Moti i keq/ Po udhëtonin me makinë në Bogë, zhduken babë e bir, i mori rrjedha! Të hënën kërkime me dron! Rama: 100 efektivë nga Forcat Tokësore drejt Shkodrës (VIDEO)

20 Nëntor 2022, 07:21| Përditesimi: 20 Nëntor 2022, 23:07

  • Share

TIRANË-Stuhi të forta dhe reshje të dendura shiu kanë përfshirë që prej mbrëmjes të së shtunës të gjithë territorin shqiptar. Situata parashikohet të jetë më problematike në  Shkodër, Lezhë, Kukës, Vlorë dhe Gjirokastër, për këtë arsye Ministria e Mbrojtjes u ka bërë thirrje Bashkive që të marrin masa. Gjatë të dielës janë evakuuar 22 familje, 21 në qarkun Shkodër dhe 1 në qarkun Lezhë. Kryeministri Edi Rama ka bërë me dije se 100 efektivë nga Forcat Tokësore me , mjete lundrimi dhe pajisje të posaçme për situata përmbytje po i shtohen skuadrës së efektivëve në Shkodër.

Qarku i Shkodrës: Ky qark paraqitet më problematiku pasi ka përmbytje. Rrjedha e ujit ka marrë babain me 2 fëmijët në Bogë të Malësisë së Madhe. Pjetër Rushaj me dy fëmijët po udhëtonin me mjet pranë Përroit të Thatë.Vajza ka arritur të dalë nga makina dhe është ndihmuar nga një banor i zonës ndërsa fati i babë e bir nuk dihet që prej orës 14:20. Polumbarët kanë ndërprerë kërkimet për të nisur sërish të hënën me dron në mënyrë që të zbulohet ku ndodhet automjeti me të cilin po udhëtonin. Ndërkohë Ministria e Arsimit ka marrë vendimin për pezullimi në 16 shkolla në këtë qark. 

Afro 1 mijë hektarë tokë bujqësore janë nën ujë. 21 familje janë evakuuar. Disa fshatra pa drita, probleme në rrugët dytësore. Nga inertet është bllokuar rruga kryesore në Zues dhe lejohet lëvizja në një korsi. Përroi Nikgjonaj në Theth ka dalë nga shtrati ku ka prezencë uji në 3 banesa. Edhe në hyrje te qytetit të Shkodrës, te Harku i Bërdicës ka prezencë uji dhe aksi është i kalueshëm vetëm për mjete te tonazhit të lartë. Prej prurjeve, është shembur ura e vjetër e Bahçallekut dhe është ndaluar qarkullimi në urën e re. Ka tejmbushje të kanaleve kulluese. Në Theth bie bora e parë.

Qarku i Tiranës: Në rrugët kryesore ka prezencë uji, por situata nuk është problematike.

Qarku i Lezhës: Një banesë rrezikon të përmbytet, evakuohet familja. Për shkak të erës së fortë është pezulluar lundrimi në Shëngjin. Nga parashikimet pritet që situata të përkeqësohet në vijim më konkretisht në Lezhë, Kurbin e Mirditë. Në aksin rrugor Lezhe - Ishull Lezhë, nënkalimi është i mbuluar nga uji dhe në këtë vend, policia ka bllokuar lëvizjen e automjeteve dhe lëvizja ka vijuar nëpërmjet një rruge ngjitur me këtë aks rrugor .

Qarku i Durrësit: Edhe ky qark është përfshirë nga reshje të dendura shiu, por situata është e menaxhueshme. Ka prani uji në disa akse të qytetit të Durrësit kryesisht në zonën pas stadiumit, që është një problematikë e përhershme si dhe shëtitore, por nuk ka penguar qarkullimin rrugor. Anijet e vogla dhe peshkarexhat deri në datë 22 nëntor nuk lejohet të dalin në det. Në segmentin Thumanë - Rinas, ka prezencë uji, qarkullimi vijon normal.  Autostrada Durrës - Tiranë, në të dy krahët ka prezencë uji, lëvizja e mjeteve është normale.  Unaza Shkozet - Plepa - Shkëmbi i Kavajës - Durrës, ka prezencë uji, qarkullimi i mjeteve është i ngadaltë. Edhe segmenti Autostrada "Royal Gaz"- Kryqëzimi i Stadiumit ka prezencë uji.

Qarku i Vlorës: Në këtë qark ka pasur një erë të dendur, ku disa pemë janë rrëzuar duke bllokuar qarkullimin. Është dashur ndërhyrja e forcave zjarrfikëse që të lirojë rrugën, e ndërsa edhe në Vlorë, anijet e peshkimit dhe mjetet e vogla nuk janë lejuar që të dalin në det. Trageti i linjës Brindisi-Vlorë është nisur me 6 orë me vonesë. Nga ana tjetër, në Dukat dhe Orikum ka pasur dritave dhe po punohet për rikthimin e energjisë elektrike. Ndërkohë që në qafën e Llogorasë ka prezence mjegulle, por dhe erë të fortë gjë që sjell probleme për drejtuesit e automjeteve.

Qarku i Gjirokastrës: Report Tv mëson se pasojë e reshjeve të dendura të shiut ka pasur shkëputje të energjisë elektrike. Disa fshatra kanë mbetur për disa orë pa drita. Liqeni i Viroit gati të dalë nga shtrati për shkak të prurjeve në 24 orët e fundit. Dalja e tij nga shtrati do të izolonte qarkullimin në aksin nacional Gjirokastër-Tepelenë. Rrugët rurale janë të kalueshme, por në segmentin Kolonjë - Golem, ka prani të shtuar të inerteve në rrugë.

Qarku i Kukësit: Disa fshatra kanë mbetur pa energji elektrike. Në lumin e Tropojës janë dëmtuar 2 këmbë të 2 urave Bejli që ishin në proces ndërtimi. Në Fierzë, një shtëpi është goditur nga rrufeja, fatmirësisht pa dëme në njerëz.

Qarku i Dibrës: Prej orës 19:30, rreth 30 makina mbetën të bllokuar në afërsi të tunelit të Shkopetit pasi kishte rënie gurësh dhe inertesh në rrugë. 2 orë më vonë ndërhyri firma kontraktore për hapjen e rrugës.

Në qarqet e tjera nuk raportohet për probleme dhe lëvizja e mjeteve vijon normalisht.

Ora 23:11
Balluku nga hidrocentrali i Vaut të Dejës: Kemi bërë shkarkime të organizuara, në të kundërt do kishim përmbytje masive! Qytetarët dizinformohen nga ata që s'prekin terrenin

1668982440_balluku.JPG

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ndodhet në Hidrocentralin e Vaut të Dejës ku ka pasqyruar nga afër situatën nga reshjet e shiut. Zv.kryeministrja nuk ka kursyer një koment për opozitën duke thënë se dizinformojnë qytetarët kur ka emergjenca.

Prurjet kanë qenë 2 herë më të larta se sa ne prisnim nga parashikimet dhe ushtrimet numerike që kemi bërë. Ndërkohë kemi pritur që të kishte prurje më të larta në Fierzë, por nuk e kemi pasur, ndërsa në Vaun e Dejës kemi pasur intensitet shumë më të lartë dhe kemi bërë shkarkime të organizuara. Në të kundërt do të kishim përmbytje masive. Kemi pasur një zonë të ngarkuar atmosferike. Fronti po spostohet në jug. Atje situata është më ndryshe. Atje nuk do të kemi situatën njësoj si në veri. Nuk jemi këtu për të bërë retorika politike se nuk është ky momenti.

Kemi 9 agregatë në punë dhe të vetmit që janë të ndalur janë ato të Fierzës. Pas një viti shumë torturues fushës energjetike, do të mund të kemi prurje të konsiderueshme në hidrocentralin e Fierzës.  Ne e ndjejmë detyrim të informojmë se qytetarët dizinformohen nga njerëz që nuk e prekin terrenin dhe kur ka emergjenca e shfrytëzojnë për qëllime politike. Ne e bëjmë pavarësisht punës që kemi dhe përgjegjësisë që duhet të mbajmë. Na është dashur të lëvizim sot kudo në Shqipëri”, tha Balluku.

 

Ora 22:40
Ministrja e Bujqësisë në Hidrovorin e Çasit: Nuk ka problematikë! 4 pompat janë në dispozicion duke tërhequr ujin

1668980539_krifca.JPG

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca ndodhet në Hidrovorin e Çasit që është në funksion të plotë për tërheqjen e ujit. Nga Velipoja, Krifca u shpreh se nuk ka asnjë problematikë.

“Hidrovori i Çasit është i rëndësishëm për tërheqjen e ujit nga fusha e Çasit, rreth 1500 ha të mbjella që vihen në vështirësi prej reshjeve. Hidrovori është në funksion të plotë. 4 pompat janë në dispozicion duke tërhequr ujin. Nuk shikojmë asnjë problematikë të rënduar. Kapaciteti është 15m3/s. Argjinatura është në funksion të plotë”, tha Krifca.

Ora 22:17
Prej 2 orësh i bllokuar nga shembja e gurëve, hapet me një kalim aksi i rrugës Milot-Burrel (VIDEO)

 

Hapet me një kalim aksi i rrugës Milot - Burrel në afërsi të tunelit të Shkopetit i cili ishte prej dy orësh i bllokuar, ndërkohë që një fadromë e firmës kontraktore po punon për hapjen e plotë të saj.

Ora 21:39
VIDEO/ Reshjet e shiut, Rama: Mbi 100 efektivë nga Forcat Tokësore dhe pajisje të posaçme për përmbytje i shtohen Shkodrës

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për situatën e reshjeve në vend duke bërë me dije se mbi 100 efektivë nga Forcat Tokësore janë nisur drejt Shkodrës me mjete lundrimi dhe situata të posacme për situata përmbytjeje.

“Mbi 100 efektivë nga Forca Tokësore dhe Baza e Mbështetjes për Emergjencat Civile, mjete të larta, mjete lundrimi dhe pajisje të posaçme për situata përmbytje po i shtohen skuadrës së efektivëve në Shkodër për të shtuar forcën dhe shpejtësinë e reagimit në çdo situatë problematike që reshjet mund të sjellin gjatë natës e në vijim” – shkroi Rama.

Ora 21:37
Dibër/ Shembje gurësh dhe rënie intertesh në rrugë, 30 makina të bllokuara në Shkopet

 

Reshjet e shiut kanë shkaktuar shembje gurësh dhe rënie inertesh nga mali. Prej orës 19:30 është bllokuar rruga sa kalon Shkopetin në Dibër. Për pasojë, 30 makina presin të hapet rruga por nuk ka asnjë reagim nga firma kontraktore.

Ora 21:17
Situata nga reshjet/ Evakuohen 21 familje në Shkodër! Nesër kërkime me dron për babë e bir që u morën nga rrjedha e ujit në Bogë

 

21 familje janë evakuuar në Shkodër deri më tani. Ata kanë preferuar të shkojnë pranë të afërmve të tyre deri në përmirësimin e territorit. Vijon të mbetet problematike situata në Obot.

Ndërkohë, ende nuk dihet fati i babë e bir që i mori rrjedha e ujit në Bogë. Ditën e nesërme do të bëhen kërkime me dron nëse do të ketë mbetje të makinës me të cilën po udhëtonin. Së bashku me ta ishte edhe vajza që arriti të dilte me ta dhe u ndihmua nga një banor i zonës.

Ora 18:59
Situata nga reshjet e shiut/ Prezencë uji në autostradën Tiranë-Durrës! Bllokohet nënkalimi në aksin Lezhë-ishull Lezhë! Prani inertesh në segmentin Kolonjë-Golem

Teksa i gjithë vendi është përfshirë nga reshjet e shiut, Policia e Shtetit ka sqaruar si është situata në akset rrugore të vendit.

-Në qarkun e Tiranës, në rrugët kryesore ka prezencë uji, por situata nuk është problematike.

-Në qarkun Durrës, segmenti Thumanë - Rinas, ka prezencë uji, qarkullimi vijon normal.

-Autostrada Durrës - Tiranë, në të dy krahët ka prezencë uji, lëvizja e mjeteve është normale.  Unaza Shkozet - Plepa - Shkëmbi i Kavajës - Durrës, ka prezencë uji, qarkullimi i mjeteve është i ngadaltë. Segmenti Autostrada "Royal Gaz"- Kryqëzimi i Stadiumit, ka prezencë uji, qarkullimi i mjeteve është normal.

-Në qarkun Gjirokastër, në akset nacionale rrugore Kakavijë–Krahes, Qafë e Muzinës – Jergucat, Tuneli i Skërficës – Ura e Kardhiqit dhe Çarshovë – Ura e Leklit, nuk ka probleme për kalimin e mjeteve. Akset nacionale dhe rurale   në qarkun e Gjirokastrës janë të kalueshme, si dhe nuk ka patur përmbytje. Rrugët rurale janë të kalueshme, por në segmentin Kolonjë - Golem, ka prani të shtuar të inerteve në rrugë.

-Në qarkun Shkodër, në hyrje te qytetit të Shkodrës, te Harku i Bërdicës ka prezencë uji dhe aksi është i kalueshëm vetëm për mjete te tonazhit të lartë. Shërbimet e Policisë Rrugore janë prezent duke monitoruar situatën e po orientojnë qarkullimin e mjeteve, nga rruga e vjetër.

-Në qarkun e Lezhës, në aksin rrugor rural Grash - Zojs, Lezhë, në vendin e quajtur Ura e Zojs-it, uji ka arritur nivelin e urës, por lëvizja e automjeteve vijon pa probleme deri në këto momente. Në aksin rrugor Lezhe - Ishull Lezhë, nënkalimi është i mbuluar nga uji dhe në këtë vend, policia ka bllokuar lëvizjen e automjeteve dhe lëvizja ka vijuar nëpërmjet një rruge ngjitur me këtë aks rrugor.

-Në qarqet  Elbasan, Fier, Vlorë, Berat, Korçë,  Kukës e Dibër, aktualisht lëvizja e mjeteve vijon normalisht, në të gjitha akset rrugore të këtyre qarqeve.

Ora 18:46
Myftiu i Shkodrës: Uroj të mos përsëriten përmbytjet e vitit 2010! Institucionet duhet ta shohin me përgjegjësi këtë punë

1668966467_myfti.JPG

Myftiu i Shkodrës, Muhamed Sytari thotë se pamjet e përmbytjes në Xhaminë e Plumbit janë të frikshme. Në një reagim uron që të mos përsëritet historia e vitit 2010 kur njerëzit ishin izoluar dhe mbetën pa bukë e ujë për disa ditë prej përmbytjeve.

“Kjo është pamja e frikshme e përmbytjes që ka ndodhur në këto 24 orët e fundit në Xhaminë e Plumbit. Por nuk është çështje thjesht te përmbytja e Xhamisë. Është problematike situata për njerëzit dhe këto pamje më kujtojmë përmbytjet e vitit 2010, ku vinim me mjete të larta dhe nuk mund të lëvizej në këto zona dhe njerëzit ishin të izoluar dhe nuk kishin bukë e ujë për disa ditë.

Uroj që të mos përsëritet ajo situatë. Por pamja më duket e tillë, më kujton atë periudhë disaditore vuajtjesh për qytetarët. Edhe pse jemi në 2022 nuk u zgjidh akoma problemi i përmbytjes së tokave të tyre. Ky është një alarm për institucionet që duhet ta shohin me përgjegjësi këtë punë. Sepse është plotësisht e mundur për t’u evituar këtë përmbytje, për t’u pastruar Buna, për t’u thelluar Buna, për t’u rregulluar argjinaturat e Drinit”, u shpreh myftiu i Shkodrës.

 

Ora 18:44
Moti i keq në vend, Veliaj: Tirana, një nga qarqet më pak të prekura: Do ndihmojmë në zonat më të vështira, si Shkodra e Lezha

Në një kohë kur i gjithë vendi është pushtuar nga moti i keq, me reshje të dendura shiu jashtë normales dhe erë të fortë, Tirana është një nga qarqet me më pak dëme. Këtë tha kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj gjatë një aktiviteti të zhvilluar në Ambasadën e Katarit për ceremoninë hapëse të Kampionatit Botëror të Futbollit.

Veliaj tha se falë ndërhyrjeve në kohë të ekipeve në terren, reshjet nuk kanë shkaktuar probleme të konsiderueshme, ndërsa shtoi se Bashkia e Tiranës do t’i vijë në ndihmë qarqeve më të prekura, si Shkodra e Lezha.

“Fatmirësisht, Tirana është një nga qarqet më pak të prekura dhe dua të falënderoj kolegët që kanë punuar me kanalizimet, me sistemet e kullimit, dhe sot jemi në gjendje të mirë. Jam i sigurt se duke filluar nga nesër, bashkë me miqtë e Katarit, do i gjendemi qarqeve si Shkodra apo Lezha, për t’u siguruar që të plotësojmë nevojat me ndihmën e Bashkisë së Tiranës, Ambasadës së Katarit dhe miqve të tjerë,” deklaroi ndër të tjera Veliaj.

I gjithë vendi është përfshirë nga moti i keq, por problemet më të mëdha janë raportuar në veri të vendit, ku dhe sasia e reshjeve ka qenë më e madhe.

Ora 18:05
Evakuohet një familje në Lezhë, banesa e rrethuar nga uji rrezikon përmbytjen (VIDEO)

 

Evakuohet një familje në Lezhë, në fshatin Mabë të Njësisë Administrative të Fshatit. Banesa e tyre është rrethuar nga uji dhe rrezikon të përmbytet. 3 anëtarët e familjes u sistemuan te të afërmit.

Ndërkohë vijojnë të mbeten pa energji disa fshatra në Lezhë për shkak të dëmtimit të linjave.

Në orët e mbrëmjes, situata në Zadrimë është inspektuar nga ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, prefekti Gjergj Prendi dhe kryebashkiaku Pjerin Ndeu. Sipas të dhënave, niveli i prurjeve ka rënë në disa centimetra, gjë që e dëshmon dhe ura në fshatin Kotërr që në orët e pasdites ishte nën ujë.

Ora 17:59
Moti i keq në Shkodër, Ministrja Krifca në Velipojë! Të gjitha ekipet në terren për të mbajtur në kontroll situatën  

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca së bashku me ekipin e Drejtorisë së Ujitje – Kullimit ndodhen në Velipojë të cilët janë duke ndjekur nga afër situatën e Hidrovorit.

Ministrja Krifca thotë se të gjitha ekipet janë të gjitha në terren dhe po mbajnë në kontroll situatën, dhe njoftoi po ashtu se edhe ekipet e OSHE-së janë në terren për t’u siguruar që mos të ketë ndërprerje të energjisë elektrike.

Ora 17:48
Moti i keq në Shkodër, Spahia thirrje KESH-it: Priten orë të vështira, informoni mbi prurjet që të mos gjendemi në situata të paparashikuara


Kryebashkiaku i Shkodrës, Bardh Spahia me një postim në rrjetet sociale ka informuar se po ndjek situatën që kanë krijuar reshjet e dendura të shiut në Shkodër. Teksa thotë se priten orë të vështira, ai i ka bërë thirrje KESH-it që të të informojnë në kohë dhe mënyrë periodike mbi prurjet dhe shkarkimet nga hidrocentralet e kaskadës së Drinit në mënyrë që bashkia mos të gjendet në situata të paparashikuara.

“Po ndjek me vëmendje situatën që kanë krijuar reshjet e shumta në Bashkinë Shkodër.

Grupet tona të punës ndodhen në terren dhe kemi marrë masat për çdo rast që mund të paraqitet. Kërkoj bashkëpunimin e banorëve që në rast emergjence të kontaktojnë me strukturat e bashkisë për evakuim apo çdo nevojë tjetër që mund të paraqitet.

Si pasojë e shkarkimeve nga hidrocentralet e kaskadës së Drinit parashikohen orë të vështira, prandaj i bëj thirrje drejtuesve të KESH të informojnë në kohë dhe mënyrë periodike mbi prurjet dhe shkarkimet që të mos gjendemi në situata të paparashikuara.”, shkruan ai në Facebook. 

Ora 17:35
Përmbytjet në Shkodër, kryebashkiaku Spahia: Kemi gati konviktet! Natën mund të përkeqësohet situata në mënyrë të shpejtë

Sipërfaqja nën ujë në territorin e Bashkisë Shkodër është zgjeruar gjatë orëve të mbrëmjes, ku përveç reshjeve shkarkimet e hidrocentraleve po japin ndikimin e tyre. Afro 1 mijë hektarë tokë bujqësore ndodhen nën ujë sipas raportimeve të pasdrekes, ku Ana e Malit dhe Guri i Zi janë njësitë më problematike.

Kryetari i Bashkisë Shkodër Bardh Spahia ka parë nga afër situatën në disa njësi, ku fillimisht u ndal në Dajç. Ai bëri të ditur se bashkia Shkodër ka marrë të gjitha masat për përballimin e situatës, ku konviktet janë në dispozicion të familjeve që do të evakuohen.

“Për ne është e rëndësishme të garantojmë jetën e njerëzve dhe t’i informojmë që kemi gati banesat dhe kushtet e konvikteve. Edhe natës duket se do të ketë shkarkime që mund ta përkeqësojë situatën në mënyrë të paparashikueshme dhe të shpejtë”, tha Bardh Spahia, kryetar i Bashkisë Shkodër.

“Situata është përkeqësuar brenda 1 ore. Sipërfaqet e tokës bujqësore janë mbytur në një kohë rekord dhe nuk e mbaj mend një përmbytje kaq të shpejtë. Kemi njoftuar ushtrinë, na kanë mundësuar një mjet të kalimit të lartë. Kemi evakuuar 3 familje në fshatin Kuc, 1 familje në lagjen Kasapaj, kemi dhe të tjera që kërkojnë evakuimin”, tha Ervin Palaj, administrator i Dajçit.

Pas Dajçit, Spahia u ndal në Kuç të njësisë administrative Gur i zi, ku situata në orët e pasdrekës është përkeqësuar dhe janë kryer evakuimet e para të familjeve. Kryebashkiaku i bëri thirrje KESH që të informojë në kohë reale mbi shkarkimet pasi në varësi të tyre varen ndërhyrjet në terren.

Ora 17:20
Presidenti Begaj në telefonatë me Prefekten Angoni, kërkon përpjekje maskimale për të ndihmuar çdo familje në rrezik

1668960942_page.jpg

Presidenti i Republikës së Shqipërisë Bajram Begaj në një telefonatë me Prefekten e Shkodrës Majlinda Angoni u informua në lidhje me situatën e krijuar nga moti i keq në Qarkun Shkodër. Veçanërisht ai shprehu shqetësim për ngjarjen e rëndë në Malësinë e Madhe, ku ujërat e rrëmbyera kanë marrë para makinën me tre persona në të dhe për fat të mirë me ndihmën e një banori të zonës ka arritur të shpëtojë vajza. Presidenti i Republikës i shpreh mbështetjen kësaj familjeje. Njëkohësisht Presidenti Begaj inkurajoi dhe mbështeti forcat Renea, ato të emergjencave civile, si dhe Forcat e Armatosura të cilat ndodhen në vendngjarje në kërkim të babait e djalit, por gjithashtu kërkoi përpjekje maksimale për të ndihmuar çdo familje në rrezik nga ky mot ekstrem.

Ora 17:16
Kukës/ Rrëshqitje dherash në Dragobi, rrezikohen disa banesa! Bllokohet rruga në Shipshan! Ura që lidh lagjen Balshaj me Tropojën e Vjetër në rrezik shembje

Rruga në Tafaj, fshati Shipshan dhe Ura në lagjen Balishaj, në fshatin Tropojë e vjetër

Moti i keq në Kukës ka shkaktuar rrëshqitje të dherave në rrugën që lidh fshatin Shipshan me Tropojën dhe si rezultat kjo rrugë është e bllokuar. Në Dragobi, nga prurjet e përroit rrezikohen disa banesa dhe ura që lidh lagjen Balshaj me fshatin Tropojë e Vjetër. Në Tropojë kanë mbetur pa energji elektrike njësitë administrative Bicaj, Ujmisht, Bushtricë, Grykë-Çajë, Lekbibaj.

Njoftimi i plotë nga Emergjencat Civile:

Situata në Qarkun Kukës deri në orën 16:30 datë 20.11.2022 është si më poshtë:

I gjithë territori I Qarkut Kukës vazhdon të jetë i përfshirë nga reshje shiu me intensitet dhe i shoqëruar me erë të fortë.

Nga informacioni i marrë nga terreni rezulton se

• Rrugët nacionale janë të qarkullueshme normalisht.

•Rrugët bashkia janë të qarkullueshme, përveç rrugës që lidh fshatin Shipshan me rrugën nacionale bashkia Tropojë si rezultat i rrëshqitjes së dherave .

Në fshatin Dragobi si rezultat i prurjeve të mëdha të përroit i shoqëruar me inerte rrezikohen banesat që janë poshtë saj.

Në rrugën që lidh lagjen Balshaj të fshatit Tropojë e Vjetër si rezultat i prurjeve të mëdha të përroit rrezikohet një urë.

•Rezervuaret janë në monitorim në të gjithë Qarkun.

Furnizimi me energji elektrike është normal përveç Nj.Ad Bicaj, Ujmisht, Bushtricë, Grykë-Çajë dhe fshatrat Pistë, Mgull, Qam dhe Gëdheshtë bashkia Kukës, Nj.Ad Lekbibaj bashkia Tropojë.

Furnizimi me ujë të pijshëm është normal.

Ora 17:12
Shkodër/ Shembet ura e vjetër e Bahçallekut prej prurjeve të shumta (VIDEO)

 

Prurjet e shumta kanë shembur urën e vjetër të Bahçallekut në Shkodër. Pritet që pas pak minutash të bllokohet qarkullimi nga ky segment rrugor.

Ora 16:47
Reshjet në vend, Balla: Gjithë hidrovorët në Qarkun e Fierit deri tani paraqiten në kuota normale


Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla ka reaguar lidhur me situatën e reshjeve të vend.

Balla përmes një postimi në rrjetin social Facebook shkruan se Shtabi i Emergjencave është në komunikim të vazhdueshëm me bashkitë, strukturat e Emergjencave Civile, Bordin e Kullimit dhe OSHEE.

“Ndërsa situata meterologjike vijon të jetë e ngarkuar, me reshje të shtuara dhe erëra të forta, të gjithë hidrovorët në Qarkun e Fierit deri tani paraqiten në kuota normale. Shtabi i Emergjencave është në komunikim të vazhdueshëm me bashkitë, strukturat e Emergjencave Civile, Bordin e Kullimit dhe OSHEE”, shkruan Balla.

Ora 16:47
Situata e rënduar nga reshjet e shiut, Ministria e Arsimit pezullon mësimin në 16 shkolla në qarkun e Shkodrës

1668951887_Screenshot4.jpg

Pas situatës së rënduar për shkak të reshjeve dhe përmbytjeve në disa zona të vendit, Ministrja e Arsimit zhvilloi mbledhje urgjente me drejtuesit e Ministrisë së Arsimit dhe Drejtorive Rajonale Arsimore për të vlerësuar gjendjen e shkollave në të gjithë territorin.

Për të garantuar sigurinë e nxënësve dhe mësuesve, si dhe për të shmangur çdo lloj rreziku të mundshëm, është vendosur që ditën e nesërme të pezullohet procesi mësimor deri në përmirësimin e situatës në shkollat e mëposhtme:

1- Shkolla "Martin Camaj", Shkodër qytet,
2- Shkolla "Agim Tafili", Harku i Bërdicës,
3-  Shkolla "Prekal", fshati Postribë,
4- Shkolla "Ruzhdi Daca", Rrethinat,
5- Shkolla "Mehmet Shpëndi", fshati Shalë,
6- Shkolla "Theth", fshati Shalë,
7- Shkolla "Gimaj", fshati Shalë,
8- Shkolla "Palaj", fshati Shosh,
9- Shkolla "Ndreaj", fshati Shosh,
10- Shkolla "Nicaj", fshati Shosh
11- Shkolla "Pog", fshati Pult,
12- Shkolla "Plan", fshati Pult,
13- Shkolla "Maja e Thanës", fshati Pult,
14- Shkolla "Kasnec", fshati Pult,
15- Shkolla "Kir", fshati Pult,
16- Shkolla "Xhan", fshati Pult.

Në orët e ardhshme do të vijojmë ta ndjekim nga afër situatën dhe nëse do të ketë raste të tjera problematike do të informojmë në kohë reale nxënësit, mësuesit dhe prindërit për të marrë të gjitha masat e nevojshme.

Ora 16:23
Moti i keq/ Prefektja Angoni: E rënduar situata në Malësinë e Madhe, Pukë dhe Vau i Dejes! Po kryejmë evakuimin e familjeve, babë e bir janë bllokuar në makinë

 

Prefektja e Shkodrës Majlinda Angoni foli për Report Tv duke treguar se më e rënduar shfaqet situata në Malësi të Madhe, Pukë dhe Vau të Dejës.

“Situata në qarkun e Shkodrës është e rënduar për shkak të reshjeve të shumta të shiut. Në këto momente, situata është e vështirë në Malësinë e Madhe, në Pukë dhe Vaun e Dejës. Si rezultat i prurjeve të shumta dhe në Kaskadat e Vau Dejes dhe Komanit është bërë e mundur dalja i shkarkimit të portave që ka ndikuar për rëndimin e situatës. Situata paraqitet e rëndë, sidomos në Bahçallek, Kuç, Bërdicë ku kemi evakuimin e disa familjeve. E keqe është edhe në Malësi të Madhe si rezultat i daljes së Përroit. 2 pjesëtarë babë e bir kanë mbetur në makinë. Ne jemi këtu bashkë me forcat e FNSH dhe repartit ushtarak. Tani jemi në Kuc po evakuohen disa familje”, tha Angoni.

Ora 16:21
Moti i keq në vend, AHC: Situatë normale në autostradën Milot–Morinë! Drejtuesit të tregohen të kujdesshëm

Vendi është përfshirë nga moti i keq me reshje intensive të shiut, ndërsa në veri situata gjendja paraqitet më problematike. Lidhur me situatën, kompania Albanian Highway Concession ka njoftuar se në autostradën Milot – Morinë, gjendja paraqitet normale dhe pa probleme për qarkullimin e automjeteve, ndërsa i bënë thirrje drejtuesve të lëvizin me shpejtësi të reduktuar dhe të respektojnë sinjalistikën. 

Sipas AHC-së, duke u nisur nga situata aktuale dhe parashikimet për ditët në vazhdim, kompania ka marrë të gjitha masat duke rritur numrin e shërbimeve në mirëmbajtjen e “Rrugës së Kombit”.

“AHC ju bën apel drejtuesve të mjeteve të bëjnë kujdes gjatë udhëtimit të tyre në ”Rrugën e Kombit”:

1.Kërkojme nga përdoruesit e automjeteve të ecin me shpejtësi të reduktuar

2. Të respektojnë sinjalistikën rrugore dhe të kenë kujdes të shtuar për tabelat elektronike dhe mesazhet që ato përcjellin.

3. Të lëvizin me goma dimërore”, thuhet në njoftim.

Ora 16:15
Reshjet e dendura të shiut, KESH: Situatë ekstreme e prurjeve ujore


Koorporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) ka publikuar në faqen zyrtare të dhënat më të fundit lidhur me situatën hidrike në vend pas reshjeve të dendura të shiut që kanë përfshirë pothuajse të gjithë vendin.

KESH njofton se referuar situatës hidro-meteorologjike të 24-orëve të fundit në pellgun ujëmbledhës të liqenit të Shkodrës dhe lumenjve Kir, Gjadër, Gomsiqe, Drin, ka një situatë ekstreme të prurjeve ujore për shkak të shirave me intensitet shumë të lartë, të rënë në të gjithë këtë hapësirë gjeografike.

Njoftimi i plotë nga KESH:

Referuar situatës hidro-meteorologjike të 24-orëve të fundit në pellgun ujëmbledhës të liqenit të Shkodrës dhe lumenjve Kir, Gjadër, Gomsiqe, Drin, informojmë se jemi në një situatë ekstreme të prurjeve ujore për shkak të shirave me intensitet shumë të lartë, të rënë në të gjithë këtë hapësirë gjeografike.

Ndërsa referuar pellgut ujëmbledhës të lumit Drin dhe basenet e liqeneve të Komanit dhe Vaut të Dejës të cilët administrohen nga KESH sh.a., mbi të cilët shkarkohen të gjithë përrenjtë dhe lumenjtë malorë të alpeve dhe të hapsirave të tjera malore. Në këto liqene shkarkohen mbi 13 lumenj dhe përrenj malorë si Valbona, Shala, Mërturi, Bugjoni, Salca, Berisha, Gomina, Gomsiqja, etj.

Të gjithë këta përrenj sëbashku, kanë sjellë një sasi të konsiderueshme uji që arrin deri në 4,000 m3/s, prej orës 22:00 të datës 19 nëntor dhe në vazhdim. Këto prurje janë gjeneruar nga reshjet me intesitet shumë të lartë (ekstrem) të matura nga sistemi i monitorimit hidrometeorologjik i KESH sh.a., të cilat, deri në orën 11:00 të ditës së sotme datë 20.11.2022, rezultojnë si më poshtë:

• Theth 390

• Dragobi 203

• Puke 134

• Fierze 105

• Koman 176

• V.Dejes 168 mm

Ndërsa e gjithë plota ujore (sasi ujore) arrin në mbi 4,000 m3/sek., nga shkarkuesit fundor të kaskadës, nuk ka kaluar në asnjë rast vlera e 1300 m3/sek. Pra nga e gjithë kjo sasi uji e ardhur në liqenet e kaskadës, 30% e kësaj sasie është shkarkuar, ndërsa pjesa tjetër është akumuluar si rezervë energjitike, si rezultat i masave paraprake menaxhuese dhe operative që KESH sh.a. ka ndërmarrë.

I gjithë ky aktivitet i KESH sh.a., ka ndihmuar në eleminimin dhe minimizimin e përmbytjeve të mundëshme të zonës së nën Shkodrës.

Theksojmë se për menaxhimin optimal të kësaj situate, KESH sh.a. prej disa ditësh i ka ndalur operimet me HEC Fierzë, duke eleminuar plotësisht prurjet hidrike nga zona e mbi Fierzës. Ky veprim ndihmon edhe në rritjen e rezevës hidrike/energjitike, në kaskadën e Drinit. Po prodhohet me kapacitet të plotë në HEC Koman dhe HEC Vau i Dejës.

Konkretisht prurjet ditën e sotme, datë 20 Nentor, në oreën 14:00 janë:

HEC Fierzë 600 m3/s

HEC Koman 1600 m3/s

HEC Vau i Dejës 2400 m3/s.

Nivelet në liqenet e Kaskadës së lumit Drin në orën 14:00 janë ;

HEC Fierzë 269.06 mmnd

HEC Koman 174.72 mmnd

HEC Vau i Dejës 75.78 mmnd

Ora 16:05
Situata nga reshjet në vend, Ministria e Mbrojtjes: Evakuohen 5 familje në Shkodër! Prurje të shumta në zonën e Obotit të Vjetër

1668955748_shkoder.JPG
Forcat e emergjencave civile po punojnë për zgjidhjen e problematikave të shkaktuara nga reshjet me intensitet të lartë, veçanërisht në Shkodër, Lezhë e Dibër.

Sipas raportimit më të fundit nga Ministria e Mbrojtjes, forcat e Armatosura, aktualisht po ndihmojnë  banorët për të kaluar rrugën në aksin rrugor Beltojë-Shkodër, te Harku i Bërdicës, ku ka vështirësi për kalimin e mjeteve të vogla për shkak të pranisë së ujit.

Është ndërhyrë dhe normalizuar situata në dy banesa të përmbytura në fshatin Kakarriqë, të bashkisë Lezhë. Në Shkodër është ndërhyrë në një banesë në lagjen Ajasëm, ku është bërë evakuimi i familjes dhe të Xhamia e Plumbit.

Ndërsa, më njësinë administrative Bërdicë është bërë e mundur evakuimi i 2 familjeve.

Në bashkinë Klos po punohet për zhbllokimin e rrugës që lidh fshatin Ketë me qendrën e njësisë administrative Xibër. Situata po monitorohet në vijim në zonën e Obotit të vjetër, në fshatrat Shirq, Mushan dhe Dajç, ku ka rrezikshmëri nga prurjet e shumta.

Ora 16:05
Reshjet e dendura të shiut, ministrja e Infrastrukturës: Problematike situata në veri të vendit! Ka pasur devijime të fluturimeve për të ruajtur pasagjerët nga rrufetë

 

Ministrja e Energjetikës dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku ka treguar situatën në akset rrugore si pasojë e reshjeve të shiut. Problematikat janë më të mëdha në veri, kryesisht Tamarë e Vermosh pasi ka pasur dalje të Përrenjve.

“Stuhitë kanë shkulur sinjalistikat rrugore dhe kanë krijuar probleme me pemë e gurë të rënë. Situata më e rënduar është në veri por është paraqitur e vështirë edhe në Vlorë e Durrës dhe Elbasan.

Valbona dhe Shala kanë sjellë problematikën më të madhe ndërsa në Fierzë ku prisnim të kishte më shumë reshje, atje ishin me intensitet mesatar. Akset rrugore janë të gjitha të hapura. Edhe në aeroportin e Rinasit kishte rrufe të vazhdueshme dhe e gjthë ultësira perëndimore ka pasur stuhi dhe erë. Ndërsa veriu ka pasur shi me intensitet të lartë ose të mesëm. Në aeroportin e Rinasit ka pasur disa devijime për të ruajtur avionët dhe pasagjerët nga rrufetë. Disa fluturime janë kthyer në aeroporte të tjerë ku ka pasur mot të qëndrueshëm.

Parashikohet të ketë përmirësim të motit. Sa i përket energjisë, na duhen shira sidomos në Fierzë. Ne do jemi në gatishmëri të plotë. Shpresojmë të ketë reshje të konsiderueshme në pjesën veriore ku kemi të përqendruar hidrocentralet për energjinë”, tha Balluku.

Ora 15:42
Ishin izoluar nga uji, evakuohen 2 familje në Shkodër! Një person ishte sëmurë, u dërgua në spital (VIDEO)

 

Policia evakuon 2 familje që ishin izoluar nga uji, për shkak të situatës së krijuar nga moti i keq.

Grupi i evakuim-shpëtimit dhe grupi alpin i FNSH Shkodër, pas marrjes së njoftimit se në lagjen Ajasem, në Shkodër, dy familje ishin zoluar nga uji dhe se njëri prej pjesëtarëve të familjeve ishte i sëmurë dhe kishte nevojë për ndihmë mjekësore, janë nisur menjëherë në drejtim të tyre, së bashku me mjetet lundruese që FNSH ka në dispozicion për rastet e evakuim-shpëtimit.

Falë ndërhyrjes në kohë, shërbimet e Policisë kanë bërë të mundur evakuimin e pjesëtarëve të të dyja familjeve, si dhe dërgimin në spital, të njërit prej tyre, i cili pas ndihmës mjekësore u dërgua në banesën e të afërmve të tij.

Nisur nga situata e krijuar, të gjitha shërbimet e Policisë së Shtetit në të gjithë vendin kanë kaluar në shërbim të përforcuar dhe janë në gatishmëri për t’iu ardhur në ndhmë banorëve, në rast nevoje.

Ora 15:38
Moti i keq në Shkodër/ Bëhen gati konviktet, ku mund të kontaktojnë banorët që kanë nevojë për evakuim! Të shmanget kalimi tek Harku i Bërdicës

1668955298_316418163711572837003883168489837029170985n.jpg

Teksa vijon moti i keq, Bashkia e Shkodrës ka marrë masat për të evakuuar familjet që kanë nevojë. Ata kanë vënë në dispozicion numrin e kontaktit: 067 303 5950 për çdo person që ka rast emergjence.

Ndërkohë është bërë gati e gjithë struktura akomoduese të konvikteve, për familjet që paraqesin nevojën për evakuim.

Gjithashtu grupet e punës janë në terren duke ndjekur hap pas hapi situatën, ku janë marrë masat për furnizimin me ujë të pijshëm dhe baza ushqimore për familjet dhe gjënë e gjallë në njësitë e prekura nga përmbytjet.

Drejtuesit e mjeteve të shmangin kalimin tek Harku i Berdicës duke përdorur rrugën e Mjedës, pasi prezenca e ujit e ka vështirësuar qarkullimin.

 

Ora 15:18
Reshjet e dendura të shiut, 237 pasagjerë që vijnë nga Brindisi qëndrojnë në traget! Nëse dalin, përplasen me kalatën e portit të Vlorës

1668954318_traget.JPG

237 pasagjerë që kanë mbërritur me të dy tragetet nga Brindisi janë të detyruar të qëndrojnë në det. Nëse afrohen, rrezikojnë të përplasen me kalatën e portit të Vlorës, pasi është i hapur.

Për këtë arsye pasagjerët duhet të qëndrojnë në traget derisa të ulet fuqia e detit. Dy tragjetet kanë mbërritur pas më shumë se 7 orësh.

Ora 15:04
Policia me njoftim zyrtar për zhdukjen e 50 vjeçarit dhe dy fëmijëve të tij: Vajzën e shpëtuam, babain dhe djalin i mori rrjedha e ujit

 

Nëpërmjet një njoftimi zyrtar policia e Shkodrës ka bërë me dije se për shkak të reshjeve të shumta të shiut, rrjedha e ujit në vendin e quajtur “Grykë Lugje” kishte marrë përpara automjetin ku udhëtonte 50 vjeçari Pjetër Rushaj së bashku me vajzën dhe djalin e tij.

Mësohet se vajza ka arritur të shpëtojë ndërsa uji ka marrë përpara 50 vjeçarin dhe djalin e tij.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësisë e Madhe kanë marrë informacion se në vendin e quajtur “Grykë Lugje”, në njësinë administrative Shkrel, Malësi e Madhe, rrjedha e ujit të përroit kishte marrë përpara një automjet me të cilin udhëtonin tre persona, banorë të zonës. (babai, djali dhe vajza).

Në momentin që rrjedha e ujit ka marrë përpara automjetin që drejtohej nga shtetasi P. R., rreth 50 vjeç, vajza ka mundur të dalë dhe është ndihmuar nga një banor i zonës. Vajza ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa babanë e vajzës dhe vëllanë e saj i ka marrë rrjedhja e ujit.

Në vendngjarje ndodhen  polumbarët e RENEA-s, grupi i evakuim-shpëtimit, grupi alpin i FNSH Shkodër, emergjencat civile dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe, të cilët po punojnë për gjetjen e dy shtetasve (babë e bir)”- thuhet në njoftimin e policisë.

 

Ora 14:43
Përkeqësohet situata në hyrje të Shkodrës! Bllokohet qarkullimi për mjetet e vogla

 

Përkeqësohet situata në hyrje të Shkodrës. Bllokohet qarkullimi për mjetet e vogla.

Ora 14:27
Situata e rënduar për shkak të reshjeve me intensitet të lartë, Begaj thirrje institucioneve: Tregoni përgjegjshmëri maksimale!

1668077125_WhatsAppImage20221110at11.36.161.jpeg

Presidenti, Bajram Begaj ka reaguar lidhur me situatën e krijuar nga reshjet e shiut me intensitet të lartë që kanë përfshirë vendin. Nëpërmjet një postimi në facebook, Begaj bën thirrje ndaj institucioneve përgjegjëse dhe pushtetit lokal që të tregonin përgjegjshmëri maksimale për të mbrojtur jetën e qytetarëve si dhe të merrnin masa për t’u paraprirë emergjencave civile në vijim.

“Po ndjek me vëmendje situatën e rënduar të krijuar nga reshjet e shiut dhe stuhitë në shumë qarqe të vendit. Është e rëndësishme që përballë kësaj situate serioze të gjitha institucionet përgjegjëse dhe pushteti lokal, të tregojnë përgjegjshmëri maksimale, për të mbrojtur jetën dhe pronën e çdo individi, si dhe për të marrë të gjitha masat e nevojshme për të përballuar dhe paraprirë emergjencat e ndryshme të orëve apo ditëve në vijim.

Është e rëndësishme që popullata të ketë informacionin e nevojshëm në kohë reale për të përballuar si duhet çdo vështirësi, gjithmonë duke patur mbështetjen e institucioneve shtetërore”-shkruan Begaj në reagimin e tij.

 

Ora 14:19
Po udhëtonin me makinë, zhduket një person së bashku me fëmijët! Dyshohet se e mori rrjedha e ujit në Shkodër

1668950511_Screenshot1.jpg

Një makine, dyshohet se e ka marrë uji në zonën e Bogë pranë Përroit të Thatë. Pjetër Rushaj që drejtonte mjetin po udhëtonte me makinë së bashku me 2 fëmijët e tij. Alarmin e kanë dhënë të afërmit e drejtuesit. Në lidhje me këtë ngjarje janë vënë në dijeni forcat e policisë. Priten të mësohen të tjera detaje.

Ora 14:10
'Të ulet shpejtësia', pjesë të autostradës Durrës-Kavajë mbulohen nga uji, vështirësi në qarkullim deri në Urën e Dajlanit

 

Intensiteti i lartë i reshjeve të shiut ka sjellë prani të madhe të ujit në autostradën Durrës Kavajë, duke vështirësuar qarkullimin e automjeteve në këtë aks rrugor.

Bëhet thirrje që drejtuesit e automjeteve të bëjnë kujdes për të shmangur aksidentet, duke ulur shpejtësinë. Përgjatë këtij aksi rrugor deri në Urën e Dajlanit, ka prani të madhe të ujit.

Ora 14:04
Moti i keq/ Ushtria në terren te Harku i Bërdicës, disa makina nën ujë! Peleshi: Po mbushen rezervat, por sfidë përballja me to

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi nga Lezha ka dhënë detaje për situatën e krijuar nga reshjet intensive të shiut në të gjithë vendin. Në terren ka zbarkuar edhe Ushtria për të ndihmuar banorët që të kalojnë rrugën në Harkun e Bërdicës për shkak të prezencës së ujit. Në disa zona, Peleshi tha se ka ndërprerje të qëllimshme të energjisë elektrike. Ai tha se këto reshje janë lajm i mirë për shkak se mbushen rezervat, por shtoi se tashmë është sfidë për përballjen me to.

“Këtu jemi në hyrje të Shkodrës, tek Harku i Bërdicës. Ka patur rreshje me intensitet shumë të lartë gjatë ditës së djeshme; kanë qenë të befta dhe kjo ka sjellë fryrjen e përrenjve dhe të basenit të Vaut të Dejës.

Gjatë natës ka patur disa problematika edhe për furnizimin me energji elektrike. Këtu kemi dhe drejtorin e OSHEE, i cili më siguron që po vendosen në kontroll të gjitha zonat dhe deri nga pasditja kur të ulet dhe intensiteti i rreshjeve të kemi furnizim të plotë me energji elektrike. Duhet të na mirëkuptojnë qytetarët sepse në disa zona ndërprerja e furnizimit bëhet për arsye sigurie, pra, nuk është se mungon energjia, por për arsye sigurie, edhe për të shmangur ndonjë rrezik të mundshëm, ndërpritet energjia sa të qetësohet situata.

Këtu është pika më nevralgjike e zonës së Shkodrës, e Harkut të Bërdicës. Siç e shikoni, kemi përmbytje të rrugës, kemi bërë thirrje, së bashku me prefekten, Drejtorinë e Policisë për të devijuar kalimin e automjeteve për të mos rënduar kalimin.Gjithsesi, Forcat e Armatosura, siç e shikoni, janë në krye të punës, duke ndihmuar qytetarët të kapërcejnë këtë pikë nevralgjike.

Shmangia e trafikut do ta lehtësonte punën. Gjithsesi, ne jemi këtu gati, me mjete dhe me njerëz për çdo rast. Një familje është evakuuar në anën tjetër të rrugës dhe një tjetër pak më lart në hyrje të Shkodrës.Janë katër banesa në këtë krah që po i mbajmë në monitorim dhe nën kontroll sepse rrezikojnë dhe janë më pranë përmbytjes.

Rreziku është që ky ujë që rrjedh drejt Dajçit poshtë të shkaktojë përmbytje në ato zona ndaj jemi edhe me Ministren e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në territor për të kontrolluar punën e hidrovoreve. Është shumë e rëndësishme sesi hidrovoret të jenë në punë në mënyrë që të tërheqin sa më shumë dhe të kullojnë sa më shumë. Është e rëndësishme për t’u theksuar që bashkitë kanë bërë një punë të mirë, kanalet kulluese janë në gjendje pune dhe ato sjellin që sapo bie intensiteti i rreshjeve tu kullojë uji sa më shpejt”, tha Peleshi.

Ora 13:52
Prezencë uji te Harku i Bërdicës, përmbytet sërish Xhamia e Plumbit në Shkodër

 

Reshjet e shiut kanë krijuar një situatë të vështirë në Tamarë dhe fshatra të tjerë në Malësi  të Madhe. Prezencë uji ka në hyrje te Harku i Bërdicës. Ujërat kanë vërshuar mbi urën e Pojatës, teksa përmbytjeve si gjithnjë nuk i ka shpëtuar as Xhamia e Plumbit.

Ora 12:29
Përmbyten dhjetëra hektarë tokë bujqësore në Zadrimë e Torovicë

 

Reshjet e shit kanë përmbytur dhjetëra hektarë tokë bujqësore në Zadrimë e Torovicë të Lezhës. Kanalet e ujërave të larta kanë dalë nga shtrati duke krijuar këtë situatë problematike. Gjithashtu është bllokuar rruga që lidh fshatin Kodhel.

Ora 11:42
Stuhi e fortë në Tiranë, Veliaj: Rikthejmë gjithçka në normalitet! Tregoni kujdes në rrugë

 

Gjatë orëve të natës dhe sot në mëngjes, Tirana është përfshirë nga reshje tepër të dendura të shiut dhe një stuhi e fortë ere, të cilat kanë shkaktuar jo pak dëme në kryeqytet.

“Mirëmëngjes! Kolegët e emergjencave civile po rikuperojnë dëmet nga stuhia e mbrëmshme! Për pak rikthejmë gjithçka në normalitet! Gjithsesi, me kujdes në rrugë dhe faleminderit për bashkëpunimin”, shkruan Veliaj, teksa thotë se punonjësit e bashkisë kanë punuar gjatë orëve të natës dhe në mëngjes për të normalizuar situatën dhe për të eliminuar rrezikun për qytetarët.

Ora 11:14
'Kemi hyrë në zonën me risk', bashkia e Vlorës njoftim për qytetarët: Mos parkoni automjetet në këto vende

1668895282_durresmoti.jpg

Si rrjedhojë e përkeqësimit të kushteve atmosferike, bashkia e Vlorës ka bërë një njoftim ku u kërkohet qytetarëve që të mos parkojnë automjetet në zonat me risk të lartë të njohura si: Albano&Romina", Biblioteka Publike, në "Skelë" te dykalimshi, etj.

“Instituti i Gjeoshkencave dhe Qendra Kombëtare për Parashikimin dhe Monitorimin e Rreziqeve Natyrore, informojnë se Qarku i Vlorës ka hyrë në zonën me risk, ku parashikohen reshje shiu me intensitet të lartë gjatë dites .

Ju bëjmë thirrje të mos parkoni automjetet në zonat me risk të lartë, në veçanti te "Albano&Romina", Biblioteka Publike, në "Skelë" te dykalimshi, etj.

Grupet tona do të jenë në terren në monitorimin e situatës dhe në ndërhyrje sipas rastit nëse do të jetë e nevojshme”-thuhet në njoftimin e bashkisë Vlorë.

Ora 10:37
Vështirësitë e krijuara nga rrebeshet e shiut, mblidhet Komiteti i Mbrojtjes Civile, në dy qarqe rreziku i përmbytjeve është më i lartë

 

Vështirësitë e krijuara nga reshjet e shumta të shiut në vend kanë sjellë mbledhjen e Komitetit të Mbrojtjes Civile për të diskutuar lidhur me situatën aktuale në qarqet e Shkodrës dhe Lezhës ku rreziku i përmbytjeve është më i lartë. 


Por diskutime janë bërë edhe për situatën e krijuar në bashkitë, Tiranë, Durrës, Vlorë dhe Fier. Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi shkruan se së bashku me kryebashkiakët dhe prefektët është rënë dakord për planin e masave parandaluese. 

“Komiteti i Mbrojtjes Civile u mblodh për të diskutuar rreth situatës së krijuar nga reshjet me intensitet të lartë gjatë orëve të fundit, veçanërisht në qarqet Shkodër, Lezhë, ku rreziku për përmbytje është edhe më i lartë, por edhe në bashkitë Tiranë, Durrës, Vlorë e Fier. 


Me kryetarët e bashkive dhe Prefektët e këtyre qarqeve rakorduam planin e masave parandaluese dhe lehtësuese për menaxhimin e situatës edhe në orët në vijim, që sipas parashikimit të motit do të jenë me reshje të shumta. 
Jemi çdo minutë në monitorim të situatës. Ministria e Mbrojtjes, Agjencia e Mbrojtjes Civile dhe Forcat e Armatosura janë në gatishmëri për çdo nevojë të pushtetit vendor dhe qytetarëve”-shkruan Peleshi. 
 

Ora 09:35
Shkodër/ 400 ha në Fushën e Murriqan nën ujë! Përmbytje në 3 shtëpi në Theth, disa fshatra pa drita

 

Një sipërfaqe prej 400 ha në Fushën e Murriqanit është përmbytur si pasojë e reshjeve të dendura të shiut. Gazetari i Report Tv, Ergys Kavaja raporton situatën në qarkun e Shkodrës. Mësohet se ka një tejmbushje të kanaleve kulluese të para, të dyta, të treta në Velipjë, Dajç e Bërdicë, teksa ka edhe dëmtime të rrugëve dytësore. Nga inertet është bllokuar rruga kryesore në Zues dhe lejohet lëvizja në një korsi. përroi Nikgjonaj në Theth ka dalë nga shtrati ku ka prezencë uji në 3 banesa.

Ora 09:30
Reshjet intensive të shiut lënë pa energji elektrike disa fshatra në Gjirokastër, pezullohet lundrimi për mjetet detare në portin e Sarandës

 

Dhjetëra fshatra në bashkinë e Gjirokastrës kanë mbetur pa energji elektrike si pasojë e reshjeve të shumta të shiut dhe erës së fortë. Sipas informacioneve zyrtare nga njësitë administrative, banorët e fshatrave të Odries, Lazaratit, Celos dhe Lunxherisë që prej mesnatës kanë mbetur pa energji elektrike.

Liqeni i Viroit është gati të dalë nga shtrati për shkak të prurjeve të 24 orëve të fundit. Kjo do të shkaktonte izolimin e qarkullimit në aksin nacional Gjirokastër-Tepelenë.

Ndërkohë në Sarandë, për shkak të përkeqësimit të kushteve meterologjike, është pezulluar lundrimi për të gjitha mjetet deri në datën 22 Nëntor.

Ora 08:58
‘Rënie gurësh dhe inertesh’, ARRSH: Në aksin Bajram Curri-Valbonë, qarkullimi kryhet vetëm me një korsi

1668931219_arrsh.jpg

Autoriteti Rrugor shqiptar ka njoftuar se reshjet e shiut me intensitet të lartë në të gjithë vendin, kanë shkaktuar edhe rënie të gurëve dhe inerteve në disa akse rrugore.

Bëhet me dije se në aksin Bajram Curri-Valbonë, qarkullimi po bëhet vetëm në njërën korsi pasi ka pasur rënie gurësh dhe inertesh.

“Reshje me intensitet kanë përshkuar të gjithë vendin, pa bllokuar qarkullimin në akset kombëtare

Ka pasur rënie të inerteve në trup të rrugës më të shpeshta në Rajonin Verior, dhe pemë të këptura, si në Vlorë-Orikum të cilat janë pastruar menjëherë

Në aksin Bajram Curri-Valbonë ka pasur rënie gurësh dhe inertesh, qarkullimi për momentin kryhet me një korsi. Kontraktorët me mjete e punëtorë janë në terren për të mbajtur qarkullimin në normalitet”-thuhet në njoftimin e ARRSH.

Ora 07:57
Moti i keq në vend/ Era e fortë rrëzon disa pemë në Vlorë, Durrësi dhe Kukësi përfshihen nga rrebeshe shiu

 

Era e fortë dhe reshjet e shumta gjatë mbrëmjes së djeshme, kanë sjellë probleme të shumta në zonën e Dukatit të Vlorës. Për pasojë janë rrëzuar disa pemë të mëdha, gjë që ka sjellë probleme në qarkullimin e automjeteve.

Qyteti i Durrësit është përshirë nga reshje të shumta shiu në mëngjes. Tragetet e nisura nga Bari kanë mbërritur në kohën e duhur, por peshkarexhat dhe anijet e vogla janë të bllokuara në port si pasojë e motit të keq.

Ndërkohë raportohet për reshje shiu intensive edhe në Kukës.

B.V//ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?