Ardit Mancaku, e ka takuar Nënë Terezën 35 vite më parë, kur ishte 12-vjeç dhe familja e kishte braktisur në jetimore, pasi kishte lindur me nanizëm.
“Unë kam qenë 12 vjeç kur ka ardhur Nënë Tereza tek Qendra e Zhvillimit në Shkodër dhe i kam pas këmbët e kthyera në formë peshku. I kam thënë ‘Nënë Terezë a do më falësh 2 mijë lek të blej një këmbë të reja’. Nënë Tereza më tha se do të shëroj unë me duart e mia. Na ka çuar mua dhe një vajzë në spital në Romë. U shtrova në spital më 5 gusht të 1991. Atëherë Nënë Tereza u ka dhënë bekimin mjekëve. Operacioni i parë ka zgjat 5 orë. Isha i fortë kam pasur kurajo! Kam bërë disa operacione, kam qendruar dy vite në spital”, tregon ai.
Sot 47 vjeç, Ardit Mancaku beson në mrekullitë e Shenjtores Tereza, teksa thekson se është ngritur në këmbë falë lutjeve të saj.
“Nënë Tereza vinte shpesh në spital. Ishte mrekulli e saj që kanë shkuar mirë gjithë ato operacione. Kam dalë nga spitali vitin 1993, kam qarë doja të rrija në spital. Kisha frikë se do më çonin tek familja biologjike. Nuk doja të shkoja atje. Pastaj më kanë çuar në shtëpinë e motrave të Nënë Terezës dhe aty jam takuar me Papa Gjon Palin II, në ’93 dhe ‘94. Nënë Tereza ka qenë nëna ime dhe Papa ka qenë babai im”.
Mban përherë pranë vetes edhe foton e takimit me Papa Gjon Pali II në Shkodër.
“Kjo është fotoja që kam me atë vajzën që shkova në spital. Ajo është birësuar në Itali, ndërsa unë u ktheva. Nënë Tereza për mua ka qenë gjithcka, më ka hap shumë rrugë. Falë saj jam sot tek projekti “Shpresa”.
Arditi Mancaku tashmë jep kontributin e tij në qendrën “Shpresa” në Shkodër. Sipas mësimeve të Nënë Terezës kujdeset për fëmijë dhe të rinj, jetimë e me probleme sociale e shëndetësore.
Komente

Ardit,hostoria e jetes tende me krijoi emocion ! Zoti te dhente force dhe ne si shoqeri te jemi mirenjohes per dedikimin tend ! Mbaresi dhe plot shendet ! Rruga e Dibres
Përgjigju