Report Tv me gazetarin Piro Nase ka udhëtuar këtë diel në rrugën e re lidh Gjirokastrën me Sarandën. Nisemi nga Ura e Kardhiqit, pjesë e aksit nacional Tepelenë-Gjirokastër.
Rruga është me dy korsi, dredhon nëpër kthesa të buta është pajisur me sinjalistikë rrugore ku shpejtësia e lejuar varion nga 60-deri në 80 km/h.
Në ditën e parë të qarkullimit nuk ka trafik. Përshkojmë këto kilometra duke kaluar nëpër fshatrat me natyrë piktoreske, Çepunë, Zenelaj, Plesat, Kardhiq, Taroninë deri sa mbërrijmë në tunelin e Skërficës.
Report Tv sjell për herë të parë pamjen e plotë të tunelit, i gjatë 1.3 km me dy korsi. Nuk lejohet parakalimi, ndërsa maksimumi i shpejtësisë është 60 km/h.
Ky aks ofron të gjitha parametrat e një rruge nacionale, ndërsa i vetmi problem i konstatuar është mungesa e rrjetave mbrojtëse apo betonizimit në faqet anësore te kodrinës.
Drejtuesit e mjeteve kanë vlerësuar investim, por thonë se duhet treguar kujdes për shkak të kthesave.
Itinerari Gjirokastër-Sarandë tashmë përshkohet për rreth 45 minuta.
"Kardhiq-Delvinë" konsiderohet një aks strategjik për ekonominë dhe turizmin e të gjithë fshatrave të Labërisë. Rruga eviton qafën e vështirë të Muzinës dhe shkurton gati me një orë udhëtimin nga Tirana drejt bregdetit të Sarandës. Ky investim i ka kushtuar buxhetit të shtetit rreth 110 milionë euro.
Ndiqni VIDEON KËTU