Në zonën e njohur si “Plazhi i Akademisë së Marinës” në Lungomare, Bashkia e Vlorës ka nisur vendosjen e 50 çadrave falas për pushuesit që zgjedhin plazhin publik.
Kjo është një prej masave që synon të lehtësojë barrën për qytetarët në sezonin e nxehtë veror.
“Ne kemi shtëpitë këtu dhe vijmë shpesh. Por ka mbeturina që i shihni dhe ju”, thane pushuesit
Pushuesit kërkojnë më shumë menaxhim nga bashkia, duke theksuar mungesën e pastërtisë, tualeteve portative, dusheve dhe vrojtuesve të plazhit.
“Mbremë ishin ca te huaj dhe i lane mbetjet aty. Duhet te vendosen kosha dhe të pastrohet rera çdo emngjes. Duhet te vendosen tualete portative.. Duhet te vendosen dhe dushe ne plazh”, shtojnë pushuesit.
Sipas Bashkisë së Vlorës, këtë vit janë trefishuar sipërfaqet e plazheve publike. Aktualisht janë në funksion katër plazhe të tilla – në Orikum, Plazhin e Ri, Plazhin e Vjetër dhe te Akademia e Marinës.
Zyrtari i bashkisë thekson se ndarja e parcelave për plazhet private ende nuk ka përfunduar dhe për këtë fajësohet Agjencia Kombëtare e Bregdetit.
“Janë 98 subjekte të licencuara nga Agjencia Kombëtare e Bregdetit, por vetëm 32 prej tyre kanë përfunduar kontratat. Për të tjerat, procedurat janë ende në vazhdim”, shprehet Ajken Hoxha.
Vlora ka 90 km vije bregdetare, nga grykëderdhja e Vjosës deri në Karaburun, teksa temperaturat rriten dhe pushuesit shtohen, sfida për të menaxhuar siç duhet plazhet, mbetet ende e hapur.
Komente
