Bie Komisioni Hetimor për investimet strategjike, përplasen palët e PD, akuza dhe tensione! Bardhi: Berisha urdhëroi deputetët të bashkojnë votat me Ramën! Flamur Noka: Qeveria po ju përdor

9 Qershor 2022, 10:10| Përditesimi: 9 Qershor 2022, 21:04

  • Share

TIRANË- Përplasen keq në Kuvend palët e Partisë Demokratike. Sekretari i Përgjithshëm i Rithemelimit, Flamur Noka, ka folur në lidhje me opozitën dhe atë që sipas tij përdoret për interesat e qeverisë.

Ai i ka akuzuar mazhorancën se ka emëruar një opozitë të cilën e përdor dhe i jep urdhra sa herë të jetë e nevojshme. Ndërkohë që Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi akuzoi Sali Berishën se i ka dërguar mesazh deputetëve që të mos e votojnë Komisionin Hetimor për Investimet strategjike.

Por edhe mazhorancë e opozitë kanë debatuar ashpër në lidhje me komisionin hetimor për Investimet Strategjike, kërkesa e dytë e plotësuar e deputetëve të PD që u rrëzua me votim në Kuvend.

'Merri leje doktorit, dhe sqaro demokratët pse u bashkuat me PS-në për të bllokuar komisionin për investimet strategjike. Pse i ka nis Berisha mesazh deputetëve që të bëhen bashkë për të bllokuar komisionin. Sa për elektoratin unë nuk kam ardhur ndonjëherë në zyrën tënde, ti ke ardhur në 2020 dhe më ke thënë mos më ço në Kukës se më djeg anëtarësia e Partisë.'- tha Bardhi

"Sipas rregullores ai vendimin duhet të diskutohet brenda afatit 15 ditor", tha Alibeaj.

"Po e bëni kërkesë për futjen në rendin e ditës", iu përgjigj Nikolla, ku pasi u hodh në votim, shumica votoi kundër.

Mirëpo, kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla akuzoi opozitën se ka pasur përpjekje për falsifikim firmash. 

'S’doja ta zhvilloja këtë debat me ju. S'ka ndodhur në Kuvend që të marrësh firma nga një kërkesë të rrëzuar dhe me të njëjtat firma të sjellësh një kërkesë të re. Kjo është përpjekje për falsifikim. Firma është një shprehje vullneti që shprehet një herë. Nuk mund ta marrësh firmën e një firmëtari dhe ta transferosh në dokumentin tjetër", tha Balla.

Deputeti Gazment Bardhi iu përgjigj Ballës pse u rrëzua komisioni për Investimet Strategjike.

"Një deputet i këtij Kuvendi që është një nga ministrat më të rëndësishëm të këtij Kuvendi, rrezikon mandatin dhe së dyti të shkojë në burg", iu përgjigj Bardhi

Deputetët e PD akuzuan se megjithëse qëllimi i ligjit për investitorët strategjik ishte pozitiv, ai u përdor për t’u dhënë favore njerëzve me lidhje të forta pranë qeverisë dhe drejtuesve të Partisë Socialiste. Në kërkesën e re të depozituar nga PD më 27 maj, u shtuan firmat e Lulzim Bashës dhe Enkelejd Alibeajt.

Pas debateve Kuvendi miratoi përbërjen e Komisioneve për Reformën zgjedhore dhe atë territoriale.

Nga ana tjetër Gentiana Sula u konfirmua në krye të autoritetit për Informimin mbi dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit për një mandat tjetër.

Ora 18:21
Noka- Bardhit: U bëre deputet mbi gjakun e një njeriu! I përgjigjet deputeti: Sqaro mesazhet e Berishës, pse e bllokuat Komisionin e Investimeve Strategjike

Një përplasje ka ndodhur mes Gazment Bardhit dhe Flamur Nokës në Kuvend, ku e tha se Komisioni i Investimeve strategjike nuk është i nevojshëm, pasi njëjtë si me Komisionin e Inceneratorëve PD nuk nxori asgjë në dritë.

Noka i kujtoi Gazment Bardhit vrasjen e Pjerin Xhuvanit në Elbasan, ku e akuzoi se u bë deputet mbi gjakun e një njeriu. 

Bardhi i tha Nokës të dalë e tu japë llogari demokratëve se përse Berisha u ka dërguar mesazh deputetëve që të bëhen bashkë me socialistët për të rrëzuar komisionin e Investimeve strategjike. 

Noka: Përpos maskaradave që keni bërë dhe bëni, ju keni marrë një stil të keq vitet e fundit, të përdorni dhe opozitën. Të emëroni opozitën, të caktoni dhe opozitën, pavarësisht se demokratët e kanë caktuar kush është opozita. Ju përdorët opozitën e ‘koperatave’ për të votuar çdo bastardllik. Tani na keni gjetur një fake opozitë, nga opozita e ‘keperatave’ tek opozita e bravave, dhe merreni me Enkin, me Gazin, me Jorin e me të tjerët, dhe i keqpërdorni, i fshini, i hidhni i lani, i ricikloni i fusni prapë në përdorim që ju të vidhni që të pasuroheni, që ju ta shtypni këtë popull. Këtë keni mision ju, që të varrosni opozitën. E vetmja që ju kishte ngel pa kapur ishte opozita, ja ku i keni pengjet. I keni kapur, ju shërbejnë, ju servilosen, i urdhëroni si të doni.

Opozitë nuk emëroni dot dhe as nuk caktoni dot. Na keni sjellë për të miratuar 2 komisione ua ka propozuar Enki, Gazi dhe Jori, komision për reformën zgjedhore dhe komision për reformën territoriale. Ore kjo opozitë ai i ka 59 deputet, me kë jeni konsultuar me 3-4 ushtarët tuaj që i bëni këto. A e dini ju që Enki, Gazi dhe Jorka nuk dalin dot nga shtëpia të takojnë elektoratin, që të marrin mendime për reformën zgjedhore dhe komision për reformën territoriale sepse nuk ju hap dernë  askush. Ju i keni përcaktuar opozitën dhe bëni ca të doni me ta, populli opozitar nuk bën pazar, dhe pse ju bëni Pazar me këta.

A e bëtë një komision për inceneratorët, ku ishte rezultati. Ju bë lavash Edi Ramës, u la Arben ahmetajt, u pastrua. Ai ishte komisioni i zgjedhjeve, i vjedhjeve të 25 prillit, ku shkoi komisioni i reformës, a mos e ndatë kokë më kokë këtë punë, një në këtë botë një në atë botë kalbet në burg, dhe ju të vazhdoni në paqe dhe në qetësi. Se kështu u la, që njëri të kalbet në varr e tjetri në burg. A është Pazar apo jo? 

A ka ndonjë opozitar që e di se ccfarë u bë me atë komision që na propozohet një komision tjetër. Ccfarë janë këta komisione që i ngrini ju? I ngrini për ti shërbyer Edi Ramës, ca lidhje kanë Enki, Gazi dhe Jorka me reformën territoriale e zgjedhore, asnjë lidhje. Në cilën zonë zgjedhore shkojnë këta. PD a ka marrë vota në Jug, kush është përfaqësuesi në këtë reformë. Elbasani ska përfaqësues se nuk duan këta e ka tmerr Bardhi, Elbasanin i bie të fikët, vetëm po ja ka kuruar plagët Taulanti, nuk do të jetojë. Ku është qarku i Vlorës, kush do ta bëje diskutimin për reformën për atë qark, ku është Berati. Ca janë këta? Pazare. Në kurriz të kujt? Këtu ka shërbëtor dhe fake opozitë dhe ndaj bëhen pazaret por jo ti emëroni. Doni të ktheni monizmin, populli demokrat do ju rrëzojë

Bardhi: Në fakt do i kërkoj falje demokratëve që duhet ti kthej përgjigje një kolegu nga opozita. Prita të fliste për naftën po drejtonte gishtat lartë e poshtë po nuk përmendi kush është oligarku i naftës. Dil atje e fol po ta mbajti, po nuk ke guxim ta përmendësh. Nuk ke guxim ti përmendësh oligarkët që kjo fake opozitë i përmend çdo ditë. Merri leje doktorit, dhe sqaro demokratët pse u bashkuat me PS-në për të bllokuar komisionin për investimet strategjike. Pse i ka nis Berisha mesazh deputetëve që të bëhen bashkë për të bllokuar komisionin. Sa për elektoratin unë nuk kam ardhur ndonjëherë në zyrën tënde, ti ke ardhur në 2020 dhe më ke thënë mos më ço në Kukës se më djeg anëtarësia e Partisë.

Ora 10:40
Komisioni për investimet strategjike/ Bardhi i përgjigjet Ballës: E rrëzuat pasi një nga ministret rrezikon të shkojë në burg

 

Deputeti Gazment Bardhi i është përgjigjur kreut të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, për argumentet që ky i fundit dha se pse u rrëzua komisioni për Investimet Strategjike.

‘Sqarimi është një justifikim. Një javë para se në të depozitonim kryeministri tha harrojeni se do të ngremë komision hetimor për të verifikuar proceduarat për investimet strategjike. Një deputet i këtij Kuvendi që është një nga ministrat më të rëndësishëm të këtij Kuvendi, rrezikon mandatin dhe së dyti të shkojë në burg. Në kushtet e flagrante të interesit, bashkëshorti I saj ka fituar statusin e investitorit strategjik. Individë anonimë me kompani offshore, kanë përfituar të gjitha projektet për investime strategjike.

Pasuritë publike janë kthyer në plaçkë dhe kryeministri zgjohet në mëngjes dhe thotë se cilit do t’i japë një copë tokë. Duhet të jemi të ndershëm më shqiptare ju vini dhe nuk dini se çfarë flisni. Keni një listë me 36 firma dhe thoni është e falsifikuar. Kryetare merrini dhe pyesni a kanë ato vullnetin për të hetuar të gjitha proceduar. Nëse dikush thotë nuk kam vullnet do të thotë se është falsifikuar. Po ju mendoni se secili prej nesh në këtë sallë është njëlloj si ju. Ju jeni për ti shërbyer Olta Xhaçkës. ta harroni se mund të bllokoni një komision hetimor të kërkuar nga opozita konfrom ligjit  dhe kushtetutës. Dilni zbuluar se me atë ligj që është zbatuar, pasi miq dhe familjarë tuajt kanë përfituar pasuri publike. Doni apo nuk doni ju opozita do ta bëjë transparencën e plotë për sa i përket investimeve strategjike. ‘- tha Bardhi.

Ora 10:30
Ngritja e Komisionit për Investimet Strategjike, Balla tregon pse u rrëzua kërkesa e PD-së: Nuk plotësonte kërkesat formale, keni bërë përpjekje për falsifikim

 

Kryetari i grupit Parlamentar në Partinë Socialiste, Taulant Balla gjatë fjalës së tij në Kuvend, ka folur për rrëzimin e kërkesës së PD-së nga Konferenca e Kryetarëve për ngritjen e Komisionit për Investimet Strategjike. Balla tha se kërkesa bëhet nga fillimi, kur një deputet tërhiqet.

‘Je sekretar i Përgjithshëm i Partisë Demokratike. Grupi parlamentar i PD ka më shumë nevojë për të mësuar rregulloren. Në Konferencën e Kryetarëve debati që është bërë për këtë çështje ishte i qartë. S’të bën nder të ndërhysh, se je sekretar i PD-së. Ta sqaroj unë. Ka dy vlerësime, aspekti i përmbushjes së formës dhe karakterit formal të kërkesës. S’doja ta zhvilloja këtë debat me ju. Ska ndodhur në Kuvend që të marrësh firma nga një kërkesë të rrezuar dhe me të njëjtat firma të sjellësh një kërkesë të re. Kjo është përpjekje për falsifikim. Firma është një shprehje vullneti që shprehet një herë. Nuk mund ta marrësh firmën e një firmëtari dhe ta transferosh në dokumentin tjetër. Aty ishin shtuar dy firma të reja për një dokument të ri. Si mund t’ju besojnë juve qytetarët kur kërkoni zbatimin e ligjit dhe e nisni kërkesën tuaj me shkelje ligji.

35 firma të administruara për një dokument të datës 25 maj u ishin shtuar dhe dy firma të reja. Duke bërë shënime që deputeti x është tërhequr. Kanë shkelur me të dyja këmbët ligjin bazë atë të respektit të dokumenteve zyrtare. Keni shkelur ligjin zotëri. Nuk ka ndodhur kurrë. Të marr unë një palë firma që të bëra në shtator. Kur depoziton një kërkesë të re ndryshon dokumenti. Mendova se ju e përmbyllët këtë çështje. Mblidhini të njëjtët firmëtar dhe hajde të bëjmë debatin. Debati zhvillohet kur kërkesa përmbush kriteret formale. I përmbush kriteret formale me një deputet që thotë se është tërhequr. Kërkesën bëjeni nga fillimi për të plotësuar kriterin formal. Ndërthuren të dyja rregullorja e Kuvendit dhe plotësimi. Minimalisht është i falsifikuar. Padi vullneti i firmëtarit nuk është hedhur për një dokument të datës 27 por, 24.’- tha Balla.

B.K.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?