Gaza në bashkëpunim me Kombet e Bashkuara.
“Me pranimin e kësaj marrëveshjeje, ndihmat do të dërgohen menjëherë në Rripin e Gazës. Sasitë e ndihmave do të jenë të përputhshme me marrëveshjen e 19 janarit 2025, dhe do të përfshijnë rehabilitimin e infrastrukturës (ujësjellës, energji elektrike, kanalizime), spitaleve, furrave të bukës dhe pajisjeve për pastrimin e rrënojave dhe hapjen e rrugëve”, thuhet në dokument.
Sipas planit, shpërndarja e ndihmave do të bëhet pa ndërhyrje nga asnjëra palë, nën mbikëqyrjen e OKB-së, Gjysmëhënës së Kuqe dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare neutrale.
Hapja e pikës kufitare në Rafah në të dy drejtimet do të rregullohet sipas mekanizmave të përcaktuara në marrëveshjen e janarit 2025.
Plani garanton se asnjë qytetar nuk do të detyrohet të largohet nga Gaza.
“Askush nuk do të detyrohet të largohet. Ata që dëshirojnë të largohen do të jenë të lirë ta bëjnë këtë, dhe gjithashtu të lirë të kthehen. Qëllimi ynë është t’i inkurajojmë njerëzit të qëndrojnë dhe t’u japim mundësinë të ndërtojnë një Gaza më të mirë”.
Presidenti amerikan Donald Trump tha se marrëveshja përfshin lirimin e të gjithë pengjeve izraelite nga Hamasi.
Në këmbim të lirimit të pengjeve izraelite, Izraeli do të lirojë 250 të burgosur palestinezë.
Nëse palët pranojnë propozimin e Donald Trump për Gazën, pengjet e mbajtura nga Hamasi do të lirohen brenda 72 orësh, të vdekur ose të gjallë.
Trump theksoi se plani i paqes në Gaza do të mbikëqyret nga një bord i përkohshëm që do të kryesohet nga vetë Trump, por dhe udhëheqës nga vende të tjera. Trump u shpreh se ish-Kryeministri britanik Tony Blair ka shprehur dëshirën të jetë pjesë e këtij bordi.
Presidenti amerikan përmendi edhe Iranin në fjalën e tij gjatë konferencës për shtyp me Netanyahun. Sipas Trump, SHBA dëshiron që të ketë marrëdhënie të mira me Iranin, duke lënë të hapur mundësinë se ky shtet mund të jetë pjesë e këtij bordi.
“Kush e di, ndoshta edhe Irani mund të hyjë atje. Mendoj se ata do të jenë të hapur për këtë. Në një moment, Irani do të jetë anëtar i marrëveshjeve”, shtoi Trump.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë u shpreh se tashmë marrëveshja për paqe në Gaza është shumë pranë.
Tashmë i mbetet Hamasit të pranojë ose jo këtë marrëveshje, që siç u shpreh Trump, nëse e aprovon, lufta do të ndalet menjëherë.
“Ende nuk kemi marrë një plan paqeje të shkruar nga Trump pas njoftimit",- ka deklaruar së fundmi Hamas.
“Tony Blair është një figurë e papranueshme për popullin tonë. Kemi pranuar formimin e një komiteti që të mos përfaqësojë asnjë fraksion palestinez për të menaxhuar çështjet e Gazës pas luftës, dhe nuk do të pranojmë imponimin e një mbikëqyrjeje të huaj mbi popullin tonë,” tha në një deklaratë për Reuters, e publikuar në faqen e tij, funksionari i lartë i Hamasit, Taher al-Nunu.
“Populli ynë është plotësisht i aftë të menaxhojë çështjet e veta vetë,” shtoi ai.
Foto ilustruese
‘Rezistenca e armatosur është e drejtë e popullit palestinez përderisa ekziston okupimi. Nëse populli palestinez do të çlirohet dhe do të krijohet një Shtet palestinez, atëherë nuk do të ketë më nevojë as për rezistencë dhe as për armë, dhe kjo do të bëjë pjesë të entitetit palestinez’,” tha në një intervistë për kanalin katariot Al-Arabi funksionari i Hamasit, Tahir al-Nunu.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi nga Shtëpia e Bardhë se plani i presidentit amerikan Donald Trump për Gazën është në përputhje të plotë me objektivat e Izraelit dhe përbën një hap vendimtar për t’i dhënë fund luftës.
Në konferencën e përbashkët me Trump, ai u shpreh se ky është një moment historik që hap rrugën jo vetëm për paqen në Lindjen e Mesme, por edhe për marrëdhëniet me vendet myslimane përtej rajonit.
“E pranoj planin tuaj për t’i dhënë fund luftës në Gaza. Ky është një hap thelbësor për të arritur objektivat tanë dhe për të përparuar drejt paqes,” tha Netanyahu.
Duke e cilësuar Trump-in si “mikun më të madh që Izraeli ka pasur ndonjëherë në Shtëpinë e Bardhë”, Netanyahu theksoi se nëse Hamas nuk pranon planin ose nuk e zbaton atë, Izraeli do të ecë përpara i vetëm.
“Ne kërkojmë t’i japim fund luftës dhe të garantojmë sigurinë e qytetarëve tanë. Siguria vjen përmes përvojës dhe vendosmërisë,” shtoi ai.
Netanyahu sqaroi gjithashtu se qëllimi i Izraelit ka qenë të godasë vetëm terroristët, jo vendet që ndërmjetësojnë si Katari.
Komente
