Menjëherë, sapo kryeministri Edi Rama u kërkoi diplomatëve iranianë që të lënë Shqipërinë pasi u konfirmua se ata fshihen pas sulmit kibernatik ndaj portaleve qeveritare shqiptare, punonjësit e ambasadës së Iranit në Tiranë kanë nisur zhvendosjen. Report Tv mëson se ambasada ka nisur përgatitjet për t’u larguar pas ultimatumit të Ramës që pas prishjes së marrëdhënieve diplomatike të lënë vendin tonë brenda 24 orëve. Trupit diplomatik iranian i janë dashur shumë pak orë për të përgatitur plaçkat për t’u larguar.
Report Tv mëson se para largimit, ata kanë djegur edhe disa dokumente, përmbajtja e të cilave nuk dihet ende. Në pamjet e filmuara nga Report Tv vihet re prezencë e madhe policie, me synimin që zhvendosja e diplomatëve të kalojë pa incidente.
Irani zyrtar mohoi se fshihet pas sulmeve kibernetike në Shqipëri ndërsa përmes një deklarate tha se shkëputja e marrëdhënieve diplomatike është një veprim i pamenduar dhe dritëshkurtër në marrëdhëniet ndërkombëtare. Në deklaratën e Ministrisë së Jashtme iraniane thuhet se reagimi i menjëhershëm i SHBA-së është dëshmi e një komploti dhe fushate të re kundër Iranit, teksa thotë se Tirana është ndikuar nga një grup terrorist famëkeq i strehuar në Shqipëri, duke iu referuar muxhahedinëve.
Lajmi kryesor:
Urdhëruan sulmin kibernetik, Shqipëria prish marrëdhëniet diplomatike me Iranin! Rama: Kemi prova! Angazhoi 4 grupe, njëri prej tyre më famëkeqi
SI.E./ReportTv.al