Ministria e Mbrojtjes i ka bërë një pasqyrim situatës së krijuar nga moti i keq në vend. Përmes një njoftimi 'Mbrojtja' bën me dije se intensiteti I reshjeve është shtuar shumë 24 orët e fundit dhe se shqetësuese është situata e krijuar për shkak të daljes nga shtrati të lumit Vjosa në urën e Mifolit. Kjo ka shkaktuar përmbytje në fshatin Novoselë dhe në fshatin Ferras.
"Prej orëve të para në zonë janë angazhuar mbi 75 efektivë të FA dhe mjete, të cilat po u vijnë në ndihmë strukturave të emergjencave civile në Vlorë e Fier. Vijon puna në terren për të pastruar nga uji disa rrugë në bashkinë Gjirokastër, Dropull e Këlcyrë. Punonjësit e Autoritetit Rrugor po vijojnë punën prej dy ditësh për të garantuar qarkullimin e lirë. Me prioritet po ndiqet situata e krijuar si pasojë e prurjeve të lumit Shushica që nxori jashtë funskionit urën e fshatit Mesaplik në bashkinë Selenicës, por edhe në fshatin Kallarat në bashkinë Himarë", njofton Ministria.
Ndërkohë që probleme ka sjellë edhe dalja e lumit Osum në fshatin Verrik në Berat, ndaj në bashkinë Dimal e Kuçovë janë evakuuar disa familje.
"Ministria e Mbrojtjes u bën thirrje banorëve në zonat, ku ka probleme të bashkëpunojnë me autoritetet për evakuim nëse do të jetë e nevojshme. Si pasojë e reshjeve të shumta të dëborës po ndiqet nga strukturat edhe situata në rrugën Bogë Qafë Thorë dhe Peshkopi- Lurë. Të gjitha strukturat e pushtetit vendor ndodhen në terren për të garantuar vijimin e furnizimit normal me ujë, energji të qytetareve në të gjithë vendin. Forcat e Armatosura nën koordinimin e Agjencisë së Mbrojtjes Civile janë në gatishmëri per çdo nevojë", thuhet ndër të tjera në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.
Lajmi kryesor:
Situata e rrezikshme e krijuar nga reshjet, në Vlorë Vjosa del nga shtrati! Ministria e Mbrojtjes: Jemi në terren, 30 familje të evakuara! Ministria e Bujqësisë: 1000 hektarë tokë nën ujë
K.T./ReportTv.al