Bota

Putin 3 orë 'kokë më kokë' me të dërguarin e Trump për Ukrainën! Presidenti amerikan telefonon Zelenskyn, po përgatit takimin me Putin

6 Gusht, 15:06| Përditesimi: 6 Gusht, 22:44

  • Share

Presidenti rus Vladimir Putin u takua me emisarin amerikan Steve Witkoff në Kremlin, ndërsa afati i vendosur nga Donald Trump për një armëpushim në Ukrainë po afrohet.

Mediat ruse raportojnë se bisedimet zgjatën rreth tre orë, pas mbërritjes së Witkoff në Rusi mëngjesin e së mërkurës.

Disa orë pas takimit, mediat informuan edhe për një bisedë telefonike të presidentit amerikan me atë ukrainas, Volodymyr Zelensky. Detajet e bisedës ende nuk janë bërë të njohura.

Presidenti ukrainas e pohoi bisedën, duke shtuar se ishin të pranishëm edhe liderët europianë, por pa dhënë emrat. Kurse mediat amerikane informojnë se Trump po përgatit një takim trepalësh me Putin dhe Zelenskyn që javën e ardhshme, por pa prezencën e liderëve europianë.

Presidenti i SHBA-së ka paralajmëruar se nëse Moska nuk ndërmerr hapa konkretë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, Rusia mund të përballet me sanksione të ashpra, si dhe me sanksione të dyta ndaj vendeve që vazhdojnë të tregtojnë me të.

Në pamjet e publikuara nga mediat ruse, Witkoff dhe Putin shihen duke buzëqeshur e shtrënguar duart. Dy zyrtarët janë takuar disa herë më parë.

Kremlini tha se takimi ishte i dobishëm dhe konstruktiv.

Witkoff dhe Putin diskutuan luftën e vazhdueshme të Rusisë në Ukrainë, raportoi media shtetërore RIA Novosti, duke cituar Kremlinin.

"Putin përcolli disa sinjale në Shtetet e Bashkuara mbi çështjen ukrainase. Sinjale përkatëse u morën edhe nga Presidenti Trump", tha RIA në një postim në mediat sociale.

Megjithatë, pritshmëritë për një marrëveshje deri të premten mbeten të ulëta. Rusia vazhdon sulmet ajrore në shkallë të gjerë ndaj Ukrainës, pavarësisht paralajmërimeve për sanksione nga SHBA.

Trump, i cili pati premtuar përpara marrjes së detyrës në janar se do ta përfundonte luftën në një ditë, është treguar gjithnjë e më i paduruar për mungesën e progresit. Retorika e tij ndaj Rusisë është ashpërsuar.

Tre raunde bisedimesh mes Ukrainës dhe Rusisë të zhvilluara në Stamboll kanë dështuar të sjellin një përfundim të luftës, e cila vazhdon prej më shumë se tre vjet e gjysmë nga fillimi i pushtimit të plotë nga Moska.

Ora 22:38
Media: Pavarësisht takimit, sanksionet dytësore kundër Rusisë do fillojnë të premten!

Takimi mes Vladimir Putin dhe Steve Witkoff

Pavarësisht se gjithçka në takimin dhe bisedat e sotme shkoi mirë në aksin SHBA-Ukrainë-Rusi, sanksionet ndaj Moskës të premten pritet të zbatohen.

Në horizont është edhe një takim kokë më kokë mes Trump-Putin-Zelensky për t’i dhënë fund luftës pas tre viteve, teksa presidenti amerikan e ka marrë përsipër vetë çështjen e Ukrainës, raportojnë mediat.

Takimi midis të dërguarit të Donald Trump, Steve Witkoff, dhe Vladimir Putinit "shkoi mirë" dhe "rusët janë të etur të vazhdojnë të bashkëveprojnë me Shtetet e Bashkuara", raportoi një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë, duke cituar gazetarin e ‘Axios’, Barak Ravid.

Megjithatë, zyrtari shtoi se "sanksionet dytësore pritet të zbatohen të premten".

 

Ora 22:09
New York Times: Trump dëshiron të takohet me Putinin dhe Zelenskyn që javën e ardhshme! Asnjë lider europian prezent

1754244477_donaldtrump.jpg

Gazeta amerikane New York Times raporton se Presidenti amerikan Trump u tha udhëheqësve evropianë gjatë bisedës telefonike që pati me homologun ukrainas, se do të donte të takohej si me Putinin, ashtu edhe me Zelenskyn javën e ardhshme.

Sipas dy personave të njohur me planin, Presidenti Trump synon të takohet personalisht me Presidentin rus Vladimir Putin që javën e ardhshme dhe menjëherë pas kësaj, planifikon të organizojë një takim midis tij, Putinit dhe Presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky.

Trump zbuloi planet e tij sot në një telefonatë me udhëheqësit evropianë, thanë burimet. Takimet do të përfshijnë vetëm këta tre personalitete dhe nuk do të përfshijnë asnjë homolog evropian.

Udhëheqësit evropianë, të cilët kanë kërkuar të luajnë një rol koordinues në bisedimet për t'i dhënë fund dhunës midis Rusisë dhe Ukrainës, duke mbështetur gjithashtu fqinjin e tyre evropian, duket se i kanë pranuar fjalët e Trump, tha një nga personat e njohur me telefonatën.

Ora 21:48
Zelensky: Pata një bisedë telefonike me Trump, por të pranishëm ishin edhe liderët europianë!

1752574915_trumpzelensky.jpg

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka reaguar i pari pas telefonatës që pati me presidentin amerikan Donald Trump.

Ai pohoi shkurtimisht zhvillimin e kësaj bisede, por pa dhënë detaje. E vetmja e re që ai njoftoi, ishte edhe prezenca e liderëve të tjerë europianë të pranishëm, që kanë qenë në linjë gjatë bisedës.

“Pata një bisedë me Presidentin Trump. Kjo bisedë u zhvillua pas vizitës në Moskë të përfaqësuesit të Presidentit Trump, Steve Witkoff”, tha Zelensky në Telegram, duke specifikuar se “liderët evropianë ishin të pranishëm” në këtë bisedim, pa thënë se cilët.

Ora 19:53
Pak pas përfundimit të takimit Putin-Witkof, presidenti Trump i telefonon homologut ukrainas Zelensky!

Donald Trump dhe Volodymyr Zelensky gjatë takimit në Shtëpinë e Bardhë

Presidenti Amerikan Donald Trump ka zhvilluar një bisedë të re telefonike me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.

Ky zhvillim diplomatik erdhi menjëherë pas përfundimit të takimit disaorësh të presidentit rus Vladimir Putin, me të dërguarin e posaçëm amerikan Steve Witkoff.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, foli në telefon me Volodymyr Zelensky, informuan mediat sot, por pa dhënë detaje të kësaj bisede.

Si Axios ashtu edhe Reuters raportojnë se presidenti amerikan Donald Trump pati bisedë rreth çështjes së përfundimit të luftës dhe arritjes së paqes mes dy vendeve, pas tre viteve luftë.

Reuters po transmeton një citat me një rresht nga një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë, i cili thotë se ‘sanksionet dytësore ndaj Rusisë pritet të zbatohen të premten’.

Kremlini tha se i dërguari i SHBA-ve, Steve Witkoff dhe Vladimir Putin i Rusisë kanë zhvilluar bisedime “konstruktive”, ndërsa afati i fundit i Donald Trump që Moska të bjerë dakord për një armëpushim në Ukrainë afrohet. Ndihmësi i politikës së jashtme Yuri Ushakov tha se, gjatë takimit të tyre tre-orësh, Putin i transmetoi “sinjale” Ëitkoff mbi atë që ai e quajti “çështja ukrainase” dhe “mori sinjale përkatëse” nga pala amerikane.

Më shumë rreth negociatave do të ndahet pasi Witkoff t’i raportojë Trump, shtoi Ushakov. Presidenti amerikan ka thënë se Rusia mund të përballet me sanksione të rënda ose të shohë sanksione dytësore të vendosura kundër të gjithë atyre që tregtojnë me të nëse nuk ndërmerr hapa për t’i dhënë fund “luftës së tmerrshme” me Ukrainën.

Ora 19:45
Trump reagon pas takimit Putin-Witkoff në Moskë: Diskutimi ishte produktiv! Do të punojmë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë

1753206057_donaldtrump.jpg

Presidenti amerikan Donald Trump ka reaguar pas takimit që i dërguari i i posaçëm amerikan Steve Witkoff mbajti sot në Moskë me presidentin rus, Vladimir Putin.

Përmes një postimi në rrjetet sociale Trump tha se ky ishte një takim mjaft produktiv.

“I dërguari im i posaçëm, Steve Witkoff, sapo pati një takim jashtëzakonisht produktiv me Presidentin rus Vladimir Putin. U bë një përparim i madh! Më pas informova disa nga aleatët tanë evropianë. Të gjithë janë dakord se kjo luftë duhet të përfundojë dhe ne do të punojmë drejt këtij qëllimi në ditët dhe javët në vijim. Faleminderit për vëmendjen tuaj ndaj kësaj çështjeje!”

V.GJ /A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A po i liron hapësirat publike aksioni i qeverisë?