Reshjet e dendura të shiut gjatë natës kanë ndihmuar në shuarjen e vatrave të zjarrit në qarkun e Vlorës, për të cilat Ministria e Mbrojtjes tha se vihen nga një grup kriminal. Vatrat janë shuar plotësisht në fshatin Vajzë dhe në Drashovicë të bashkisë Selenicë. Aktualisht, një vatër e vogël mbetet aktive në fshatin Mavrov, por autoritetet raportojnë se ajo është drejt shuarjes.
Mbrëmjen e së enjtes, në përditësimin e situatës nga zjarret në Vlorë, tha se "tipologjia dhe kronologjia e këtyre vatrave krijojnë bindjen e arsyeshme se kemi të bëjmë jo vetëm me zjarrvënie të qëllimshme, por me një grup të strukturuar kriminal në veprim në këtë zonë, anëtarët e të cilit kanë zgjedhur të veprojnë në orët e natës, kur është e pamundur ndërhyrja nga ajri."
Vatrat e zjarrit janë shuar edhe në bashkinë e Fushë-Arrëzit. Konkretisht, janë shuar vatrat në zonën e Lumit të Trunit, Kulumri dhe në pyjet e Kryeziut, ku situata u paraqit mjaft problematike gjatë pasdites së të enjtes.
Si pasojë e zjarreve, në ekonominë pyjore Sakat – Laku i Hithit janë djegur 60 hektarë pyje, ndërsa u përshkruan rreth 130 hektarë të tjerë. Edhe në zonën e Kryeziut janë shkrumbuar afro 7 hektarë pyje me pisha.
Dy zjarrvënës kanë rënë në prangat e policisë. 43-vjeçari Elvis Bylyshi u arrestua pasi ndezi zjarr qëllimisht në vendin e quajtur “Fshati i Vjetër” në Selenicë pas konfliktit me bashkëfshatarin duke djegur një sipërfaqe me ullinj dhe rrezikuar bagëti të imta. Ndërkohë, në Gramsh ra në pranga një 26-vjeçar që ndezi zjarr në pyllin e fshatit Bersnik i Poshtëm dhe rrezikoi banesat. Nën hetim u vendos babai i tij.
Një 26-vjeçar është arrestuar në Gramsh, ndërsa babai i tij është vënë në hetim pasi janë kapur nga policia duke ndezur zjarr në pyllin e fshatit Bersnik i Poshtëm. Nga përhapja e flakëve u dogj një sipërfaqe pyjore dhe u rrezikuan banesat përreth.
“Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera për zbardhjen e autorësisë së rasteve të zjarrvënieve dhe arrestimin e përgjegjësve, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Gramsh vunë në pranga shtetasin F. S., 26 vjeç dhe referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin R. S., 70 vjeç (babai i shtetasit F. S.).
Këta shtetas janë kapur në flagrancë, dje, nga shërbimet e Policisë, duke ndezur zjarr në pyllin e fshatit Bersnik i Poshtëm, njësia administrative Kodovjat. Nga përhapja e flakëve u dogj një sipërfaqe pyjore dhe u rrezikuan banesat përreth”, njofton Policia.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shkatërrimi me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor”.
Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan apelon për të gjithë qytetarët që në asnjë rast të mos ndezin zjarre, pasi do të përballen me ligjin. Gjithashtu, fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112, çdo rast të kësaj veprimtarie kriminale dhe të paligjshmërive në tërësi, dhe iu garanton anonimat, reagim të shpejtë dhe të paanshëm.
Një 43-vjeçar është arrestuar në Selencië për zjarrvënie. Policia thotë se Elvis Bylyshi ka ndezur zjarr qëllimisht ditën e djeshme në vendin e quajtur “Fshati i Vjetër”, Drashovicë pas një konflikti me bashkëfshatarin e tij, dhe për pasojë është djegur një sipërfae toke me ullinj.
Sipas policisë, nga zjarri u rrezikuan edhe bagëtitë e imëta të bashkëfshatarit.
"Si rezultat i veprimeve hetimore të shpejta dhe profesionale për dokumentimin e rasteve të zjarrvënieve dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve, specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Selenicë bënë ndalimin me iniciativë dhe referuan materialet procedurale në Prokurori, për shtetasin:
E. B., 43 vjeç, banues në fshatin Drashovicë, Selenicë.
Nga hetimet paraprake dyshohet se ky shtetas, më datë 21.08.2025, rreth orës 19:30, në vendin e quajtur “Fshati i Vjetër”, Drashovicë, ka ndezur zjarr në mënyrë të qëllimshme, pas një konflikti me bashkëfshatarin e tij, shtetasin F. N. Si pasojë e përhapjes së flakëve, është djegur një sipërfaqe toke e mbjellë me ullinj dhe janë rrezikuar të digjen bagëtitë e imta të shtetasit F. N.", njofton policia.
Komente
