Watkins në fillimet e karrierës dhe festa e golit që eliminoi Holandën

PROFIL/ Ollie Watkins, njihuni me heroi e heshtur të Anglisë që bëri një komb të ëndërrojë! Si e nisi futbollin rastësisht

11 Korrik, 10:51| Përditesimi: 11 Korrik, 10:52

  • Share

Quhet Ollie Watkins, luan me Aston Villën si sulmues dhe vlen 65 milionë euro. Këto janë të dhënat e para që gjithkush mund të gjejë për heroi e Anglisë në Euro 2024.

Në një kërkim më të thellë, mësojmë se babai i tij është me origjinë nga Xhamajka dhe nëna angleze, teksa futbollin 28-vjeçari e ka nisur rastësisht. Si të gjitha historitë e njerëzve që lënë shenjë për kombet e tyre, edhe Ollie e ka nisur rastësisht me futbollin.

Në fëmijëri ai luante futboll, por nuk e kishte menduar veten në një ekip. Kjo deri në moshën 7-8 vjeçare, kur një mik ishte prezent në shtëpinë e tij dhe e ftoi t'i bashkohej ekipit lokal Neuton Abbot në Devon, qytet ku u lind Watkins.

Hapi i parë me shokët e rinj ishte droja. Si çdo fëmijë që mendon se po hynte në një ekip futbolli, Ollie u paraqit në stërvitje me dilemën se të tjerët janë më të mirë meqe ndodhen në ekip.

Stërvitjet e para e bënë të kuptonte se nuk ishte ndryshe nga të tjerët, duke pasur po atë cilësi. Pak kohë më vonë Exeter City e kërkoi në ekip, por vogëlushi që ishte ende 8 vjeç nuk përqëndrohej si duhet dhe klubi e ftoi të rikthehej pas gjashtë muajve, me prindërit që kishin dilema për të ardhmen.

Nga moshat e Exeter, në 2014 ai firmosi me ekipin e parë duke u huazuar edhe te Uestonsuper, para se në 2015 t'i besohej një fanellë titullari. Vetëm dy sezone dhe në moshën 21-vjeçare Exeter merr një ofertë të parezistueshme, plot 7.22 milionë euro nga Brentford për sulmuesin.

Padyshim që hapi i madh u krye dhe tre sezonet me ekipin e ri bënë që Watkins të "shpërthente" me gola. Vera e 2020 ishte e nxehtë për të, pasi Aston Villa i dërgoi një ofertë prej 34 milionë eurosh Brentfordit për sulmuesin.

Prej kësaj kohe vlera e tij është dyfishuar, ndërsa katër sezone në "Villa Park" kanë bërë që treg për momentin të kushtojë 65 milionë euro.

Të mërkurën Watkins ishte heroi i kombit të tij, me Anglinë që përmbysi 1-2 Holandën dhe siguroi finalen e Euro 2024 kundër Spanjës. I futur vetëm në minutën e 81 në fushë, sulmuesit iu deshën vetëm nëntë minuta për të shënuar golin e fitores. Gol i cili ka bërë një komb të ëndërrojë për trofeun e parë të Europianit.

Me Anglinë sulmuesi Watkins ka shënuar katër gola në 14 takime, teksa këtë Europian i janë besuar vetëm 29 minuta. Para duelit ku u tregua hero, ai luajti 20 minuta kundër Danimarkës dhe më pas qëndroi në stol.

Watkins nuk foli, nuk u ankua, por priti momentin e tij. Moment i cili erdhi dhe e gjeti gati për t'u bërë heroi i një populli që ka shpikur futbollin dhe shpreson te trofeu.

S.Dh/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?