Shkodër- Kryesocialisti Edi Rama zhvilloi një takim me të rinjtë shkodranë, pak minuta pas fjalimit që mbajti në pallatin e sportit para grave dhe vajzave të qarkut.
I shoqëruar edhe nga kandidatët dhe kryebashkiaku Benet Beci, drejtues politik i qarkut për PS njëkohësisht, kreu i mazhorancës vlerësoi energjinë e të rinjve.
“Mes energjisë së të rinjve votues për herë të parë!”, u shpreh Rama pak para se të fliste para të pranishmëve, në kuadrin e turit elektoral për zgjedhjet e 11 majit.
Kryesocialisti Rama kujtoi historinë e Shkodrës deri dy vite më parë, mes pluhurit dhe degradimit dhe atë ku gjendet tani qyteti me një transformim.
Dhe kjo sipas tij sepse PS me Benet Becin qëlloi në kokë dhe shkodranët gjithashtu me votën e tyre goditën po në kokë. Ndaj kryesocialisti përsëriti apelin e tij që shkodranët përsëri në 11 maj të “qëllonin në shenjë” duke votuar PS-në, që qyteti të zhvillohej edhe më shumë me investime dhe projekte, por edhe për ta çuar në BE.
Rama vlerësoi maksimalisht punët e deritanishme të kryebashkiakut Beci.
“Në dy vjet ne kemi bërë për Shkodrën atë që është bërë në të gjitha vitet e marra së bashku. Edhe në të dhënat ekonomike ka qenë viti më i mirë ai i vjetshmi. Sapo ka filluar të bëhet atraksion turistik, ka shumë turistë që nuk vijnë si vizitorë, por posaçërisht që vijnë për Shkodrën. Nëse ka një vend që të thuash se vota nuk vlen, e ka gabim, sepse Shkodra e ktheu nga një histori degradimi, pluhuri dhe pislliku, në histori rilindjeje, është këtu. Unë besoj nga ana tjetër se ka shumë e më shumë për të bërë akoma. Në qytetet e tjera kemi nisur më herët, me Shkodrën kemi vetëm dy vjet.
Kemi një kryebashkiak shumë të mirë, që punon dhe projekton, i ndjek projektet dhe që vazhdon të realizojë dhe kjo tregon se kemi bërë zgjedhjen më të mirë për Shkodrën, i kemi gjetur njeriun e duhur. Pyetja është a doni më shumë për Shkodrën? Atëherë votoni PS-në që të keni më shumë deputetë në Parlament, doni më shumë investime dhe zë, atëherë votoni më 11 maj për ata që të jenë pjesë e tryezës së qeverisë, vendimmarrjes”, u shpreh ai.
Dhe më tej krahasoi kandidatët e PS me ata të PD-së, ku kujtoi se te kundërshtarët ndodhet edhe një kandidat që “ndërron xhaketën” herë pas here.
Kryesocialisti bëri thirrje që ky moment historik të shfrytëzohej nga shkodranët dhe e gjithë Shqipëria, sepse PS-së i duhet një votë masive, që të mos varet nga “këneta”, për të implementuar ligjet e BE-së, arritur afatin e negociatave më 2027 dhe për t’u anëtarësuar në BE. Pasi në të kundërtën, dera e BE-së mbyllet.
“Herën e kaluar thatë në djall shkoftë dhe i ratë në kokë, bëjeni përsëri”, nënvizoi ai para të rinjve.
Kryesocialisti kujtoi se vota për “kënetën” ishte kthim pas dhe e rrezikshme për vendin.
“Jo t’ia jepni kënetës, e për të nxjerrë atë që... ktheje xhaketën mbrapsht, ktheje edhe një herë, nga jashtë brenda, i kanë sjellë edhe nga jashtë, edhe nga brenda, e ça do bëjnë ata, asgjë. Ça kanë në dorë ata? Asgjë!. Ndaj nëse doni të keni në dorë, zgjidhni ata që ju përfaqësojnë dhe janë zëri juaj, që të kenë vendimmarrje më shumë. Kjo nuk është pasaportë e zakonshme, është gjithçka, sepse na e ka sjellë fati, ta shfrytëzojmë. Kjo është puna jonë dhe më shumë se puna jonë, sepse nëse ata na kanë hapur derën ne duhet ta shfrytëzojmë. Ata kanë hapur derën sepse janë rrethanat dhe ne gjendemi aty, tani jemi aty. Jemi këtu dhe duhett ë hyjmë brenda, e për të hyrë na duhen negociatat më 2027 e për të arritur atje na duhet më shumë pjesëmarrje në Parlament, sepse na duhet votë masive për të hyrë në BE, që të bëjmë rregulla e ligje se janë 250 mijë faqe e grup negociatorësh. Se s’mund t’i themi kënetës që hajde t’i bëjmë ligjet bashkë, sepse na duhet një forcë më e madhe, na duhet mbështetje më e fortë, siç bëtë ju dy vite më parë në Shkodër, thatë “në djall shkoftë”, t’ia japim një kandidati se mjaft u lodhëm dhe ja ku jeni, pas dy vitesh më ndryshe, e lanë atë jo PS-ja jo PD-ja dhe i ranë në kokë, i ranë në kokë, apo s’është edhe ajo aty përtej të majtës dhe të djathtës”, u shpreh Rama mes të tjerash.
Kryesocialisti Edi Rama pati një tjetër moment pikant me të rinjtë e Shkodrës në fund të fjalës së tij gjatë takimit.
Ai përsëriti porosinë për vajzat e reja që nëse kishin ndonjë simpatizant demokratë, ishte rasti më ideal për ta vënë në provë nëse është me BE-në apo me bufin e kënetës.
Teksa bëri batuta politike dhe shkaktoi të qeshura, kreu i socialistëve kujtoi se jo që ta kthenin simpatizantin e tyre në socialist, ta linin demokrat, por prova e 11 majit ishte që të votohej për Shqipërinë, BE-në dhe jo për kënetën.
“Me një porosi për gocat këtu që cilëndo prej tyre që kanë ndonjë simpatizantë demokrat, ndodh, ju ka ardh në dorë, rasti ideal për ta vu në provë simpatizantin, se sa mend ka.
Jo për ta bërë socialist, absolutisht jo, demokratët le të rrinë demokratë, por me Shqipërinë, me BE-në në Europë, apo me bufin e kënetës në gropë?! Nëqoftëse ai thotë unë jam me bufin e kënetës, është koha për ta përcjellë dhe për të parë majtas (bën me dorë shenjën e përcjelljes). Faleminderit!”, tha Rama.
Gjatë fjalës së tij në Shkodër, kryesocialisti Edi Rama pati edhe një moment pikat dhe gazmor teksa prezantoi deputeten më të re të qarkut Shkodër, Kejsi Spahija.
Kreu i mazhorancës kujtoi se jo vetëm në Shkodër, por edhe në të gjithë Shqipërinë, PS ka evndosur gjysmën e kandidatëve gra dhe vajza të reja dhe të rinj.
Ai e ftoi në podium për të mbajtur një fjalim të shkurtër, teksa nuk munguan edhe batutat, ku kandidatja me humor e të qeshura i tha se ende s’ia kishte mësuar moshën.
“Dua të bëj një falenderim dhe urim të veçantë, për këtë gocën këtu, Kejsin. Ne këtu në Shkodër, gjysmën e skuadrës i kemi gra dhe vajza. Këtu në Shkodër ne kemi edhe deputeten më të re... prapë e bëra gabim? (pyet Kejsin, “Të Shkodrës”, i kujton ajo), më të re të Shkodrës, kështu që urdhëro, thuaj dy fjalë! Është Kejsi tjetër ajo, apo jo, është më e reja e Shqipërisë, apo jo...?!”, u shpreh kryesocialisti, teksa i dha mikrofonin kandidates.
Spahija mes humorit e të qeshurave u shpreh:
“S’ka problem, përshëndetje të tanëve. S’ka problem, prapë s’e morë vesh moshën teme... akoma s’e more...! Faleminderit! Përshendetje, du më bë një krahasim, të zhduket diferenca e shumicës, djemve dhe vajzave, se vajzat janë fuqia dhe motori i lëvizjes së krejt Shkodrës dhe PS-së. Unë jam krenare që kam punuar me rininë e Pukës, Fushë-Arrëzit, Vaut të Dejës e krejt malësisë së madhe. Falenderoj kryeministrin Rama për mundësinë që më ka dhënë dhe shpresoj t’ia shpërblej dhe që ne të mos e humbim objektivin që kemi për Shqipërinë dhe Shkodrën Europiane”.
Komente

PO TI MOR LEGEN 20 VJET NE POLITIKE,,CFARE JE TI...NUK JE XHAKETE E KTHYER....
Përgjigju