"Ngjarjet e 2014 janë të kaluara, sot na duhen pikët", kështu thotë ish-portieri i Kombëtares, Orges Shehi për Report Tv në prag të ndeshjes kundër Serbisë, e cila luhet sot në orën 20:45 në Leskovac. Kombëtarja shqiptare mban vendin e dytë në Grupin K, mirëpo kuqezinjtë kanë një ndeshje dhe një pikë më shumë se serbët, andaj dueli i sotëm ka rëndësi. Sipas Orges Shehit, i cili ishte pjesë e Kombëtares gjatë dhunës së serbëve në Beograd më 14 tetor 2014, edhe një pikë sot na bën punë.
"Kemi objektiv Botërorin, duam të shkojmë atje pas Evropianëve. Duuhet të lëmë pas emocionet që vijnë nga jashtë fushe. Rivali është direkt për vendin e dytë.
Skema? Futbolli është i bukur se të gjithë kanë një opinion. Gjeneralët janë pas ndeshjes. Stafi e ka përgatitur këtë ndeshje shumë mirë. Ne mund të flasim pak për situatën që është atje. Kemi rivalë që duan tri pikë dhe mund të gabojnë. Ne duhet të dalim në sulm dhe mos presim rivalët në mbrojtje.
Shanset për tri pikë? Duhet të luajmë me nervat e tyre. Ne jemi të karikuar dhe të bashkuar. Serbia nuk është e qetë për këtë ndeshje. Trajneri i tyre ka përplasje me gazetarët. Ata kanë individë, por ne kemi ekip. Nuk na mungojnë as emrat e mirë. As barazimi nuk është keq duke parë ndeshjet që vijnë. Ne presim Anglinë, ata e kanë jashtë.
Ne jemi një pikë para, me një ndeshje më shumë. Të dyja luajmë kundër Anglisë më pas. Mendoj që ky pozicion ku jemi është i mirë, humbja na largon nga objektivat.
Sylvinho? Meriton komplimente për punën e bërë, na duhej fitorja këtu kundër Serbisë (0-0). Mendoj se lojtarët janë zgjedhur në bazë të rivalit. Kemi një bosht dhe grup.
Formacioni? Daku, Broja dhe Bajrami duhen nga minuta e parë. Ashtu edhe Laçi apo Ramadani e Shehu. Pastaj varet nga manovra e zgjedhur, nëse do luajmë në mbrojtje apo sulm.
Gripshi? Më bëhet qejfi që është pjesë e ekipit, ka nivel të lartë. Është grumbullimi i parë për të dhe vendos trajneri nëse do e ketë gati apo do e lërë jashtë.
Barazimi? I pranueshëm, na lë shteg për të ardhmen.
E ardhmja e Sylvinhos? Nuk e di. Kjo është e drejtë e FSHF-së. Në këtë moment nuk e mendon kush këtë çështje. Nuk kemi pse e fusim në trysni ekipin.
Parashikimi? Nuk jam i zoti. Edhe barazimi do jetë i mirë.
Ndeshja e 2014 dhe masat e marra? Kthehemi në Serbi. Ne kemi organizuar dy ndeshje të mira kundër tyre në Shqipëri. Di që janë marrë masa edhe në Serbi. Tifozët do jenë të kontrolluar. Një pjesë e tifozerisë serbe shkon deri në huliganizëm. Ata duhet të na marrin shembull për organizimin. Ne jemi pa tifozë atje, lojtarët e ndiejnë mbështetjen sepse janë në qendër të vëmendjes. Futbollistët tanë janë të ndërgjegjshëm që çdo shqipfolës është me ta. Prej dhjetorit 2024 punoj në Kosovë dhe këtu ka shumë emocione. Më shumë vëmendje do marrë ky duel, se ndeshja e Kosovës që u luajt dje.
Sot kemi 11 luanë në fushë, luajnë për miliona njerëz. 12 të tjerë janë në pankinë dhe mendoj se do na bëjnë krenarë", tha Shehi.
Komente
